Tingujt e muzikës greke dhe këngëve shqiptare pushtuan këtë herë sheshin “Odeon” në qytetin liqenor të Pogradecit ku për rreth dy orë performoi koncert Live këngëtarja greke me famë kombëtare, Glyekeria. Rikthyer pas një viti në Shqipëri me zërin e saj brilant artistja greke dhuroi emocione të bukura duke elektrizuar publikun pogradecar.
“Emrin e qytetit të Pogradecit e kam dëgjuar nga im atë. Është një qytet i mrekullueshëm. Kam një lehtësi të këndoj në gjuhë të huaja dhe jam shumë e lumtur që kam mësuar të këndoj edhe në gjuhën shqipe. Është kënaqësi të këndoj këngë në shqip falë muzikantit Dasho Kurti”, tha Glyekeria.
Për organizatoren e koncertit Enkeleida Fejoz evente të tilla janë një mundësi për të zhvilluar turizmin dhe jetën kulturore të qytetit.
“Është një kënaqësi kur publiku ia di këngët këngëtares. I shërben jo vetëm turizmit , por është dhe një marrëdhënie shumë e mirë midis dy popujve duke ditur që arti dhe muzika është një nga urat lidhëze mes dy popujve edhe për trashëgimi, traditë”, u shpreh ajo.
Pas qytetit të Pogradecit këngëtarja së muzikës greke, Glykeria do të vazhdojë turin e saj të koncerteve në Vlorë dhe në Dropull./diasporashqiptare/ KultPlus.com