Gjakova do të bëhet epiqendra e kulturës shqiptare me edicionin e parë të festivalit “Ditët e Nëntorit”, një festë unike që mban gjallë trashëgiminë tonë përmes muzikës, paneleve dhe traditave tona tradicionale.
Nga data 19 deri më 30 nëntor 2024, Teatri “Hadi Shehu” do të mirëpresë artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe më tej, me një program që nuk duhet humbur:
-Opera e Kosovës “Goca e Kaçanikut” – 19.11.2024, ora 19:00 -Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë – 23.11.2024, ora 19:00 -Saz’Iso – 28.11.2024, ora 20:30 -Gala Koncert me Solistë dhe Ansamble Vokale e Instrumentale – 29.11.2024, ora 20:30
Veç përformancave të jashtëzakonshme, festivali ofron edhe ushqime dhe pije tradicionale që përcjellin shpirtin shqiptar.
Të gjitha të ardhurat e biletave do të përdoren për të promovuar turizmin kulturor të Gjakovës. Festivali organizohet nga Fondacioni për Gjakovën, i përkushtuar ndaj zhvillimit të kësaj komune të bukur si një destinacion turistik kulturor./ KultPlus.com
Gati gjysmë shekulli pasi u vu në skenë për herë të parë në Tiranë, opera e parë kosovare ‘Goca e Kaçanikut’ e kompozitorit Rauf Dhomi dhe me libret nga Ajmone Dhomi e Jusuf Buxhovi erdhi mbrëmë në Prishtinë, në një shfaqje që dhuroi një moment kulminant në fillimet e Operës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Premiera e kësaj opere solli një nate magjike me një numër të madh të artistëve në skenë, të drejtuar me profesionalizëm dhe pasion nga regjisori i njohur, mjeshtri i madh, Nikolin Gurakuqi.
“Goca e Kaçanikut”, opera me dy akte dhe tri tablo, sjell para publikut temat e rëndësishme të dashurisë për atdheun, bukurisë dhe trimërisë së gruas shqiptare. Kjo është personifikuar në mënyrë të mahnitshme përmes karakterit të Pafikës, të cilën sopranoja Adelina Paloja e shfaqi me një interpretim të jashtëzakonshëm.
Regjisori Nikolin Gurakuqi ka arritur të sjellë në skenë një interpretim të ngjashëm me shpirtin dhe thellësinë e veprës, duke e bërë kështu operën të jetë një përvojë e paharrueshme për të gjithë, përcjellë nga orkestra e gjallë në skenë që u drejtua nga dirigjenti Edon Ramadani.
Si përfundim, kasti i shkëlqyeshëm, balerinët, kori, okestra dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë shfaqje, u përshëndetën nga një duartrokitje e ngrohtë dhe disa-minutëshe nga publiku.
I pranishëm në premierën e operës ‘Goca e Kaçanikut’ ishte i pranishëm vetë kompozitori Rauf Dhomi, i cili shkroi këtë operë në vitin 1972, dhe 55 vite pas premierës së parë, ajo vjen në Prishtinë. E për Dhomin, kjo shfaqje ishte shumë me e ngrohtë sepse po shfaqej në vendin që e njeh këtë histori.
“Po, kjo premierë për mu është ma e ngrohtë, ma për zemër, se po i shoh të gjithë meqë tema është e vendit tonë dhe të gjithë janë të gëzuar. Kjo është një një sugjerim për qeverinë që në këtë sallë nuk është premiera kompakte, sepse kjo sallë nuk është teatër. Besoj shumë që pas premiere do të kemi edhe shtëpinë e operas”, u shpreh për KultPlus kompozitori Dhomi.
E për të vënë në skenë pas 55 vitesh operën e parë kosovare ‘Goca e Kaçanikut’ u përkujdes regjisori Nikolin Gurakuqi. Pas shfaqjes, ai tha për KultPlus se pas provave një mujore, intensive, arritën të sjellin një natë magjike mbrëmë.
“Jam shumë i kënaqur me performancën. Nga provat deri tek shfaçja gjithçka erdhu në rritje dhe shkoi perfekt e pa defekte dhe kjo është dëshira e të gjithë atyre që ngjiten skenë, por edhe e regjisorit dhe dirigjentit që e drejtojnë shfaqjen dhe unë isha ulur atje te pulti i ndriçimit dhe e kam parë shfaqjen si një spektator i thjeshtë, me kënaqësinë më të madhe”, theksoi Gurakuçi duke shtuar ndër të tjerash se me shumë punë, arritën të çojnë shfaqjen në këtë nivel.
Pas performancës së saj në rolin e Pafikës, personazhit kryesor në këtë opera, për KultPlus foli vetë sopranoja Adelina Paloja, e cila e përshkruan këtë moment si një nga momentet kulminante në karrierën e saj në Kosovës.
“Sonte jam jashtëzakonisht e emocionuar. Është ndoshta momenti kulminant i karrierës sime këtu në në Kosovë.Për vetë faktin se e tillë është edhe premiera, është historike, jo më kot dhe jo rishtazi, por që pesdhjetë e tri vite i është dashur që të piqen kushtet që më në fund kjo opera të prezantohet dhe të inskenohet përpara publikut kosovar aty edhe kur ka filluar e gjithë historia të them”, theksoi Paloja.
“E bekuar me pritjen që më është bërë nga publiku dhe këtë rol ia dedikoj të gjitha femrave shqiptare ato të cilat historikisht kanë qenë vetëfliuese, kanë qenë aty ku është dashtë, me pasë pushkën në dorë, kanë qenë aty ku ka kërku familja dhe kanë qenë çdoherë duke mos e pasë veten në radhë të parë dhe duke rreziku edhe në këtë rast, siç ishte edhe vetë roli i pafikës, momenti ndoshta kulminant i gjithë operëskur ajo e vret tradhtarin, Rusbashin, një shqiptar, domethënë i cili tradhton popullin e vet dhe mundohet që për përfitime personale”, tha më tutje Paloja, duke shprehur se pavarësisht vështirësive, përfshirë këtu edhe performancën e një opere në gjuhën shqipe, megjithatë sipas saj, shkoi gjithçka siç ishte planifikuar.
Një nga rolet që përçoi emocioe të mëdha në publik është padyshim edhe ai i plakut e që u mishërua nga bas-baritoni Hektor Lekaj. Lekaj për KultPlus e përshkruan këtë performancë si një eksperiencë tejet të veçatë dhe që e ktheu atë në këndimin shqip pas 30 vitesh.
“Atëherë, unë në Shqipëri nuk kam kënduar dhe nuk kam qenë i ftuar në tridhjetë vjet. Është ftesa e parë për mua që kur jam në Itali që këndoj në shqip. Është hera e parë që vij në Kosovë dhe ia di për nder gjithë jetës Kosovës. Edhe ky produksion ishte shumë i veçantë për një seri arsyesh, pasi në premierën e vitit 1979, nëna ime ishte mjeshtre kori në Teatrin e Operës edhe kam qenë i vogël kur kam parë shfaqjen e parë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë që do të vija e të këndoja protagonist në po këtë opera në Prishtinë. Për mua është një eksperiencë shumë e bukur”, u shpreh Lekaj duke thënë mes tjerash që do të largohet nga Kosova me një notë melankolie kjo për shkak të mikpritjes që iu bë këtu.
Pasi u paraqit në rolin e Trimorit, në njëprej roleve kresore në operën ‘Goca e Kaçanikut, për KultPlus foli tenori Ismet Vejseli.
“Sot ka qenë një datë historike përfundimisht për operën e Kosovës dhe për gjithë ne është shumë kënaqësi, po edhe shumë emocion i madh që shfaqim këtë operë para publikut kosovar, kështu që ne jemi më se të lumtur, e gjithë ekipa dhe të gjithë solistët, bashkë me dirigjentin e me regjisorin. Gjatë provave, disponimi ka qenë fantastik, sepse regjisori Nikolin Gurakuqi është regjisor veçse me emër që ka punuar tetëdhjetë opera e kjo është edhe tetëdhjetëenjëta e tij.Kemi bërë afër tridhjetë ditë prova të pandalshme”, tha Vejseli, duke shtuar më tutje se për të është kënaqësi e madhe që ka punuar me regjisorin Gurakuqi.
Ndërkaq, për këtë premierë dhe për rrugëtimin që ka nisur Opera e Kosovës, foli vetë drejtori i këtij institucioni, Meriton Ferizi.
Ne kemi pasë disa paraqitje prej vitit 2021, që kur është themeluar Opera e Kosovës, por kjo ishte kombëtare edhe me një emocion krejt ndryshe edhe nga kori i orkestrës, solistëve, sepse edhe ngjarja është shumë aktuale, sepse flitet për luftën për liri, ku edhe ne e kaluam shumë shpejt dhe gjithë me atë është vepër kombëtare, meloditë, e kanë këndu me shumë emocione dhe është ndryshe sesa një vepër e huaj. Kështu që e kemi edhe obligim si institucion që të gjitha veprat kombëtare t’i kemi në repertor të përvitshëm edhe ato që janë të më të mirat botërore, që lëvizin dhe janë në repertoret e teatrove prestigjoze nëpër botës”, tha Ferizi për KultPlus.
Ndërkaq, repriza e operës ‘Goca e Kaçanikut’ do te jepet nesër më 25 shkurt./KultPlus.com
Një natë e ftohtë dhjetori më hodhi në rrugën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për një takim me kompozitorin e shquar, akademikë Rauf Dhomin. Kjo ishte biletë hyrëse për një udhëtim të papritur në botën e pasur të muzikës dhe pasionit të palodhur të tij.
Profesori Rauf, i cili më priti me elegancën e një artisti të vërtetë, ishte vetë një vepër arti. Ai ishte përgatitur që vetëm pas pak të drejtojë Korin e Burrave në një koncert festiv të Akademisë. Por megjithatë, me një bukuri dhe harmoni që i takonin një dirigjenti, me një karizëm që nuk mund të kalonte pa u vërejtur dhe një pasion të flaktë për zanatin e tij që reflektonte pashmangshëm në të, ai më uroi një mirëseardhje plot nderim.
Nën hijen e muzikës që dëgjohej nga provat e koncertit dhe ambientin solemn të akademisë, ne filluam një bisedë të këndshme me profesorin Rauf i cili nuk është thjeshtë një kompozitor, por një udhëheqës i fushatës së krijimtarisë artistike në Kosovë dhe përtej saj. Ai na çoi në një udhëtim emocionues përmes ujërave të jetës, ku notonte me mjeshtëri çdo notë e jetës së tij artistike.
Në këtë bashkëbisedim motivues, Rauf Dhomi ndau me ne ndjenjat dhe shpirtin e rrugëtimit të tij. Kjo nuk ishte thjesht një intervistë, por një eksperiencë që na kujtoi se pas çdo melodie artistike ka një histori unike dhe një pasion të patundur për të ndarë bukurinë e muzikës me botën.
Me profesorin Rauf ke se çfarë të flasësh, i lindur në qytetin e Gjakovës më 4 dhjetor të vitit 1945, ai i përket plejadës së kompozitorëve të Kosovës, të cilët ndërtuan artin muzikor në vend. Ai ka zhvilluar karrierën e tij në një periudhë aspak të lehtë për historinë e Kosovës, mirëpo përkundër kësaj, ai ka vazhduar në secilën periudhë të shpreh emocionet e tij përmes muzikës duke krijuar kështu një portofol të pasur me vepra të shquara.
Kjo intervistë e rrallë, shumë e rrallë e kompozitori Dhomi, është një udhëtim në thellësinë e mendjes krijuese të tij, një krijues që ka hapur degë të reja në pemën e muzikës klasike shqiptare duke u bërë i pari kompozitor kosovar që ka shtuar në portofolin e tij një operë të lavdishme.
Nga fillimi i tij në botën e kompozimit deri në arritjet e tij më të fundit, ne eksploruam çdo nuancë të pasionit të tij për muzikën dhe impaktin e tij të madh në skenën muzikore.
Krijimi i Institucionit të Operës në Kosovë: Arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet
E nisëm këtë bisedë me një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore që ka ndodhur sëfundmi, me krijimin e Institucionit të Operës në Kosovë, një iniciativë kjo të cilën profesori Rauf e kishte nisur qysh në vitin 2003, kur edhe themeloi trupën e Operës së Kosovës, dhe me 1.01.2004 themeloi Konservatorin Artistik pranë këtij Institucioni.
“Në vitin 2003, ish-presidenti Ibrahim Rugova më autorizoi të themeloj Institucionin e Operës. Në atë kohë unë dhashë tri opera. Kjo ishte një iniciativë e madhe, filluam të mbajmë koncerte gjithandej, kemi shkuar në Turqi, Kalabri, Greqi, Shqipëri e nëpër qytetet e Kosovës”, thotë profesori teksa në këtë pikë nuk harron të përmend edhe publikun që i ka dhuruar emocionet më të mëdha.
“Shumë shpesh kemi shkuar në Mitrovicë sepse Mitrovica e ka publikun shumë të mirë, por publikun më të mirë në Kosovë e ka Suhareka. Nuk e keni idenë! Kanë disiplinë të përkryer. Më të mirë në kulturë, nuk ke”, thotë Dhomi.
Por, kjo iniciativë e bukur që nisi për operën kosovare, ishte jetë shkurtër. Sipas profesorit Rauf, jetën ja shkurtuan udhëheqësit e institucionit të kulturës dhe që nga ajo kohë, iniciativa ra poshtë.
“Jam shumë i lumtur që tashmë është themeluar Institucioni i Operës, por nuk janë duke bërë operë. Për të pasur një shtet operë, fillimisht i bëhet shtëpia. Vetëm tek ne ndodhë e kundërta”.
Kompozitor i operës së parë kosovare, në kohën kur e ka krijuar këtë vepër, asnjëherë nuk e kishte menduar që viti 2023 do të na gjente pa një sallë operash.
“Kur e kam krijuar operën “Goca e Kaçanikut”, kam menduar që vetëm pas 2-3 viteve Kosova do të ketë Institucionin e Operës. Por që na gjen viti 2023 pa një shtëpi të operës, këtë se kam menduar asnjëherë.”
Rasti i shtëpisë së operës, është dëshmia më e fortë që në vendin tonë arti i mirëfilltë vazhdon të zvarritet. Por derisa jemi në pritje të krijimit të saj, ne u kthyem pas në kohë e folëm për një vepër të kompozuar në vitin 1978, për “Gocën e Kaçanikut”, një operë në dy akte dhe tri tablo, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi, me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.
Kjo vepër shënoi një kthesë të re në krijimtarinë muzikore në vendin tonë dhe për herë të parë u inskenua në manifestimin për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë në vitin 1979. Padyshim, ky ishte një moment i veçantë për krijuesin e kësaj vepre i cili bashkë me miq e kolegë u nisëm me një autobus nga Kosova për në Shqipëri, për të përjetuar këtë shfaqje.
“Shfaqja në atë kohë u dha me suksesin më të madh, më thirri edhe presidenti Enver Hoxha në atë kohë për të më falënderuar. Pastaj, nga viti 1988 deri në 2004 shfaqja është dhënë rregullisht, çdo mysafir që ka ardhur nga vendet ndërkombëtare, çdo delegacion është mirëpritur me “Gocën e Kaçanikut”. Ishte një nder për mua”, thotë kompozitori.
Opera e parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, pas gjysmë shekulli do të inskenohet në vendlindje
Por, përkundër faktit që “Goca e Kaçanikut” është opera e parë kosovare, ajo vetëm tani, pas gjysmë shekulli, po inskenohet për herë të parë në vendlindje. Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit, përgatitjet për premierën e kësaj shfaqje kanë filluar, rolet janë ndarë dhe gjithçka pritet të vijë premierë në muajin shkurt, për festën e madhe të Pavarësisë së Kosovës. Kjo lëvizje e re nga Institucioni i sapo themeluar i Operës së Kosovës e ka gëzuar profesorin Rauf.
“Kur më than që do ta ekzekutojnë “Gocën e Kaçanikut” nuk e besova. Mezi po pres të shoh premierën. Regjisori është një mjeshtër i madh tek i cili besoj shumë. Më kanë ftuar edhe mua, por nuk dua të ndikoj, unë e kam shkruar dhe kaq mjafton. Do të shkoj ta shijoj premierën.”
Por një operë e tillë kombëtare, një ditë do meritonte të jetësohet edhe në ndonjë skenë ndërkombëtare, një synim të tillë nuk e kam vetëm unë, por edhe kompozitori i cili kishte pasur një tentativë të tillë por që nuk u realizua asnjëherë. Rreth viteve 86’-88’ ai kishte udhëtuar për në Kalabri dhe Sicili për të mbledhur folklor për “Dasmën arbëreshe” dhe bashkë me kryetarin e komunës të asaj kohe, i cili ishte arbëresh, u dakorduan që “Gocën e Kaçanikut” ta inskenojnë në Itali, por gjithashtu u dakorduan që ata të financojnë një pjesë dhe Kosova pjesën tjetër.
“Kërkesa jonë nuk u mor parasysh në Kosovë sepse në atë kohë përkraheshin këngët popullore dhe opera nuk njihej nga udhëheqësit tanë. Ndodhë që në të ardhmen edhe do të inskenohet në ndonjë skenë të tillë, por për mua do të jetë vonë sepse nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar shumë vite. Por për historinë e operës kosovare nuk do të jetë vonë, kurdo që do të ndodhë do të ishte diçka e bukur”.
Kori i Burrave, një simbol i kulturës së Gjakovës
Krahas punëve të vazhdueshme si pedagog e krijues, Rauf Dhomi aktivisht ka punuar edhe me “Korin e Burrave” të Gjakovës, ansambël të cilin e formoi më 1965 e i cili vazhdon të jetë aktiv edhe sot. Për të, Kori i Burrave është një histori më vete, një sukses i jashtëzakonshëm për atë kohë, një simbol i kulturës së Gjakovë.
“E kam formuar në vitin 1965, kur kam qenë nxënës i shkollës së mesme. Atëherë kur nuk ka mundur askush të këndojë, në të gjithë bashkë kemi kënduar. “Këngën e Mortit” e kemi kënduar për të gjithë ata ushtarë që jepnin jetën, edhe pse i kishim tytat mbi kokë por asnjëherë nuk jemi frikësuar”, pohon Dhomi duke potencuar rëndësinë e kësaj vepre sepse sipas tij “I vetmi solemnitet në jetë është vdekja”.
Krijimtaria e profesorit Rauf është një maratonë e gjatë dhe e larmishme. Ai ka kompozuar në të gjitha gjinitë e muzikës. Krahas operave “Dasma arbëreshe”, “Muzat e Kalasë”, baletit “E bukura More” e shumë vepra të tjera muzikore vokalo-instrumentale, korale, orkestrale, gjithashtu muzikë për filma e shfaqjet teatrale (rreth 300 shfaqje) që përbëjnë krijimtarinë artistike të profesorit Rauf, një kontribut të madh ai e ka dhënë edhe në muzikën pianistike. Ai ka bërë shtatëdhjetë vepra për piano dhe këtë e konsideron një volum të mirë për vendin tonë. Por ai nuk beson se do ti kthehet më krijimit të veprave pianistike. Ajo që tash po i sillet në hapësirë është krijimi i një tjetër opere, operë për Mbretëreshën Teutë.
“Kam libreto të ndryshme, po nuk e kam ende atë që dua, jam duke e kërkuar”, thotë profesori i cili tutje foli edhe për krijimin e meshës së parë kosovare, të cilën e kishte shkruar për akademikun Gazmend Zajmin. Me këtë krijim, ai kishte prekur edhe më nga afër një prej gjinive muzikore të trajtuara nga kompozitorët më të mëdhenj botërorë.
“Atëherë isha pranuar në Akademi të Shkencave dhe Arteve, Gazmendi ishte në Zagreb, ishte sëmurë dhe u pritke vdekja e tij. Ai ka qenë i veçantë dhe unë doja të veçantën për të, andaj krijova këtë meshë dhe e këndova ‘Këngën e Mortit’ në varrimin e tij. Po flasim për vdekjen, që është një dhimbje e madhe, por kënga u mirëprit jashtëzakonisht mirë dhe që nga jo kohë hyri në program”, tregon Dhomi.
Krahas këtyre krijimeve, ai nuk anashkalon as botën fëmijërore, një fond i konsiderueshëm i veprave është rezervuar edhe për ta, të krijosh për të vegjlit, për të nuk është vetëm kënaqësi por edhe obligim.
“A ka engjëj më të mirë se fëmijët. Të krijosh për engjëjt ke mundësi edhe me qenë aty afër tyre, është ngrohtësi, po është edhe obligim. Se ata nuk kanë literaturë, literatura botërore për ta nuk ekziston. Atëherë pse mos të krijoj unë dhe kolegët e tjerë për ta.”
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, roli i këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës
Të jesh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ashtu siç është profesori Rauf që nga viti 1996, është një përgjegjësi jo e lehtë duke pas parasysh edhe kritikat e vazhdueshme në adresë të këtij institucioni. Por megjithatë, profesori mundohet të jetë objektiv kur vlerëson rolin dhe kontributin e këtij institucioni në zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë. Përkundër faktit që këtë pyetje e quan provokuese ai thotë: “Rrallë ndonjë seksion, se mos të themi anëtar, mendon për këtë çështje. Apo më mirë të themi nuk mendon fare. Më vjen keq që e them këtë, por janë dhjetëra akademikë që janë të rregullt, marrin rroga, por nuk vijnë fare këtu”, por sipas tij kjo gjendje nuk është vetëm në Akademi, por në të gjitha sferat, diku më shumë, diku më pak, por jemi njëjtë, thotë ai.
Djegia e Muzeut të Muzikës, turpi i Gjakovës
Duke shtrirë bisedën në pika të ndryshme, ne shkuam edhe në vendlindjen e profesorit Rauf. Në Gjakovën e artit dhe kulturës, në vendin i cili ishte përkrahësi më i madh i rrugëtimit të kompozitorit, mbështetja kryesore e të gjitha koncerteve të tij. Por, ndodhia e fundit në këtë qytet, djegia e Muzeut të Muzikës, për Dhomin ishte turpi i Gjakovës.
Në këtë muze, ndër të tjera ishte edhe piano në të cilën profesori kishte kompozuar operën “Goca e Kaçanikut” e shumë e shumë vepra të tjera. Impakti i humbjes së një trashëgimie të tillë kulturore padyshim që më së shumti e ka prekur kompozitorin sepse me djegien e këtij muzeu, u dogj një pjesë e historisë.
“A ka fjalë? Jo, nuk ka. Si mund ta përshkruaj këtë fatkeqësi. Të kaplohet nga zjarri instrumenti, edhe atë jo nga një zjarr i rastësishëm, por një zjarr i menduar. Unë them se Gjakova e ka humbur autoritetin me këtë rast sepse historia nuk fshihet. Aty ka qenë pianoja ku e kam punuar “Gocën e Kaçanikut”, “Dasmën” e shumë e shumë vepra të tjera. Rrugën e Çabratit ku kam qenë në atë kohë, e kam frekuentuar çdo ditë në mëngjes dhe i frymëzuar jam kthyer e kam kompozuar në atë piano. Unë dhe pianoja kemi qenë vëlla e motër. Ka qenë një instrument shumë i vjetër dhe të zhbëhet në këtë mënyrë është turp për Kuvendin e Gjakovës sepse Gjakova ka investuar shumë në kulturë, e sot të ndodh kjo nga moskujdesi, është shumë e dhimbshme.”
Një trajtim i tillë nuk i bëhet as artit, as trashëgimisë e historisë në vendet e civilizuara të botës, vende këto që kanë hapur dyert edhe për artistët tanë duke ju dhënë shkëlqimin e trajtimin e duhur. Artistët nga Kosova tani kanë një prezencë të rëndësishme në skenat ndërkombëtare dhe arritjet e tyre janë shpresa dhe gëzimi i profesorit Rauf.
“Sa mirë që është bota dhe këta talent kanë mundësi të ekspozohen nëpër skenat më të mira botërore sepse ata dinë të vlerësojnë. Tek ne vlerësohesh në bazë të shoqërisë dhe jo të talentit.”
Kompozimi – një fushë që po përballet me mungesë të kuadros
Krejt në fund të bisedës tonë, ne u ndalem te një çështje e rëndësishme dhe e përfolur, ajo e kompozitorëve. Kompozimi, një fushë e pasur me talente në Kosovë, po ballafaqohet me sfidat e mungesës së infrastrukturës dhe iniciativave mbështetëse. Edhe pse ekziston një numër i konsiderueshëm talentesh, Dhomi e shpreh shqetësimin e tij se ende nuk ka mekanizma dhe nisma që mundësojnë zhvillimin dhe nxitjen e krijimtarisë në këtë fushë të artit.
“Vetëm fakulteti ka kapacitetin për të nxitur krijimtarinë në fushën e kompozimit. Tek ne ka shumë talente por është e nevojshme që Fakulteti i Arteve të krijojë katedra të specializuara për kompozim, dirigjim, dhe degë të tjera të lidhura. Mungesa e konkurseve për pozitat e kompozitorëve ka sjell këtë rezultat”, thotë profesori teksa krejt në fund të kësaj bisede ky kapërcyem periudha të ndryshme të jetës së tij, ai më kërkoi falje për intensitetin e zërit gjatë intervistës, duke e shpjeguar atë si shprehje të mllefosjes që ishte akumuluar brenda tij për gjithë këto vite që sipas tij “arti vazhdon të zvarritet”. / KultPlus.com