Edi Rama: Goran Bregovici kurrë nuk ka frymëzuar luftën serbe

Edi Rama vijon të mbrojë idenë e tij se Goran Bregoviç kurrë nuk ka frymëzuar ushtarët pushtues serbë dhe kurrë nuk u ka kënduar atyre.

Në statusin e sotëm si një përgjigje ndaj komenteve të djeshme kryeministri Rama vijon të mbrojë Bregoviçin duke i cilësuar komentuesit si një grup që shpërndajnë vetëm histeri fashiste.

Komentuesi: Si mundesh me bë kësi lloj krahasimi me Dua Lipën dhe me këtë serbë..A nuk janë pikërisht familjet e Duas dhe Ritës që kanë ikur për shkak të Regjimit të Millosheviçit që ky pikërisht ju ka kënduar dhe e ka frymzuar ushtrin serbe , me keng.Si duhet ti vrasin Shqipëtaret.Nuk di qfar fakte kerkon ti o njeri!

Edi Rama: Une kerkoj nje gje shume te thjeshte, qe ti dhe ata qe flasin si ti, te lexojne perpara se sa te flasin dhe te mos u bejne te tjereve te njejten gje qe bejne te tjeret kunder nesh! Dhe do ti s’do ti, duan s’duan ata qe flasin keshtu, Goran Bregovici kurre nuk u ka kenduar ushtareve pushtues dhe kurre nuk ka frymezuar luften e tyre pushtuese! Sepse po te ishte kjo e vertete atehere do te kishte te pakten nje fakt te vetem qe e provon kete dhe urrejtja per gjuhen e tjetrit nuk eshte fakt!./KultPlus.com

Bregoviq përshëndetet me Korçën me këngën “Kallashinkov”

Këngëtari serb, Goran Bregoviq, e nisi koncertin në Korçë me një këngë shqipe dhe e mbylli me këngën “Kallashnikov”, për të cilën supozohet se është dëgjuar duke u kënduar nga paramilitarët serbë si formë motivi për të kryer krime në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

T7 raporton nga vendi i ngjarjes se këngëtari Bregoviq vendosi ta mbyllë koncertin e tij në natën e fundit të Festës së Birrës në Korçë me këngën “Kallashnikov”.

Koncerti i Bregoviqit u përcoll me incidente, ndonëse nuk u ndërpre nga organizatorët. Disa persona hodhën gazlotjsellës në mes të turmës, ku policia ndërhyri dhe i arrestoi ata. Në mesin e të lënduarve nga gazlotsjellësi ishte edhe një fëmijë.

Kundër këngës që përzgjodhi ta mbyllë natën Bregoviq, pati një peticion të nënshkruar nga 6 mijë persona. Në të thuhej se Bregoviq me këngën “Kallashnikov” “zgjoi nacionalizmin serb” dhe se fjalët në këngën “pucaj” (qëllo); “juris” (sulmo); dhe “Boom Boom Boom”, “janë tingujt që nxitën ushtarë e paramilitarë serbë për të kryer masakra në Kosovë, por edhe më gjerë në Ballkan në vitet e 90-ta”.

Kënga “Kallashnikov” është në gjuhën rome. Kjo këngë u bë e njohur menjëherë dhe sot e kësaj dite është prezente në shumicën e festimeve në Serbi./KultPlus.com

Ndërhyn Policia, koncerti i Bregoviqit nuk ndalet përkundër gazit lotsjellës (VIDEO)

Gaz lotsjellës është hedhur në koncertin e Goran Bregoviqit në Korcë ndërkohë që është dashur edhe ndërhyrja e Policisë.

Por kjo nuk ka ndikuar që koncerti i Bregoviqit të ndalet për asnjë moment.

Ai po vazhdon koncertin e tij pa pengesa ndërkohë që disa persona edhe shihen duke u munduar të kërcejnë me këngët e tij ndonëse shihet se të pranishmit nuk kanë fare njohuri për këngët që ai këndon.

Koncerti është mbajtur nën masa të shtuara të sigurisë. Figura të shumta shqiptare kanë dalur kundër mbajtjes së këtij koncerti të Bregoviq, i cili me këngët e tij kishte motivuar ushtarët serbë të kryejnë masakra në Kosovë gjatë luftës. / KultPlus.com

Policia kontrollon detajisht pjesëmarrësit në koncertin e Bregoviqit në Korçë

Të gjithë pjesëmarrësit në Festivalin e Birrës në Korçë po i nënshtrohen deri në katër vende kontrolles nga ana e sigurimit ku sonte pritet të performojë këngëtari me origjinë serbe, Goran Bregoviq.

Disa rrugë të qytetit të Korçës janë bllokuar në përgatitje e sipër për natën e fundit të Festës së Birrës.

Në mbrëmjen e 22 gushtit, në koncertin e organizuar nga Bashkia e Korçës pritet të këndojë edhe këngëtari Goran Bregoviq,

Përveç sigurisë tokësore, Policia Shqiptare është duke e vëzhguar situatën edhe nga ndërtesat e larta, teksa tifo-grupi “Tifozat Kuq e Zi”, i kanë bërë thirrje Bashkisë së Korçës që ta tërheqin pjesëmarrjen e Bregoviq në këtë festival, sepse sipas tyre në të kundërtën do ta ndalojnë me trupat e tyre. / KultPlus.com

Bashkia e Korçës: Bregoviq hap koncertin me këngë shqip në Festën e Birrës

Këngëtari serb, Goran Bregoviq, ka zgjedhur ta këndojë këngën “Kosovska” në gjuhën shqipe në Festën e Birrës në Korçë, e cila supozohet se përçau bendin “Bijelo Dugme”.

Kështu ka bërë me dije Bashkia e Korçës nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa ka pritur që publiku t’i ofrojë mikpritje këngëtarit serb

“KOSOVSKA është kënga shqipe që ka zgjedhur Goran Bregovic për të çelur nesër koncertin në Korçë. Ai me muzikën e tij të mrekullueshme dhe publiku i festës me mikpritjen entuziaste do të japin nesër nga Korça mesazhin se arti dhe kultura janë ura miqësie që lidhin popujt”, shkruhet në postimin e tyre.

Përkundër presionit të madh publik të një rangu të gjerë të artistëve shqiptarë, Bashkia e Korçës ka vendosur që ta lejojë Bregoviqin të përformojë në Festën e Birrës. Ai do përformojë në natën e fundit të këtij festivali.

Këngëtari serb ka marrë një sërë kritikash, duke thënë se “ka inspiruar masakrat serbe ndaj shqiptarëve”.

Në një emision televiziv serb (Qirillica), në vitin 2019, Bregoviq pati folur për një takim me ish-udhëheqësin politik serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë për rrethimin e Sarajevës, për krime lufte dhe gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë.

Bregoviq deklaroi se e ka takuar një herë Karaxhiqin në hollin e një hoteli në Beograd dhe se ai e pyeti: “ Si po shkon gjëja jonë?”. Karaxhiq iu përgjigj: “Do t’i marrim 100 për qind”.

Pas kësaj deklarate pati reagime të ashpra dhe Bregoviq më vonë tha se pyetja dhe përgjigja e Karaxhiqit kishin të bënin “me lojën me letra në një hotel dhe jo me luftën, e cila as nuk kishte filluar”.

Disa muaj më vonë, ai përsëri provokoi reagime dhe komente në rrjetet sociale kur bëri një fotografi me Sonja Karaxhiq, vajzën e Radovan Karaxhiqit.

Fotografia e përbashkët u postua në Twitter nga vetë Sonja Karaxhiq. / KultPlus.com

Bregoviq konfirmon pjesëmarrjen e tij në Korçë, pas Shqipërisë mban koncert në Moskë

Këngëtari Goran Bregoviq ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në Festivalin e Birrës në Korçë më 22 gusht.

Bregoviq pas Korçës do të performojë në kryeqytetin e Rusisë, Moskë më 26 gusht. Datat e koncerteve të Bregoviq janë publikuar edhe në uebfaqen e tij zyrtare.

Teksa dita e performances së tij afrohet, duket se edhe reagimi qytetar po ndizet. Kjo pasi qytetarët kanë mbuluar me ngjyrë fytyrën e këngëtarit në posterë si dhe kanë shkruar vitin 1999, kohën kur Serbia pushtoi Kosovën duke vrarë mijëra persona e dëbuar nga vendi i tyre. / KultPlus.com

Në Shqipëri fshijnë fytyrën e Bregoviqit nëpër posterë, mbi ta shkruhet “1999”

Festa e birrës në Korçë, në të cilën është ftuar edhe këngëtari serb Goran Bregoviq ka shkaktuar debate të mëdha në Shqipëri dhe Kosovë. Kanë qenë të shumtë ata që kanë kërkuar anulimin e koncertit, madje gjithë këngëtarët kosovarë të ftuar e kanë bojkotuar organizimin.

Sidoqoftë, Korça nuk u tërhoq nga thirrja e këngëtarit në këtë festë dhe vazhduan me njoftime dhe me vendosjen e posterëve për detajet e performancës së tij.

Teksa dita e performances së tij afrohet, duket se edhe reagimi qytetar po ndizet. Kjo pasi qytetarët kanë mbuluar me ngjyrë fytyrën e këngëtarit në posterë si dhe kanë shkruar vitin 1999, kohën kur Serbia pushtoi Kosovën duke vrarë mijëra persona e dëbuar nga vendi i tyre.

Këngëtari serb Goran Bregoviç, pretendohet se me këngët e tij nacionaliste ka frymëzuar ushtarët serb gjatë luftës në Kosovë./KultPlus.com

Reagon tenori Lahaj: Shipërisë nuk i ka hije me bo dasëm me dajre t’çetnikëve

Tenori shqiptar Ramë Lahaj ka reaguar për pjesëmarrjen e këngëtarit Goran Bregoviq në festivalin e birrës në Korçë, shkruan KultPlus.

“Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme!”, ka shkruar Lahaj në rrjetet sociale.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Z. Edi Rama po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin!
Ai dhe kangët e tij që ishin himni i çetnikëve serb për të prerë fëmijët, nanat, motrat, vëllezërit e baballarët tanë nuk mund t’ jene në Shqipni për të festuar në festen e birrës. Zgjidh ke të duash nga artistet me mua në krye, ani pse nuk këndoj në festa birrash, por po të vij unë dhe gjithë koleget pa asnjë lloj detyrimi, me festu së bashku me muzikën tone të bukur shqipe. Po jo me atë që neve na i prenë fëmijët në djep . Tregohu burrë nji here në jetë e mos na lëndo ma shumë. Mos na i qit krip plagës. Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme! Shipnija asht bo sofra e shtrati jone at‘here kur çetniket serb me kangët e Goranit na i ka permys e djegë shpiat e baballarëve. Mos i rafte kurrë Shipnisë me u provu në të keq, se t’ madh e t’ vogël aty na ka. T’ paret!
Thuaj jo Bregoviqit z. Kryeministër!
Shipnisë nuk i ka hije me bo dasem me dajre t’ çetnikëve. / KultPlus.com

Publikohet lista e këngëtarëve shqiptarë që do të jenë në një skenë me Goran Bregoviç

Të gjithë artistët e ftuar nga Kosova për të performuar në “Festën e Birrës” kanë refuzuar të jenë në këtë festival për shkak të këngëtarit serb Goran Bregoviç, për të cilin pretendohet se ka frymëzuar ushtarët serb gjatë luftës në Kosovë.

Capital T, Dafina Zeqiri, e shumë artistë të tjerë janë ndër emrat e këngëtarëve të Kosovës që u tërhoqën nga “Festa e Birrës”, teksa këtë gjë nuk e kanë bërë këngëtarët shqiptarë, të cilët do dalin të këndojnë në të njëjtën skenë ku do këndojë dhe Goran Bregoviç.

Listës së këngëtarëve të cilët do të performojnë i shtohen tre “muskutjerët”, Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi deri tek Vikena Kamenica. Pjesë do jenë edhe Kamela Islamaj, Devis Xheraku, Endri dhe Stefi Prifti dhe Orgesa Zaimi.

Për të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë që të dëgjojnë Bregoviçin ata do të duhet të pajisen me një biletë e cila kushton 1000 lekë, transmeton KultPlus.

Ndërkohë që ditën e djeshme “Birra Korça” u bëri thirrje Bashkisë së qytetit që të heqin biletën pasi Festa e Birrës është e qytetarëve dhe ata duhet ta shijojnë atë falas si çdo vit tjetër. / KultPlus.com

Familjarët e të zhdukurve të Kosovës, thirrje Bashkisë së Korçës për anulimin e pjesëmarrjes së Bregoviqit

Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i ka bërë thirrje Bashkisë së Korçës që ta anulojnë pjesëmarrjen e këngëtarit serb Goran Bregoviq në festivalin e organizuar nga ta.

Ata thonë se e kuptojnë artin, por që edhe duhet kuptuar dhimbja e tyre që ua shkaktoi Serbia gjatë luftës së fundit.

“E dimë që arti është përtej kufijve por e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse ju nuk mund t’i bashkëngjitni kauzës sanë për të të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë”, thuhet në kërkesë.

“Mos na lëndoni më shumë duke lejuar pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit  ose të ndonjë artisti tjetër serb, që për këto 22 vite bënë përpjekje të vazhdueshme të mohojnë krimet gjenocidiale, duke mohuar dhe mosnjohur të vërtetën tonë të dhimbshme, e mos të flasim për kërkimfalje e keqardhje dhe presionin që do të duhej të bënin si artistë në institucionet e Serbisë që të na kthejnë familjarët tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm”.

“E dimë që kërkesat tona të vazhdueshme për shumëkë mund të jenë të pakuptueshme, por shpresojmë që jo edhe për ju dhe korçaret që na ndihmuat aq shumë në vitet e tmerrit të luftës dhe në vazhdimësi gjatë këtyre 22 viteve, që për ne janë shekuj. Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë”.

Ata thonë se janë kategoria më e goditur nga krimet serbe, duke përmendur numrin e personave të zhdukur që mungojnë nga lufta.

“Edhe sot 22 vite pas lufte, ne dhe gjithë Kosovës na mungojnë edhe 1632 familjarë, na mungojnë më të dashurit tanë. E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne”.

“Dhunimi në kohë terrori është më lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Andaj ju lutemi mos lëndoni më shumë këto familje dhe ju kërkojmë të anuloni pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit dhe çdo këngëtari e artisti serb, që frymëzoi kryerjen e krimeve mbi popullatën shqiptare”. / KultPlus.com

Protestohet në Korçë kundër ardhjes së Bregoviqit

Disa qytetarë të Korçës kanë paralajmëruar protestë paqësore për të kundërshtuar ardhjen e këngëtarit serb Goran Bregoviq në festën e birrës, i cili u ftua nga Bashkësia e Korçës.

Sipas mediave lokale, organizatorët veçse kanë dorëzuar dokumentin në Komisariatin e Policisë që njofton për protestën që planifikohet të mbahet të dielën, njofton Klan Kosova.

“Rezistencë në rritje kundër pranisë të këngëtarit serbo-kroat Goran Bregoviq në festën e birrës në Korçë, ndërsa bashkia si organizatore refuzon të tërhiqet nga ftesa për këngëtarin. Zhvillimi më i fundit në reaksionin e pakënaqësive është një protestë e lajmëruar nga qytetarët dhe që pritet të zhvillohet nesër”, bëri të ditur një prej qytetarëve organizatorë të protestës.

“Ju ftojmë të gjithë intelektualet, qytetarët nga të gjitha trojet etnike të jenë prezentë për të ndaluar këngëtarin serb, anti-shqiptarin Goran Bregoviq. Protesta është PAQËSORE edhe e HESHTUR. Vendndodhja: katedralja ortodokse në Korçe, ditën e diel, data 08-08-2021, ora 11:00”.

Bashkia e Korçës dje gjatë ditës ka thënë se nuk do të anulojnë ftesën ndaj këngëtarit serb, përkundër reagimeve.

“Bjeri, bjeri çiftelisë”, koha kur Goran Bregoviç këndonte në shqip

Goran Bregoviç është bërë kryetemë e debateve në rrjete sociale pasi mori ftesë nga Festivali i Birrës Korça, në Korçë.

Dikur ai ka qenë pjesë e grupit të famshëm “Bijelo Dugme” që ka performuar edhe në Kosovë në kohën e ish-Jugosllavisë.

Goran Bregoviç do të performojë në natën më kulminante të festivalit të birrës së Korçës dhe kjo ka irrituar një pjesë të madhe të shqiptarëve të Kosovës që akuzojnë atë për këngë që kanë frymëzuar masakrat serbe në Kosovë me këngën “Kallashnikov”.

Bregoviç në vitin 1983 me grupin e tij kishte kënduar një këngë të titulluar “Kosovska” (Kosovarja) edhe në gjuhën shqipe.

Vargjet e këngës janë të qarta.

Bjeri, bjeri çifteli-së,” – thotë Zhelko Bebek që ishte vokalist i grupit në atë kohë teksa këndon.

Kënga le t’jehojë,” dhe “çdo gjë mund të jetë rock’n’roll” vazhdon ai në këtë këngë, teksti i të cilës mban si autor pikërisht artistin serbo-kroat, Goran Bregoviç.

Kënga në youtube

Teksti i plotë i këngës

Sonte, t’lutem bëhu gati,
Se do t’vijë vonë pas teje,
Hape moj dollapin,
Zgjedhe ti fustanin më të mirë.

Regullo flokët, bukuri,
Ashtu moj ti vetë si di,
Vë n’bistek një lulë bozhure,
Dua t’jesh ndër t’gjitha më e mirë.

A e di se t’gjithë do t’jenë atje?
Për ne të dy do të ketë hare…

Shkojmë së bashku: një, dy, tre…

Rroke mandolinën,
Bjeri, bjeri, bjeri çiftelisë,
T’gjithë të këndojmë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,

ÇDO GJË MUND TË JETË ROCK N’ROLL…

Nëse nëna nuk t’lejon.
Atëherë, qysh del tek s’e di,
Mos u ngut, mos u shpejto,
Prit gjersa gjumi e kaplon.

Përvidhu nga kapixhiku,
(Dhe) Fustanin mos e gris,
Ke kujdes mos humb bozhurin,
Dua t’jesh hej moj si hyjneshë.

A e di se t’gjithë do t’jenë atje?
Për ne të dy do të ketë hare…

Shkojmë së bashku: një, dy, tre…

Rroke mandolinën,
Bjeri, bjeri, bjeri çiftelisë,
T’gjithë të këndojmë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë…

ÇDO GJË MUND TË JETË ROCK N’ROLL…

Sonte, t’lutem bëhu gati,
Se do t’vijë vonë pas teje,
Hape moj dollapin,
Zgjedhe ti fustanin më të mirë.

Rregullo flokët, bukuri,
Ashtu moj ti vetë si di,
Vë n’bistek një lulë bozhure,
Dua t’jesh ndër t’gjitha më e mirë.

A e di se t’gjithë do t’jenë atje?
Për ne të dy do të ketë hare…

Shkojmë së bashku: një, dy, tre…

Rroke mandolinën,
Bjeri, bjeri, bjeri çiftelisë,
T’gjithë të këndojmë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë…

ÇDO GJË MUND TË JETË ROCK N’ROLL…

Eja, një, dy, tre…

Rroke mandolinën,
Bjeri, bjeri, bjeri çiftelisë,
T’gjithë të këndojmë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
(Rroke mandolinën…)
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë.
Kënga le t’jehojë,
(Rroke mandolinën…)
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
(Rroke mandolinën…)
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
(Rroke mandolinën…)(hej, hej, hej…)
Kënga le t’jehojë,
Kënga le t’jehojë,
(Rroke mandolinën…)
Kënga le t’jehojë,
(Rroke mandolinën…)
Kënga le t’jehojë…
(Rroke mandolinën…)
Kënga le t’jehojë… / gazetamapo.al / KultPlus.com

Dafina Zeqiri anulon pjesëmarrjen në Korçë shkaku i Bregoviq

Dafina Zeqiri është një tjetër emër që ishte prenotuar për të kënduar në festivalin e ashtuquajtur Festa e Birrës në Korçë.

Por me të mësuar se mysafir nderi i festivalit për të kënduar në një nga netët e tij ishte artisti boshnjak me identitet serb, Goran Bregovic, Dafina e ka tërhequr pjesëmarrjen.

Këtë gjë e ka konfirmuar vet ajo së fundmi përmes një postimi të MTV Kosova të rishpërndarë në InstaStory.

Aty citohet se këngëtarja Zeqiri me të marrë vesh se Bregovic do të ngjitej në skenën e Festës së Birrës në Korç, e kishte anuluar pjesëmarrjen e saj.

Ajo ka vënë edhe një emoji pranë postimit, në të cilin shkruhet “E anuluar”.

Ndërkohë një gjest të tillë e ka bërë edhe kolegu i saj, reperi i njohur shqiptar Capital T, i cili ishte prenotuar për të bërë hapjen e festivalit në natën e parë. / KultPlus.com

Protestë në Korçë kundër Bregoviqit

Qytetarët e Korçës do të protestojnë për praninë gjatë Festës së Birrës të këngëtarit serb, Goran Bregoviç.

Kjo është bërë e ditur nga Faqja “Korça Report”, ku thuhet se kanë dorëzuar në polici njoftimin për protestë, që pritet të zhvillohet ditën e nesërme.

“Rezistencë në rritje kundër pranisë të këngëtarit serbo-kroat Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë, ndërsa bashkia si organizatore refuzon të tërhiqet nga ftesa për këngëtarin. Zhvillimi më i fundit në reaksionin e pakënaqësive është një protestë e lajmëruar nga qytetarët, dhe që pritet të zhvillohet nesër”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Rezistenca kundër Goran Bregoviç në Festën e Birrës, lajmërohet protestë nga qytetarët korçarë.

Rezistencë në rritje kundër pranisë të këngëtarit serbo-kroat Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë, ndërsa bashkia si organizatore refuzon të tërhiqet nga ftesa për këngëtarin. Zhvillimi më i fundit në reaksionin e pakënaqësive është një protestë e lajmëruar nga qytetarët, dhe që pritet të zhvillohet nesër.

‘Sapo dorëzuam dokumentin ne komisariatin e Policisë Korçë që njofton për protestë, për të ndaluar këngëtarin serb Goran Bregoviç ne Festen e Birra Korca.

Ju ftojmë te gjithe Intelektualet, qytetaret nga te gjitha trojet etnike te jenë prezent, per te ndaluar kengetarin serb, anti-shqiptarin Goran Bregoviç.

Protesta eshte PAQESORE, edhe e HESHTUR. Vendndodhja katedralia ortodokse Korçë. Diten e diel datë 08-08-2021. Ora 11:00’ bëri të ditur një prej qytetarëve organizatorë të protestës. / KultPlus.com

Zv.kryetarja e Korçës thotë se shqiptarët s’janë aq trima sa të ketë incidente në koncertin e Bregoviqit

Sipas zëvendëskryetares së bashkisë së Korçës, shqiptarët nuk janë aq trima sa janë në Facebook dhe me llafe.

Prandaj, ajo nuk frikësohet se mund të ketë ndonjë incident në festivalin ku merr pjesë këngëtari serb, Goran Bregoviq, ndonëse ka shumë reagime për të, shkruan Express.

Terova në një bisedë tha se në këtë Festival do të ketë forca të shtuara të policisë që do të parandalojnë ndonjë incident të mundshëm.

Ajo foli edhe për deklaratën e reperit Noizy, se do të nxisë dhunë në rast se Bregoviç merr pjesë në këtë Festival.

Berova për Express tha se sipas informacioneve sot në policinë e Shqipërisë është bërë një denoncim ndaj këngëtarit Rigels Rajku i njohur si Noizy. .

“Nuk mendoj që do të ketë ekcese. Shqiptarët po të ishin kaq trima, në llafe dhe Facebook janë shumë, po në situatën e zjarreve që po e përfshinë Shqipërinë dhe që po i vënë vetë këta me dorën e tyre, nuk kanë forcën që të shuajnë zjarrin e shtëpisë nuk i bashkohen aty siç po bashkohen shumë artistë dhe individë zjarrfikësve që po fikin zjarret në tërë Shqipërinë, plus do të ketë prezencë të madhe policore dhe nga sa di sa kam informacione, ky këngëtari, reperi Noizy që ka nxitur një lëvizje është bërë një denoncim sot në policinë në shtetit për të pasur një ndalim të tij se nuk mund të kërcënojë ai ngrihuni dhe t’i biem me shishe të mbushura kujtdo qoftë”, ka thënë ajo.

Noizy nuk është këngëtari i vetëm që e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e Bregoviçit në Festivalin e Birrës në Korçë. Kundër kanë dal edhe Genc Prelvukaj, Vesa Luma, Besa Kokëdhima, Unikatili e të tjerë./KultPlus.com

Bashkia e Korçës: Nuk e anulojmë koncertin, Bregoviq do të performojë në Festën e Birrës

Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Terova në një prononcim për Express tha se gjithçka është e mbyllur dhe Goran Bregoviq do të performojë në Festën së Birrës në Korçë.

Terova tha poashtu se këngëtari serb ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe do të këndojë në ditën e fundit të festivalit më 22 gusht. Ajo tha se këngëtarë nga Kosova kanë anuluar pjesëmarrjen shkaku i kërcënimeve të siç i ka quajtur ajo nga grupe nacionaliste.

Festa e Birrës që organizohet tash e 15 vjet në qytetin e Korçës këtë vit do të mbahet për katër ditë nga 18 deri më 22 gusht. Bashkia e Korçës ka ftuar këngëtarin serb, Goran Bregoviq që të performojë dhe i njëjti do ta mbyll festën në ditën e fundit.

Këngëtarë të shumtë dhe figura publike kanë reaguar ashpër duke e kundërshtuar ftesën që Bashkia e Korçës i ka bërë këngëtarit serb. Madje disa nga ta edhe kanë anuluar pjesëmarrjen siç është reperi Capital T.

Por përkundër këtyre reagimeve, Bashkia e Korçës nuk e ka ndërmend që të anuloj pjesëmarrjen e Bregoviq në Festën e Birrës.

Këtë e ka konfirmuar nënkryetarja e Bashkisë, Benila Terova.

“Ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregoviq nga Festa e Birrës sepse refuzojmë të pozicionohemi politikisht në këtë debat. Nuk ka asnjë qasje politike pjesëmarrja e një këngëtari lindur në Sarajevë dhe që në njohurinë tonë para se ta kontaktonim për ta pasë pjesë dhe e kemi të saktë nuk ka pasur asnjë lloj pozicionimi as kundër shqiptarëve as kundër kosovarëve”, ka thënë ajo.

Nënkryetarja e Bashkisë së Korçës ka komentuar edhe këngën “Kallashnikov” që ka shërbyer si frymëzim për paramilitarët serbë për të kryer krime në Kosovë, duke thënë se ajo këngë është kompozuar shumë më herët se koha e luftës.

“Kënga “Kallashnikov” është përdorur mbase nga paramilitarët serbë por është kompozuar dhe është krijuar nga Bregoviq shumë më përpara kohës së luftës, kështu që ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregoviq-in nga Festa e Birrës”, tha Terova për Gazetën Express të premten.

Nënkryetarja Terova tha se Bregoviq u ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe gjithçka është e mbyllur.

“Ai na ka konfirmuar pjesëmarrjen, ne kemi angazhuar një agjenci eventesh, janë prerë biletat, Bregoviq është pjesë e një turi në Evropë vjen nga Kana ku ka koncertin, tek ne pastaj ka tre koncerte në Poloni për të kulmuar me një koncert në Moskë. Kështu që është mbyllur gjithçka për Bregoviq janë mbyllur kontrata, janë prerë bileta avioni sepse ai vjen nga Franca sëbashku me orkestrën. Ai do të performojë ditën e fundit të Festës”, tha ajo.

“Ne e çelim festën me Elita 5, janë këngëtarë nga Kosova, Shqipëria, kemi një grup nigerian një nga Brazili, festivali ka 15 vjet që organizohet dhe qëllimi është promovimi i respektimit të diversitit kulturor dhe etnik.

E pyetur nëse ka informacione se reperi Capital është kërcënuar, ajo tha se nuk e di saktë por është tërhequr.

“Po, është tërhequr, nuk e di, ne mbyllëm kontratën, pagesa në vlerë prej 9 mijë euro e Capital-it, por rrezikojnë nga sa kuptoj të humbasin koncertet dhe  tregjet e tyre në Kosovë kjo ka qenë arsyeja. Warm-up i Bregoviq do të jetë një bandë e etno-jazz shqiptar, Hot Club Tirana të cilët janë muzikantë të shkëlqyer dhe ata do të bëjnë warm-up e Bregoviq”, tha ajo.

“Nga Kosova kemi grupin “NA”. Elita 5 nga Tetova kanë shprehur kënaqësinë dhe thanë që vijmë me kënaqësi të madhe për ta parë dhe takuar Bregoviq, por edhe ata kanë të njëjtin problem sepse ne u kërkuam të jenë warm-up sepse qëllimi i Bashkisë së Korçës jashtë politikës është që të japim mesazhin sikundër kryeministri serb ka pritur me nderime Inva Mulën që e ka babain e vet kosovar e ka pritur në selinë e tij dhe ka dhënë koncert në Serbi thamë të japim këtë mesazhin e mirë të bashkëpunimit dhe arti s’ka asnjë lidhje me politikën, por Elita 5 përsëri më thanë aman Benila se humbasim  tregun e punës në Kosovë përshkak të kësaj fryme që është hapur nga grupet nacionaliste. Mu kujtua ajo shprehja që nuk e di se cili nga patriotët shqiptarë që nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjëve dhe budallenjëve dhe domethënë asnjë qëndrim në ekstrem nuk i bën mirë asnjë populli dhe asnjë kombi. Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me grupet të ndryshme, këngëtarë grekë, këngëtarë nga Holanda, e kemi pasur kitaristin e Guns N Roses, por për muzikantë s’kemi parë kurrë këtë gjë kështu”, shtoi ajo.

Terova u shpreh se Bregoviqin kanë tentuar që ta marrin edhe një herë tjetër por që datat kanë qenë të pamundura të realizohen.

“Madje, Bregun(Bregoviqin) e kemi tentuar edhe njëherë tjetër por nuk kanë qenë datat e mundshme. Ai ka qenë në vitin 2006 në Tiranë, që 2006 si datë ka qenë më afër luftës në Kosovë por tani mendoj që pjesa e faktorizimit të mediave sociale ku një status i dikujt ndikon. Mbaj mend që në vitin 2006 ka pasur një reagim, ai ka dhën dy koncerte shumë të sukeseshme si dhe ka marrë edhe çelësin nga Edi Rama që ka qenë në krye të Bashkisë. Tash lexoj që Bregoviq është non-grata në Poloni, Ambasadori polak i akredituar në Shqipëri, bashkë me stafin ka kërkuar bileta për Bregoviq, domethënë nuk mendoj që në shekullin 21 është kjo fryma që duhet të përcjelli”, tha ajo.

E pyetur nëse mendon se mund të ketë incidente, Terova tha se s’mendon se do të ketë incidente dhe se shqiptarët janë trima në llafe dhe Facebook por që në çdo rast do të ketë prezencë policore.

“Nuk mendoj që do të ketë ekcese, shqiptarët po të ishin kaq trima, në llafe dhe Facebook janë shumë, po në situatën e zjarreve që po e përfshinë Shqipërinë dhe që po i vënë vetë këta me dorën e tyre, nuk kanë forcën që të shuajnë zjarrin e shtëpisë nuk i bashkohen aty siç po bashkohen shumë artistë dhe individë zjarrfiksëve që po fikin zjarret në tërë Shqipërinë, plus do të ketë prezencë të madhe policore dhe nga sa di sa kam informacione, ky këngëtari, reperi Noizy që ka nxitur një lëvizje është bërë një denoncim sot në policinë në shtetit për të pasur një ndalim të tij se nuk mund të kërcënojë ai ngrihuni dhe t’i biem me shishe të mbushura kujtdo qoftë.  Di që do të kishte një reagim të policisë së shtetit për këcënimin e hapur që ka bërë Noizy, besoj edhe për Tifozët KuqeZi sepse çdo kërcënim përbën vepër penale dhe mendoj që si përfaqësuese e institucionit mendoj se duhet të ndjehemi të turpëruar nëse një gjë e tillë do të ndodh”, ka thënë Terova./KultPlus.com

‘Patriotizmi shqiptar po organizohet dhe do të dyndet në Korçë, shteti duhet të ndërhyjë’

Lajmi se këngëtari serb, Goran Bregoiviç, do të këndojë para publikut shqiptar në “Festën e Birrës” në Korçë, ngjalli shumë reagime në Shqipëri, të cilët u shprehën kundër vendimit të organizatorëve.

Avokati Spartak Ngjela kërkon që shteti të ndërhyjë pasi patriotizmi shqiptar po organizohet dhe do të dyndet në Korçë për të mos e lejuar këngëtarin serb të japë koncertin e planifikuar

Reagimi:

Në këto momente, po krijohet tension në patriotizmin shqiptar kundër këngëtarit serb, të quajturit Goran Bregoviç, i cili po kërkon të këndojë në festën e birrës në Korçë, që fillon në datën 18 gusht.

Ky këngëtar paska kënduar një këngë kundër çlirimit të Kosovës.

Por ftesën, jo se ia ka bërë Korça, por ata që organizojnë festën apo panairin e birrës.

Nuk e njoh këtë këngëtar, se unë nuk e njoh fare muzikën serbe. Nuk e dëgjoj, se ajo më është dukur një melodi katundareske…

Por, më kanë shkruar shumë persona për këtë tip.

U interesova ta di kush është ky këngëtar. Sipas sugjerimeve që më bënë, dhe, për ato që pashë e më përkthyen, ardhja e tij sigurisht që është një turp shqiptar.

Shteti duhet të tregohet më i kujdesshëm në marrëdhënie të tilla.

Po cili shtet? Shteti i Edi Ramës dhe i Ilir Metës?

Ndërsa, shenjat janë që ndërkohë patriotizmi shqiptar po organizohet dhe do të dyndet në Korçë për të mos e lejuar këngëtarin serb të japë koncertin e planifikuar.

Por, edhe shteti duhet të ndërhyjë, se është e provuar që ky këngëtar ka kënduar një këngë në mbështetje të terrorit serb në Kosovë, gjatë luftës së vitit 1999.

Sigurisht, muzika është universale, kjo dihet, por teksti terrorist i një melodie që sjell me vetë një këngë që ka inspirim terrorist, është amorale deri në krim.

Ajo që po del e provuar, sikurse e shprehëm, shihet që ky i quajturi Bregoviç, në vitin 1999, ka kënduar këngën me titull “Kallaçnikov”, në luftën e terrorizmit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.

Kjo, sigurisht që me të drejtë ka prekur ndjeshmërinë patriotike të shqiptarëve, dhe protesta e tyre që mendohet të bëhet në Korçë gjatë panairit të birrës, është në organizim.

Bravo u qoftë!

Por, a do të arrijnë protestat ta ndalojnë këngëtarin Bregoviç të këndojë në Korçë?/ KultPlus.com

Kush e ftoi Bregoviqin në Korçë?


Ftesa për muzikantin serb, Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë ka sjellë reagime të shumta.

Administratori i Birra Korça, Dhimitri Zonja i pyetur sot lidhur me Festën e Birrës dhe pjesëmarrjen e këngëtarit serb Goran Bregoviç në këtë aktivitet ka sqaruar për televizionin News24 se i gjithë aktiviteti organizohet nga Bashkia e Korçës dhe është pikërisht ajo që vendos dhe për të ftuarit.

“Këto ditë ka pasur disa spekulime dashakeqe lidhur me ftesën që i është bere këngëtarit serb Goran Bregoviç për të qenë pjesëmarrës në festën e përvitshme të birrës në qytetin e Korçës. Ne e dimë se festa e birrës në Korçë identifikohet si festa e Birrës Korça që është simbol i qytetit, por ky aktivitet nuk organizohet prej nesh. Është bashkia Korçë që vendos për gjithçka që ka të bëjë me festën, përfshirë edhe listën e të ftuarve.

Ne jemi një nga subjektet pjesëmarrëse që kemi obligim përfaqësimin sa më dinjitoz të produkteve tona që i kanë sjellë Korçës këtë festë”, deklaroi administratori i Birra Korça./Panorama.al/ KultPlus.com

Vrulli i Goranit drejt bregut shqiptar

Nacionalizmi duan të thonë, konsiderohet në botën tonë moderne dhe egërsisht të globalizuar, si diçka e tepërt, antike ndoshta, një shfaqje mendësie të tejkaluar nga koha dhe zhvillimi bashkëkohor i botës në të cilën në fakt jetojmë të gjithë bashkë.

Për një arsye të tillë edhe unë si qenie me prirje “globale”, si një shqiptar qytetar i botës së përbashkët për të cilën qeshë duke treguar pak më parë, nuk do të duhej faktikisht që të kisha ndonjë gjë të veçantë kundër shfaqjes së Goran Bregoviç serbit në një skenë shqiptare pas ca ditësh.

Të këndojë ore tjetri, kush e pengon!

Në serbisht po ashtu, se mos di të këndojë në anglisht fundja? – Jo nuk di, ndaj dhe lëreni të këndojë në gjuhën e tij mëmë serbisht, meqë ndryshe nuk mundet.

Ka ëndje të këndojë dhe mirëfilli askush nuk ka ndërmend ta ndalojë në ushtrimin e profesionit të tij Bregoviçin, aq më pak në skenat e Shqipërisë!

Unë për fat Goranin nuk e njoh, as kam patur rastin të dëgjoj këngët e Lepa Brenës apo ndonjë serbi ose boshnjakeje tjetër.

Turbofolkun serb nuk e njoh dhe as që më intereson gjithashtu.

Thënë kjo, më nevojitet të pranoj “botërisht” se mosnjohja nga ana ime e realitetit muzikor serb (turbofolku) nuk më ka penguar aspak që të jem një artdashës, shijues i apasionuar i tingujve të mirëfilltë joserbë muzikorë, vlerësues i muzikës në përgjithësi.

Ideja ime si njeri “veshmprehur” lidhur me botën e muzikës ballkanike, pa qenë sidoqoftë i këtij profesioni si formim, është se rajoni ynë vuan thellësisht nga mungesa e “origjinalitetit” në këtë fushë, dhe kjo ndodh ngaherë e nuk ka nisur kurrsesi sot.

Fakti është që prania e stërzgjatur osmane në viset dhe trojet etnike të popujve të Ballkanit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme sa në veshje, mendësi, sjellje dhe veprime, aq edhe në muzikën dhe vallet tona pa përjashtim.

Në një këndvështrim të tillë, tallavaja aktuale si dhe turbofolku serb, kanë të bëjnë ngushtësisht ashtu si edhe shumë degëzime të tjera të lëvrimit të muzikës së këtij gadishulli ku të gjithë frymojmë, me një origjinë të përbashkët turke, sa nga folku i mirëqenë turk, aq edhe nga muzika e romëve të Azisë së Vogël, të quajtur “romani” nga turqit.

Në të vërtetë po të hidhet një vështrim i përciptë mbi universin e pasur muzikor të Turqisë së ditëve tona, aty do të vërehen pa shumë vështirësi, pjesëza të origjinës së shumë dokeve dhe traditave muzikore të gjithë banorëve të Ballkanit, me përjashtim të sllovenëve e ndoshta kroatëve, që kanë jetuar më tepër nën qeverisjen dhe kulturën austriake, sesa nën ndikimin jetëgjatë të hapësirës osmane.

Kështu mund të takojmë lehtësisht gjurmët turke sa në vallet dhe këngët e Shqipërisë së Mesme (por edhe më tej sesa thjesht ky rajon i vendit tonë), aq edhe në veshjet apo vallet, meloditë dhe kërcimet specifike të serbëve, maqedonasve, domosdo të boshnjakëve (gjithmonë me modelin e tyre tipik ala-cigan të të kënduarit të përdëllyer brenda përvuajtjes së përhershme), bullgarëve e ndopak edhe grekëve.

E gjithë kjo na vlen për të kuptuar se jetojmë në një rajon tepër të vogël, ku shumë popuj të ndryshëm janë “ndikuar” fort kulturalisht nga fuqia e fundit madhore sunduese, siç patën qenë turqit deri para një shekulli, për këtë arsye është deri diku normale dhe e pranueshme që muzika e njëri-tjetrit (që jo rrallë ngjan), të na tërheqë.

Unë vetë nuk prirem të kem ndonjë ndjesi të zhvilluar kureshtje apo grishje ndaj muzikës ballkanike në përgjithësi, apo asaj të fqinjëve tanë në veçanti.

Mënjanë malazezëve që në përshtypjen time nuk kanë muzikë fare, s’m’i kanë ndezur ndërkaq asnjëherë ndjenjat baladat qaramane orientale të boshnjakëve, dhe sigurisht kurrsesi folku i serbëve ku të njëjtat melodi me kombinimin e pamungueshëm “srce-ljubav” (zemër-dashuri) t’i çajnë veshët në përjetësi.

Maqedonasit, sidomos në rajonet kufitare me juglindjen e Shqipërisë dhe Selanikun në Greqi, lëvrojnë një lloj muzike të këndshme qytetare e cila ngjan së tepërmi me serenatat korçare, e për këtë arsye, është më e pranueshme për një vesh të hollë.

Nga ana tjetër, bullgarët muzikë nuk kanë (ose kanë, po këtë fakt nuk e njeh askush) dhe rendin vazhdimisht pas kopjimit të trubofolkut serb ose tallavasë rome, me tekste bullgare.

Rumunët sipas përshtypjes sime, bëjnë muzikë tepër të mirë “dance”, një fakt që i ka bërë të njohur anembanë “Club-ve” të kontinentit evropian, ndaj dhe ankesa për ta nuk mund të kem, ndonëse muzikën tradicionale nuk ua njoh ndopak.

Po Goran Bregoviçi?

Goran serbi është gjë tjetër.

Personalisht më shumë më ka çuditur ndërthurja e pakuptimtë e emrit dhe mbiemrit të tij, ngaqë Goran dhe Bregoviç, pak a shumë në shqip domethënë “Malësor i Bregut”, diçka krejt e papërputhshme gjuhësisht.

Mbase domethënë se Gorani vjen me vrull nga lartësitë serbe drejt bregut shqiptar, gjithmonë të ëndërruar nga serbët.

Gorani sakaq është simbol, është serbi që vjen në Shqipëri dhe shkul rrylin e fytit duke kënduar (apo mbase me “play back” gjë?), pa iu dridhur qerpiku, pa ia bërë syri tërrt, si të ishte në Beograd e jo në tokën e “albancëve” këtyre njerëzve me bisht sipas ndoca shkencëtarëve serbë.

Kurse Bregoviçi ynë as që trembet fare dhe me vetëmohim, vjen me këngë në gojë, sjell tingujt dhe fjalët serbe mes shqiptarëve.

Nuk e njoh Goranin dhe nuk e kam idenë se çfarë lloj njeriu është ai. Mua vetë më duket pak si leshko në pamje, por nuk dua të abuzoj me njerëz që s’i njoh.

Ajo që mendoj është se Goran Bregoviçi më tepër habitet vetë si vallë nuk do e “hanë ose pjekin të gjallë” këta shqiptarët me bisht dhe të egër, se gjë tjetër, dhe i ngrati kur të këndojë, ndoshta do t’i numërojë së prapthi sekondat deri në çastin kur ndokush do ta lërë shakull në vend, që më pas ta rrjepin dhe t’ia hedhin qenve ose diçka të ngjashme.

Publiku shqiptar aty nën skenën ku serbi në fjalë do të çirret, mbase do të dukej pak a shumë nën efektet degjeneruese të ekstazës idiotësuese, si një turmë e etur që ka vrapuar me të katra, për në ndonjë  lokal “striptease”.

Kam bindjen që nëse Goran Bregoviçi do të zhvishej atë mbrëmje, rrobat e tij do të kishin shkaktuar një kaos të tillë midis publikut të përvëluar, saqë salla ku serbi do të këndonte, do të digjej me themel dhe do t’i kish dalë tymi.

Si ta them, Gorani do të ishte “palaço” në skenë dhe masa amorfe me trajta të paqarta turme të dalë duarsh, do harbohej me vetveten dhe ekstazën e këngëve që ai këndon, duke u çjerrë dhe uluritur histerikisht.

Sigurisht që disa dhjetëra spektatorë të matufosur turbofolk-dashës, nuk përbëjnë asgjë krahasuar me shoqërinë shqiptare.

Shqipëria për fat të madh, është shumë më tepër se aq, megjithëse shfaqje të tilla të marrëzisë kolektive, nuk të bëjnë të mendosh mirë për qenësinë mendore, e aq më pak morale të popullit tënd.

Në të njëjtën kohë nuk do kishte qenë e tepërt të ishte përmendur për shembull sesi do të kishte vajtur saktësisht një situatë e ngjashme, por e ndodhur hipotetikisht në Beograd dhe jo Shqipëri…

Këngëtari “X” shqiptar ta zëmë shkon i ftuar në një program të suksesshëm serb.

Në çastin që i kumtohet publikut emri i tij, ka një ngërdheshje të përgjithshme…

  • “Ore, mos është emër shqiptarësh ky”? – do vinte në dukje dikush midis publikut në sallë.

Më tej, kur këngëtari shqiptar do të ngjitej në skenë, kur të niste të shqiptonte rrokjet e para të fjalëve në shqip të këngës së tij, atëherë nga publiku drejt tij do të vërshonin jo vetëm një numër i pallogaritshëm sharjesh të çdo lloji, fyerjesh personale dhe etnike, kërcënimesh, por ka mundësi edhe karrige, stola, ombrella, këpucë e bastunë të spektatorëve të pranishëm.

Dikush tani do të thoshte se ne prandaj nuk jemi serbë, as ballkanas nuk jemi nga kjo anë, se nuk bëjmë gjëra të tilla, jemi më normalë dhe të evoluar ne, i pranojmë ndryshimet dhe dallimet me të tjerët, kurse artit i japim vëmendjen e duhur duke e ndarë nga mëritë ndëretnike të rajonit tonë.

Fundja, në vitet 80 të shekullit të kaluar, dyshoj fort që Bijelo Dugme, pjesë e të cilëve ka qenë Goran Bregoviç, të ketë pasur fansa të shumtë në Shqipëri, ndërsa gjithë vëmendja e publikut shqiptar i kushtohej si gjithmonë muzikës dhe kulturës italiane, që ngaherë qëndron në pararojë të artit në nivel botëror.

Kur dinjiteti ynë të mos nëpërkëmbet nëpër librat e historisë, stadiume, politikën dhe qëndrimin zyrtar të shtetit serb dhe jo vetëm, atëherë mund të jetë e udhës, që edhe ne të tregojmë para fqinjëve tanë e në veçanti serbëve, faqen tonë moderne, liberale dhe evropiane, atë që pranon vlerat e tjetrit, që njeh meritat e artit, që gëzon muzikën, pa u ngatërruar me epshet shtazarake të kënetave të prapambetura ballkanike.

Ndërkaq, të shfrytëzohet kjo ndodhi fatkeqe, ky vendim dukshëm pa shije për të ftuar një personazh të këtillë në një skenë verore, për të vjellë vrer e helm veçanërisht ndaj Korçës dhe qytetarisë e kulturës së saj, është gjithashtu diçka krejtësisht e papranueshme.

Në 1999, nuk ka pasur thuajse asnjë fshat të Korçës, përveç vetë qytetit sigurisht, ku mijëra familje shqiptarësh të Kosovës mos të kenë gjetur mikpritje të pashembullt, dhe qytetarët korçarë shpesh patën vajtur në stadiumin e qytetit, për t’i marrë dhe strehuar refugjatët kosovarë nëpër shtëpitë e tyre, shumë prej të cilëve i kam miq dhe i takoj edhe në ditët e sotme dhe janë akoma mirënjohës për Korçën dhe korçarët.

Do theksuar se mirësia e administratave amerikane ndaj shqiptarëve, dhe gjithaq Kosovës, nis me shoqërinë Vatra ne SHBA, të themeluar pikërisht nga mërgimtarët e parë korçarë në Amerikë mbi një shekull më parë.

Me katër ndër këngëtaret më të njohura në botë, të gjitha me origjinë shqiptare (Dua Lipa, Ava Max, Rita Ora dhe Bebe Rexha), me një mori këngëtarësh shqiptarë të bëjnë ligjin në muzikë nga Italia në Gjermani, Zvicër, Angli, Greqi e tjetërkund në Europë, pak nevojë kemi për Bregoviçët në skenat tona, ndonëse nuk ka asnjë arsye të tregohemi shovinistë si ndokush nga fqinjët tanë, sidomos në fushën e  artit.

Por deri në ditën kur respekti kulturor të jetë i ndërsjellë, sipas meje gjasë ende e largët, Bregoviçët dhe këngët e tyre, s’bëjnë për mua të paktën!

Nga Elvi Sidheri / KultPlus.com

Polonia dhe Ukraina ia ndaluan koncertet Bregoviqit, ky i fundit e mbështeti pushtimin rus të Krimesë

Polonia dhe Ukraina i kishin anuluar koncertet e këngëtarit serb, Goran Bregoviq, për shkak të përkrahjes që ai kishte shprehur për pushtimin e Krimesë së Ukrainës nga Rusia.

Pavarësisht shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut nga regjimi pushtues rus në Krime dhe sanksioneve ndërkombëtare, Bregoviqi kishte mbajtur një koncert në Sevastopol të Krimesë, ku e kishte lavdëruar Rusinë dhe kishte thënë se shpresonte që Perëndimi “do të shërohet nga paranoja”.

Pas koncertit të mbajtur më 26 mars të vitit 2015, Bregoviqi ishte pyetur nga gazetarët nëse i frikësohej bojkotit. Ai kishte thënë: “Nuk mërzitem. Ne në Ballkan gjithmonë e kemi ndier madhështinë që vjen nga lindja, nga Rusia. Mendoj se Perëndimi gjithmonë ka shprehur një lloj paranoje për këtë. Shpresoj që kjo do të kalojë dhe se ata do të gjejnë një lloj ilaçi për këtë.”

Paraqitja e Bregoviqit në Sevastopol kishte rezultuar me anulimin e koncertit të tij, të planifikuar për 16 maj të atij viti në Kiev të Ukrainës, raporton Grupi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kharkiv.

Në të njëjtin vit – 2015 – Bregoviqi kishte planifikuar që të merrte pjesë edhe në një festival në Poloni, por koncerti i tij ishte anuluar pikërisht për shkak të mbajtjes së koncertit në Krimenë e pushtuar dhe përkrahjes që kishte shprehur për Rusinë./ gazeta express/ KultPlus.com

Nga Bashkia e Korçës: Bregoviq do të këndojë në Shqipëri, Festa e Birrës s’ka lidhje me politikën

Këngëtari serb Goran Bregoviç, pritet të këndojë para publikut shqiptar në Korçë. Organizatorët të cilët kanë lajmëruar për ardhjen e tij, po e cilësojnë ‘kulmin e atmosferës’ natën kur do të këndojë Bregoviç, derisa në Kosovë është kundërshtuar pjesëmarrja e këngëtari nacionalist serb. Bashkia e Korçës thotë për Gazetën Express se është në dijeni për këto kundërshtime, por cilëson se po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht

Ishte cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Kosovë, me këngën e tij “Kallashnikov”, por kjo nuk i ka ndaluar në Bashkinë e Korçës që ai të ftohet për koncert.

Në vitin 2006 kishte mbajtur koncert të madh në Tiranë, ku ishte vlerësuar me çmimin “Çelësi i Tiranës”, nga Edi Rama, i cili atë kohë ishte kryetar i bashkisë.

Zëri e këngët e tij në gjuhën serbe pritet të jehojnë përsëri në Shqipëri. Kësaj radhe në Korçë, në Festën e Birrës, që organizohet nga 18 deri më 22 gusht.  

Nga Bashkia e Korçës, e cila është organizatorja e Festës së Birrës, kanë deklaruar për Gazetën Express se këngëtarët propozohen nga një kompani që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi apo jo i tyre, i takon Bashkisë.

“Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh”, ka deklaruar për Express Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës.

Megjithëse nga organizatorët tashmë është bërë e ditur se Bregoviç pritet të jetë në Korçë, Katundi tha se nuk e di ende nëse është konfirmuar pjesëmarrja e tij.  

“Nuk e di të them të drejtën, sepse organizatorët e festës e dinë këtë gjë dhe normalisht duhet pyetur ata që e menaxhojnë festën, unë merrem vetëm me pjesën e promocionit, kështu që nuk e di, akoma nuk na kanë dhënë ndonjë sinjal nëse do të jetë apo jo”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse Bashkia e Korçës është në dijeni për reagimet që janë bërë në Kosovë pas lajmit se Bregoviç pritet të këndojë në Korçë, Katundi tha se kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Shqipëri.

Ajo deklaroi se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën dhe s’ka lidhje me respektimin e politikave,

“I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka deklaruar Katundi.

Ndryshe, lajmi se Bregoviç pritet të performojë në Korçë ka ngjallur shumë reagime në Kosovë, për shkak të qëndrimeve të tij anti-shqiptare dhe këngëve të tij që janë cilësuar si inspirim i ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë./gazeta express/ KultPlus.com

Korça e fton Goran Bregovic për një koncert, e cilëson mbrëmje kulminante

Qyteti i Shkodrës është në përgatitje e sipër të përgatitjes së edicionit të radhës Korça Beer Fest, shkruan KultPlus.

Kjo festë e birrës do të mbahet prej 18 deri më 22 gusht, duke shpalosë edhe detaje për programin e kësaj feste.

Faqja zyrtare e këtij festivali ka njoftuar se në këtë festë do të jetë edhe këngëtari serb Goran Bregovic, dhe prurjen e tij në Korçë e vlerësojnë si një mbrëmje kulminante.

Mendohet se ky festival do të ndiqet nga 100 mijë turistë dhe do të mbahet në Terminalin e Ri të Autobusëve, në hyrje të qytetit.

Bregovic ishte nderuar nga Edi Rama edhe si qytetar nderi/ KultPlus.com

Kënga “Kosovska” shpartalloi “Bijelo Dugme” grupin e famshëm të ish Jugosllavisë, rrëfehet Zeljko Bebek (VIDEO)

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada që kur është larguar nga bendi Bijelo Dugme, këngëtari boshnjako-kroat Zeljko Bebek vazhdon ta intrigojë publikun me deklaratat e tij rreth themeluesit të grupit, frontmenit Goran Bregovic.

Kënga e titulluar “Kosovska”, që ky grup e ka kënduar në gjuhën shqipe si “provë” se edhe në gjuhën shqipe rock’u tingëllon mirë, po del që të jetë arsye e prishjes së raporteve të tyre.
“Ndryshimi në Bijelio Dugme ndodhi në momentin kur Goran Bregovic shkroi këngën në gjuhën shqipe. Teksti, që ishte shumë i bukur, e të cilin e kanë shkruar pionierët e teatrit shqiptar të Shkupit, ishte një hap revolucionar, por unë nuk isha ky. Atëherë i thashë Goranit: “ Tash ia dole, kjo nuk kalon te unë” ka thënë Bebek.

Sipas gazetës Nedeljnik, Bebek ka rrëfyer për herë të parë se pse është larguar nga bendi kult sarajevas dhe se sa në të vërtetë i kishte penguar “politizimi” që Bregovic po e sillte në muzikën e tyre.

I pyetur nëse i ka penguar konteksti politik që do të sillte kënga në gjuhën shqipe e incizuar dy vjet pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Bebek ka konfirmuar një gjë të tillë.
“ Çfarë porosie po i çoj unë Jugosllavisë së atëhershme, kombeve dhe kombësive? Unë, ai që kam dashur që të etabulohet një frymë moderne në kulturë, përnjëherë futem në politikë ditore. Kjo në një mënyrë ishte arsye që ndamë rrugët dhe pas kësaj më 1984 ne u shpartalluam”, ka thënë Bebek.
Ai ka thënë se kënga “Kosovska” nuk ka qenë ajo që e largoi nga Bijelo Dugme, por sipas tij, “ajo këngë ishte si një provë se në bend po ndryshohej qëndrimi”.

Në të dhënat, që mund të gjendet në internet rreth kësaj kënge, bendi “Bijelo Dugme” ka pasur për qëllim që ta integrojë edhe kulturën shqiptare në mesin e popujve që asokohe përbënin federatën jugosllave.

“ Dhe kjo aq shumë sa që në grup dhe nga e gjithë ajo që kishim arritur deri atëherë, u krijua një hendek në kuptimin politik. Pavarësisht nga mesazhet, pavarësisht se a jam pajtuar apo jo me ta. Nuk më takon mua që të hyjë në një teatër tjetër ku unë duhet ta luaj një rol të ri ku në pyetjen “A do ta këndoje ti këtë?” të përgjigjem “ Jo nuk do ta këndoja”,përcjellë pa rrotlla.
Këtë e kam thënë në albumin e fundit kur po incizohej kënga “Kosovska” në Shkup. Se kjo ishte hera e parë dhe e fundit. Dhe kështu ndodhi. Nuk mendoj se kënga “Kosovska” ishte një truk marketingu i Goran Bregoviqit, por për shkak të dyshimit kam thënë se nuk do të shkojë tutje” ka thënë Bebek./KultPlus.com