Festivali i Filmit në Venecia këtë vit mirëpriti jo pak nga regjisorët, aktorët e producentët shqiptarë.
Kujtojmë që Erenik Beqiri me filmin “A Short Trip” fiton çmimin e filmit më të mirë të shkurtë “Best Orizzonti Short” në festivalin prestigjioz të filmit në Venedik. Me këtë çmim, Beqiri me filmin e tij gjithashtu fituan nominimin e festivalit për garën e filmit të shkurtë në European Film Awards 2023 (EFA).
Filmi si produksion francez dhe me kastë të aktorëve nga Shqipëria dhe Kosova, ka hapur rrugën edhe për suksese të tjera të shumta.
Ndërkaq, filmi “Housekeeping for Beginners” nga Goran Stolevski me bashkëproducente nga Kosova Blerta Bashollin, u shfaq premierë më 6 shtator në Venecia Orizzonti, i cili fitoi çmimin “Queer Lion”, poashtu në Festivalin e Filmit në Venedik.
Qendra Kinematografike e Kosovës ka uruar regjisorët, aktorët dhe gjithë ekipet e filmave për këtë sukses.
Filmi i parë pjesëmarrës nga Kosova në Festivalin e Venedikut ishte “Ballkoni” nga regjisorja Lendita Zeqiraj në vitin 2013.
Ndërsa në vitin 2021 filmi “Vera Anderron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit fitoi çmimet ‘Inclusion Edipo Re’ dhe çmimin për ‘Autoret gra nën 40 vjet’. / KultPlus.com