Shtegu i Goricës, atraksioni më i ri turistik në Berat

Një atraksion i ri turistik i është shtuar Beratit për aventurierët dhe të dashuruarit pas natyrës.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, ndau pamje nga shtegu i Goricës, një destinacion me vlera kulturore dhe natyrore.

Në këtë shteg është vendosur edhe një pikë vrojtimi me konstruksion druri për vizitorët.

“Një shëtitje eksploruese, me shtegun e pastruar dhe sistemuar duke ruajtur habitatin natyror të zonës, në ajrin e pastër të qytetit tonë, me një bukuri panoramike të rrallë, çfarë duhet më shumë? Foto të bukura? Kemi menduar edhe për këtë! Mund t’i bëni edhe ato në sheshin mbi rrënojat e kalasë së Goricës. Aty do të gjeni pikën e vrojtimin me konstruksion druri. 180 gradë mbi qytetin, kur ke në pëllëmbë të dorës Kalanë, luginën e lumit Osum, gjithë qytetin 2500-vjeçar”, tha Demo.

Shtegu ndodhet mbi kodrën e lagjes “Goricë” dhe pamja që shfaqet në ngjitje të tij është e mrekullueshme. Në këtë shteg ndodhen edhe rrënojat e kalasë së Goricës, të cilat datojnë që në gjysmën e parë të shekullit III.

Shtimi i kërkesave të vizitorëve për itinerare natyrore të reja ka bërë që të hapet edhe ky shteg dhe të vendoset në udhërrëfyesit që u ofrohen vizitorëve./atsh/KultPlus.com

“Beautiful Albania”, Rama publikon foto të urës së Goricës, në Berat

Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit, ndërsa qeveria po investon në disa vepra infrastrukturore në këtë zonë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII, asaj të Goricës që lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër.

Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë.

Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com