Vjersha “E kujtoj mësuesin” merr tjetër kuptim, shkrimtari Agim Vinca e siguron fotografinë e mësuesit pas kaq shumë vitesh

Jeta Zymberi

“E kujtoj mësuesin”, një ndër vjershat më të njohura të letërsisë shqipe, ka marrë jehonë për shkak të vargjeve të fuqishme që i përçon, ku drama e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, dashuria e nxënësit për mësuesin dhe figura e mësuesit, janë thurur aq bukur bashkë saqë kjo vjershë vazhdon të emocionojë gjeneratë pas gjenerate, por ditëve të fundit ajo ka arritur në një adresë interesante dhe aspak të pritshme nga shkrimtari, shkruan KultPlus.

Autori Agim Vinca i cili këto vargje i shkroi në vitin 1971, tek tash, pas 50 viteve është kontaktuar nga Mustafa Akgöl, i biri i mësuesit Sadik Mehmeti për të cilin rast KultPlus ju informoi para pak ditësh (LINKU).

Mustafa Akgöl përmes KultPlus arriti të kontaktojë me shkrimtarin Vinca ku pas disa emailave të shkëmbyera, Vinca arriti të sigurojë edhe një fotografi të mësuesit të cilën aq shumë e donte e në këtë formë të rifreskojë figurën e tij e ta ruaj përgjithmonë edhe në formë fizike.

Në intervistën, Vinca ishte shprehur: KultPlus e ka shpërndarë poezinë dhe një ditë Ardianë Pajaziti, (drejtoresha e KultPlus) më merr në telefon dhe më tha që kam një lajm interesant. Më tregoi që djali i mësuesit e ka parë poezinë në KultPlus dhe ka kërkuar një kontakt timin. Pastaj më ka dërguar email. Kur pranova emailin ishte vërtetë interesant! Edhe unë i kam shkruar, i dërgova letrën edhe në shqip sepse ai shqiptar është edhe pse sigurisht gjuhën e ka humbur. Gjithashtu ja dërgova edhe poezinë prej tekstit shkollorë me komente dhe fotografinë time, dhe do t’i kërkoj një fotografi të mësuesit sepse nuk kam. Kam të klasave tjera por jo të klasës së parë. Imazhin e tij e kam, e ruaj, ishte i pashëm dhe sillej mirë, por e dua ta kem edhe një fotografi”,  dhe nuk vonoi më shumë se dy ditë që Vincës t’i arrij fotografia në email.

KultPlus ju sjell letrën tjetër që Vinca ka pranuar nga i biri i mësuesit bashkë me fotografitë e bashkangjitura.

I nderuar Prof. Vinca,

Faleminderit për përgjigjen tuaj. Unë me të vërtetë u përpoqa të arrij të dhënat tuaja të kontaktit dhe dërgova shumë emaile për t’ju kontaktuar. Faleminderit KultPlus që më dhanë adresën tuaj të emailit.

Kur isha në Strugë dhe kuptova se i kishe shkruar një poezi babait tim, më la shumë përshtypje. Po ju dërgoj të bashkangjitura fotot e babait tim (foto familjare në 1978 – foto në 1957 dhe Dosja e Shkollës sime të Babait). Unë do të ndaj edhe disa foto të tjera. Fatkeqësisht, pas shkollës ju nuk e takuat më babanë tim, sepse babai im vdiq në vitin 2010, për shkak të kancerit. Ai ishte 75 vjeç.

Shpresoj t’ju shoh këtu ose në një vend tjetër dhe për të dëgjuar më shumë nga ju. Nëse vini në Stamboll, do të jem i nderuar të ju kem mysafir.

Do të jem mirënjohës nëse më dërgoni 1 ose 2 copë libra me firmë (mund t’i marr përmes internetit, por është e rëndësishme të jenë të nënshkruara nga ju.) / KultPlus.com