Vjollca Duraku
Foto: Etnik Nrecaj
Ekspozita “Gratë udhëheqëse në fokus” e kuruar nga Eliza Hoxha, është hapur mbrëmë në “Qendrën Barabar”, shkruan KultPlus. Në kuadër të fushatës “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” edicioni i dytë i ekspozitës ka prezantuar edhe 10 gra të suksesshme të Kosovës të cilat në mënyra dhe forma të ndryshme kanë qenë kontribut dhënëse në shoqëri.
Portretet e shpërndara rreth e përqark hapësirës ekspozuese me gra lidere nga etni të ndryshme paraqesin autoritetin e tyre, ku përmes shkrimeve anash fotografive vërehet që ka qenë jo lehtë i arritshëm. Megjithatë mesazhet në përgjithësi përmbanin fraza krenarie dhe motivuese nga figura si: Atifete Jahjaga, Feride Rushiti, Fahrie Hoti, Jeta Xharra, Majlinda Kelmendi, Xhyljeta Mushkolaj, Edita Tahiri, Shkurtije Markovic, Mirjeta Qehaja, Hiljminjeta Apuk, Teuta Sahatqija, Mimoza Gavrani, Gordana Doric, Ramye Salya, Igballe Rugova, Fortesa Orana dhe Urma Menekshe.
Fotografitë e ekspozitës janë realizuar nga Arben Llapashtica. Përderisa, pjesë e ngjarjes ishte edhe paneli diskutues në përbërje me diplomaten Edita Tahiri, juristen Xhyljeta Mushkolaj, dhe artisten Mirjeta Qehaja, që u udhëhoq nga gazetarja Aulonë Kadriu.
Në një fjalim mirëpritës, kuratorja Eliza Hoxha ka thënë se përmes kësaj ekspozite po u japin fokus disa figurave të cilat për arsye të ndryshme nuk kanë marrë “dritën” që meritojnë.
“Rrugëtimi i grave në Kosovë nuk ka qenë i lehtë asnjëherë. Shumë shpesh përkundër sukseseve që gratë në Kosovë i kanë pasur, kanë mbetur në hije për shkak të dinamikave të shumta politike, historike dhe profesionale. Por, unë gëzohem sot që u rikthehemi profileve të shumta që jo gjithmonë e kanë dritën e duhur. Dhe kjo jo rastësisht, sepse përderisa ato janë në mesin tonë ne duhet të jemi pranë tyre dhe të ndriçohemi nga puna, angazhimi dhe përvoja e tyre” ka thënë kuratorja Hoxha, duke potencuar që pikërisht këto gra vazhdojnë të mbeten inspirim edhe për vajzat e reja.
“Sot i festojmë 20 gra të profileve të ndryshme të cilat kanë dëshmuar që përtej sfidave të shumta që kanë pasur në rrugëtimin e tyre jetësor dhe profesional ato ia kanë dalë. Ato kanë ndriçuar për veten dhe për Kosovën. Ato sot ndriçojnë edhe për ne dhe do të vazhdojnë të mbeten pishtarë edhe të vajzave të reja”, ka thënë më tej kuratorja.
Ndërkaq, përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh ka thënë se ndihet e lumtur që gjendej e pranishme në ekspozitën e cila feston gruan dhe të arriturat e saj.
“Kjo kampanjë feston gruan dhe arritjet e tyre. Gruaja është ndërtuese e paqes dhe e së ardhmes. Shumë herë kampanjat rrisin ndërgjegjësimin për gruan duke trajtuar viktimat, dobësitë e gruas. Sot po i sjellim të gjitha ato të forta. Sot festojmë kalimin e tyre nga të qenët viktimë në festë. Gratë sot janë këtu dhe ne duhet ta transformojmë dhimbjen e tyre në forcë”, ka thënë Ziadeh.
Kurse, diplomoatja Edita Tahiri ka thënë se sfidat e diskriminimit gjinor janë ende evidente, dhe se diskriminimi më i madh bëhet te pushteti.
“Diskriminimi më i madh është te pushteti. Burrat nuk duan që t’ia japin edhe grave gjysmën e pushtetit. Në parlament burrat janë zemërgjerë, po në parlament deri në 40% na japin neve vende. Por në pushtet, në qeveri, në partitë politike të gjithë liderët janë burra. Gati s’ka fare gra lidere në partitë politike. Qeverinë, pushtetin duhet patjetër ta kenë burrat. Madje, më keq kur burrat janë liderë të partive ata po bëhen boss-at e grave”, ka thënë diplomatja Tahiri.
Ajo më tej ka thënë se gratë për të pasur një pozitë më të mirë në shoqëri, duhet që të fuqizohen edhe në politikë.
“Ne gratë duhet të fuqizohemi politikisht, duhet të gjejmë rrugët nëpër partitë politike. Dhe kur them ne gratë, fillimisht ne duhet t’ia nisim, se nëse presim prej burrave nuk vjen me sinqeritet përkrahja. Mos pritni të ftoheni, filloni vet. Ne tash nuk jemi në luftë. Unë e lidha fatin tim me fatin e popullit tim të robëruar por tash kemi sfida të tjera, kemi sfida që Kosova të ketë një ekonomi, demokraci më të mirë, institucione më mbështetëse për barazinë gjinore, të kemi mentalitet më demokratik”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, juristja Xhyljeta Mushkolaj ka thënë se sot depërtimi i grave në sfera të ndryshme është sfidues edhe për shkak të legjislacionit.
“Ne nuk e kemi vigjilencën e duhur që ta kuptojmë që secili ligj, qoftë edhe ai procedural, duhet të zbatohet si ligj në kuptimin e ligjit si legjislacion. Asnjë ligj nuk mund të zbatohet pa zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore. Sa për gratë në politikë, e kam një vërejtje shumë substanciale. Për të mirën e të gjitha grave, duhet të kujdesen që pos kuotave të kemi ligj për regjistrim dhe veprim të partive politike”, ka thënë juristja Mushkolaj, duke potencuar që depërtimi i gruas në pozitat udhëheqëse është ende labirint.
Kurse, artistja Mirjeta Qehjaja ka thënë se ende janë prezente paragjykimet në baza etnike në shoqëri, për më tepër edhe ato gjinore edhe mes artistësh.
“ Fatkeqësisht kur unë e kam përfunduar fakultetin dhe kur kam filluar të shoqërohem me grupe të ndryshme të artistëve, tash vonë e kam kuptuar që edhe në mes tyre ka dallime gjinore, gjë të cilën unë nuk e kam besuar më herët. Në grupe të ndryshme të artistëve ende flitet se cila prej grave pikturon më mirë e cila jo, përderisa ajo që burrat pikturojmë më mirë se gratë as që diskutohej. Kjo gjë më ka bërë përshtypje. Por, prap këto gjëra nuk ndikojnë shumë te unë. Unë patjetër se kam vazhduar që me artin tim, pikërisht pikturat dhe muralet e mia të ndërlidhen me shoqërinë civile”, ka thënë artistja Qehaja.
Edicioni i parë i ekspozitës “Gratë udhëheqëse në fokus” është mbajtur në prill, përderisa është paraparë që të vazhdojë edhe me edicione të tjera në vitet pasuese. Ky projekt është përkrahur nga UNMIK, Integra dhe Qendra Barabar./ KultPlus.com