Baladat arbëreshe kthehen në grafika nga nxënësit e Liceut Artistik

Është hapur ekspozita “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, me punimet e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Ceremonia e hapjes u zhvillua sot në mjediset e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe pjesë e veprimtarisë kanë qenë edhe artistët e rinj, të cilët kanë prezantuar punët e tyre.

Kjo ekspozitë shënon hapin final të kurorëzimit të projektit “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, realizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Pas disa takimeve konsultative dhe leksioneve të hapura për njohjen e baladave arbëreshe, në fazën përfundimtare vjen konkretizimi me punime artistike nga ana e nxënësve.

Ky projekt ka për qëllim të përcjellë tek të rinjtë përrallat dhe baladat arbëreshe, duke e bërë më të prekshme botën arbëreshe përmes gjuhës pamore. Secili nxënës ka shpalosur fantazinë e tij në paraqitjen e baladave arbëreshe, prandaj QSPA-së ka ftuar publikun për t’i parë nga afër këto punime. /atsh / KultPlus.com

Artisti Agim Salihu në seleksionin e grafikes evropiane në China Printmaking Museum

Në China Printmaking Museum – Shenzhen, është hapur ekspozita kuratoriale e grafikes kontemporane e Evropës Qendrore dhe Lindore. Kuratori Veliko Marincheski i ka përzgjedhur për të ekspozuar në China Printmaking Museum njëzet artistë evropianë me gjithsej 71 punime, përcjellë KultPlus.

Në ekspozitë marrin pjesë doajenët e grafikës kontemporane të cilët kanë lënë gjurmë në grafiken evropiane dhe botërore si: Jiri Anderle, Albin Brunovski, Paul Wunderlich etj. Një pjesë e veprave të grafikes janë huazuar nga koleksionet e museumeve dhe galerive evropiane.                                                                                                             

Në këtë ekspozitë, artisti kosovar Agim Salihu, i ftuar nga kuratori Veliko Marinchevski, e përfaqëson grafiken evropiane dhe Republikën e Kosovës. 

Ekspozita e Grafikes e Evropës Qendrore dhe Lindore u realizua me ndihmën dhe kontributin e menaxhmentit të China Printmaking Museum, zotëri Li Kang, dhe drejtorit të departamentit ndërkombëtar të Muzeut, Zhao Jiachun, të cilët mundësuan të realizohet ky projekt i madh.

Ekspozita u realizua edhe me mbështetjen Evropiane të Galerisë ‘Epruve D’artiste Antverpen’, zotëri Chris Verheyen dhe Dr. Jaques Montermals collection. / KultPlus.com

Përfundon edicioni i pestë i Novelave Grafike Shqiptare

Në ambientet e odeonit të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua konkursi i Novelave Grafike Shqiptare ku u ndan dhe 8 çmime për pjesëmarrësit.

Ky event i cili këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 5-të është kthyer në një traditë të përvitshme duke sjell pranë publikut krijime të veçanta dhe duke i dhënë një mbështetje të madhe artistëve të cilët punojnë dhe zhvillojnë këtë zhanër të grafikës.

Në këtë konkurs u ndan 8 çmime ditën e djeshme, ku tre prej tyre ishin çmimet klasike që u vlerësuan me një mbështetje materiale, në mënyrë që artistët të vazhdojnë të investojnë në rrugëtimin dhe talentin e tyre.

Me çmim të parë me punimin më të mirë në këtë konkurs u vlerësua Artiol Izri, me çmim të dytë Klejdi Domi dhe me çmimin e tretë Adrian Engjëlli. Çmimet e tjera ishin vlerësues dhe inkurajues që gjithashtu edhe për këta të fundit kishte një ndihmë financiare.

Në këtë konkurs morën pjesë 46 pjesëmarrës të moshës nga 14-18 vjeç. Pjesëmarrësit vinin nga shkolla artistike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Ky projekt vlerësohet nga Ministria e Kulturës e cila ishte edhe organizatore, si një mënyrë mjaft e mirë për të ndihmuar brezat e rinj të artistëve, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor nëpërmjet arteve. Konkursi i Novelave Grafike ka rezultuar shumë i suksesshëm në të pestë edicionet e zhvilluara. Duke parë interesin e madh të artistëve, Ministria e Kulturës disa ditë më parë ka hapur konkursin për edicionin e radhës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. /aa/ KultPlus.com