Nesër në KultPlus Caffe Gallery mbahet edicioni i dytë i ekspozitës “Grafika Bashkëkohore e Grafistëve të Rinj Kosovarë”

Edicioni i dytë i ekspozitës, “Grafika Bashkëkohore e Grafistëve të Rinj Kosovarë” me kurator Basri Mekollin, do të mbahet nesër në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 19:00.

Ky edicion përfshin grupin prej njëzetekatër grafistëve të përzgjedhur, të cilët me fragmente nga portfoliot e fletëgrafikave të tyre artistike, shpërfaqin të arriturat e tyre individuale më aktuale dhe më të fundit në artin e grafikës artistike, të cilët njëkohësisht përfaqësojnë edhe skenën e artit grafik kosovar dhe më tej.

Në përbërjen e edicionit të dytë – Grafika Bashkëkohore e Grafistëve të Rinj Kosovarë, pjesëmarrës janë grafistët nga trevat e ndryshme të vendit, të cilët me artin e tyre e kompletojnë mozaikun e shtyp-bërjes së grafikës artistike, si në aspektin e kreativitetit vizual poashtu edhe në shtrirjen gjeografike nga trevat prej nga vijnë këta grafistë.

Organizimi i kësaj ekspozite grafike është prezantimi i një ngjarjeje të artit vizual e rezervuar vetëm me veprat e kësaj shprehjeje artistike të artit grafik, të cilat në Kosovë këto lloje të ekspozitave të fushave të specializuara nga lëmia e artit janë të rralla.

Ekspozita si kjo e këtyre grafistëve të rinj para artdashësve tanë, mëton të mbaj ndezur shpirtin e tyre krijues, për të vazhduar edhe më tutje me krijimtaritë e tyre në “oazet e veta”./ KultPlus.com