Ceremonia “Grammy” është zakonisht një ngjarje ku rregullat e modës nuk zbatohen. Organizatorët e natës më të madhe në industrinë e muzikës, mburren me faktin se yjet mbi qilim të kuq zgjedhin të guxojnë me stilin e modës, duke sjellë fustane unike dhe veshje që habisin, në përpjekje për t’u bërë virale. Edhe këtë vit, emrat më të njohur të muzikës dukeshin të etur për të sfiduar pritshmëritë.
Disa prej emrave që revista prestigjioze e modës, “Vogue”, ka zgjedhur t’i përfshijë në listën e veshjeve më të mira të ceremonisë “Grammy”, janë: Lady Gaga, e cila dukej elegante me një fustan bardh dhe zi të markës, “Armani Privé” dhe stoli prej diamanti nga “Tiffany & Co”, pastaj Dua Lipa, e cila u shfaq plot stil mbi qilim të kuq, e veshur me fustanin klasik të shtëpisë së modës, “Atelier Versace”. Dukjen, këngëtarja kosovaro-britanike e kompletoi me stilin e ri të flokëve të bardha dhe një mori stolish prej ari. Lenny Kravitz shkëlqente me stilin unik të një ylli të muzikës rok, i veshur me pantallona prej lëkure të kombinuara me këpucë me take dhe një bluzë që ngjasonte me një rrjetë prej argjendi, raportoi të hënën “Vogue”.
Jack Harlow dukej mjaft elegant i veshur me një kostum të zi të markës “Givenchy”, derisa Lil Nas X u shfaq në stilin barok me kostumin e mbushur me margaritarë të markës “Balmain”. Kurse, aktorja dhe komediania, Tiffany Haddish, e përjetoi një eksperiencë divash e veshur me fustanin ngjyrë ari të markës “Prada”.
Listën e “Vogue” e përbëjnë edhe yjet: SZA, Halsey, Allison Russell, Cynthia Erivo, Snoh Aalegra, Justin dhe Hailey Bieber, Giveon, Jared Leto, St. Vincent, Leslie Odom dhe Rachel Zegler. / KultPlus.com