Bimët aromatike, mbi 150 hektarë parcela të mbjella me lavandër në Kushovë të Gramshit

Fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga mbi 150 hektarë parcela të mbjella me lavandër në Kushovë të Gramshit.

Sipas AZHBR, përmes mbështetjes financiare nga Skema Kombëtare në Bujqësi dhe programi IPARD II është rritur në 2080 ha sipërfaqja e mbjellë me bimë mjekësore dhe aromatike në këto vitet e fundit.

AZHBR bën të ditur se, kërkesa në rritje e tregjeve të huaja për këto bimë që sigurojnë edhe fitime më të mëdha për familjet fermere, i ka nxitur ata për t’u marrë me këtë aktivitet.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Europës. Më 2022, Shqipëria ka eksportuar mbi 15.000 tonë bimë mjekësore dhe aromatike, me vlerë mbi 50 milionë euro.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando, etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esencialë, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.

Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të BMA-ve. Më shumë se, 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se, në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve./atsh/KultPlus.com

“Liqeni i Zi” në Gramsh, destinacion i preferuar i të apasionuarve pas natyrës

“Liqeni i Zi” në Lenie të Gramshit është një pasuri natyrore që josh turistë nga i gjithë vendi dhe kryesisht të huaj.

I gjendur në një lartësi të madhe nga niveli i deti me origjinë akullnajore, rri në mes të një pllaje të rrethuar me kurorë pishash, livadhe dhe zambak të egër si një dëshmi e bukurive të jashtëzakonshme që ka treva e Gramshit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se, “Monumenti i Natyrës “Liqeni i Zi”  Lenie gjendet në lartësinë 1634 m, në afërsi të fshatit Lenie Gramsh. Përfaqëson një liqen me orgjinë akullnanjore. I rrethuar nga peizazhe malore ku liqeni dhe natyra e bukur krijojnë një destinacion të mrekullueshëm për një fundjavë në malet e bukura të Lenies”.

Vendosja e Liqenit të Zi në mes të një pllaje të gjerë, rrethuar me pisha dhe livadh krijon kushte të jashtëzakonshme për kamping, ecje në këmbë apo organizimin e festave për vizitorët. / atsh / KultPlus.com

Kanioni i Holtës në Gramsh, një nga destinacionet më të preferuara të turistëve

Kryetari i grupit Parlamentarë të PS-së Taulant Balla ka publikuar pamje nga Kanioni i Holtës në Gramsh.

Ai shprehet se Kanioni i Holtës në Gramsh një destinacion për fundjavë.

“Mirëmëngjes, Kanioni i Holtës në Gramsh, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale. Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të fundjavës”, shprehet Balla.

Kanioni i Holtës në Gramsh, mbeten një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.

Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë. Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km. / KultPlus.com