Veprat që shkroi në burg, Antonio Gramshin e bënë të pavdekshëm! 

Akademia e Shkencave të Shqipërisë promovoi librin “Antonio Gramshi”, me autor dr. Jaup Zenunin. ASHSH e cilëson librin si një përpjekje shkencore për të sjellë para lexuesit shqiptar një pasqyrë të përmbledhur të jetës së Antonio Gramshit, të kontributeve të tij si revolucionar dhe mendimtar i shquar i përparimtar i shekullit të 20-të; si paraprirës i eurokomunizmit; si figurë e mirënjohur e qëndresës ndaj represionit fashist dhe për jetën e tij si i burgosur politik.

Nëpër faqet e këtij libri, lexuesi do të gjejë përgjigje për pyetje të tilla si: cila ishte fëmijëria e Gramshit, cilat janë rrënjët e origjinës së tij, si u lidh ai me të majtën, çfarë kontributesh dha ai gjatë kohës që jetoi në Torino si student dhe si aktivist revolucionar, si e lidhi ai veprimtarinë e tij si gazetar me lëvizjen revolucionare, si evoluoi mendimi i tij teorik, si u bë ai njëri prej drejtuesve të socialistëve italianë dhe më vonë dhe udhëheqës i komunistëve të vendit të tij dhe anëtar i Kominternit, çfarë kontributesh teorike solli Gramshi në pasurimin e teorive të majta, çfarë është neogramshizmi në spektrin e sotëm të mendimit.


Nga sa është shkruar për Gramshin si mendimtar, si teoricien, si filozof, si estet, si sociolog, si veprimtar politik, si kritik arti dhe kulture dhe si njohës i mirë i edukimit dhe arsimit, tregon se kemi të bëjmë me një nga kolosët e mendimit të shekullit të 20-të, me një figurë poliedrike që nuk i takon vetëm një epoke. Ai do të jetë edhe në të ardhmen një pikë referimi për këdo që do të kërkojë përgjigje për mjaft çështje politike, ideologjike, filozofike, të organizimit të shoqërisë, artit e kulturës, gazetarisë, edukimit dhe arsimit.

Akademia e Shkencave shprehet se, kombi shqiptar duhet të ndjehet krenar që një njeri kaq i madh është me rrënjë shqiptare. Por Gramshi në vendin tonë nuk ka zënë ende vendin që meriton. Trashëgimia publicistike, letrare dhe politike e Gramshit përbëhet nga 54 volume. Në periudhën 1926- 1935, gjatë kohës që ishte në burg, ai shkroi veprat e tij më të bukura, që e bëjnë të pavdekshëm. Gjatë viteve 1926-1935, kur regjimi fashist e burgosi me qëllim që ai të ndërpriste aktivitetin antifashist, ai shkroi 33 “Fletoret e burgut” (prej të cilave 29 ishin fletore tematike dhe 4 ishin kryesisht përkthime), me rreth 3000 fletë. Shkrimet e periudhës së paraburgut janë më shumë politike, kurse ato të periudhës së burgut janë më tepër të karakterit historik dhe teorik. Pjesa më e madhe e krijimtarisë tij është botuar pas vdekjes.

Mendimi i tij teorik filloi të njihej dhe të përhapej jashtë Italisë dhe jashtë kontinentit europian në vitet 1970, falë ruajtjes me fanatizëm të fletoreve të burgut dhe punëve të tjera të Gramshit nga ana e Tatiana Schucht dhe kujdesit që tregoi Palmiro Togliatti për grumbullimin dhe botimin e tyre. Antonio Gramshi, arbëreshi intelektual erudit me kulturë të gjithanshme, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan-Pol Sartrit, Bertolt Brehtit e të mjaft personaliteteve të tjerë të shquar të kohës. Ai u nda nga jeta 87 vjet më parë, pikërisht me 27 prill të vitit 1937. Arbëreshi Gramshi ishte një nga figurat më të rëndësishme të politikës dhe të kulturës në Itali. Ai ka shkruar 54 volume me shkrime filozofike, sociale, estetike etj.

Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e politikës”, etj.. Personaliteti i Gramshit ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve. Ai ka dhënë kontribut me vlerë edhe në trajtimin e një varg çështjesh teorike të letërsisë dhe të artit në përgjithësi. Kujtdo që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër Itali, është e pamundur që të mos jetë përballur ne dyqanet e shitjes së librit me emrin e Antonio Gramshit, të këtij njeriu të madh italian me prejardhje shqiptare, që nderohet dhe respektohet shumë sot në mbarë Italinë për gjestin e tij të madh, për të sakrifikuar jetën në emër të njerëzve të thjeshtë.

Që tek mbiemri “Gramshi” ai tek çdo shqiptar zgjon një ndjenjë disi të veçantë, atë të një qyteti në Shqipërinë e mesme, të një fshati në Skrapar nga është edhe kryerakitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasëmi, të një fshati tjetër në Myzeqe apo të një batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese të partizanëve të Mehmet Shehut. Në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit për drejtësi shoqërore, si simboli i italianëve të thjeshtë dhe i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit. Ai luftoi për të shembur përgjithmonë kufirin e urrejtjes midis njerëzve e urrejtjes midis njerëzve.

Muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua nga fashistët me cilësinë e deputetit të parlamentit italian, e me cilësinë e demokratit të shquar dhe të progresistit poliedrik. Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë, ku provoi lagështirën dhe neverinë e tmerrshme të qelive të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikes etj, duke u ballafaquar kështu jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjen dhe të këqijat, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj.

“Humbën pasurinë dhe mbetën aty për shekuj”, studimi për arbëreshët Gramshi

Studiuesi arbëresh Giuseppe Carlo Siciliano në hulumtimin që ka kryer mbi origjinën e familjes Gramshi (Gramsci) në Itali, sjellë të dhëna jo vetëm për këtë familje, prej së cilës rrjedh intelektuali erudit Antonio Gramshi, por edhe për historinë e Arbëreshëve të vendosur në territorin e Mbretërisë së Napolit.

Përmes analizimit të dokumenteve arkivore, ai paraqet të dhëna për valët e emigrimeve shqiptare, kushtet që gjetën në vendin pritës dhe specifikat e tjera që i shoqëruan këto eksode masive.

Hulumtimi është bazuar në një punë të konsiderueshme paraprake, rreth dyvjeçare, kryesisht në arkiva, duke shfletuar regjistrat e lindjes, të martesës dhe të vdekjes së të gjithë 21 komuniteteve italo-shqiptare në territorin që i përkiste mbretërisë së Napolit, duke përfshirë fraksionet e tyre përkatëse.

Eksodi tragjik i shqiptarëve në Itali (atyre që sot njihen me termin “arbëreshë”) është i lidhur me pushtimin otoman të Ballkanit në shekullin e pesëmbëdhjetë.

Përfaqësuesit e parë me mbiemër Gramshi erdhën në Itali në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, pas pushtimit dhe nënshtrimit të Shqipërisë nga trupat osmane. Ata arritën në Puglia me grupin e udhëhequr nga djali i heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Të gjitha familjet e ardhura shqiptare u detyruan nga Ferrante d’Aragona të rindërtonin shtëpitë e vjetra në Italinë jugore popullsia e së cilës ishte zhvendosur për shkak të urisë, murtajës, tërmeteve shkatërruese dhe konflikteve të vazhdueshme për çështjen e kurorës napoletane.

Familjet shqiptare u vendosën fillimisht në Calabria Citra, provincë e tanishme e Cosenza. Pas grupit të parë pati shtatë migrime të njëpasnjëshme shqiptarësh në një hark të gjatë kohor.

Prania e familjeve shqiptare në territorin e Mbretërisë së Napolit është regjistruar vetëm në disa botime të rralla. I përket atyre eksodeve të popullatave që për shkak të rrethanave të caktuara historike nuk kanë lënë shumë gjurmë dokumentare të lëvizjes të tyre.

Edhe pakica e mësipërme shqiptare, ka qenë subjekt i të njëjtave dinamika sociale dhe burokratike, të shoqëruara me një harresë të gjatë, por kohë pas kohe dalin dëshmi, veçanërisht raste të tilla si regjistrimi i vdekjeve nga disa priftërinj largpamës.

Familja Gramsci fillimisht u vendos në Platacia, më pas në Cosenza, dhe, më në fund në Napoli, kryeqytetin e mbretërisë.

I pari i regjistruar rregullisht i familjes Gramsci, ishte Nikola, i lindur në Plataci në vitin 1765. Ai vendosi të niste një karrierë ushtarake. Në fillim shkoi në Cosenza për t’iu përgjigjur thirrjes ushtarake. Vendosi të qëndronte në ushtri dhe të transferohej në Napoli duke u bërë pjesë e Armatës së Re Maqedone të ngritur nga Ferrante d’Aragona. Në moshën 55 vjeç, atë e gjejmë të regjistruar në kryeqytetin napoletan me gradën e “zv.shefit të Regjimentit Leopoldo” në garnizonin e Gaeta-s.

Gjurmët e familjes Gramshi

Hulumtimi mbi origjinën e familjes Gramsci në Itali është i vështirë. Dokumentet janë ruajtur me xhelozi në famullitë lokale dhe për rrjedhojë, jo gjithmonë ka qenë e lehtë të përdoren.

Nga analiza e dokumenteve të Gjendjes Civile të Arkivave të Shtetit në Cosenza dhe në Arkivat e Seksionit Civil të Shtetit, mbiemri Gramsci del i pranishëm vetëm në territoret e bashkësive arbëreshe të vendosura në veri të Kalabrisë. Ai mungon plotësisht në zonat në të djathtë dhe në të majtë të lumit Crati ku shfaqen familje të tjera shqiptare.

Kjo tregon se, në kohën e vendosjes së familjeve shqiptare në Kalabri, autoritetet napolitane synuan shpërndarjen e tyre në zona të ndryshme dhe jo vetëm kaq. Shqiptarët u urdhëruan të vendoseshin në një territor të gjerë, malor, të paarritshëm, të izoluar dhe pa rrjet rrugor.

Duhet patur parasysh se vendosja e shqiptarëve në Kalabri erdhi në një periudhë kur zona ishte goditur rëndë nga shumë kriza: tërmete të tmerrshme kishin shkatërruar në mënyrë të përsëritur territorin, por po aty ishin përhapur murtaja, kolera dhe malarja endemike. Sikur të mos mjaftonin këto popullata ishte terrorizuar nga luftërat për vazhdimësinë e kurorës në Napoli mes Angevinëve dhe Aragonezëve. Të gjitha këto kishin çuar në një rënie të lartë të popullsisë vendase.

Në vitet 1400 kjo zonë kishte pamjen e një pylli të egër të mbuluar me shkurre për shkak të mungesës së gjatë të dorës së njeriut. Pothuajse në të gjithë shtrirjen e saj, shihje fshatra te shkatërruar plotësisht dhe të braktisur.

Në derdhjet sezonale të ujrave të Cratit në detin Jon nuk ishte venë dorë që nga koha e pushtimit romak. Në vend që të garantohej rrjedhja e ujit në det, ai ishte lënë në gjendje të egër, duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një moçal gjigand me ujë të ndenjur nga Cosenza deri në Sybaris.

Në këtë skenar te trishtuar, çfarë mundesie më e mirë mund te paraqitej për aragonezët – që ishin fitues në betejën e gjatë me Angevinët falë edhe trupave shqiptare të udhehequra nga gjenerali Dhimitër Rëra dhe dy djemtë e tij – se sa ta ripopullonin me shqiptarë të arratisur nga turqit këtë territor të gjerë?

Kishte edhe një tjetër rrethanë historike: Erina Kastrioti, vajza e Gjonit dhe mbesa e Gjergjit, ishte e martuar me princin Pietro Antonio Sanseverino Bisignano, zoterues i Kalabrisë Citra dhe i tokave në Crotone. Kjo grua e sertë siguroi që berthamat e para shqiptare në zonë të zgjeroheshin me ardhjen e familjeve te reja nga Shqipëria që garantonin me mirë rregullimin e territorit dhe produktivitetin ekonomik.

Por një largësi mes grupeve shqiptare, pra shpërndarjen e familjeve të ardhura, e dëshironte Ferrante i Aragonës, mbreti i Napolit dhe miku i ngushtë i Skënderbeut. Ai i trembej traditave ushtarake shqiptare, shpirtit të tyre konfliktual. Frika e bëri atë të mos i besonte shumë “miqve” të ardhur në masë, megjithëse ata, në mënyrë të përsëritur i ofruan atij bashkëpunim, por edhe vlera.

Pavarësisht kësaj, për të shmangur çdo lloj problemi, ai vendosi t’i ndajë grupet homogjene sa më shumë që të ishte e mundur në një zonë gjeografikisht të vështirë, ku thuajse çdo gjë mungonte dhe ku kishte fshatra plotësisht të izoluar.

***

Rreth vitit 1480, pas valës së tretë të refugjatëve shqiptarë nga Epiri dhe Çamëria, disa familje u transferuan në zonën e Jonit të Sipërm për të marrë në posedim tokat që u ishin dhënë nga Sanseverinos.

Ishte një vend tmerrësisht i egër, toka të djerra, të papunuara kurrë më parë, ku banonin kryesisht burra: një rrafshnaltë në 1000 metra mbi nivelin e detit, relativisht afër bregdetit Jon, në zemër të Masivit Pollino, pothuajse e padukshme për këdo që vinte nga Lindja dhe i paprekshëm nga Perëndimi.

Gjithsesi, përsa i përket sigurisë Territori jepte garanci ekstreme për një popull që po largohej, i lodhur nga rrethime dhe luftëra të pafundme, malësor alpin i aftë për ta shndërruar natyrën e egër dhe mospërfillëse duke u rimarrë me bujqësi dhe blegtori, kryesisht me bagëti të imta.

Pas disa dekadave izolimi të detyruar, shqiptarët u vendosën në banesa të përkohshme (masoneri tipike të Kaljive, thurrur me thupra të thata gështenjë ose të ngjashme me vegjetacionin e pranishëm në këtë zonë, të suvatuara vetëm nga brenda me baltë dhe, në raste të rralla, të lara e të zbardhura me gëlqere, mbuluar me gjethe dhe me bar të thatë).

Gjatë kësaj kohe u mbajt i pandryshuar premtimi së brendshmi për t’u rikthyer sa më shpejt në vendin e tyre, në vendin e Skënderbeut, sapo vendi të çlirohej nga pushtimi otoman. Kjo ishte arsyeja pse, “u pranuan” kushtet e këqija të jetës në zonat e izoluara të Kalabrisë. Ata e quanin të afërt ditën e kthimit dhe qëndrimin në atë egërsi natyrore, të përkohshëm.

Por dalëngadalë e lanë ëndrrën e lashtë të kthimit të mezipritur në shtëpi. Me kalimin e kohës pas vdekjes së Skënderbeut, ata u ndjenë jetimë dhe të pastrehë. Pasoi varfërimi i ngadaltë dhe i pandalshëm i atyre familjeve, të cilat edhe pse u mburrën për pasurinë që kishin lënë në atdhe, dukej se po u shterronin burimet edhe për shkak të izolimit.

****

Tashmë është konfirmuar nga një seri dokumentesh të shkruara arkivore që rrënjët e familjes së Antonio Gramsci gjenden në Plataci.

Hulumtimi është bazuar në një punë të konsiderueshme paraprake, e cila zgjati rreth dy vjet, kryesisht në arkiva, duke shfletuar regjistrat e lindjes, të martesës dhe të vdekjes së të gjithë 21 komuniteteve italo-shqiptare në krahinë, duke përfshirë fraksionet e tyre përkatëse.

U shfrytëzuan më shumë se 37.000 çertifikata të vdekjeve. Cili ishte rezultati? Komunitetet që kanë mbiemrin Gramsci (me variante të Gramisci – më të përhapura – dhe më të rralla: Gramesci, Gramis) ishin si vijon:

ACQUAFROMOSA:

Kola Gramishi, së bashku me përfaqësues të tjerë të familjeve shqiptare morën koncesionin për rindërtimin e komunitetit të Acquaformosa në vitin 1501. Akti ruhet në Arkivin e Vatikanit, Kodi Vatikani latin 14.386 F. 9 ss.

Çuditërisht nuk ka gjetje të mëtejshme për praninë e Gramsci ose Gramisci në komunitet.

CASTROREGIO:

Këtu ekziston vetëm një rast. Duhet të theksohet se shqiptarët e ardhur, fillimisht iu shmangën martesave me vendasit, për të shmangur lidhjen me tokën e re, në dëm të ëndrrës së një kthimi të menjëhershëm në shtëpi.

Anna Gramishi, 38 vjeç, lindur në Castroregio në 1795 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (çertifikatën e vdekjes e gjejmë me datën 12.3.1817)

CIVITA:

Në këtë komunitet prezantohet mbiemri Gramis / Grams, i cili mund të jetë një transkriptim lokal i mbiemrit Gramshi. Por gjithashtu mund të supozohet të jetë një transkriptim i gabuar i mbiemrit Dramis / Dramë, mbasi është shumë më i përhapur në të gjithë zonën e shqiptarëve të Pollino.

Margherita Gramis, e viteve 70, e lindur në Civita në 1742 nga prindër të panjohur, vdekur në vitin 1812 (çertifikata e vdekjes është e datës 13.7.1812)

Antonio Gramis, 57 vjeç, lindur në Civita në 1760 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (çertifikatën e vdekjes e gjejmë të datës 23.11.1817)

Maria Grams, gruaja e Crisostomo Mortato (mbiemri rezulton nga akti i vdekjes së djalit të saj Tomaso i lindur në Civita në vitin 1768 dhe vdekur në vitin 1810 në moshën 42 vjeç – certifikatë vdekjeje e 15.10.1810)

Shkrim i botuar në gazetën “Dita”. / KultPlus.com

‘Kanionet e Holtës’, mrekullia shqiptare e paeksploruar (FOTO)

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma plotësisht dhe përbën një ftesë e hapur për të gjithë eksploruesit e natyrës dhe bukurive natyrore.

Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe ka publikuar një sërë fotosh me pamje të mrekullueshme nga kanionet e Holtës, si një nga destinacionet turistike që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.

Një nga perlat dhe bukuritë natyrore në zonën e Gramshit është dhe lumi Holta me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan, deri në fshatin Kobash, me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lart deri në 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive.

Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Holta është një zonë turistike e pa eksploruar akoma edhe për shkak të terrenit të saj të thyer, por kjo nuk i pengon aventurierët e lartësive.

Në zonën e Gramshit, ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë të antikitetit, burime natyrore si, Ujëvara e Sotirës, që vizitohen rregullisht, sidomos në stinën e ngrohtë.
Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km.

Kjo zonë dhe kjo rrjedhë lumore është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë. /atsh/ KultPlus.com