“Burrat e papunë ikin jashtë, gratë përqafojnë liri të reja”, media britanike me fokus në normat e shoqërisë shqiptare

Nuk janë të pakta rastet ku mediat ndërkombëtare i kushtojnë artikuj të veçantë Shqiprisë dhe fenomeneve të saj që për botën janë të panjohura.

E kjo ndodhi po shtohet më shumë kohëve të fundit, ku për fat të mirë herë pas here janë promovuar vlerave turistike të vendit tone. Mediat më prestigjioze, nga CNN, The Guardian, Neë York Post, Daily Mail, etj. kanë shkruar mbi bukuritë natyrore të vendit tone duke nxitur njerëzit ta vizitojnë.

Mirëpo, “Financial Times” së fundmi ka ironizuar normat e shoqërisë shqiptare me artikullin me titull: Ndërsa burrat e papunë ikin jashtë vendit, gratë shqiptare përqafojnë liri të reja.

I shkruar nga Camilla Bell-Davies, që ka vizituar vendin tonë, konkretisht Bajram Currin, për të parë nga afër se çfarë ndodh. Artikulli vendos theksin te pagat e ulëta dhe kostot më të larta të jetesës në Ballkan, dhe gratë e nënat e braktisura që kujdesen për veten e tyre, me burrat që emigrojnë gjithnjë e më shumë.

“Bajram Curri, pozicionuar në skajin verior, malor të Shqipërisë ka përjetuar një eksod burrash.

Rreth një sobe me dru në një dyqan në Bajram Curri, një grup grash punojnë, bisedojnë dhe shkëmbejnë foto të djemve dhe burrave të tyre, pothuajse të gjithë në Londër. Nga 12,310 emigrantë shqiptarë që shkuan në Britaninë e Madhe vitin e kaluar me varka, shumica dërrmuese ishin burra nga ky rajon malor. Ata u larguan për shkak të mungesës së punës ose ndjenjës së mërzisë dhe mungesës së shpresës. Ky eksod po transformon njëherësh jetën e grave dhe nënave që ata kanë lënë pas. Në këtë dyqan gratë mblidhen për të bërë ushqime, për të qepur rroba, për të bërë stoli të endura me dorë dhe për të vizatuar harta për t’ua shitur vendasve dhe turistëve.

Duke ruajtur rutinën e përditshme, ato kanë krijuar pikërisht atë që burrave të tyre po u mungonte në vendin e tyre: një jetë sociale, një burim të ardhurash dhe shpresë.

Pavarësisht një bumi të fundit në turizëm, mungesa kronike e vendeve të punës në Shqipëri është ende duke i larguar njerëzit. Kushtet ekonomike nuk janë aq të dëshpëruara sa ishin në komunizëm, por tranzicioni drejt një ekonomie tregu të begatë po rezulton të jetë i gjatë dhe i vështirë. Vendi ka disa nga pagat më të ulëta dhe kostot më të larta të jetesës në Ballkan. Edhe paga minimale e propozuar është gjithashtu e pamjaftueshme për të përballuar inflacionin në rritje: në vitet 2021-2022, shqiptarët shpenzuan deri në 60 për qind të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime, sipas Andi Hoxhaj, një specialist i Ballkanit Perëndimor në University College London.

Të joshur nga ideja për një mënyrë jetese më të lehtë, fermerët zhvendosën familjet e tyre në qendra të vogla urbane si Barjam Curri. Menaxherja e faqes së internetit të dyqanit që gazetarja vizitoi, Gerta, jetonte në fshat duke kultivuar perime dhe duke rritur dele derisa babai i saj vendosi të zhvendosej në një apartament në qytet në vitin 2007. Kur ai nuk ishte në gjendje të gjente punë, familja nisi të vuante nga uria.

Në këto situata, është e zakonshme që gratë të mbajnë peshën kryesore të familjes duke përdorur aftësitë e tyre të pastrimit, mirëmbajtjes apo shitjes në dyqane.

“Ndërkohë që burrat ulen përreth duke pirë raki dhe duke u ndjerë të zhburrëruar”.

Në komunizëm, gratë ishin aktive në tregun e punës, por në vitet 1990 patriarkaliteti u rishfaq, duke i futur gratë në shtëpi, veçanërisht në zonat më të thella të vendit.

Shpesh, edhe burrat që emigrojnë nuk dërgojnë para për shumë vite në shtëpi, pasi u kanë borxhe trafikantëve të qenieve njerëzore, ose nuk mund të bëjnë mjaftueshëm para me punët fizike që bëjnë në emigrim.

Gratë e mbetura vetëm duhet të vazhdojnë të mbajnë veten dhe shtëpinë.

Kjo mund të sjellë liri të reja dhe zgjim të ri për gratë. Gerta për shembull ka mësuar aftësi teknologjike nga menaxhimi i faqes së internetit dhe do të shkojë në universitet vitin e ardhshëm. Lida, menaxherja e dyqanit, u mbyll mes katër mureve të shtëpisë nga burri i saj, derisa ai u largua për të gjetur punë në Belgjikë. Me katër fëmijë për t’i rritur e vetme, nisi të bënte bizhuteri për t`i shitur, fitoi besim në vete dhe përfundimisht ndaloi së i dërguari mesazhe burrit të saj ku i kërkonte leje për të dale nga shtëpia.

Megjithatë, pavarësisht historive të suksesit ka ende gra që vuajnë nga uria, ose që bëhen viktima të skllavërisë moderne pasi duhet të paguajnë borxhet për djalin që mori një varkë për të shkuar ilegalisht në Londër.

Megjithatë, ka edhe disa anë pozitive për gjeneratën e ardhshme. Nënat e këtyre djemve të larguar tashmë kanë më shumë gjasa të përqendrohen në studimet e vajzave të tyre.

Në vitin 2021, 71 për qind e të regjistruarve në universitete në Shqipëri ishin gra, nga 58 për qind një dekadë më parë. Ndërkohë pjesëmarrja e meshkujve në fuqinë punëtore ka rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 30 viteve të fundit. Dy orë larg Bajram Currit, në fshatin Shtiqën të Kukësit, jeton Naze, 89 vjeç, me vajzën dhe tre mbesat.

Duke qenë se djemtë dhe nipërit e saj janë të gjithë në Londër, ajo i përqendron energjitë e saj tek vajzat e saj, dhe ‘jo vetëm t’i gjejë një burrë të pasur’, thotë ajo me krenari. Mbesa nëntë vjeçare e Nazes më përshëndet me turp në anglisht. “Ajo studion shumë”, thotë Naze. “Një ditë ajo do të jetë presidentja e Shqipërisë”.

Gratë e Orkestrës së Mandolinave në Pejë, viti 1952 (FOTO)

KultPlus ju sjellë një fotografi të vjetër ku shihet Orkestra e Mandolinave, me anëtare femra, e formuar dhe udhëhequr nga Franjo Vacolini, Pejë, 1952.

Disa nga anëtaret e kësaj orkestre në këtë fotografi janë Gjejlon Bukleta, Gita Ciflaku, Nexhmije Krasniqi, Drita Rugova, Hasibe Syka, motrat Nagjije Luta dhe Samka Luta, Vilma Gashi, Zekije Budima, Sabernaz Bojku, Sytkije Turjaka, Saide Gashi, Qamile Sahatciu, Jezofina (mbiemri i pa njohur), Feride Gashi, Gjemile Kyqykrama, Atifet Malushaga, Vilma Antoni, Atije Dranqolli, Resmije Begolli dhe Bukurie Taraku.

Dirigjenti Franjo Vaculini kishte ardhur nga Çekosllovakia e atëhershme. Ai kishte filluar mësimin e teorisë së muzikës dhe fillimin e shkollës së parë muzikore me mësimin e instrumenteve frymore dhe të tjerave dhe luajtjen me nota, që në atë kohë ishte një risi.

Franjo Vaculini kishte qenë dirigjent i Orkestrës Shtetërore të Mbretit Zog kurse në Kosovë kisha ardhur si pasojë e internimit. Ai jo vetëm që formoi këtë orkestër por edhe Orkestrën Frymore të Meshkujve. Pas Franjo Vaculinit, orkestrën e ka udhëhequr Muhamet Belegu dhe më vonë Halit Kasapolli.

Peja në atë kohë, në vitet 1950 -1960 ka pasur disa lloje të orkestrave, si Orkestra frymore , Orkestra harkore, Xhaz orkestra, Orkestra e mandolinave dhe Orkestra popullore amatore. Këto të gjitha ishin në kuadër të shoqërisë kulturore “Përparimi”. / KultPlus.com

Gratë në Berlin tani do të mund të notojnë “topless” në pishinat publike

Gratë në Berlin tani mund të notojnë topless në pishinat publike të qytetit nëse dëshirojnë.

CNN shkruan se përveç se u përshëndet si një hap përpara për barazinë gjinore në kryeqytetin gjerman, masa e prezantuar këtë javë përkthehet edhe si Freikorperkultur,  në kulturën gjermane do të thotë gjuha e trupit të lirë, e cila i ka rrënjët në fund të shekullit të 19-të.

Autoritetet e Berlinit morën masa pasi një notare tha se ajo ishte penguar të frekuentonte një nga pishinat e qytetit pa mbuluar gjoksin në dhjetor 2022. Gruaja paraqiti një ankesë në zyrën e ombudspersonit të qytetit në Departamentin e Senatit për Drejtësi, Diversitet dhe Kundër Diskriminimit.

Autoritetet ranë dakord që gruaja kishte qenë viktimë e diskriminimit dhe këtë javë thanë se të gjithë vizitorët në pishinat e Berlinit, duke përfshirë gratë lejohen të shkojnë topless.

Kjo ngjarje pason edhe një incident të ngjashëm në një park ujor në Berlin në verën e vitit 2021. Gruaja franceze Gabrielle Lebreton kërkoi kompensim financiar nga qyteti pasi rojet e sigurisë e urdhëruan të largohej nga lokali kur ajo refuzoi të mbulonte gjoksin.

Ajo ishte me djalin e saj pesëvjeçar kur ndodhi aksidenti. Duke folur për gazetën gjermane Die Zeit në atë kohë se pse ajo besonte se ishte diskriminim gjinor, tha: “Për mua – dhe unë ia mësoj këtë djalit tim – jo, nuk ka një ndryshim të tillë. Si për burrat ashtu edhe për gratë, gjoksi është një karakteristikë dytësore seksuale, por burrat kanë lirinë të heqin rrobat e tyre kur është vapë dhe gratë jo.

Qeveria e Berlinit konfirmoi masën në një deklaratë për shtyp të enjten. “Si rezultat i një ankese për diskriminim, institucionet e notit në Berlin në të ardhmen do të zbatojnë rregulloret e tyre në mënyrë të barabartë gjinore”, thuhet në deklaratë./Opinion.al

‘Sytë e Duert e Jueja Duhet të Shifen Kudo’ nga Blerta Haziraj sjell në jetë revistat e para të botuara nga gratë në Kosovë

Uranik Emini

“Një grua e vetme ka fuqi, kolektivisht kanë ndikim”.

Tradicionalisht njerëzit janë mësuar të jenë në konkurrencë me njëri-tjetrin, kështu thotë historia duke u nisur nga lufta për mbijetesë. Duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë, njerëzit dhe veçanërisht gratë, të cilat shpesh konsiderohen të diskriminuara në shumë fusha, kjo nuk i ka penguar ato që të mund të bëjnë dhe të krijojnë gjëra të mëdha. Kjo gjë u shfaq edhe në filmin “Sytë e duert e jueja duhet të shifen kudo” me regji të Blerta Hazirajt, shkruan KultPlus.

Njerëzit u mblodhën në Bunkerin te Fontana në Ulpianë, për të parë nga afër filmin që sjell në jetë historinë e Frontit Antifashist të Grave të Kosovës, pas luftës së dytë botërore në Kosovë dhe materialet e shtypit me të cilat ato përçonin mesazhe dhe adresonin çështjet e grave. 

Krahas filmit që u shfaq mbrëmë, njerëzit kishin mundësi të shihnin nga afër edhe materiale nga revistat “Buletini” (1946-1949) dhe “Agimi” (1949), gjithashtu edhe disa shkrime nga e famshmja “Rilindja” e materiale të tjera të cilat hulumtuesja i kishte mbledhur përgjatë vitit 2022. Ndërsa, sikurse qershia mbi tortë, po qëndronte edhe një ilustrim të krijuar në bashkëpunim me artisten Bilgie Emir, i inspiruar nga përmbajtja e artikullit ‘Zhvillimi dhe Masovizimi i Frontit Antifashist të Grave të Kosovës (1941-1945)’ nga Sulltane Ukaj, i botuar në revistën shkencore Kosova (1977).

Në posterin i cili po qëndronte i varur në mur, shiheshin 4 gra kosovare të cilat gjatë luftës nacional çlrimitare kishin këputur telat e shtyllave telefonike, për të ndërprerë komunikimin e fashistëve.

E për të gjallëruar këtë histori dhe aktivizmin e tij letrar, filmi “Sytë e duert e jueja duhet të shifen kudo” paraqet historinë e Grave Antifashiste në të tashmen përmes grave të fshatrave të Kosovës, të cilat mësojnë dhe lexojnë me zë të lartë këtë histori. Ndërsa gratë lexojnë revistat, fragmentet e tyre gjallërojnë historinë dhe reflektimin e regjisores për takimin e saj me arkivin.

Ndërkaq, Blerta Haziraj tha për KultPlus se ky projekt ka ardhur si rezultat i një pune arkivore që në fokus ka pasur të gjejë gazetat që janë botuar në Kosovë prej grave, menjëherë pas luftës së dytë botërore.

“Ky projekt është si rezultat i një pune arkivore që e kam nisur në fillim të këtij viti e që fokus kryesor e ka pasur të gjejë gazetat e para që janë botuar në Kosovë prej grave, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. E para është revista “Buletini” që është botuar për herë të parë në vitin 1946 në Prizren, e cila ka ardhur në Prishtinë në vitin 1949, ku edhe e ka ndryshuar emrin në “Agimi”, deklaroi ajo.

Këto dy revista kanë qenë organ i Frontit Antifashist të Grave, një lëvizje e gjerë në gjithë Jugosllavinë, e cila është zhvilluar përbrenda Frontit Popullor menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ideja kryesore është që këto materiale, bashkëme tekste dhe shkrime të tjera të jenë pjesë e një publikimi i cili do t’i anotojë këto materiale dhe të japë një kontribut nëhistoriografinë tonë.

“Kjo organizatë ka mobilizuar gratë në ngritjen e tyre kulturore, ekonomike, arsimore e edukative. Për gjatë këtyre gjashtë muajve kemi hulumtuar për këtë lëvizje e përveç dy revistave të lartpërmendura, kemi gjetë edhe materiale të tjera nga gazeta “Rilindja” dhe artikuj të tjerë. Këto revista e këto materiale që i kemi mbledhur kanë me qenë pjesë e një publikimi, që po shpresojmë të publikohet në vitin tjetër”, shpjegon Haziraj.

Korrespodenca e grave sikurse të ishin profesioniste të lindura

“Një sen që më ka befasuar gjatë këtij hulumtimi është korrespodenca që është bërë nga gratë, jo vetëm në rajon, por në gjithë Kosovën e sidomos mes fshatrave dhe qyteteve. Krahas librit që do të bëhet, kam vendosur që të bëjë edhe një film ku kam vizituar disa gra nëpër fshatra sikurse Dukagjini e Drenica. Në të njëjtën kohë, e kam shfrytëzuar që përmes filmit të shpalos sfidat që i kam pasur për të gjetur këto materiale. Diçka tjetër që mund ta shihni këtu është një ilustrim që është në dhomën tjetër, për të cilin jam inspiruar nga një artikull që është botuar në vitin 1977 nga historiania Sulltane Uka, në revistën shkencore “Kosova”. Në atë artikull shkruhet për zhvillimin dhe masovizimin e Frontit Antifashist të Grave, aty jipen edhe disa prej aktiviteteve ilegale që kanë kryer këto gra. Një prej tyre është kur ato i prejnë shtyllat telefonike, që të ndërpresin përcjelljen e mesazheve nga ushtarët fashistë”, thotë tutje regjisorja.

Në anën tjetër, Tevfik Brada, si njëri prej personave që ka ndihmuar Hazirajn në këtë hulumtim, shprehet për KultPlus se neglizhenca e institucioneve ka bërë që të “harrohet” kjo histori.

“Këtu është një histori që është neglizhuar. Pra, Fronti Antifashist i Grave pas të 80-tave kur ka nisur konfilktet ndër-etnike këtu, e popujt që vijnë nga posht ë janë harruar. E dyta, për shkak të neglizhencës, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave nuk ka më materiale nga kjo periudhë. Ne kemi shkuar atje disa herë e kemi kërkuar materiale që janë arkivuar, por nuk kemi marrë përgjigjje pozitive. Ka 3-4 gjëra në dosje që unë i kam lypur dhe nuk kanë mundur t’i gjejnë”, thotë ai.

Materiali origjinal i pranishëm vetëm në Kosovë

“Mund të them që shteti i Kosovës ka thënë që kjo periudhë kohore nuk është pjesë e historisë sonë dhe ka ndodhur një neglizhencë e madhe. Ne kemi marrë materialet nga Eli Krasniqi, hulumtuese e cila i ka marrë nga Qendra Arkivore kur ajo ka qenë në gjendje më të organizuar. Ky material origjinal gjendet vetëm në Kosovë, e përkundër faktit që psh revista Agimi është botuar në tirazh 1000 copa e poashtu edhe nëgjuhën serbe, është interesant që janë materiale të cilat nuk i njohim, u shpreh Haziraj.

Ideja që lindi “rastësishëm” gjatë një hulumtimi tjetër

“Vitin e kaluar kam qenë duke punuar me një hulumtim tjetër,edhe ai poashtu gjysmë-arkivor dhe ka qenë i fokusuar nëkuptimin e diskursit dramaturgjik të gratve në dramat moderneshqiptare. Edhe gjatë hulumtimit, duke kërkuar shumë gjëra të tjera, i kam mbledhur rreth 100 drama shqiptare që janë publikuar pas Luftës së Dytë Botërore, e pastaj duke mbledhur literaturë pata hasur në një libër të zonjës së ndjerë Drita Bakija Gunga, ku ndër të tjera flitet për pozitën dhe zhvillimin e organizimit politik të  grave të Kosovës gjatë periudhës së Ndërtimit Socialist. Aty ka statistika e të dhëna të ndryshme për kushtet dhe pozicionimin e grave në shoqëri. Njëri prej kapitujve ka qenë roli i shtypit në emancipimin e gruas shqiptare. Aty e pata lexu se Fronti Antifashist i Grave ka publikuar revistën “Buletini”dhe “Agimi”andaj edhe e kam shkru projektin për CHwB, programin Heritage Space me të vetmin qëllim që me i gjetë dhe me e hapë këtë arkive.

Hulumtimi i thellë, përtej arkivave shtetërore

“Dokumentat që e tregojnë aktivizmin e Frontit Antifashist nuk janë në arkivë, d.m.th as nuk figurojnë në regjistër. Njerëzit që punojnë në arkivë nuk kanë mundur të gjejnë materiale për shkak të ri-organizimit momental në arkivë. Unë kam lypur materiale edhe nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, kam gjetur arkiva nëpër revista shkencore, artikujë, shkresa, biografi, ese e poezi që kanë mundur t’i bëjnë jehonë këtyre dokumenteve. Kryesisht tekstet që janë bërë gjatë periudhës socialiste e tregojnë më shumë këtë temë.. Qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë libri, që tash është në progres e sipër, e i cili do të ftojëedhe hulumtues e studiues të tjerë që të jenë pjesë, përfundon regjisorja Haziraj.

ATO është nismë hulumtuese që synon t’i gjejë materialet arkivore të Fronit Antifashist të Grave në Kosovë (FAGK) prej vitit 1945 deri në vitin 1954. Hulumtimi përqendrohet në interpretimin e këtij aktivizmi letrar duke analizuar revistat Buletini dhe Agimi si dhe materialet e tjera tekstuale të asaj kohe. /KultPlus.com

“Gratë”, tema e shfaqjes më të re që vjen premierë në TKK

GRATË – është tema e shfaqjes së re e cila do të ketë premierën në dhjetor 2022 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.

Sot, regjisorja polako-britaneze, Nastazja Domaradzka, mbajti takime/audicione me aktoret e Trupes Rezidente të TKK-së per këtë projekt i cili është duke u shkruar nën përkujdesjen e Doruntina Bashës nga dramaturget e reja Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi dhe Ulpianë Maloku.

Një shfaqje e punuar totalisht nga gratë dhe e bazuar në ngjarje të vërteta të grave lidere të Kosovës. / KultPlus.com

Piktorët burra paguhen dhjetë herë më shumë se gratë piktore

Për çdo 1£ (pound) të marrë nga vepra e një artisti burrë, një grua merr vetëm 10p (penny) dhe vlera e veprës bie më edhe më shumë nëse ajo e nënshkruan atë. Krijuesja e “Recalculating Art”, një ekspoze e re shokuese në radio, zbulon gjetjet e saj.

Tregu jep përshtypjen se artistët burra janë shumë më të mirë se gratë. Piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë – Salvator Mundi nga Leonardo da Vinci – arriti në 450 milionë dollarë ndërsa rekordi botëror për një artiste grua, Georgia O’Keeffe, është vetëm 44.4 milionë dollarë.

Sigurisht, ky është një krahasim i padrejtë. Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, gratë nuk u lejuan të praktikonin artin në të njëjtën mënyrë si burrat. Por edhe mes artistëve të gjallë, Jeff Koons mban rekordin, me 91 milionë dollarë, ndërsa rekordi i artisteve gra i mbajtur nga Jenny Saville është vetëm 12.5 milionë dollarë, raporton The Guardian.

Helen Gorrill, autorja e “Women can’t paint”, ka studiuar çmimet e 5000 pikturave të shitura në të gjithë botën dhe zbuloi se për çdo 1£ që një artist burrë fiton për punën e tij, një grua fiton vetëm 10p. Sipas saj, ky është hendeku më tronditës i vlerës gjinore që ka hasur në çdo industri. Edhe pse për një kohë të gjatë, gratë kanë përbërë 70% të studentëve në kolegjet e artit, të cilat janë përzgjedhur me meritë, ato përsëri përballen me hendekun më të madh gjinor sa i përket pagave.

Megjithatë, koleksionistët kanë vënë re se edhe pse çmimet për punën e artisteve gra fillojnë nga një bazë shumë më e ulët, ato aktualisht rriten 29% më shpejt krahasuar me artin e burrave. / qika.org / KultPlus.com

Përmes një ekspozite, gratë e Srebrenicës nderohen për ruajtjen e së vërtetës dhe kërkimin e drejtësisë

Në 27 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, është hapur ekspozitë me fotografitë e grave që kanë humbur më të dashurit e tyre dhe pasi i mbijetuan masakrës së Srebrenicës të vitit 1995, në të cilën ishin mbi 8,000 të afërm të tyre meshkuj të vrarë, gra nga qyteti i vogël në Bosnjën lindore i kushtuan vitet e mbetura të jetës së tyre për të ritreguar traumën e tyre në botë, duke nderuar viktimat dhe duke i sjellë përgjegjësit e vrasjeve para drejtësisë.

(AP) – Ishin ato që është dashur të jetonin në një botë në të cilën u masakruan burrat, djemtë, vëllezërit, xhaxhallarët dhe nipërit e tyre. Janë ato që po luftojnë për t’u siguruar që bota as nuk do ta mohonte dhe as do ta harronte të vërtetën e asaj që ndodhi në Srebrenicë.

Ndërsa mijëra njerëz mblidhen në qytetin lindor të Bosnjës për të përkujtuar të hënën 27-vjetorin e gjenocidit të vetëm të njohur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, roli vendimtar që gratë kanë luajtur në krijimin e një kuptimi global të masakrës së 1995 po njihet gjithashtu.

Një ekspozitë e përhershme fotografike e portreteve të grave të Srebrenicës u hap të shtunën në një qendër përkujtimore kushtuar më shumë se 8,000 viktimave të masakrës.

Të dielën është mbajtur konferenca ndërkombëtare e grave, të cilat kanë rrëfyer se si kanë gjetur forcën për të kërkuar drejtësi, pasi janë dëbuar nga shtëpitë dhe panë me sy vrasjen e më të dashurve të tyre.

“Pasi i mbijetova gjenocidit në të cilin u vra fëmija im më i dashur dhe burri im, dhe kur vrasësit e tyre filluan të mohonin se unë kisha fëmijë, ishte padrejtësia e vrasësve të tyre, refuzimi i tyre për të pranuar atë që bënë dhe për t’u penduar, që më shtyu të luftoj për të vërtetën dhe drejtësinë”, tha Munira Subashic.

 (AP Photo/Armin Durgut)

Të afërmit e Subashiqit ishin në mesin e më shumë se 8 mijë burrave e djemve myslimanë, që për dhjetë ditë u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës. Gratë boshnjake dhe fëmijët me autobusë u dëbuan nga qyteti.

Ushtarët serbë të Bosnjës futën trupat e viktimave në varre masive të bëra me ngut, dhe më pas gërmuan vendet me buldozerë dhe shpërndanë mbetjet midis vendeve të tjera të varrimit për të fshehur provat e krimeve të tyre.

Gratë dhe fëmijët boshnjakë u futën në autobusë dhe u dëbuan nga qyteti.

Por sapo lufta mbaroi, Subasiç dhe gra të tjera që kishin ndarë fatin e saj u zotuan të gjenin eshtrat e të dashurve të tyre, t’i kthenin në qytetin e tyre dhe t’i varrosnin atje.

Për ta bërë këtë, ato krijuan një organizatë, “Nënat e Srebrenicës”, e cila u angazhua në protesta në rrugë dhe aksione të tjera për të qëndruar në sy të publikut. Ato kërkuan që të gjenden varret masive, të identifikohen eshtrat dhe të dënohen përgjegjësit e masakrës.

“Shpesh njerëzit na pyesin se kush na ka përkrahur, kush na nxiti që prej fillimit. Mirëpo nuk ishte askush, ne e bëmë këtë vetë”, ka thënë Sehida Abdurahmanoviq, e mbijetuara tjetër e masakrës së Srebrenicës.

“Dhimbja është edukimi më i mirë dhe më i vështirë, por edhe më i sinqerti, sepse vjen drejtpërdrejt nga zemra”, shtoi ajo.

Në vitet e menjëhershme të pasluftës, turmat e serbëve të Bosnjës të zemëruar bënë çmos për të parandaluar gratë që kishin përjetuar gjakderdhjen të vizitonin varret masive të sapo gjetura për të kërkuar sende që dikur u përkisnin të dashurve të tyre. Për t’i frikësuar ato, turmat u rreshtuan përgjatë rrugëve, duke bërtitur dhe duke gjuajtur me gurë autobusët që transportonin gratë.

Por gratë vazhduan të ktheheshin. Për një kohë të gjatë, ato duhej të shoqëroheshin nga paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO, por megjithatë ata refuzuan t’i varrosnin të vdekurit e tyre të identifikuar diku tjetër përveç në Srebrenicë.

Më në fund, në vitin 2003, autoritetet serbe të Bosnjës u dorëzuan nën presion dhe lejuan të mbijetuarit të përuronin varrezat përkujtimore për viktimat në qytet.

Deri më tani, eshtrat e më shumë se 6600 njerëzve janë gjetur dhe varrosur në varreza. Eshtrat e 50 viktimave të tjera, të gjetura së fundmi në varreza masive dhe të identifikuara përmes analizës së ADN-së, do të prehen atje të hënën.

Dhjetëra gra të Srebrenicës dëshmuan para gjykatës së OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë, duke ndihmuar në mbylljen pas hekurave të afër 50 zyrtarëve serbë të Bosnjës të kohës së luftës, të dënuar kolektivisht me mbi 700 vjet burg.

“Pasi më vranë burrin dhe qëndrova vetëm me dy fëmijët tanë, mendova se nuk do të mund të funksionoja, por dhimbja na mbajti në këmbë”, tha Abdurahmanovic.

Mirëpo duke jetuar në shoqërinë patriarkale, gratë e Srebrenicës pritet të vuajnë në heshtje dhe të mos përballen me liderët serbë që vazhdojnë ta mohojnë masakrën e vitit 1995. Në vend të kësaj, gratë ndryshuan jetën e tyre, duke krijuar grupe dhe duke rrëfyer përjetimet tek ata që ishin të gatshëm të dëgjonin, prej mbretëreshave, presidentëve, kryeministrave, diplomatëve dhe gazetarëve.

“Historia e asaj që ndodhi në Srebrenicë është shkruar me gurët e varrit prej mermeri të bardhë në varrezat përkujtimore, të cilat nuk do të kishin ekzistuar po të mos insistonim ne,” tha Suhra Sinanoviç, e cila humbi burrin e saj dhe 23 të afërm të tjerë meshkuj në masakër.

Ajo tha se autoritetet serbe të Bosnjës kishin nënvlerësuar gratë e Srebrenicës.

“Nëse, Zoti na ruajt, një luftë do të shpërthente përsëri në Bosnje, ndoshta (serbët) do t’i bënin gjërat ndryshe duke i lënë burrat të jetonin dhe duke vrarë gratë,” tha ajo. / KultPlus.com

 (AP Photo/Armin Durgut)

Në Kosovë, gratë ukrainase mësohen në çaktivizimin e municioneve të pashpërthyera

Një grup i grave ukrainase janë duke mësuar në çaktivizimin e minave dhe municioneve të tjera të pashpërthyera, shkruan KultPlus.

Ky mision është duke u realizuar në Pejë, dhe në këtë grup ku janë të përfshirë gra ukrainase, janë të përfshirë edhe civilë e ushtarak.

“Së bashku për një të ardhme të ndritur”, është shkruar gjatë këtij trajnimi./ KultPlus.com

Nëntë gratë që kanë ndryshuar botën me gjetjet e tyre në shkencë

Në historinë e njerëzimit ka pasur gra të shkëlqyera që kanë luajtur rol themelor në shkencë, por pavarësisht kontributeve të tyre të jashtëzakonshme, nuk u njohën kurrë. 

Disa mbetën në hije për shkak të burrave të tyre që i detyruan të tërhiqeshin qëllimisht nga puna, ndërsa të tjera gjetën vdekjen e parakohshme dhe fatkeqe. Shumë pak prej tyre arritën të vendoseshin në botën shkencore dhe të njiheshin.

Sot, KultPlus ju sjell historinë e këtyre grave mahnitëse, të cilat kanë lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e shkencës.

1. Hypatia

Hypatia ka lindur në mesin e shekullit IV në kryeqytetin e Aleksandrisë. Ajo punoi si filozofe dhe matematikanë, duke iu përkushtuar mësimit dhe studimit të shkencave ekzakte. Midis shumë kontributeve të saj, ajo përmirësoi modelin e astrolabes, instrumenti që përcakton pozicionet e yjeve. Në kohë kur ajo jetoi, puna e saj nuk u prit mirë nga disa grupe, duke e gjykuar si pagane. Hypatia u vra dhe prefekti perandorak Orestes dënoi vrasjen e saj, dhe më pas, veprimet e dhunshme kundër filozofëve të Aleksandrisë përfunduan. Figura e  Hypatia-s njihet dhe admirohet nga gratë e shkencës, astronomisë, matematikës dhe gjithashtu nga aktivitet dhe feministët, informon abcnews.al.

2. Lise Meitner

Lise Meitner, e lindur në Vjenë në 1878, është fizikantja që ka investiguar radioaktivitetib. Ajo ishte profesorë në Institutin Kaiser Ëihelm dhe në Universitetin e Berlinit nga viti 1926 deri në 1933. Në vitin 1938 asaj iu desh të largohej nga Gjermania sespse ishte hebre. Ligjet e Nurembergut të qeverisë naziste e detyruan atë të largohej dhe më pas ajo u bashkua me stafin e Institutit Kërkimor të Institutit Manne Siegbahn në Stokholm. Lise Meitner ishte pjesë e ekipit që zbuloi ndarjen bërthamore, megjithatë, vetëm kolegu i saj Otto Hahn mori vlerësimin dhe Çmimin Nobel në Kimi. Megjithëse zbulimi i Meitner ishte shumë i rëndësishëm, merita e saj kaloi pa u vërejtur nga shkenca deri në shumë vite më vonë. Pas kësaj, emri i saj u njoh dhe vlerësua, dhe madje një asteroid (6999) dhe 2 krate në Hënë dhe në Venus janë emëruar në kujtim të saj.

3. Ada Lovelace

Ada Lovelace, e lindur në Londër në vitin 1815 është matematikanë, shkencëtare kompjuteri, shkrimtare dhe vajza e vetme e Anna Isabella dhe poetit Lord Byron. Ndarja e prindërve të saj dhe largimi i babai, shënoi një kthesë të madhe për Adën. Ada kishte shumë aspirata shkencore dhe gjithmonë dëshmonte se ishte më e dedikuar se nëna e saj, e cila pasi la letërsinë ishte matematikanë e shkëlqyer, informon abcnews.al.  Në moshën 18-vjeçare, Ada u takua me matematikanin Charles Babbage,i cili e motivoi atë t’i bashkohej ekipit të tij më të famshëm “makina analitike”. Ada që jo vetëm pati sukses në këtë, por gjithashtu krijoi atë që njihet si algoritmi i parë për një makinë. Kjo zyrtarisht e bën atë programuesen e parë kompjuterike. Në fakt gjuha aktuale e programimit Ada, krijuar nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, u emërua pas vdekjes së saj.

4. Jocelyn Bell Brnell

Jocelyn Bell Burnell ka lindur në Velfast në 1942. Ajo është arstrofizikanja që zbuloi sinjalin e parë radio të një pulsari, i cili është një yll që lëshon rrezatim shumë intensiv në intervale të shkurtra, të rregullta. Kjo gjetje e sukesshme gjithashtu kaloi pa njohje, pasi ishte mësuesi i saj Anthony Hewish që rrëmbeu çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1974, pavarësisht se ajo e bëri zbulimin.  Por fakti nuk kaloi pa u vërejtur nga bota shkencore, pasi shumë kolegë të saj e dënuan dhënin e çmimit për Hewish. Sidoqoftë, ky nuk ishte një lajm i keq për të pasi ajo bëri dhe shumë zbulime të tjera, më të rëndësishme sesa një çmim Nobel. Burnell është një nga shkencëtarët më me ndikim në Mbretërinë e Bashkuar dhe, natyrisht, të astrofizikës, informon abcnews.al.

5. Marie Curie

Marie Curie ka lindur në Varshavë në vitin 1867. Ajo ka qenë një shkencëtare e njohur e vlerësuar dy herë me çmimin Nobel në Fizikë dhe Kimi. Curie ishte pionere e radioaktivitetit, duke zbuluar teknika për izolimin e izotopeve radioaktive dhe 2 elementëve kimikë: poloniumit dhe radiumit. Nga këto zbulime, jeta e Marie Curie ishte e rrethuar nga radioaktiviteti. Ajo e mbante me vete elementin kimik, duke injoruar shkallën e dëmtimit të shkaktuar nga ekspozimi ndaj tij. Punën e saj shkencore, ajo e ndau me bashkëshortin Perre Curie, dhe më vonë me një nga dy vajzat, Irene-Joliot Curie, informon abcnews.al.  Shumë vite pas vdekjes së Pierre, Marie filloi një romancë me shkencëtarin Paul Langevin, që i solli asaj shumë probleme, pasi ai kishte qenë i martuar ndërsa dilte me të. Megjithatë, edhe pse pati shumë paragjykime, Curie pati mbështetjen e shumë shkencëtareve, përfshirë Albert Einstein.

6. Rita Levi-Montalcini

E lindur në Torino në vitin 1909, Rita Levi-Montalcini ishte një shkencëtare e specializuar në neurologji. Ajo mori çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi. Pavarësisht kësaj, jeta e Ritës nuk ka qenë e lehtë. Ajo ka qenë studente gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe u përball me shumë vështirësi për shkak se ishte hebre. Në Itali, kishte ligje kundër hebrenjve të imponuara nga Benito Mussolini, kështu që Rita duhej të linte universitetin dhe të zhvendoste eksperimentet që bënte në dhomën e saj të gjumit. Atje, ajo krijoi një laborator me mikroskop dhe disa enë shtëpiake të adaptuara. Por ato vite terrori patën pasojat e tyre; qyteti i Torinos u bombardua në vitin 1941, kështu që Rita u detyrua të transferohej në një shtëpi në mal bashkë me instrumentet e saj, informon abcnews.al.  Edhe atje nuk gjeti paqe dhe nuk qëndroi për shumë kohë. Pas sulmit të trupave naziste, asaj iu desh të ikte më në jug. Sapo mbaroi lufta, vitet e kërkimit të Ritës në bashkëpunim me biokimistin, Stanley Cohen dhanë rezultate: ajo arriti të izolonte të ashtuquajturin “faktori nervor i rritjes”, një proteinë thelbësore për mbijetesën e neuroneve. Ky ishte zbulimi i parë i komunikimit qelizë-qelizë.

7. Margarita Salas

Margarita Salas lindi në Spanjë në vitin 1938. Ajo mori titullin Ph.D. në Kimi, në Universitetin Complutense të Madridit. Margarita ka qenë përgjegjëse për promovimin e kërkimit spanjoll në fushën e biokimisë dhe biologjisë molekulare. Puna e saj ka spikatur për kontributin në hulumtimin e leximit të informacionit gjenetik. Studimi i Maragrite përqendrohet në virusin bakterial Phi29, i cili na ka lejuar të kuptojmë më shumë sesi sillet ADN-ja, si virusi bakterial transformon proteinat dhe si ato lidhen me njëra-tjetrën për të formuar një virus funksional. Margarita ka marrë disa çmime, duke u shpallur Studiuesja Europiane e vitit 1999 nga UNESCO. Ajo u emërua Drejtore e Institutit të Spanjës (1995-2003), e cila bashkon të gjitha Akademitë Mbretërore Spanjolle. Në dhjetor 2018, Shkolla Eliseo Godoy në Zaragoza ndryshoi emrin për të pasur Margarita Salas.

8. Irene-Joliot Curie

Lindur në Paris, Irene-Joliot Curie, vajza e Marie dhe Pierre Curie, studioi fizikë dhe kimi në Universitetin e Parisit gjatë Luftës së Parë Botërore. Kur mbaroi studimet, ajo filloi të punonte si asistente për nënën e saj në Paris Radio Institute, i cili më vonë u njoh si Instituti Curie. Kërkimet e saj në fushën e fizikës bërthamore përfshinin strukturën e atomit, projeksionin e bërthamës dhe prodhimin artificial të elementeve radioaktive. Për Curie, të qenit vajza e 2 shkencëtarëve të njohur fitues të çmimeve të mëdha, ishte një nxitje për karrierën e saj. Në fakt, ajo gjithashtu fitoi çmimin Nobel në Kimi në vitin 1935. Irene-Joliot Curie vdiq nga leucemia për shkak të ekspozimit të tepër ndaj rrezatimit, informon abcnews.al.

9. Hedy Lamarr

Lindur në Vjenë në 1914, Hedy Lamarr ishte një aktore dhe shpikëse e filmit amerikan. Historia e Hedy-t është interesante sepse, pavarësisht nga fakti se pjesa më e madhe e jetës së saj i ishte kushtuar aktrimit në kinema, ajo ishte bashkëshpikëse e versionit të parë të një spektri të zgjeruar që lejonte komunikime pa tel në distanca të gjata që tani i njohim si “Wi-Fi”. Së bashku me muzikantin George Antheil, ata zhvilluan teknikën e kodimit të informacionit. Por, para se të ndodhte kjo zbulim, Hedy përjetoi një ngjarje të tmerrshme. Burri i saj, Friedrich Mandl, e mbajti atë peng në shtëpinë e saj nën kontroll të rreptë dhe e detyroi atë të largohej nga industria e filmit, informon abcnews.al. Në vitin 1937, ajo arriti të shpëtonte dhe të shkonte në Paris për të vazhduar karrierën e saj artistike. Atje ajo takoi Louis B. Mayer, president i Metro Goldwyn-Mayer, me të cilin nënshkroi një kontratë për Hollywood. Në vitin 1942, Hedy regjistroi patentën e saj të komunikimit sekret, që kërkonte të shmangte zbulimin e silurëve nga trupat aleate. Hedy argumentoi që nëse të dy transmetuesit dhe marrësi do të ishin në gjendje të hidheshin njëkohësisht nga frekuenca në frekuencë, atëherë kushdo që përpiqej ta ndërpriste atë sinjal nuk do ta dinte se ku ishte. Fatkeqësisht, Hedy nuk mori merita për shpikjen e saj./ KultPlus.com

Shtohen divorcet, avokatja: Gratë nuk e durojnë më dhunën

Statistikat e fundit si nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, por edhe nga gjykatat e rretheve, tregojnë, se iniciatoret për të shkuar drejt divorcit janë gratë.

Avokate kryesisht divorcesh, prej gati 20 vjetësh, Vjollca Pustina shpjegon disa nga arsyet, pse janë gratë ato që i lënë burrat:

“Arsyeja e parë është që gratë nuk e pranojnë më dhunën që ushtrojnë burrat. Njëkohësisht kjo ka ardhur si pasojë e pavarësisë që kanë ato, dhe sidomos pavarësisë ekonomike. Çiftet e reja mendoj që kanë filluar të mos e vuajnë mentalitetin dhe paragjykimet, gratë sidomos. Dy rastet e fundit që kam pasur, kanë të bëjnë me një zonjë me një fëmijë në moshën 10 vjeçare. Pavarësisht se bashkëshorti i lutej në momentin që i erdhi në dyert e gjykatës, ajo nuk pranoi të kthehej, me pretendimin, se ai nuk ndryshon dhe do të vazhdonte të ishte i dhunshëm. Rasti tjetër kishte lidhje po me ushtrim dhune. Tre herë kishin bërë kërkesë për divorc, pajtoheshin, dhe në fund fare të dy u ndanë”.

Mungesa e gjyqtarëve të çështjeve familjare kanë ndikuar që edhe gjyqet për divorce të zgjaten shumë duke e agravuar më shumë situatën, nëse ka konflikte që nuk shuhen.

Avokatja pohon se ka një ndryshim mes grave të fshatit dhe atyre në qytet.

 “Gratë e fshatit mendohen 100 herë për të shkuar drejt divorcit, apo për të denoncuan në polici burrin për dhunë në familje. Ndërsa gratë e qytetit kanë filluar të çlirohen nga ai mentalitet se çfarë tha X apo Y për familjen time. Unë këmbëngul që çiftet të mos shkojnë drejt divorcit pa provuar dhe pa i dhënë mundësinë njëri-tjetrit, pasi ata që vuajnë më shumë pasojat e një divorci janë fëmijët. Ndarja ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijës”, thotë Pustina. / topchanel.tv / KultPlus.com

Në Somali hapet shtëpia e parë mediatike vetëm për gra

Në Somali është hapur shtëpia e parë mediatike vetëm për gra, duke krijuar kështu një mundësi të rrallë për gazetaret gra në vend për të hulumtuar dhe publikuar historitë që duan të tregojnë.

Ekipi prej gjashtë vetash do të prodhojë përmbajtje për TV, radio dhe media online për çështje të tilla si dhuna me bazë gjinore, gratë në politikë dhe gratë ndërmarrëse. Më e rëndësishmja, ato do të kenë autonominë për të marrë vendime editoriale.

“Ne duam t’i mbulojmë këto çështje dhe të sfidojmë besimet shoqërore se gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi”, tha kryeredaktorja, Nasrin Mohamed Ibrahim, e cila ka punuar si gazetare për 12 vjet dhe është një anëtare themeluese e Organizatës së Gazetareve Somaleze.

Bilan, emri i shtëpisë mediatike, që në Somali do të thotë diçka e ndritshme dhe e qartë, do të ketë selinë në kryeqytetin, Mogadishu, në Dalsan Media Group, një nga organizatat më të mëdha mediatike të vendit. Bilan do të publikojë lajme dhe do të ofrojë trajnime dhe mentorim nga gazetarë të njohur somalezë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë Lyse Doucet dhe Razia Iqbal të BBC-së, Lyndsey Hilsum të Channel 4 dhe Mohammed Adow të Al Jazeera. Praktika gjashtëmujore do t’u ofrohen studenteve më të mira të gazetarisë në vitin e fundit në dy universitete në Mogadishu.

Financuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), projekti është njëvjeçar, por Jocelyn Mason, përfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Mogadishu, është e bindur se do të bëhet një strukturë e përhershme dhe gjithashtu mund të shtrihet në rajonet e Somalisë. “Ne shpresojmë se ky do të jetë një ndryshim i lojës për skenën mediatike somaleze, duke hapur mundësi të reja për gratë gazetare dhe duke ndriçuar temat që janë injoruar, veçanërisht ato që janë të rëndësishme për gratë” tha Mason. / Qika.org / KultPlus.com

Drejtësia zhgënjen gratë, 1548 raste të dhunës në 9 muaj

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, vendimet e ulëta e qesharake nga ana e gjykatave, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë së Kosovës, janë disa nga faktorët që, sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Sipas të dhënave nga Kryeprokuroria e Shtetit, për nëntë muaj të vitit 2021, në Kosovë janë regjistruar 1.548 raste të dhunës, prej të cilave 1.396 janë regjistruara si dhunë në familje.

Në 445 raste, siç thuhet, ka pasur kërkesa për urdhër-mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, kurse në 36 raste janë lëshuar urdhër-mbrojtje emergjente.

Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, mostrajtimi i rasteve ashtu siç duhet, po bën që të ketë rritje të rasteve të dhunës ndaj grave, transmeton KultPlus.

“Policia shpesh e merr rolin e ndërmjetësuesit dhe ka tendenca për fajësimin e viktimës. Në Prokurori kemi mungesë të hetimeve dhe shpesh nuk dinë të bëjnë hetime siç do duhej, që do të çonin deri te zgjidhja. Nga gjykatat shpesh kemi vendime të cilat janë qesharake karshi veprës së rëndë që ushtruesit e dhunës e kanë shkaktuar”, tha Berisha.

Berisha ka treguar se gratë dhe vajzat, apo edhe persona të tjerë, të cilat drejtohen te autoritetet kompetente, hasin në vështirësi të mëdha.

“Edhe pse nuk është as në mandatin e shumë zyrtarëve policorë, dhe as të zyrtarëve tjerë nga qendrat për punë sociale, ata tentojnë ta bëjnë pajtimin mes çifteve edhe kur ka forma të ashpra të dhunës, apo kur dhuna është mes personave të panjohur, prapë mundohen ta minimizojnë dhunën dhe në njëfarë forme më shumë fokusi vihet te pajtimi i viktimave dhe ri-traumatizimi i tyre, sesa që të mblidhen prova dhe ushtruesi i dhunës të dalë para drejtësisë”, tha Berisha.

Nazife Jonuzi, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen edhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria”, konsideron se dënimet që marrin dhunuesit janë shumë të ulëta dhe se sipas saj, ky është një prej faktorëve që ka rritje të numrit të rasteve.

“Riintegrimi është një ndër sfidat më të mëdha. Çka pas strehimit? Ku shkojnë gratë? Është shumë e dhimbshme se 80 për qind e grave kthehen prapë në ambientet e dhunës për arsye të riintegrimit, pagesat e qirave, mungesa e punës. Ne e dimë se punësimi është shqetësim i madh edhe për burrat edhe për gratë, mirëpo këto raste janë më shumë të atakuara. Riintegrimi nuk është vetëm sigurimi i një qiraje, por mungojnë banesat sociale”, tha ajo.

Jonuzi thotë se në Kosovë ende ka pabarazi të mëdha dhe se, sipas saj, raportet në publik dallojnë shumë nga gjendja faktike në terren.

“Ende është ajo stigma, paragjykimi se gratë duhet ta mbyllin gojën, duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk duhet ta denoncojnë dhunën. Pabarazitë në familje ende janë shumë të mëdha”, u shpreh ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të hënën, më 25 tetor, në konferencën e organizuar nga Kryeprokuroria e Shtetit, me titull, “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, se dhuna ndaj grave është bërë sfidë, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi.

“Ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj gjendjeje, sikur nuk mund të heshtim as ndaj nevojës për mbështetje me të madhe të viktimave. Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen, kurse viktimat duhet të rehabilitohen të inkurajohen dhe të mbështeten institucionalisht”, tha Osmani.

Ajo shtoi se ndryshimet pozitive arrihen duke punuar në zbatimin e ligjit dhe se, sipas saj, mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë.

Kurse Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se përpjekjet e sistemit prokurorial janë të vazhdueshme në parandalimin e krimit.

Megjithatë, ai shtoi se autoritetet janë të vetëdijshme se ende duhet bërë punë dhe përkushtim nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet.

“Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetuesë dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Prandaj, përkushtimi ynë duhet të jetë në koordinim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë ndërmjet institucioneve ligj-zbatuese, që në asnjë moment të mos ketë neglizhim në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të garantuara me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare”, tha Lumezi.

“Nuk kemi jetë për të humbur”

Ministrja Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka ftuar të hënën të gjithë bartësit e sistemit të drejtësisë që të marrin përgjegjësi që, siç tha ajo, t’iu dilet ballë këtyre rasteve.

“Thërras Policinë, prokurorët e gjyqtarët që të kryejnë detyrat e të mbrojnë jetët e vajzave dhe të grave. Nuk kemi jetë për të humbur. Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, këtë duhet ta dinë të gjithë. Prandaj si e tillë nuk mund të mbetet si e izoluar brenda mureve të shtëpisë”, tha Haxhiu dhe theksoi se është shqetësues numri në rritje i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Nga janari i këtij viti, deri në muajin qershor, janë vrarë dy gra kurse në vitin 2020 janë vrarë shtatë gra.

Autoritetet në Kosovë kanë shqiptuar gjoba të ndryshme për dhunë në familje, përfshirë burgimin me kusht, me gjobë, apo dënime efektive.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Pablo Picasso dhe gratë, ana e errët e artistit të madh

Më 25 tetor 1881, lindi Pablo Picasso, një nga artistët më të mëdhenj të historisë, themeluesi i kubizmit. Ai hapi studion e tij të parë në moshën 16-vjeçare dhe vdiq në moshën 92-vjeçare, duke lënë rreth pesëmbëdhjetë mijë vepra, përfshirë piktura, vizatime, skica, qeramikë. Fiksimi i tij – përveç artit – ishin femrat, burimi i krijimtarisë së tij.

“Për mua, ekzistojnë vetëm dy lloje të grave: perëndesha dhe lecka”, tha Pablo Picasso. Burri që i donte gratë, ose ndoshta i urrente ato. Në moshën 85-vjeçare, në një intervistë të rrallë televizive, ai tha: “E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është dashuria”.

Gjatë gjithë ekzistencës së tij, eksperimentimi i shkëlqyer artistik i piktorit që simbolizon shekullin e njëzetë, shkon paralelisht me udhëtimin e bërë në kufijtë ekstremë të universit femëror. Gruaja, dashnorja, partnerja, frymëzuesja, gruaja për t’u përdorur, intelektualja, muza, modelja. Gratë në zemër të imagjinatës së tij, nga periudha blu dhe rozë deri te kubizmi, nga përvoja e Guernicës te qindra vizatime dhe skica, por edhe gra me të cilat u martua, i tradhtoi, i la, i çmendi.

Gratë me të cilat ai pati përvojat e para seksuale përmes shtëpive publike kur ishte 13 vjeç, së bashku me të atin. Femra të tërhequra nga gjenialiteti i tij, të joshura nga sytë e tij të ndezur nga pasioni. Gratë që kur ishte fëmijë ishin në qendër të një ekzistence unike: doña Maria, nëna që ai adhuronte dhe nga e cila mori mbiemrin, tezja Pepa, motrat Lola dhe Conchita.

“Ndjeshmëria e Picasso-s ndaj grave varionte nga butësia ekstreme në njërën anë deri tek urrejtja e dhunshme në tjetrën. Rruga e mesme ishte e pamundur, nëse jo e egër”, shkroi Patrick O’Brian, një nga biografët e tij.

“Pas Pikasos vetëm Zoti”, tha Dora Maar, një nga perëndeshat e shumta të tradhtuara, e paaftë për të pranuar botën pa të. Edhe ajo, si gjithë të tjerët, është viktima e një ndërthurjeje fatale të trupit dhe shpirtit, mishit të gjallë dhe përfaqësimit në imazh, të rrëmbyer nga një forcë jetike, e cila më pas shndërrohet në të kundërtën e saj. Artisti i madh andaluzian joshi, por nuk ia lejoi vetes, të shihte të tjerët të shndërroheshin në të varur nga Pikaso.

Në vitin 1881, kur u transferua në Paris në moshën 19-vjeçare, talenti i tij ishte i padiskutueshëm, por gjithashtu edhe oreksi i tij i pangopur seksual. Pasioni i tij i parë i vërtetë ishte për modelen Fernande Olivier. Ishte viti 1904, të dy ishin 23 vjeç. Ai i dashuruar marrëzisht nuk donte që ajo të pozonte për të tjerët. Ishin tetë vite intensive, por të mjaftueshme për të shteruar shtytjen erotike të Pikasos, i cili e braktisi papritur të dashurën e tij të parë në vitin 1912. Një histori, ajo e Fernandes, e cila vdiq në vitin 1966 e varfër dhe e vetme, është një ogur i asaj që do të ndodhë në vijim, nga ato që iu afruan shumë piktorit. Por për cilën muzë e la Pikaso modelen? E dashura e re quhej Marcelle Humbert, por ai e quajti atë Evë dhe për artistin ajo ishte perëndeshë e dashurisë.

“Bota fillon tani dhe ti je Eva”, tha ai. Ajo e frymëzoi atë me një seri pikturash që shënuan një kthim në ngjyra të ndritshme, në pointilizëm. “J’aime Eva”, “Ma jolie”, gjejmë të shkruara në shumë prej veprave të tij, sikur të ishte një tatuazh dashurie: një pasion i dëshpëruar dhe i shkurtër, që kur Marcelle vdiq nga tuberkulozi në 1915.

Për Pikason humbja ishte e madhe. Por ndërsa Lufta e Parë Botërore po përparonte në Evropë dhe artisti po punonte në skenografinë e Paradës me muzikantin Erik Satie dhe shkrimtarin Jean Cocteau, për kompaninë “Ballets russes” nga Sergej Djagilev, gjatë një qëndrimi në Romë ai u mahnit nga balerina Olga Khokhlova. Ishte viti 1917. Rusja e ndoqi në Barcelonë dhe më pas në Paris, ai u martua me të vitin e ardhshëm në prani të Guillaume Apollinaire dhe Cocteau. Në një kohë kur arti i tij luhatet midis natyralizmit dhe kubizmit, ai pikturoi “Portreti i Olgës në një kolltuk”. Një martesë që nuk ishte në gjendje të frenonte vrullshmërinë e saj: instinkti erotik u sublimua duke krijuar qindra vizatime grash lakmitare, të rrethuara nga simbole falike apo figura groteske të organeve gjenitale femërore.

Në vitin 1921 lindi Paulo, djali i parë i Pikasos, i përfaqësuar në krahët e nënës së tij në veprat simbolike të pikturës moderne. Dhe ndoshta atëherë Picasso ishte shumë i matur në lidhje me punët e tij dashurore, por teksa shëtiste nëpër bulevard, artisti pa një pamje të re. Ishte Marie-Thérèse Walter, një vazjë e mitur bionde, me sy blu.

“Unë jam Picasso, do të doja të të pikturoja një portret”, i tha ai. Për vajzën, e cila jetonte me nënën e saj dhe nuk e kishte njohur kurrë të atin, transferimi me atë burrë tridhjetë vjet më të madh se ajo ishte i menjëhershëm.

Marie-Thérèse, dashnorja-fëmijë, e portretizuar në piktura të tilla si “Brenda me një vajzë që vizaton”, i riktheu piktorit energjinë e humbur. Picasso filloi të përjetonte një rigjenerim të jashtëzakonshëm të stilit që e çoi në simbolikën e minotaurit dhe krijimin e Guernicës. Marie-Thérèse, e cila pranoi të jetonte në hije pa ndërhyrë në jetën e të dashurit të saj, ishte perfekte për Picasso-n. Por kur ajo i tha se ishte në pritje të një fëmije dhe Olga e mori vesh, nisi ferri. Gruaja e tërhoqi zvarrë piktorin në gjyq dhe ia vulosën të gjitha pronat në emër të saj, përfshirë bojërat, penelat dhe pikturat në punim e sipër.

“Sa herë që ndërroj femrat, duhet ta djeg të parën. Kështu që unë do t’i hiqja qafe dhe nuk do të ishin të gjithë aty për të komplikuar ekzistencën time. Kjo ndoshta do të më rikthente edhe rininë. Gruaja vritet dhe e kaluara që ajo përfaqëson, fshihet”, tha Picasso. Fjalë profetike. Olga, e cila e kishte bërë të jetonte atë që ai e quajti “koha më e keqe e jetës së tij”, vdiq e çmendur 20 vjet më vonë. Edhe Walter nuk kaloi më mirë. Në fakt Pikaso, të cilit Maya e vogël i lindi në 1935, nuk u ngop kurrë.

Në vitin 1936, një grua tjetër i ndryshoi jetën. Ishte Dora Maar, 29 vjeç. Ai e takoi atë në një kafene në Paris. E shkurtër, me kurba, brune, sy blu, ajo ishte e kundërta e Marie-Thérèse dhe përfaqësonte sfidën intelektuale që kërkonte Picasso. Fotografe, elegante, e kulturuar, e pavarur, ajo ishte vajza e një arkitekti kroat, që kishte jetuar në Argjentinë dhe fliste spanjisht. Pa ndërprerë lidhjen me Walter-in, për të cilën ai  gjeti hapësirën për të enjten dhe të dielën edhe për të parë vajzën e tij, Picasso filloi lidhjen me Dorën.

Një histori që zgjati 7 vjet në të cilën artisti gjithmonë e vinte përballë me Marie-Thérèse, duke i detyruar të dy gratë të darkonin së bashku. Ose i ka çmendur nga xhelozia duke i portretizuar në të njëjtën pozë, deri në përplasje fizike. “Vetëm unë e di se çfarë është ai. Është një instrument vdekjeje. Nuk është burrë, është sëmundje”, tha më vonë Dora, e cila në atë kohë u bë subjekti kryesor femëror i pikturave të tij.

Ndërkohë, i tronditur nga Lufta Civile Spanjolle, në vitin 1937 Picasso kishte pikturuar Guernicën, telajon që denonconte masakrën e civilëve në qytetin bask pas bombardimeve ajrore gjermane. Dhe Dora ishte aty, duke fotografuar fazat e veprës në një seri fotosh që janë bërë legjendare. Megjithatë, pak pasi ai e bindi atë të braktiste fotografinë dhe të rifillonte pikturën, duke e detyruar atë të vuante kritikat e tij shkatërruese. Por fati po përgatiste një hakmarrje për Pikason mizor.

Një tjetër grua që shenjoi jetën e tij quhej Françoise Gilot. Një nxënëse e një mikut të tij piktor kur e takoi, në vitin 1944, ai ishte 63 vjeç dhe ajo 22. Ata e gjetën veten të ngatërruar në një dashuri që për Picasson-n përfaqësonte një rinovim të ngarkesës sensuale. Françoise i lindi dy fëmijë të tjerë: Claude (1947) dhe Paloma (1949). Në pikturat e kësaj periudhe u kthyen temat e nënës me fëmijën. Por edhe me Françoise mekanizmi i vëmendjes së pakufishme dhe mizorisë së pashoqe u riaktivizua: kur ishte shtatzënë, Picasso e adhuroi, e refuzoi pas shtatzënive. Tejet xheloz, ai donte që ajo të vishej në mënyrë monastike, duke ndërthurur marrëdhëniet me të tjerët.

“Gratë vinin e shkonin në jetën e tij si xixëllonja të tërhequr nga një fener; i shikonte në telajo, i përdorte seksualisht dhe kur lodhej i hidhte”, tha Françoise, tashmë njëqindvjeçare. Paloma ishte 4 vjeç kur Gilot bëri një gjest të paprecedentë. Ajo u largua nga Picasso, duke i thënë gjithashtu se e urrente pikturën e tij. Nga inati i fiku një cigare në faqe dhe u përpoq ta bindte të qëndronte. Por Françoise nuk u dorëzua dhe u lirua duke u martuar me një tjetër dhe duke botuar Vita con Picasso, librin për të cilin piktori e çoi në gjykatë.

Në moshën 70-vjeçare, gratë nuk ishin një kapitull i mbyllur për Picasso-n. Ai iu afrua atyre, edhe kur ato ishin shumë të reja. Takimi me perëndeshën e fundit u zhvillua në vitin 1954 në rivierën franceze, ku ajo kishte jetuar prej vitesh midis Antibes, Mougins dhe Vallauris, duke krijuar qeramikë. Dashuri me shikim të parë mes vazove me 28-vjeçaren e divorcuar Jacqueline Roque. Për të ai bleu një kështjellë përrallash në Vallauris. Ai u martua me të në vitin 1961, pas vdekjes së Olgës më 1955, nga e cila nuk ishte divorcuar kurrë.

“I pabesi i pashërueshëm”, Pikaso kishte marrëdhënie të tjera. Por Jacqueline kurrë nuk e la atë dhe artistja kaloi periudhën më paqësore të jetës së saj me të. Kur vdiq më 8 prill 1973 në Mougins, sikur ajo që kishte mbjellë në jetë vazhdonte të prodhonte fruta të helmuara. Në vitin 1975, djali i tij Paulo vret veten. Në 1977 Marie-Thérèse u vetëvar. Në vitin 1986, Jacqueline bëri vetëvrasje me një të shtënë pistolete. Dora, e cila kishte bërë trajtime psikoanalitike, elektroshok, konvertime fetare, vdiq e vetme në vitin 1997, e harruar nga bota, por besnike e një pakti me veten: “Të gjithë menduan se do të vrisja veten pas braktisjes së tij. Pikaso gjithashtu. Arsyeja kryesore për të mos e bërë këtë ishte për t’i hequr atij këtë kënaqësi”. /a2news/ KultPlus.com

E largon gruan nga shtëpia, thotë se ajo nuk u kujdes për nënën e tij

Një burrë nga Podujeva e ka larguar nga shtëpia bashkëshorten e tij, nën arsyetimin se e njëjta nuk ishte përkujdesur për nënën e tij.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se i dyshuari është arrestuar dhe se është dërguar në mbajtje për 48 orë, shkruan express.

“Podujevë 18.10.2021 – 10:15. Viktima femër kosovare ka raportuar se për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pas me të dyshuarin mashkull kosovar në lidhje me pronën shtëpinë e saj, nuk ishte lejuar të qëndroi në shtëpi kinse ajo nuk ishte përkujdesur për nënën e të dyshuarit. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport./ express/ KultPlus.com

‘Gratë duhet të mësojnë të jetojnë edhe pa burrat”

Në këtë material ju sjellim fjalët e thëna nga Mariangela Melato, e cila ishte një nga aktoret më të njohura italiane.

Duke qenë përherë e pavarur në jetën e saj, ajo gjithmonë ka kërkuar që edhe gratë e tjera të bënin po të njëjtën gjë. Të ishin të pavarura në çdo aspekt, edhe në atë ekonomik. Mariangela duke iu referuar pavarësisë së gruas në shoqëri, u shpreh me këto fjalë mjaft frymëzuese për çdo grua në botë:

“Besoj fortësisht se gratë duhet të mësojnë të jetojnë edhe pa burrat. Një pjesë e mirë e jetës mund të jetohet edhe e vetme. Me këtë nënkuptoj të bëhesh pronarja e vetes, ta duash veten, të duash personat që të rrethojnë, ta duash edhe punën që bën. Pavarësia nënkupton edhe të duash vetminë tënde, të mos kesh frikë prej saj, përkundrazi të të pëlqejë vetmia dhe në vetmi të rritesh”. / KultPlus.com

Talibanët ndalojnë vajzat që të shkollohen, përdorin armët për të ndaluar protestat e grave

Militantët talibanë shiheshin sot që shtynin gra protestuese në Kabul dhe qëllonin në ajër me armë teksa tentonin të ndalonin demonstratën për të drejtat e shkollimit të vajzave, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.

Një grup prej disa grash ishin mbledhur jashtë një shkolle në lindje të Kabulit duke kërkuar kthimin e të drejtave që vajzat të shkojnë në shkollë të mesme, pas ndalimit të tyre nga grupi islamist në fillim të muajit.

Nxënësit meshkuj janë lejuar të rikthehen në mësim në shkolla e universitete, por dy javë më parë vajzat u ndaluan të rikthehen në shkollat e mesme, derisa të jetë vendosur “mjedisi islamik” i arsimit.

Në protestën e stome gratë mbanin pankarta ku shkruhej “Mos na thyeni penat, mos na digjni librat, mos mbyllini shkollat”, por më vonë rojet talibane ua morën parulën.

Britanikja Daily Mail shkruante se militantët kishin shtyrë gratë protestuese ndërsa një gazetar i huaj u godit me pushkë dhe u ndalua të filmonte, transmeton tutje KultPlus.

Taliban ndjekin interpretimin e ashpër të ligjit islamik të Sheriatit me ndarje të grave dhe burrave.

Ata kanë thënë se duhet të vendosen kushtet e caktuara derisa vajzat të rikthen në mësim, edhe pse shumë afganë janë skeptikë për këtë.

Kreu i ri i universtetit të Kabul, Mohammad Ashraf Ghairat komentoi mbi ngjarjen.

“Ju jap fjalën si kancelar i universitetit të Kabul. Për sa kohë nuk është vendosur një mjedis islamik për të gjithë, gratë nuk do të lejohen të vijnë në punë ose në universitet. Feja islame është e para”.

Rreth 9,460 gra studiojnë në Universiteti e Kabul që përbëjnë 43 për qind të studentëve.

Gratë ishin lejuar të vijonin studimet pas ardhjes në fuqi të talibanëve, në dhoma të ndara nga burrat, por Ghairat tha se nuk kishte mjaftueshëm mësuese femra që ato të vazhdojnë studimin në një “mjedis islamik”. / KultPlus.com

Gratë që refuzojnë të ndjekin standardet globale të bukurisë

Gjithë standardet globale të bukurisë që shohim në revistat magjepsëse dhe shfaqjet e modës, çdo komb ka veçoritë, traditat dhe zakonet e veta unike që lidhen me bukurinë femërore. Për shembull, ndërsa njerëzit në vendet e tjera shpenzojnë shumë për të drejtuar dhëmbët, në Japoni, gratë paguajnë për t’i bërë dhëmbët të duken të shtrembër.

Pra, mund të themi se bukuria është me të vërtetë një term relativ. Njihuni me disa nga standardet më të pazakonta të bukurisë në rajonin aziatik, transmeton KultPlus. Edhe pse disa prej tyre kanë rrënjë historike, disa gra i ndjekin ato edhe sot.

1.Vetull e bashkuar (Tajikistan)

Ndërsa gratë në pjesë të ndryshme të botës i heqin vetullat për të marrë formën e përsosur të tyre, për gratë në Taxhikistan një vetull natyrale është një shenjë tradicionale e bukurisë. Ato vajza që nuk janë të pajisura me vetulla të mbuluara me bojë përdorin një bar të veçantë të gjelbër me gjethe të quajtur ‘usma.’ Ato madje ngjyrosin hapësirën midis vetullave dhe krijojnë një vetull.

2.Qafa e zgjatur (Tajlandë)

Qafat e gjata janë simbolike të femrave në fisin Kayan. Ka rrënjë të ndryshme në këtë traditë dhe shumë besojnë se në ditët e para ajo mbronte gratë nga skllavëria. Sidoqoftë, disa njerëz thonë se me qafën e tyre të gjatë gratë i ngjajnë dragonjve, të cilët janë figura të rëndësishme në folklorin vendas. Vajzat fillojnë ta vendosin atë që në moshën 5-vjeçe dhe marrin gjithnjë e më shumë unaza që i zgjasin qafat me kalimin e kohës.

3.”Yaeba”-dhëmbë të shtrembër (Japoni)

Ndërsa njerëzit në pjesë të tjera të botës shpenzojnë shumë para për të drejtuar dhëmbët, tendenca e kundërt po ndodh në Japoni. Kjo tendencë quhet yaeba ose “dhëmb i dyfishtë”. Këto dhëmbë të shtrembër i bëjnë gratë të duken më të reja dhe prandaj janë të njohura në mesin e vajzave japoneze.

4.Dhëmbët e zinj (Japoni)

Zbardhja e dhëmbëve ose ‘ohaguro’ është një zakon japonez i ngjyrosjes së dhëmbëve të zi me një lëng hekuri. Edhe pse aktualisht, askush nuk e përdor këtë praktikë, vlen të përmendet se dhëmbët e zinj konsideroheshin të bukur në historinë japoneze. Ohaguro ishte një simbol statusi i përdorur kryesisht nga femrat për të treguar bukurinë dhe gatishmërinë e tyre për t’u martuar.

5. Thonjtë e gjatë të këmbëve (Indi)

Në vitin 2015, Shridhar Chillal nga India u bë personi me thonjtë më të gjatë duke u futur në Rekordet Botërore Guinness. Sidoqoftë, gratë indiane nuk ndalen në thonjtë e gjatë. Ndryshe nga tendencat botërore, thonjtë e këmbëve me ngjyrë të ndezur dhe të gjatë konsiderohen të jenë të njohura këtu.

6.Fytyrë në formë zemre (Koreja e Jugut)

Koreja e Jugut ka numrin më të madh të procedurave kozmetike në botë për frymë. Konturimi i fytyrës është në top-3 listën e operacioneve plastike më të njohura në Korenë e Jugut. Përkundër rreziqeve të mundshme, gratë mund t’i nënshtrohen zvogëlimit të mollëzës dhe korrigjimit të nofullës për t’u përpjekur të marrin një fytyrë në formë zemre.

7. Mbushja e dhëmbëve (Indonezi)

Për njerëzit në Bali, mbushja e dhëmbëve është një ritual tradicional. Kjo procedurë bëhet kryesisht nga adoleshentët në mënyrë që të ‘largojnë shpirtrat e këqij’. Pas kësaj procedure adoleshentët janë gati të martohen. Edhe pse procesi i mbushjes së dhëmbëve nuk është aq i ashpër dhe i përhapur sa dikur, disa qytetarë ende e bëjnë këtë edhe nëse jetojnë larg atdheut të tyre.

‘Një grua mund të jetë tërheqëse në moshën 20 vjeç, magjepsëse në moshën 30 vjeç dhe e parezistueshme për gjithë jetën’

“Një grua mund të jetë tërheqëse në moshën 20 vjeç, magjepsëse në moshën 30 vjeç dhe e parezistueshme për gjithë jetën”

Coco Chanel

“Dhuroi njerëzve që do krahë për të fluturuar, rrënjë për t’u kthyer dhe arsye për të qëndruar”

Dalai Lama

“Nuk debatohet për të patur të drejtë, por për të kuptuar”

“Në fund do të shkojë gjithçka shumë mirë. Nëse nuk shkon mirë, nuk është fundi”.

John Lennon

“Kurrë mos debato me një idiot. Të ul në nivelin e tij dhe të mund me eksperiencë”.

Mark Twain

“Dështimi është mundësia për të rifilluar në mënyrë më inteligjente”

Henry Ford

“Duke qenë se gjithçka është një pasqyrim i mendjes sonë, gjithçka mund të ndryshohet nga mendja jonë”

Buda

“Më të dobëtit hakmerren. Më të fortët falin. Më të lumturit harrojnë”.

“Çdo minutë që kalon i zemëruar, humbet gjashtëdhjetë sekonda lumturi”

Albert Einstein

“Bekuar janë ata që dijnë të qeshin me veten, sepse nuk do të përfundojnë kurrë së argëtuari”

Tommaso Moro

“Tani nuk është momenti për të menduar për atë që nuk ke. Mendo atë që mund të bësh me atë që ke”

Ernest Hemingway

“Njerëzit nuk ndryshojnë, zbulohen”

D. Lynch

“Ndoshta ka diçka më të keqe se ëndrrat e venitura… është humbja e dëshirës për të ëndërruar sërish”

Sigmund Freud

“Kurajë nuk do të thotë të kesh forcën të ecësh përpara, por të ecësh përpara edhe kur nuk ke forcë”

Theodore Roosevelt./ KultPlus.com

Nga 167 kandidatë për kryetarë komunash, vetëm 13 janë gra

Koalicioni i Organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, edhe një herë ka kritikuar qasjen e subjekteve politike për promovimin e demokracisë dhe barazisë gjinore.

Sipas të dhënave nga DnV-ja, nga 167 kandidatë për kryetar komunash, vetëm 13 prej tyre janë gra apo më pak se 8 për qind. Ndërsa, nga gjithsej 270 bartës të listave të subjekteve politike, grave u është besuar kjo pozitë në vetëm në 34 raste, transmeton KultPlus.

Përfshirja e grave nuk është mirë as në listat zgjedhore, sipas modelit ‘zebër’ – ku çdo i dyti kandidat i përket gjinisë tjetër, subjektet politike edhe në këto zgjedhje janë mjaftuar me respektimin e kriterit pothuajse minimal ligjor prej 30%. Nga 5,239 kandidatë të certifikuar për kuvendet komunale, vetëm 1,943 prej tyre janë gra, apo vetëm rreth 37%, sipas DnV.

“Demokracia në Veprim u rikujton subjekteve politike se gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit, andaj anashkalimi i tyre nuk i shërben demokratizimit të partive e as barazisë gjinore dhe ofrimit të mundësive të barabarta për të dy gjinitë”, thuhet në reagimin e tyre. / KultPlus.com

Nëntë gratë që kanë ndryshuar botën me gjetjet e tyre në shkencë

Në historinë e njerëzimit ka pasur gra të shkëlqyera që kanë luajtur rol themelor në shkencë, por pavarësisht kontributeve të tyre të jashtëzakonshme, nuk u njohën kurrë. 

Disa mbetën në hije për shkak të burrave të tyre që i detyruan të tërhiqeshin qëllimisht nga puna, ndërsa të tjera gjetën vdekjen e parakohshme dhe fatkeqe. Shumë pak prej tyre arritën të vendoseshin në botën shkencore dhe të njiheshin.

Sot, KultPlus ju sjell historinë e këtyre grave mahnitëse, të cilat kanë lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e shkencës.

1. Hypatia

Hypatia ka lindur në mesin e shekullit IV në kryeqytetin e Aleksandrisë. Ajo punoi si filozofe dhe matematikanë, duke iu përkushtuar mësimit dhe studimit të shkencave ekzakte. Midis shumë kontributeve të saj, ajo përmirësoi modelin e astrolabes, instrumenti që përcakton pozicionet e yjeve. Në kohë kur ajo jetoi, puna e saj nuk u prit mirë nga disa grupe, duke e gjykuar si pagane. Hypatia u vra dhe prefekti perandorak Orestes dënoi vrasjen e saj, dhe më pas, veprimet e dhunshme kundër filozofëve të Aleksandrisë përfunduan. Figura e  Hypatia-s njihet dhe admirohet nga gratë e shkencës, astronomisë, matematikës dhe gjithashtu nga aktivitet dhe feministët, informon abcnews.al.

2. Lise Meitner

Lise Meitner, e lindur në Vjenë në 1878, është fizikantja që ka investiguar radioaktivitetib. Ajo ishte profesorë në Institutin Kaiser Ëihelm dhe në Universitetin e Berlinit nga viti 1926 deri në 1933. Në vitin 1938 asaj iu desh të largohej nga Gjermania sespse ishte hebre. Ligjet e Nurembergut të qeverisë naziste e detyruan atë të largohej dhe më pas ajo u bashkua me stafin e Institutit Kërkimor të Institutit Manne Siegbahn në Stokholm. Lise Meitner ishte pjesë e ekipit që zbuloi ndarjen bërthamore, megjithatë, vetëm kolegu i saj Otto Hahn mori vlerësimin dhe Çmimin Nobel në Kimi. Megjithëse zbulimi i Meitner ishte shumë i rëndësishëm, merita e saj kaloi pa u vërejtur nga shkenca deri në shumë vite më vonë. Pas kësaj, emri i saj u njoh dhe vlerësua, dhe madje një asteroid (6999) dhe 2 krate në Hënë dhe në Venus janë emëruar në kujtim të saj.

3. Ada Lovelace

Ada Lovelace, e lindur në Londër në vitin 1815 është matematikanë, shkencëtare kompjuteri, shkrimtare dhe vajza e vetme e Anna Isabella dhe poetit Lord Byron. Ndarja e prindërve të saj dhe largimi i babai, shënoi një kthesë të madhe për Adën. Ada kishte shumë aspirata shkencore dhe gjithmonë dëshmonte se ishte më e dedikuar se nëna e saj, e cila pasi la letërsinë ishte matematikanë e shkëlqyer, informon abcnews.al.  Në moshën 18-vjeçare, Ada u takua me matematikanin Charles Babbage,i cili e motivoi atë t’i bashkohej ekipit të tij më të famshëm “makina analitike”. Ada që jo vetëm pati sukses në këtë, por gjithashtu krijoi atë që njihet si algoritmi i parë për një makinë. Kjo zyrtarisht e bën atë programuesen e parë kompjuterike. Në fakt gjuha aktuale e programimit Ada, krijuar nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, u emërua pas vdekjes së saj.

4. Jocelyn Bell Brnell

Jocelyn Bell Burnell ka lindur në Velfast në 1942. Ajo është arstrofizikanja që zbuloi sinjalin e parë radio të një pulsari, i cili është një yll që lëshon rrezatim shumë intensiv në intervale të shkurtra, të rregullta. Kjo gjetje e sukesshme gjithashtu kaloi pa njohje, pasi ishte mësuesi i saj Anthony Hewish që rrëmbeu çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1974, pavarësisht se ajo e bëri zbulimin.  Por fakti nuk kaloi pa u vërejtur nga bota shkencore, pasi shumë kolegë të saj e dënuan dhënin e çmimit për Hewish. Sidoqoftë, ky nuk ishte një lajm i keq për të pasi ajo bëri dhe shumë zbulime të tjera, më të rëndësishme sesa një çmim Nobel. Burnell është një nga shkencëtarët më me ndikim në Mbretërinë e Bashkuar dhe, natyrisht, të astrofizikës, informon abcnews.al.

5. Marie Curie

Marie Curie ka lindur në Varshavë në vitin 1867. Ajo ka qenë një shkencëtare e njohur e vlerësuar dy herë me çmimin Nobel në Fizikë dhe Kimi. Curie ishte pionere e radioaktivitetit, duke zbuluar teknika për izolimin e izotopeve radioaktive dhe 2 elementëve kimikë: poloniumit dhe radiumit. Nga këto zbulime, jeta e Marie Curie ishte e rrethuar nga radioaktiviteti. Ajo e mbante me vete elementin kimik, duke injoruar shkallën e dëmtimit të shkaktuar nga ekspozimi ndaj tij. Punën e saj shkencore, ajo e ndau me bashkëshortin Perre Curie, dhe më vonë me një nga dy vajzat, Irene-Joliot Curie, informon abcnews.al.  Shumë vite pas vdekjes së Pierre, Marie filloi një romancë me shkencëtarin Paul Langevin, që i solli asaj shumë probleme, pasi ai kishte qenë i martuar ndërsa dilte me të. Megjithatë, edhe pse pati shumë paragjykime, Curie pati mbështetjen e shumë shkencëtareve, përfshirë Albert Einstein.

6. Rita Levi-Montalcini

E lindur në Torino në vitin 1909, Rita Levi-Montalcini ishte një shkencëtare e specializuar në neurologji. Ajo mori çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi. Pavarësisht kësaj, jeta e Ritës nuk ka qenë e lehtë. Ajo ka qenë studente gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe u përball me shumë vështirësi për shkak se ishte hebre. Në Itali, kishte ligje kundër hebrenjve të imponuara nga Benito Mussolini, kështu që Rita duhej të linte universitetin dhe të zhvendoste eksperimentet që bënte në dhomën e saj të gjumit. Atje, ajo krijoi një laborator me mikroskop dhe disa enë shtëpiake të adaptuara. Por ato vite terrori patën pasojat e tyre; qyteti i Torinos u bombardua në vitin 1941, kështu që Rita u detyrua të transferohej në një shtëpi në mal bashkë me instrumentet e saj, informon abcnews.al.  Edhe atje nuk gjeti paqe dhe nuk qëndroi për shumë kohë. Pas sulmit të trupave naziste, asaj iu desh të ikte më në jug. Sapo mbaroi lufta, vitet e kërkimit të Ritës në bashkëpunim me biokimistin, Stanley Cohen dhanë rezultate: ajo arriti të izolonte të ashtuquajturin “faktori nervor i rritjes”, një proteinë thelbësore për mbijetesën e neuroneve. Ky ishte zbulimi i parë i komunikimit qelizë-qelizë.

7. Margarita Salas

Margarita Salas lindi në Spanjë në vitin 1938. Ajo mori titullin Ph.D. në Kimi, në Universitetin Complutense të Madridit. Margarita ka qenë përgjegjëse për promovimin e kërkimit spanjoll në fushën e biokimisë dhe biologjisë molekulare. Puna e saj ka spikatur për kontributin në hulumtimin e leximit të informacionit gjenetik. Studimi i Maragrite përqendrohet në virusin bakterial Phi29, i cili na ka lejuar të kuptojmë më shumë sesi sillet ADN-ja, si virusi bakterial transformon proteinat dhe si ato lidhen me njëra-tjetrën për të formuar një virus funksional. Margarita ka marrë disa çmime, duke u shpallur Studiuesja Europiane e vitit 1999 nga UNESCO. Ajo u emërua Drejtore e Institutit të Spanjës (1995-2003), e cila bashkon të gjitha Akademitë Mbretërore Spanjolle. Në dhjetor 2018, Shkolla Eliseo Godoy në Zaragoza ndryshoi emrin për të pasur Margarita Salas.

8. Irene-Joliot Curie

Lindur në Paris, Irene-Joliot Curie, vajza e Marie dhe Pierre Curie, studioi fizikë dhe kimi në Universitetin e Parisit gjatë Luftës së Parë Botërore. Kur mbaroi studimet, ajo filloi të punonte si asistente për nënën e saj në Paris Radio Institute, i cili më vonë u njoh si Instituti Curie. Kërkimet e saj në fushën e fizikës bërthamore përfshinin strukturën e atomit, projeksionin e bërthamës dhe prodhimin artificial të elementeve radioaktive. Për Curie, të qenit vajza e 2 shkencëtarëve të njohur fitues të çmimeve të mëdha, ishte një nxitje për karrierën e saj. Në fakt, ajo gjithashtu fitoi çmimin Nobel në Kimi në vitin 1935. Irene-Joliot Curie vdiq nga leucemia për shkak të ekspozimit të tepër ndaj rrezatimit, informon abcnews.al.

9. Hedy Lamarr

Lindur në Vjenë në 1914, Hedy Lamarr ishte një aktore dhe shpikëse e filmit amerikan. Historia e Hedy-t është interesante sepse, pavarësisht nga fakti se pjesa më e madhe e jetës së saj i ishte kushtuar aktrimit në kinema, ajo ishte bashkëshpikëse e versionit të parë të një spektri të zgjeruar që lejonte komunikime pa tel në distanca të gjata që tani i njohim si “Wi-Fi”. Së bashku me muzikantin George Antheil, ata zhvilluan teknikën e kodimit të informacionit. Por, para se të ndodhte kjo zbulim, Hedy përjetoi një ngjarje të tmerrshme. Burri i saj, Friedrich Mandl, e mbajti atë peng në shtëpinë e saj nën kontroll të rreptë dhe e detyroi atë të largohej nga industria e filmit, informon abcnews.al. Në vitin 1937, ajo arriti të shpëtonte dhe të shkonte në Paris për të vazhduar karrierën e saj artistike. Atje ajo takoi Louis B. Mayer, president i Metro Goldwyn-Mayer, me të cilin nënshkroi një kontratë për Hollywood. Në vitin 1942, Hedy regjistroi patentën e saj të komunikimit sekret, që kërkonte të shmangte zbulimin e silurëve nga trupat aleate. Hedy argumentoi që nëse të dy transmetuesit dhe marrësi do të ishin në gjendje të hidheshin njëkohësisht nga frekuenca në frekuencë, atëherë kushdo që përpiqej ta ndërpriste atë sinjal nuk do ta dinte se ku ishte. Fatkeqësisht, Hedy nuk mori merita për shpikjen e saj./ KultPlus.com

Burrat emigruan, gratë u morën me kujdesin e fëmijëve, “Paper House” me thirrje për këto rrëfime

“Në Duart e Tona” është projekt i “Prishtina Biennale”, në bashkëpunim me “Paper House”, i cili do të jetë mjaft i veçantë dhe kuptimplotë, pasi që përfshin një grup mjaft të sfiduar të shoqërisë.

Projekti “Në Duart e Tona”, ka temë gratë të cilat kishin jetuar pa burrat e tyre në vitet 70-ta, 80-ta dhe fillimin e viteve të 90-ta, për shkak se ata kishin emigruar, të detyruar nga situata e pafavorshme ekonomike.

Si rezultat i emigrimit të burrave të tyre, këto gra kosovare u detyruan që të rrisin familjet e tyre të vetme dhe të luajnë edhe rolin e babait për fëmijët e tyre. Por, jeta e tyre gjatë këtyre viteve ishte mjaft e vështirë, pasi që u përballen me punë mjaft sfiduese dhe paragjykime shoqërore.

Andaj, për nder të këtyre grave në mënyra mjaft kreative pritet të sjellin historitë e tyre, të cilat edhe janë “mbinjerëzore”, për faktin se sfiduan çdo standard shoqërorë që ju është shkaktuar atyre.

Jo vetëm histori por përjetim dhe emocion, “Në Duart e Tona”.

““Paper House” i’u bën thirrje të gjitha grave të cilat i kanë rritur familjet të vetme për shkak të emigrimit të burrave gjatë viteve 70-ta, 80-ta dhe 90-ta, e që dëshirojnë të ndajnë me të tjerët përjetimet nga ajo kohë, me anë të tregimeve apo materialeve që mund t’i posedojnë të na kontaktoni përmes emailit: [email protected], përmes Viber në numrin +38343911911 apo përmes Facebook në “Paper Radio 91.1””, thuhet në njoftimin e “Paper Houese”. / KultPlus.com

‘Disa rrudha në fytyrë e disa thinja nuk e fshehin bukurinë, ato janë dëshmi se ju keni jetuar’

Paulo Coelho: Gratë, bukuria dhe ne burrat…

“….Trupi ndryshon, moshohet. Mos u dëshpëro nëse nuk të bën më ajo masë fustani që të bënte në moshën 18 vjeçare. Një femër 45 vjeçare, të cilës i bën fustani që vishte në moshën 18 vjeçare, ose vuan nga problemet e zhvillimit, ose po vetëshkatërrohet.

Neve na pëlqejnë femrat që dinë të jetojnë një jetë të ekuilibruar dhe dinë t’i kontrollojnë ndjesitë e tyre të fajit. Na pëlqejnë edhe ato që kur hanë, e shijojnë atë që hanë. Ato që kur duhet të mbajnë dietë, e bëjnë me kënaqësi (pa vuajtje dhe dëshpërim).

Disa rrudha në fytyrë, disa thinja, disa shenja moshimi në trup nuk e fshehin bukurinë. Ato janë dëshmi se ju keni bërë diçka në jetën tuaj, se nuk keni mbetur tek makiazhi dhe nuk e keni kaluar jetën tuaj nëpër qendra estetike. Keni jetuar!

Ndaj, kujdesuni për veten dhe duajeni veten!

Kjo është gjithë bukuria…” / KultPlus.com