Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot ka takuar gratë të cilat kanë fituar betejën ndaj Kancerit të Gjirit, shkruan KultPlus.
Përmes një postmi në facebook, Ministri Vitia ka thënë se gratë të cilat e fituan luftën ndaj kancerit të gjirit, janë shembull se si kontrolli i hershmën e vizitat e rregullta janë kushti i pazëvendësueshëm i fitores në këtë betejë.
Më poshtë është postimi i plotë i Ministrit Vitia në facebook:
Me gratë që fituan betejën ndaj Kancerit të Gjirit
Tetori është muaji i vetëdijësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.
Sot i takova gratë që ia dolën.
Ato janë shembull e dëshmi se kontrolli i hershmën e vizitat e rregullta janë kushti i pazëvendësueshëm i fitores në këtë betejë.
Prandaj ne jemi duke bërë hapa për ta fuqizuar sistemin në këto drejtime:
Furnizimi shumë më i madh me barna.
Aparatura të reja e moderne.
Shërbime falas të rikonstruktimit të gjirit.
Që janë vetëm disa nga hapat konkret që kemi ndërmarrë. Të tjerë do të vijojnë.
Gjatë vitit 2022 në Kosovë u regjistruan 547 raste të këtij kanceri.
Nga to 543 gra dhe 4 burra.
Çdo ditë kudo dhe me këdo duhet ta përsërisim pa rreshtur se:
Miliona grave në mbarë botën po u mohohet e drejta për të marrë vendime të informuara për trupin e tyre, pasi shumë prej tyre mbahen robina të objektivave demografike, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara.
Sipas raportit për popullsinë UNFPA, rreth 257 milionë gra në mbarë botën kanë një nevojë të paplotësuar për kontracepsion të sigurt dhe të besueshëm.
”Të dhënat nga 68 vende raportuese tregojnë se 44 për qind e grave dhe vajzave në çifte nuk kanë të drejtë të marrin vendime për trupin e tyre kur bëhet fjalë për seksin, përdorimin e kontracepsionit dhe kërkimin e kujdesit shëndetësor”, sipas OKB-së.
Raporti i UNFPA-së për gjendjen e popullsisë botërore zbuloi se ”qeveritë po miratojnë gjithnjë e më shumë politika që synojnë rritjen, uljen ose ruajtjen e normave të lindshmërisë në kurriz të të drejtave të grave”.
“Trupat e grave nuk duhet të mbahen rob të qëllimeve të popullsisë. Për të ndërtuar shoqëri të lulëzuara dhe gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga madhësia e popullsisë, ne duhet të rimendojmë rrënjësisht se si flasim dhe planifikojmë ndryshime demografike”, theksoi drejtoresha ekzekutive e UNFPA, Natalia Kanem.
“Riprodhimi njerëzor nuk është as problemi dhe as zgjidhja”, theksoi Kanem, duke u bërë thirrje qeverive të vendosin “barazinë dhe të drejtat gjinore në qendër të politikave të popullsisë./ atsh / KultPlus.com
Në sistemin universitar të Kosovës studentet – vajza dhe gra – përbëjnë numrin më të madh, por kur është fjala për punësimin, gjinia e kundërt përfiton.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tregun e punës, papunësia në Kosovë është më e lartë për gratë për 25 për qind, krahasuar me burrat për 19 për qind.
E papunë është Liridona Ademi nga Fushë Kosova, e cila në vitin 2017 ka përfunduar studimet në drejtimin Menaxhim dhe Biznes në një ndër kolegjet private.
Për gjashtë vjet me radhë 31-vjeçarja tregon se ka aplikuar disa herë në kompani private, por deri më tash nuk ka arritur të sigurojë një vend pune.
“Në të gjitha kompanitë që kam aplikuar, kriter ka qenë përvoja e punës. Nuk kam arritur të kem përvojë, pasi nuk kam punuar. Ky kriter vazhdimisht më ka penalizuar. Në sektorin publik nuk kam aplikuar asnjëherë, sepse është krijuar bindja se paraprakisht duhet të kesh të afërm ose familjarë që ta sigurojnë një pozitë të tillë”, thotë Liridona.
Gjatë vitit akademik 2021/2022, numri i përgjithshëm i studentëve në të gjitha institucionet e larta arsimore ishte mbi 70.000. Më shumë se gjysma e këtij numri përbëhet nga vajzat dhe gratë – gjithsej 40.826, kurse 29.358 janë meshkuj.
Në mesin e studentëve në Fakultetin Juridik në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, studimet bachelor i ndjekin edhe Arbenita Bytyçi dhe Shkëndije Behaj.
Ato nuk besojnë se mund t’i presë fati i Liridonës së papunë.
“Pas përfundimit të studimeve mendoj se do të ketë vende të lira të punës. Për këtë edhe jam duke u angazhuar që në të ardhmen të kem një mirëqenie për familje”, tha Arbenita.
Qasje të lehtë në tregun e punës, pas studimeve synon edhe Shkëndija nga Prishtina. Ajo dëshiron që profesionin si juriste ta ushtrojë në institucionet publike.
“Tashmë është më i lehtë sigurimi i një vendi të punës. Kanë filluar të rregullohen gjërat në Kosovë. Besoj se lehtë do të inkuadrohem në treg”, shprehet Shkëndija.
Problem për të siguruar një vend pune nuk ka pasur Gojart Mjekiqi.
Ai punon qe pesë punon në një Qendër Thirrjesh (Call Center) në Prishtinë.
“Vetëm vullneti nevojitet dhe aplikimi në çdo konkurs. Në fillim kam aplikuar në shumë vende të punës, derisa kam gjetur punë në drejtimin tim të studimeve, Letërsi dhe Gjuhë Gjermane. Dhe jam i kënaqur me punën time”, shprehet 25-vjeçari.
Në Kosovë, ai thotë se aktualisht ka mjaftueshëm vende të punës dhe nuk beson se mund të ketë dallime gjinore sa i përket punësimit.
Gojart Mjekiqi, punonjës në një Qendër të Thirrjeve në Prishtinë.
Ndryshe, gratë në Kosovë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë. Nga rreth 1.8 milion banorë të Kosovës, më shumë se 905 mijë janë meshkuj dhe rreth 900 mijë gra.
Numri më i madh i grave paraqitet te të dhënat e popullsisë në moshë pune.
Sipas të dhënave të ASK-së për vitin 2021, prej më shumë se 1.2 milion qytetarëve në moshë pune, (nga mosha 15 deri 64 vjeçe), 613 mijë janë meshkuj dhe 618 mijë gra.
D4D: Gratë konsiderohen si kujdestaret kryesore të familjes
Dallimet gjinore në sektorin e punësimit janë të pranishme dhe mjedisi patriarkal paraqitet një ndër arsyet kryesore të pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës, thuhet në një hulumtim të realizuar vitin e kaluar nga instituti kosovar, Demokracia për Zhvillim, (D4D) i quajtur “(Pa)Fuqia ekonomike e grave në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas D4D, gratë konsiderohen si kujdestaret kryesore të familjes, duke përfshirë përgjegjësinë e plotë për rritjen e fëmijëve.
Përveç kësaj, Drenushë Canolli nga kjo organizatë thotë për Radion Evropa e Lirë se arsye tjera janë pagat e ulëta, mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijë ose pamundësia për t’i përballuar çmimet e tyre, transporti publik e të tjera.
Gratë përfundojnë duke kryer mesatarisht 5-6 orë në ditë në punë përkujdesjeje dhe kjo nuk i lejon ato të përfshihen në mënyrë aktive në tregun e punës, gjë që është baras me punë të papaguar.
Kjo kategori grash quhen joaktive, sipas D4D, pasi nuk janë as të punësuara, ndërsa janë tepër të zëna për të kërkuar punë.
Një fat të tillë e ka pasur edhe Zymretja, tashme 60 vjeç. Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitet ‘80, për gati katër vjet kishte punuar si referente në Komunën e Skënderajt.
Pas martesës dhe lindjes së fëmijëve, kujton ajo, gjërat ndryshuan.
“Dëshira për punë ka qenë e madhe, por atëbotë mundësitë ishin të kufizuara, transporti jo i rregullt. Më pas lindën fëmijët dhe përfundova amvise duke u kujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë”, shprehet ajo.
Që nga përfundimi i luftës, tregon ajo, çdo vit ka kaluar duke shpresuar se ndërkohë do të siguronte një vend pune.
“Shumë merak më ka mbetur të punoj, çfarëdo pune. Kam pasur dëshirë të jem e pavarur financiarisht-por nuk arrita, sepse çerdhe nuk ka pasur mjaftueshëm dhe çmimi ka qenë i lartë”, tha ajo.
Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, funksionojnë 49 çerdhe publike dhe 177 private.
Numri i këtyre institucioneve parashkollore, në raport me nevojat, duket se është i pamjaftueshëm.
Pagesa mujore në çerdhet publike është 40 deri në 50 euro, ndërsa në ato private varion nga 80 deri në 250 euro.
Paga mesatare në Kosovë deri vonë ka qenë rreth 480 euro.
Në fillim të shkurtit ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro. /REL / KultPlus.com
Në historinë e njerëzimit ka pasur gra të shkëlqyera që kanë luajtur rol themelor në shkencë, por pavarësisht kontributeve të tyre të jashtëzakonshme, nuk u njohën kurrë.
Disa mbetën në hije për shkak të burrave të tyre që i detyruan të tërhiqeshin qëllimisht nga puna, ndërsa të tjera gjetën vdekjen e parakohshme dhe fatkeqe. Shumë pak prej tyre arritën të vendoseshin në botën shkencore dhe të njiheshin.
Sot, KultPlus ju sjell historinë e këtyre grave mahnitëse, të cilat kanë lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e shkencës.
1. Hypatia
Hypatia ka lindur në mesin e shekullit IV në kryeqytetin e Aleksandrisë. Ajo punoi si filozofe dhe matematikanë, duke iu përkushtuar mësimit dhe studimit të shkencave ekzakte. Midis shumë kontributeve të saj, ajo përmirësoi modelin e astrolabes, instrumenti që përcakton pozicionet e yjeve. Në kohë kur ajo jetoi, puna e saj nuk u prit mirë nga disa grupe, duke e gjykuar si pagane. Hypatia u vra dhe prefekti perandorak Orestes dënoi vrasjen e saj, dhe më pas, veprimet e dhunshme kundër filozofëve të Aleksandrisë përfunduan. Figura e Hypatia-s njihet dhe admirohet nga gratë e shkencës, astronomisë, matematikës dhe gjithashtu nga aktivitet dhe feministët, informon abcnews.al.
2. Lise Meitner
Lise Meitner, e lindur në Vjenë në 1878, është fizikantja që ka investiguar radioaktivitetib. Ajo ishte profesorë në Institutin Kaiser Ëihelm dhe në Universitetin e Berlinit nga viti 1926 deri në 1933. Në vitin 1938 asaj iu desh të largohej nga Gjermania sespse ishte hebre. Ligjet e Nurembergut të qeverisë naziste e detyruan atë të largohej dhe më pas ajo u bashkua me stafin e Institutit Kërkimor të Institutit Manne Siegbahn në Stokholm. Lise Meitner ishte pjesë e ekipit që zbuloi ndarjen bërthamore, megjithatë, vetëm kolegu i saj Otto Hahn mori vlerësimin dhe Çmimin Nobel në Kimi. Megjithëse zbulimi i Meitner ishte shumë i rëndësishëm, merita e saj kaloi pa u vërejtur nga shkenca deri në shumë vite më vonë. Pas kësaj, emri i saj u njoh dhe vlerësua, dhe madje një asteroid (6999) dhe 2 krate në Hënë dhe në Venus janë emëruar në kujtim të saj.
3. Ada Lovelace
Ada Lovelace, e lindur në Londër në vitin 1815 është matematikanë, shkencëtare kompjuteri, shkrimtare dhe vajza e vetme e Anna Isabella dhe poetit Lord Byron. Ndarja e prindërve të saj dhe largimi i babai, shënoi një kthesë të madhe për Adën. Ada kishte shumë aspirata shkencore dhe gjithmonë dëshmonte se ishte më e dedikuar se nëna e saj, e cila pasi la letërsinë ishte matematikanë e shkëlqyer, informon abcnews.al. Në moshën 18-vjeçare, Ada u takua me matematikanin Charles Babbage,i cili e motivoi atë t’i bashkohej ekipit të tij më të famshëm “makina analitike”. Ada që jo vetëm pati sukses në këtë, por gjithashtu krijoi atë që njihet si algoritmi i parë për një makinë. Kjo zyrtarisht e bën atë programuesen e parë kompjuterike. Në fakt gjuha aktuale e programimit Ada, krijuar nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, u emërua pas vdekjes së saj.
4. Jocelyn Bell Brnell
Jocelyn Bell Burnell ka lindur në Velfast në 1942. Ajo është arstrofizikanja që zbuloi sinjalin e parë radio të një pulsari, i cili është një yll që lëshon rrezatim shumë intensiv në intervale të shkurtra, të rregullta. Kjo gjetje e sukesshme gjithashtu kaloi pa njohje, pasi ishte mësuesi i saj Anthony Hewish që rrëmbeu çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1974, pavarësisht se ajo e bëri zbulimin. Por fakti nuk kaloi pa u vërejtur nga bota shkencore, pasi shumë kolegë të saj e dënuan dhënin e çmimit për Hewish. Sidoqoftë, ky nuk ishte një lajm i keq për të pasi ajo bëri dhe shumë zbulime të tjera, më të rëndësishme sesa një çmim Nobel. Burnell është një nga shkencëtarët më me ndikim në Mbretërinë e Bashkuar dhe, natyrisht, të astrofizikës, informon abcnews.al.
5. Marie Curie
Marie Curie ka lindur në Varshavë në vitin 1867. Ajo ka qenë një shkencëtare e njohur e vlerësuar dy herë me çmimin Nobel në Fizikë dhe Kimi. Curie ishte pionere e radioaktivitetit, duke zbuluar teknika për izolimin e izotopeve radioaktive dhe 2 elementëve kimikë: poloniumit dhe radiumit. Nga këto zbulime, jeta e Marie Curie ishte e rrethuar nga radioaktiviteti. Ajo e mbante me vete elementin kimik, duke injoruar shkallën e dëmtimit të shkaktuar nga ekspozimi ndaj tij. Punën e saj shkencore, ajo e ndau me bashkëshortin Perre Curie, dhe më vonë me një nga dy vajzat, Irene-Joliot Curie, informon abcnews.al. Shumë vite pas vdekjes së Pierre, Marie filloi një romancë me shkencëtarin Paul Langevin, që i solli asaj shumë probleme, pasi ai kishte qenë i martuar ndërsa dilte me të. Megjithatë, edhe pse pati shumë paragjykime, Curie pati mbështetjen e shumë shkencëtareve, përfshirë Albert Einstein.
6. Rita Levi-Montalcini
E lindur në Torino në vitin 1909, Rita Levi-Montalcini ishte një shkencëtare e specializuar në neurologji. Ajo mori çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi. Pavarësisht kësaj, jeta e Ritës nuk ka qenë e lehtë. Ajo ka qenë studente gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe u përball me shumë vështirësi për shkak se ishte hebre. Në Itali, kishte ligje kundër hebrenjve të imponuara nga Benito Mussolini, kështu që Rita duhej të linte universitetin dhe të zhvendoste eksperimentet që bënte në dhomën e saj të gjumit. Atje, ajo krijoi një laborator me mikroskop dhe disa enë shtëpiake të adaptuara. Por ato vite terrori patën pasojat e tyre; qyteti i Torinos u bombardua në vitin 1941, kështu që Rita u detyrua të transferohej në një shtëpi në mal bashkë me instrumentet e saj, informon abcnews.al. Edhe atje nuk gjeti paqe dhe nuk qëndroi për shumë kohë. Pas sulmit të trupave naziste, asaj iu desh të ikte më në jug. Sapo mbaroi lufta, vitet e kërkimit të Ritës në bashkëpunim me biokimistin, Stanley Cohen dhanë rezultate: ajo arriti të izolonte të ashtuquajturin “faktori nervor i rritjes”, një proteinë thelbësore për mbijetesën e neuroneve. Ky ishte zbulimi i parë i komunikimit qelizë-qelizë.
7. Margarita Salas
Margarita Salas lindi në Spanjë në vitin 1938. Ajo mori titullin Ph.D. në Kimi, në Universitetin Complutense të Madridit. Margarita ka qenë përgjegjëse për promovimin e kërkimit spanjoll në fushën e biokimisë dhe biologjisë molekulare. Puna e saj ka spikatur për kontributin në hulumtimin e leximit të informacionit gjenetik. Studimi i Maragrite përqendrohet në virusin bakterial Phi29, i cili na ka lejuar të kuptojmë më shumë sesi sillet ADN-ja, si virusi bakterial transformon proteinat dhe si ato lidhen me njëra-tjetrën për të formuar një virus funksional. Margarita ka marrë disa çmime, duke u shpallur Studiuesja Europiane e vitit 1999 nga UNESCO. Ajo u emërua Drejtore e Institutit të Spanjës (1995-2003), e cila bashkon të gjitha Akademitë Mbretërore Spanjolle. Në dhjetor 2018, Shkolla Eliseo Godoy në Zaragoza ndryshoi emrin për të pasur Margarita Salas.
8. Irene-Joliot Curie
Lindur në Paris, Irene-Joliot Curie, vajza e Marie dhe Pierre Curie, studioi fizikë dhe kimi në Universitetin e Parisit gjatë Luftës së Parë Botërore. Kur mbaroi studimet, ajo filloi të punonte si asistente për nënën e saj në Paris Radio Institute, i cili më vonë u njoh si Instituti Curie. Kërkimet e saj në fushën e fizikës bërthamore përfshinin strukturën e atomit, projeksionin e bërthamës dhe prodhimin artificial të elementeve radioaktive. Për Curie, të qenit vajza e 2 shkencëtarëve të njohur fitues të çmimeve të mëdha, ishte një nxitje për karrierën e saj. Në fakt, ajo gjithashtu fitoi çmimin Nobel në Kimi në vitin 1935. Irene-Joliot Curie vdiq nga leucemia për shkak të ekspozimit të tepër ndaj rrezatimit, informon abcnews.al.
9. Hedy Lamarr
Lindur në Vjenë në 1914, Hedy Lamarr ishte një aktore dhe shpikëse e filmit amerikan. Historia e Hedy-t është interesante sepse, pavarësisht nga fakti se pjesa më e madhe e jetës së saj i ishte kushtuar aktrimit në kinema, ajo ishte bashkëshpikëse e versionit të parë të një spektri të zgjeruar që lejonte komunikime pa tel në distanca të gjata që tani i njohim si “Wi-Fi”. Së bashku me muzikantin George Antheil, ata zhvilluan teknikën e kodimit të informacionit. Por, para se të ndodhte kjo zbulim, Hedy përjetoi një ngjarje të tmerrshme. Burri i saj, Friedrich Mandl, e mbajti atë peng në shtëpinë e saj nën kontroll të rreptë dhe e detyroi atë të largohej nga industria e filmit, informon abcnews.al. Në vitin 1937, ajo arriti të shpëtonte dhe të shkonte në Paris për të vazhduar karrierën e saj artistike. Atje ajo takoi Louis B. Mayer, president i Metro Goldwyn-Mayer, me të cilin nënshkroi një kontratë për Hollywood. Në vitin 1942, Hedy regjistroi patentën e saj të komunikimit sekret, që kërkonte të shmangte zbulimin e silurëve nga trupat aleate. Hedy argumentoi që nëse të dy transmetuesit dhe marrësi do të ishin në gjendje të hidheshin njëkohësisht nga frekuenca në frekuencë, atëherë kushdo që përpiqej ta ndërpriste atë sinjal nuk do ta dinte se ku ishte. Fatkeqësisht, Hedy nuk mori merita për shpikjen e saj./ KultPlus.com
Në shoqërinë e sotme, gratë po fitojnë gjithnjë e më shumë fuqi dhe ndikim si në jetën e tyre personale ashtu edhe në atë profesionale. Ndërsa gratë vazhdojnë të thyejnë barrierat, është e rëndësishme të njihet rëndësia e vetëbesimit në suksesin e tyre, shkruan KultPlus.
Vetëbesimi është themeli i fuqisë së një gruaje dhe i lejon asaj të besojë në veten dhe aftësitë e saj. Pa vetëbesim, gratë mund të frenohen nga dyshimet dhe frika e tyre, dhe ato mund të kenë më pak gjasa të ndjekin qëllimet dhe ëndrrat e tyre.
Një nga faktorët kryesorë që kontribuon në vetëbesimin e një gruaje është aftësia e saj për të vendosur kufij dhe për të mbrojtur veten. Kjo do të thotë të mësosh të thuash jo kur diçka nuk përputhet me vlerat ose qëllimet e saj dhe të qëndrosh në mbrojtje kur ndihet e mosrespektuar ose e keqtrajtuar.
Përveç vendosjes së kufijve, vetëbesimi përfshin edhe të qenit rehat në lëkurën tuaj dhe të pranoni veten ashtu siç është, kjo nënkupton të refuzosh presionin e shoqërisë për t’iu përshtatur standardeve të caktuara të bukurisë.
Vetëbesimi përfshin gjithashtu të qenit elastik dhe të mos lejoni pengesat ose dështimet të përcaktojnë vetëvlerësimin e dikujt. Është e rëndësishme që gratë të kuptojnë se dështimi është një pjesë e natyrshme e jetës, të mësojnë nga gabimet e tyre dhe të ecin përpara me besim.
Si përfundim, vetëbesimi është një komponent kritik i fuqisë së një gruaje dhe i lejon asaj të besojë në veten dhe aftësitë e saj.
Duke vendosur kufij, duke përqafuar cilësitë unike të dikujt dhe duke qenë elastike, gratë mund të rrisin vetëbesimin e tyre dhe të arrijnë qëllimet dhe ëndrrat e tyre. /KultPlus.com
Viti 2022 për Teatrin Kombëtar të Kosovës ishte vërtet i lëkundshëm në shumë aspekte. Fillimisht, si pasojë e pandemisë globale COVID-19, ka pasur edhe mungesë produksionesh për një kohë të gjatë, e më pas duke ardhur me lajmin se do t’i nënshtrohet procesit të rinovimit dhe puna do të kryhet në një mjedis tjetër, siç është ai i Amfiteatrit të Ri të TKK-së, shkruan KultPlus.
Me gjithë problemet, TKK shpërtheu për të na dhënë tre shfaqje mahnitëse dhe për të mbyllur kështu vitin e suksesshëm me salla plot.
Përmes një postimi në “Facebook”, Teatri Kombëtar i Kosovës ka listuar të arriturat e këtij viti.
Postimi i plotë:
“Teatri Kombëtar i Kosovës përgjatë vitit 2022
Viti që po lëm pas ishte mjaft i veshtirë për teatrin në gjithë botën ndikuar nga pandemia globale Covid 19 si dhe mungesa e prodhimeve për një kohë të gjatë.
Sidoqoftë, TKK përkunder veshtirësive vitin 2022 po arrijmë ta përmbyllim me sukses, gjithmone duke na motivuar për punë dhe suksese edhe më të medha.
Viti 2022 shënon edhe këto të arritura:
– TKK është bërë pjesë e familjes së madhe të European Theatre Convention duke hapë dyert tona për bashkëpunim dhe prezentim ndërkombëtar! Viti 2023 do të shenojë edhe realizimin e një bashkëprodhimi të madh evropian i cili do të ketë premierën në muajin Tetor!
– Prezentuam TKK-në në konferenca ndërkombëtare teatrore e në Festivalin e Avignionit duke krijuar ura të reja bashkëpunimi!
– Këtë vit u morr vendimi për renovimin e tërsishëm të objektit te TKK-së.
– Këtë vit nisëm një kapitull të ri të bashkëpunimit teatror kombëtar me marrëveshjen e përbashkët me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrin Shqiptar në Shkup duke bërë realitet ëndrrën e kahmotshme: Festivalin e Teatrit Shqiptar – MOISIU. Festivali përfundoi edicionin e parë sivjet në nëntor.
– TKK adaptoi hapësirën e Amfiteatrit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë e shëndrruar në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës! Ndër të tjera, përpos që e krijuam një shtëpi të re për ne, e krijuam edhe një hapësirë teatrore që do të jetoj gjithmonë në Kryeqytet!
– Nga 28 nëntor deri me 21 Dhjetor prezentuam 3 premiera: CLUB ALBANIA (bazuar në Pas Vdekjes) në regji të Fatos Berisha, MOLLY në regji të Sibel Abdiu dhe GRATË ose mëkatet e tyre në patriarkat në regji të Nastazija Domaradzka!
– Reprizat e shfaqjeve tona ishin gjithmonë SOLD OUT
– Nisëm një kapitull të ri të bashkëpunimit në mes të teatrove publike në Kosovë me fillimin e bashkëprodhimit të shfaqjes FAUSTI në regji të Fadil Hysaj bashkë me Teatrin e Qytetit Gjilan dhe Teatrin e Qytetit Prizren!
– Me produksionet tona morrem Çmime në festivale te ndryshme në Rajon e Kosovë si dhe prezentuam produksionet tona nëpër Kosovë, Rajon e Evropë!
E gjithë kjo punë do të ishte e pamundur pa punën e palodhshme të stafit të TKK-së dhe pa profesionalizmin e Aktorëve të Trupes Rezidente të TKK-së dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë!
Meritë të veçante pa dyshim ka edhe mbështetja e MKRS-së dhe institucioneve tjera me të cilat kemi bashkëpunuar.
Falenderim i veçantë nga TKK i behet publikut tonë besnik.
Mirupafshim në vitin 2023 për të cilin jemi të motivuar të tejkalojmë sukseset e këtij viti!”, thuhet në postimin e tyre.
Shfaqja e fundit që u shfaq në Amfiteatrin e Ri ishte shfaqja “Club Albania”. /KultPlus.com
Shfaqja “Gratë” – ose ‘mëkatet e tyre në patriarkat’, vjen premierë nesër në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.
Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, punuar e gjitha nga artiste të jashtëzakonshme të teatrit. Një shfaqje autoriale në bashkëpunim me ansamblin.
Shfaqja vjen nën regjinë e Nastazja Domaradzka. Luajnë: Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili, Xhejlane Godanci. Ndërsa, dramaturgjia vjen nga Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi, Ulpiana Maloku me konsulente dramaturgjike nga Doruntina Basha.
Skenografe është Rudina Xhaferi, kostumografia vjen nga Yllka Brada, mjeshtre ndriçimi është Lucia Sanchez Roldan, kompozitore është Rona Berisha Castrioti, koreografe është Behije Murtezi, asistente regjie është Xheraldina Krasniqi dhe asistente dramaturgjike është Zoga Çeta Çitaku.
Reprizat e para të shfaqjes “Gratë” vinë më 22 dhe 23 Dhjetor 2022. / KultPlus.com
Shfaqja “Gratë” – ose ‘mëkatet e tyre në patriarkat’, vjen premierë më 21 dhjetor 2022 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.
Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, punuar e gjitha nga artiste të jashtëzakonshme të teatrit. Një shfaqje autoriale në bashkëpunim me ansamblin.
Shfaqja vjen nën regjinë e Nastazja Domaradzka. Luajnë: Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili, Xhejlane Godanci. Ndërsa, dramaturgjia vjen nga Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi, Ulpiana Maloku me konsulente dramaturgjike nga Doruntina Basha.
Skenografe është Rudina Xhaferi, kostumografia vjen nga Yllka Brada, mjeshtre ndriçimi është Lucia Sanchez Roldan, kompozitore është Rona Berisha Castrioti, koreografe është Behije Murtezi, asistente regjie është Xheraldina Krasniqi dhe asistente dramaturgjike është Zoga Çeta Çitaku.
Reprizat e para të shfaqjes “Gratë” vinë më 22 dhe 23 Dhjetor 2022. / KultPlus.com