Presidentja Osmani: Zonja Fahrie Hoti dhe kooperativa “Krusha” janë sinonim i ngadhnjimit dhe suksesit

Gratë e Krushës pas luftes përkundër paragjykimeve morën iniciativën që të merren me ndërmarrësi duke ngritur kështu kooperativën “Krusha” të cilës EULEX-I i dorëzoj dje një donacion, shkruan KultPlus.

E gjatë këtij dorëzimi prezente ishte edhe e para e shtetit, Vjosa Sadriu ë cila është shprehur se zonja Fahrie Hoti dhe kooperativa “Krusha” janë sinonim i ngadhnjimit dhe suksesit.

“Dje bashkë me shefin e EULEX-it, ambasadorin Wigemark ishim në Krushë me ç’rast EULEX-i dhuroi një donacion për kooperativën Krusha dhe ne u zotuam për të vijuar mbështetjen. Çdo mbështetje për punën e këtyre grave të jashtëzakonshme është po ashtu mbështetje e një storie suksesi, e cila shërben si burim inspirimi për shumë gra e vajza të tjera”, shkruan Osmani e cila tutje shkruan se zonja Fahrie dhe gratë e kooperativës “Krusha” janë konfirmimi më i mirë se kur ka vizion të qartë, angazhim dhe punë konsistente, suksesi është gjithnjë i sigurt.

“Mbështetja për to do të jetë e vazhdueshme, sepse suksesi i grave të Krushës është sukses i Kosovës!”, përfundon presidentja Osmani. / KultPlus.com

Kooperativa “Gratë e Krushës” ofron mbi 30 lloje të produkteve

Prodhimet e Kooperativës Bujqësore “Gratë e Krushës”, janë bërë të njohura, jo vetëm në Kosovë por edhe në tregun e jashtëm. Kjo kooperativë ofron mbi 30 lloje të produkteve, kryesisht nga speci dhe domatja. Mirëpo për shkak të reshjeve te dendura të breshërit rendimentet këtë vit ishin tejet të ulëta, ndërsa çmimet e larta. Zyrtarët e kooperativës thonë se për të përmbushur kërkesat e tregut, është dashur të importojnë perime edhe nga Maqedonia e Shqipëria.

Planifikimi i Kooperativës Bujqësore “Gratë e Krushës” për vitin 2018 është që të grumbullojë 600 tonë nga produkti bazë, megjithëse kërkesat për produktet e kësaj kooperative janë edhe më të mëdha.

Megjithatë, kjo kooperativë edhe për këtë vit nuk mund të pranojë më shumë kërkesa, pasi që nuk ka kapacitet më të madh për prodhim.

Drejtoresha e Kooperativës, Fahrije Hoti, tha për Radio Kosovën se sa i përket tregut, ka aq shumë kërkesa saqë nuk mund t’i plotësojnë të gjitha. Sipas Hotit, këtë vit perimet janë dëmtuar nga breshëri dhe se çmimi i tyre është ngritur shumë.

“Qe 19 vite që ka përfunduar lufta, ky ka qenë viti më i vështirë për fermerë dhe për përpunues. Kurrë nuk e kemi paramenduar që do të vijë një kohë që 1 euro të kushtojë 1 kg. spec, ose 1 euro 1 kilogram domate, që ka qenë 0.15 deri në 0.30 centë. Këtë vit ka shkuar 1 euro deri në 1.20 cent.”

Për këtë arsye, Hoti tha se këtë vit është dashur që të importojnë perime edhe nga Maqedonia dhe Shqipëria.

Sipas saj, kërkesa për produktet e kooperativës vetëm sa është rritur.

“Krejt bizneset në Kosovë ankohen për treg, kooperativa ankohet se nuk ka prodhim, a treg ka sa duash. Kemi pas një fluks të madh të qytetarëve të Kosovës këtë vit, a ka qenë arsye çmimi, a ka qenë cilësia, a ka qenë arsye që nuk po donë njerëzit më të punojnë vetë, për 10 kavanoza ajvar, e kemi pas një fluks prej datës 5 gushtit deri më sot që ka pasur mbi 10 konsumatorë ditorë.”

Kjo kooperativë eksportin më të madh të prodhimeve të veta e bënë në markete të mëdha në Kosovë si dhe Zvicër e Gjermani.

“Të mblidhen në numër janë 200 markete që kooperativa i furnizon brenda Kosovës. Jashtë Kosovës e kemi tregun bazë Zvicrën, ku kontrata jonë është që t’i kemi 10 mauna, një maunë i ka 33 palete, një paletë i ka 672 kavanoza.”

Kooperativa tash e dy vite ka filluar edhe me një risi ku i merr specat, i qëron dhe i përgatit për konsum familjar, për të cilin, sipas Hotit, ka pas shumë interesim nga konsumatorët.

Edhe kryetari i Krushës së Madhe, Selami Hoti, tha se dëmet në bujqësi këtë vit kanë qenë shumë të mëdha, derisa shtoi se ende nuk është bërë asnjë kompensim për to.

‘Edhe përkundër asaj që është premtuar se do të bëhet një dëmshpërblim, në të kundërtën ende është duke vazhduar ai vlerësimi i tyre, për çudi, edhe pse sezoni ka përfunduar.”

Komuna e Rahovecit, ku bënë pjesë edhe Krusha, është ndër komunat ku më së shumti kultivohen perimet në Kosovë.