Filmi “Gratë e lirisë” shfaqet më 16 shkurt në Kino Armata

“Gratë e lirisë”, film dokumentar me regji nga Lum Çitaku i cili është prodhuar në vitin 2018. është një dëshmi dhe kronologji e luftës, rezistencës dhe sakrificës së madhe të grave të Kosovës si pjesë kruciale e lëvizjes së shqiptarëve për liri e pavarësi, përcjellë KultPlus.

Filmi fiton në peshë me rrëfimet e protagonisteve të shumta të lëvizjes politike të grave, veçmas për aktivitetet dhe organizimin e protestave në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë.

Në film janë përfshirë fragmente nga momentet më kritike të aktivitetit të grave që kulmuan me protesta të mëdha në vitet e luftës së armatosur në Kosovë më 1997- 1998, me fokus në protestën më masive të grave – Marshin për Drenicë me moton “Bukë për gratë dhe fëmijët e Drenicës”.

Për nderë të 15-të vjetorit të pavarësisë së Kosovës, filmi do të shfaqet në Kino Armata, më datë 16 shkurt, në ora 15:00. / KultPlus.com