Duke ju referuar filmit “Three Billboards Outside of Ebbing, Missouri”, i cili ka fituar dy çmime Oscar këtë vit, vajzat e grupit Haveit, kanë krijuar tri billborde të ngjashme me filmin në Prishtinë, duke bërë një pyetje të vetme e cila në qendër të saj ka dhunën ndaj grave, shkruan KultPlus.
“Edhe sa thirrje të humbura?”, “Diana Kastrati” dhe “Zejnepe Bytyqi”, është shkruar në billbordet të cilat janë vendosur në rrugën Luan Haradinaj, ku gjendet edhe stacioni i Policisë së Kosovës . Billbordet e krijuara nga Haveit i referohen dhunës ndaj grave dhe vrasjen e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqi, të cilat ishin vrarë nga bashkëshortët e tyre.
Raste këto të cilat kanë ardhur si rezultat i dështimi të sistemit të drejtësisë në Kosovës, i cili nuk ka reaguar më kohë për të shpëtuar viktimat, Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi, të cilat edhe kishin raportuar burrat e tyre në polici për dhunë fizike.
“Një shenjë në prag të derës për me u zgju me kujtimin e tyre e mos me mujt me flejt derisa të zdrit drejtësia”, është shënimi i grupit në faqen e tyre në Facebook.
HAVEIT (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një grup prej katër grave të cilat tentojnë të shkojnë përtej kënaqësive të përditshme, rregullave morale dhe refuzojnë të bien dakord me çështjet që po servohen.
Ato nuk bëjnë asgjë përpos se tregojnë historinë e tyre dhe të juajën! Grupi është themeluar në 2011, në Prishtinë./ KultPlus.com