Vendi më i dhunshëm ndaj grave në botë

Gratë në Afganistan janë ato që jetojnë nën regjimin më represiv në botë ndaj tyre, atë të talebanëve. Në një deklaratë të publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Misioni i OKB në këtë vend i kërkoi Afganistanit të heqë kufizimet e ashpra që kanë vendosur ndaj popullsisë femërore që prej riardhjes në pushtet.

“Afganistani nën pushtetin e talibanëve, mbetet vendi më represiv në botë në lidhje me të drejtat e grave. Veprimet e grupit për të shtypur të drejtat e grave kanë qenë metodike, të qëllimshme dhe sistematike. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kombet e Bashkuara në Afganistan po përsërisin thirrjen e tyre ndaj autoriteteve de facto të vendit për të larguar kufizimet e ashpra mbi të drejtat themelore të grave dhe vajzave”, tha Roza Otunbayeva, përfaqësuese e OKB në Afganistan.

Pas tërheqjes së trupave amerikane dhe të NATO-s në gusht të vitit 2021, kur grupi radikal islamik mori në duar frerët e shtetit të shkatërruar nga lufta, fillimisht premtoi se do të mbështeste të drejtat e minoriteteve dhe të grave. Megjithatë, talebanët ju rikthyen shpejt linjës së ashpër, duke shtypur më tej të drejtat egrave, duke kufizuar liritë, madje edhe përmes ndalimit të arsimimit pas klasës së 6. Gratë janë shumë të kufizuara kur bëhet fjalë për të udhëtuar dhe punuar jashtë shtëpisë. Ato janë të detyruara të mbulohen me shami në publik, si dhe u ndalohet të punojnë për OJQ-të vendase dhe ndërkombëtare.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila publikoi raportin e saj më 7 mars, shkalla e punësimit për gratë afgane ka rënë me 25 për qind që kur talebanët rimorën pushtetin. Rreth 20 gra organizuan një demostratë të pazakontë në Kabul duke u kërkuar ndërkombëtarëve të garantojnë mbrojtjen e Afganëve./A2 news /KultPlus.com

Gratë në Afganistan do të ndalohen të shikojnë Kupën e Botës në publik

Gratë dhe vajzat në Afganistan nuk do të jenë në gjendje të shikojnë Kupën e Botës në publik për shkak të kufizimit të tyre nga talebanët.

Kështu ka deklaruar udhëheqësi i opozitës, i cili ka vizituar Britaninë e Madhe.

Ali Maisam Nazary, kreu i Marrëdhënieve me Jashtë për Frontin e Rezistencës Kombëtare (NRF), mbërriti dje në Londër me një paralajmërim se sundimtarët e vendit po “bëhen më të radikalizuar nga dita në ditë”.

Nazary tha se Katari, i cili është në qendër të vëmendjes së botës përpara ndeshjes së parë në turneun e FIFA -s të dielën, duhet të mbyllë zyrën ndërlidhëse të talebanëve në Doha.

“Ky është një grup shtypës, terrorist që ka frenuar të gjithë popullsinë, dhe veçanërisht gratë,” tha Nazary.

“Ata nuk i gëzojnë më të drejtat e tyre si qenie njerëzore dhe qytetarë të atij vendi. Një ndryshim nga viti i kaluar është se sporti ka humbur mbështetjen e qeverisë me grupin terrorist aktual që kontrollon vendin.”

“Shumë nga stadiumet nuk funksionojnë dhe gratë nuk do të jenë në gjendje të shikojnë Kupën e Botës në hapësira publike siç bënin më parë.”

“Vetëm disa ditë më parë, talebanët njoftuan se gratë nuk lejohen të vizitojnë restorante, kafene, ndonjë vend publik të këtij lloji,” tha Nazary.

“Nuk lejohen më të vizitojnë parqet, të përdorin banjat publike, kanë paralajmëruar masa të ashpra, ka ndodhur që nga viti i kaluar dhe së fundmi është bërë shumë më e rëndë”.

OKB-ja dha vlerësimin e saj të zymtë të diskriminimit gjinor nën sundimin e talebanëve pasi Perëndimi u tërhoq në gusht të 2021.

Një raport zbuloi se “gratë afgane tani janë kryesisht të kufizuara për të punuar jashtë shtëpisë, ato duhet të mbulojnë fytyrat e tyre në publik dhe duhet të shoqërohen nga një shoqërues mashkull kur udhëtojnë”.

Në tetor 2022, një raport i Dhomës së Komunave zbuloi se shumica e shkollave të mesme mbetën të mbyllura për vajzat pasi militantët morën pushtetin.

Ekstremizmi është një tjetër shqetësim që është theksuar nga NRF, e cila pretendon se janë 21 grupe terroriste aktive në vend./Abcnews.al/ KultPlus.com