Së shpejti, premiera ‘Gratë në Parlament’ me regji të Elmaze Nurës

Deri në fund të marsit, në Teatrin e Ferizajit do të shfaqet premiera “Gratë në parlament”, me regji dhe adaptim të regjisores Elmaze Nura.

Provat e shfaqjes kanë hyrë në fazën finale, Shfaqja trajton temën aq të komentuar edhe sot-pushtetin. Me një qasje moderne, komedia e autorit klasik grek Aristofanit, e përshtatur për ditët e sotme, bëhet shumë aktuale.

Gratë, duke e parë se ku po e çon vendin keqqeverisja e burrave, vendosin ta marrin pushtetin. Ngjarjet zhvillohen vrullshëm e rrjedha e tyre nuk parashikohet lehtë.

Skenë pas skenë, situatë pas situate, “Gratë në parlament”, do të sjellë befasi dhe vlera të reja për teatrin jo vetëm në Ferizaj, është shprehur regjisorja Nura.

Mevlan Saraci, Vosa Abazi, Blin Sylejmani, Valdrin Osmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Valdrin Osmani dhe Doruntina Xhemajli luajnë në këtë projekt teatror, që pritet të tërheqë publikun me tematikën interesante, humorin, satiren dhe me konceptin regjisorial artistik dhe inovativ.

Kompozitor është Gëzim Hasani, tekstet e këngëve janë shkruar nga Blerim Haxhiaj, skenografia është bërë nga Bekim Korça, kostumografia nga Eleonora Gagica, ndërsa koreografia nga Kreshnik Musolli.

Projekti i realizuar është mbështetur nga Komuna e Ferizajit, Drejtoria për Kulturë si dhe Teatri “Adriana Avdullahu”.

Kjo është hera e dytë që regjisorja Elmaze Nura bën shfaqje në Teatri e Ferizajit. Me shfaqjen, ‘Kopraci”, produksion i po këtij teatri, ajo përfaqësoi Kosovën në një ndër Festivalet më të mëdha në botë në Kajro të Egjiptit –Cifcet, ndërsa u shpërblye në Festivalin e Dibrës në Maqedoni me çmimin për Regjinë më të mirë.

Në vitin 2020, Nura u shpall regjisorja më e mirë e vitit, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për regjinë në shfaqjen “Kopraci”./ KultPlus.com