Kimistja polake që s’mund të frekuentonte universitetin, fizikantja hebree që urrehej nga nazistët, matematikania gjermane që askush nuk e donte, kristalografja angleze që ia vodhën zbulimin, ylli i Hollivudit që ishte inxhiniere ushtarake dhe teoricienia serbe që eklipsua nga i shoqi. Këto janë gjashtë gratë e shkencës që i hapën rrugë shumë të tjerave me vullnetin, zotësinë, talentin dhe kokëfortësinë e tyre.
Mari Kyri
Mbetet shkencëtarja më e njohur e 1900. Studioi në Sorbonë për fizikë e matematikë dhe ishte femra e parë që mori një katedër në këtë universitet. Futi konceptet si radioaktivitet, zbuloi poloniumin, emrin e të cilit e vuri në nder të atdheut të saj. Nuk i patentoi asnjëherë zbulimet, fitoi dy çmime Nobel një në fizikë dhe tjetrin në kimi. Vdiq nga anemia aplazike në 1934. Vajza e saj e madhe Irene fitoi edhe ajo një çmim Nobel në kimi në vitin 1935, vajza e dytë Eve ishte këshilltare e Sekretarit të Kombeve të Bashkuara. Mari përsëriste vazhdimisht një frazë: “Fizika është një gjë e bukur.”
Emmy Noether
Ishte matematikania më e rëndësishme e historisë, e urryer nga Hitleri, por mjaft e dashur nga Ajnshtajni. Lindi në Erlangen në Gjermani në vitin 1882, sot mund të thuhej se ishte e prekur nga sindroma e Aspergerit: vishej gjithnjë në të njëjtën mënyrë, nuk i kushtonte rëndësi pamjes, nuk i interesonte kontakti me të tjerët. Pëlqehej shumë nga studentët dhe asaj i atribuohet teorema e Noetherit. Albert Ajshtajni do të shkruante kështu pas vdekjes së saj: “Një e vetme, më në fund, është personi për të cilin ushqej një vlerësim të jashtëzakonshëm, bëhet fjalë për një matematikane të shkëlqyer…ishte një kokë e bukur dhe ka vdekur. Emmy ishte gjeniu më i madh matematikan me një edukim superior që iu dha edhe grave.” Ata që e qortonin se ishte një person obsesiv dhe mjaft i zakonshëm ajo u përgjigjej: “Një njeri gjykohet nga mendimet dhe jo nga thërrimet që lë mbi tavolinë.”
Rosalind Franklin
Lindi në Londër në 1920 është shkencëtarja që bëri të mundur zbulimin e ADN-së. Emri i saj lidhet me imazhet e defraksionit me rreze X të ADN. Dyshohet se të dhënat e saj u përdorën nga Watson dhe Crick për të përfunduar strukturën molekulare të ADN-së. Watson vite më vonë do të pranonte se kishte parë si vizion defraksiogramën e Rosalindës që tregonte strukturën helike të ADN-së. Ajo ia kishte treguar Maurice Wilkins, një koleg nga e njëjta shkollë. Nuk mbajti mëri për këto ngjarje. Vdiq në vitin 1958 nga një tumor në vezore, 4 vite para çmimit Nobel të Watson, Crick dhe Wilkins. Të atit i shprehej kështu: “Shkenca është jeta e të gjitha ditëve, nuk munden dhe nuk duhet të ndahen.”
Lise Meitner
Lindi në vitin 1878 në Vienë. Në vitin 1912 emërohet asistente e Maks Plankut, pastaj drejtoreshë në departamentin e fizikës në Berlin në 1918. Ishte gruaja e parë që mori një katedër në Gjermani. Bashkë me Otto Hahn shpjegoi zbrazjen atomike. Iu kushtua radioaktivitetit. Studimet e saj çuan në fuzionin bërthamor, për të cilën Hahn mori në vitin 1945 Nobelin. Ndërkohë që Hahn fitoi Nobelin, Lise fitoi anën e errët të zbulimit, u njoh si nëna e bombës atomike. Ishte promotorja e agjensisë ndërkombëtare për energjinë atomike në Kombet e Bashkuara që promovon përdorimin e paqtë nuklear dhe jo përdorimin ushtarak. Në epitafin e saj shkruhet: “Lise Meitner, një fizikante që nuk humbi kurrë humanizmin.”
Hedi Lamarr
Lindi në 1914 në Vienë dhe mori pjesë në filmin Ekstazë, me skena nudoje, e para skenë në historinë e kinemasë. Shkoi në Hollivud, pati 6 burra dhe disa të dashur. Megjithatë ajo njihet si inxhinierja nga Viena dhe është shpikësja e sistemit sekret të komunikimit, një sistem kriptimi i komunikimeve radio që sot përdoret për telefoninë celulare. Kur e pyetën se cila ishte gjëja që i pëlqentë më shumë u përgjigj: “Ta mbaj kokën të impenjuar me formula fizike ndërkohë që flas me meshkujt.”
Mileva Maric
Lindi në 1875 në Serbi, por viti më i rëndësishëm do të vinte kur në 1896 njohu Albert Ajnshtajnin dhe u martua me të e lindi tre fëmijë. Iu kushtua plotësisht të shoqit dhe kur fama e këtij të fundit arriti majat e larguan nga ajo për t’u martuar më pas me kushërirën e dytë, Elsa Einstein Löëenthal. Nga studimet e fundit dyshohet se Mileva, një mendje brilante në Politeknikun e Zyrihut mund të ketë patur ndikimin e saj në zbulimet e Ajnshtajnit. Hipotezë që mbështetet nga fakti se kur Ajnshtajni fitoi Nobelin në vitin 1921 ia dha të gjithë shumën e çmimit Milevës nga e cila ishte divorcuar. Mendohet se kjo shumë është një lloj kompensimi intelektual për punën e Milevës. Einstein- një gur. Kështu do ta përkufizonte çiftin e formuar nga ajo dhe Ajnshtajni, Mileva. / KultPlus.com