Ambasadori amerikan dhe Arta Dobroshi kërcejnë për paqe

Aktorja kosovare Arta Dobroshi po vazhdon të kërcejë, me gëzim e për të festuar.

Aktorja e njohur po e vazhdon kampanjën e saj për të kërcyer në ajër, bashkë me personalitete të shumta që i bashkohen asaj në këtë mënyrë festimi.

Dobroshi kësaj radhe është bashkuar me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, për të kërcyer për paqe në botë.

Dobroshi ka treguar në paraqitjen e fundit të saj para publikut në Prishtinë se kampanja e tillë synon të tregojë rëndësinë e planetit dhe se sa me fat jemi që jetojmë në planet, në këtë vend të madh që quhet botë.

Dobroshi mbete ndër aktoret më të njohura shqiptare ndërsa e kujtojmë parakalimin e saj në Festivalin e Filmit në Kanë para disa vitesh.

Pikërisht nga kjo Ambasadë, Dobroshi është përkrahur për një udhëtim në Amerikë. / KultPlus.com

Ministri Gashi u takua me ambasadorin amerikan Greg Delawie

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot, në një takim njohës, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë dhe Ambasadës së SHBA-së në vendin tonë.

Ministri Gashi dhe ambasadori Delawie vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, e në veçanti të MKRS-së me Ambasadën Amerikane në dikasteret që ka në përgjegjësi ministria.

Ministri e falënderoi ambasadorin amerikan për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyer që Qeveria amerikane ka dhënë në shtet ndërtimin e Kosovës dhe po jep për forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Po kështu, ministri Kujtim Gashi e njoftoi ambasadorin Delawie për politikat dhe planet që po i ndjek MKRS-ja për zhvillimin e kulturës në vend dhe promovimin e diversitetit kulturor.

Ambasadori Delawie premtoi vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që janë me interes të MKRS-së.

Po ashtu, ambasadori Delawie theksoi se qeveria e vendit të tij, përmes Ambasadës në Prishtinë, do të jetë përkrah ministrisë duke mbështetur aktivitete të ndryshme rinore e kulturore, të cilat e promovojnë diversitetin dhe respektin e ndërsjellë në Kosovë, si dhe aktivitetet e dizajnuara që të kundërshtojnë ekstremizmin e dhunshëm.
Ministri e ambasadori u pajtuan për thellim të bashkëpunimit dhe angazhimit në realizimin e projekteve konkrete në kulturë, trashëgimi, e me theks të veçantë në avancimin dhe integrimin e rinisë në jetën institucionale e shtetërore të Kosovës./ KultPlus.com