Shoqata Sinidikale e Artistëve të TKK-së paralajmëron përshkallëzim të grevës

Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, nga sot ka filluar vonesën e provave prej dhjetë minutave, dhe ky hap është paralajmërim i përshkallëzimit të grevës, deri në realizimin e kërkesave të aktorëve të këtij institucioni, sipas të cilëve është përmirësimi i koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

KultPlus më poshtë ju sjell të plotë njoftimin e Sindikatës.

Bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovss (për lirinë dhe organizimin sindikal), Nenit 89 të ligjit të punës, nenit 27 të ligjit për organizim sindikal, ligjit për greva nr.03/L-200;  Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, në takimin e radhës të mbajtur më 04.09.2024, ka analizuar të gjitha proceset e deritashme që lidhen me përmirësimin e koeficientëve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve të TKK-së, dhe ka marrë vendim që përmes kësaj letre t’ua ua rikujtoj mospërfilljen dhe mospërmbushjen e obligimeve nga ana e MKRS për hartimin dhe miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm të pozitave në TKK, as pas 18 muajve.

Vendimi për ndërmarrjen e masave sindikale nga anëtarët e shoqatës vije pas mospërfilljes 18 mujore të kërkesave tona dhe mosrealizimit të premtimeve nga ana e MKRS-së, duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona, andaj ju njoftojmë me vendimin e marrë:

Njoftim

Ju njoftojmë se Shoqata Sindikale e Artistëve te Teatrit Kombëtar te Kosovës në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet përkatëse, ka marrë vendim që sot, me datë 16.09.2024, të filloj zyrtarisht zbatimin e hapave sindikal me: Fillimi i provave me 10 minuta vonesë.

Ky hap është vetëm fillimi i hapave që do të ndërmarrim ashtu siq kemi paralajmëruar në letrën e dërguar ministrit të kulturës të datës 09.09.2024. Hapat sindikal do të përshkallëzohen javë pas jave deri në realizimin e kërkesës tonë:  Permiresimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kërkesën tonë e bazojmë në përgatitjen profesionale të trupës sonë; shkallën e përgjegjësisë; specifikat e vendit të punës; volumin e madh të punës; punës pa orar e cila arrinë edhe deri në 16 orë punë në ditë;  punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të  punës;  kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrit të reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrit të shikuesve që është trefishuar duke qene institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend.

Përvec këtyre, sot aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabart edhe me punëtorët teknik teatrove të qyteteve.

Aktorët e TKK- së janë e vetmja kategori jo që nuk ka përfituar, por janë diskriminuar me Ligjin për paga dhe kanë të ardhurat më të vogla në rajon. Nëse e marrim vetëm Shqipërinë, aktorët e të cilit shtet na kishin lakmi dje, sot të njejtin në Teatrin Kombëtar të Tiranës gëzojnë dyfishin duke arritur pagë deri në 1500 euro. Pagë kjo në nivel universitar ashtu sic e kanë edhe Teatrot Kombëtare në vendet tjera të e rajonit dhe njashtu sic kemi kërkuar edhe ne që prej themelimit.

SHSATKK, është e bindur se kërkesat e parashtruara janë plotësisht ligjore dhe legjitime, lehtë të korigjueshme sikur të ketë vullnet nga ana e MKRS-së.

Në të ardhmen, SHSATKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së, duke luajtur rol aktiv në përmirësimin e kushteve për performuesit e artit deri në hartimin e Ligjit të veçantë për performuesit e artit në Republikën e Kosovës.

Me respekt,

Sheqerije Bucaj,

Ksryetare e SHSATKK,

Prishtinë, 16.09.2024/ KultPlus.com

Skenaristët e Hollivudit i japin fund grevës

Shoqata e Skenaristëve të Amerikës (WGA) tha në një deklaratë se drejtuesit e sindikatave votuan unanimisht për të hequr urdhrin e kufizimit dhe për t’i dhënë fund grevës, sipas BBC.

Rreth 11 500 anëtarë do të votojnë nëse do të miratojnë një marrëveshje trevjeçare që ofron rritje pagash dhe mbrojtje rreth përdorimit të inteligjencës artificiale.

Një mosmarrëveshje e veçantë përfshin aktorë, të cilët janë gjithashtu në grevë.

Largimi i skenaristëve filloi më 2 maj, të cilit anëtarët e Skuadrës së Aktorëve të Ekranit (SAG) iu bashkuan më 13 korrik, duke e bërë atë grevën më të gjatë që ka prekur Hollivudin në dekada. Ata protestuan kundër pagave dhe përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) në industri.

“Greva i ka kushtuar ekonomisë amerikane rreth 5 miliardë dollarë (4,08 miliardë paund), sipas një vlerësimi të ekonomistit të “Institutit Milken”, Kevin Klowden.

Mosmarrëveshja ka mbyllur shumë nga shfaqjet kryesore të Amerikës, duke përfshirë “Billions”, “The Handmaid’s Tale”, “Hacks”, “Severance”, “Yellowjackets”, “The Last of Us”, “Stranger Things”, “Abbott Elementary” dhe disa talk show gjatë ditës dhe natës.

Disa prej tyre tani mund të kthehen në transmetim me Bill Maher, drejtuesin e “Real Time” të HBO-së, duke postuar në rrjetet sociale se do të rikthehej me episode të reja duke filluar nga e premtja.

Në fillim të kësaj jave, skenaristët thanë se kishin arritur një marrëveshje paraprake me drejtuesit e studiove, megjithëse nuk u dhanë detaje.

Megjithatë, përfundimi i grevës së WGA nuk e kthen Hollywood-in në normalitet pasi sindikata e aktorëve që u largua nga puna në korrik mbetet në grevë.

Ashtu si shkrimtarët, aktorët kërkojnë të përmirësojnë pagat, kushtet e punës dhe përfitimet shëndetësore dhe të pensionit.

Zbulimi i WGA mund të veprojë si një model për SAG-AFTRA për të hartuar marrëveshjen e vet me studiot e Hollivudit./ atsh / KultPlus.com

MASHT-i dhe DKA kërkojnë të respektohet kalendari shkollor i ndryshuar

MAShTI dhe DKA-të diskutuan për mbarëvajtjen e procesit mësimor pas fillimit të vitit shkollor.

Në mbledhjen e mbajtur sot me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, zyrtarë të lartë të MAShTI-t kanë kërkuar mobilizim të të gjithë akterëve, në mënyrë që të zbuten pasojat në procesin mësimor për shkak të fillimit të vitit shkollor me vonesë për shkak të grevës.

“Në këtë drejtim, është kërkuar edhe respektimi i Kalendarit shkollor për vitin 2022-2023, i plotësuar dhe ndryshuar nga MAShTI. Në takim është diskutuar edhe çështja e furnizimit me rrymë dhe ajo e ngrohjes në shkolla gjatë secilit dimëror”, thuhet në postimin e MASHTI-t.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka theksuar se është i nevojshëm një bashkëpunim i shtuar mes nivelit qendror dhe atij lokal, për kalimin e vështirësive sa i përket situatës me ngrohjen në shkolla në kohën kur po kërkohet kursimi i energjisë, derisa janë rritur edhe çmimet e lëndëve djegëse.

Me këtë rast, zv.ministri, inkurajoi DKA-të dhe drejtorët e shkollave që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë me komentet e tyre në Udhëzimin Administrativ për organizimin dhe menaxhimin e shkollave, i cili është në diskutim publik.

Në këtë takim, u diskutua edhe për adresimin e dhunës në shkolla, me ç’rast u kërkua një mobilizim i përgjithshëm për edukim cilësor dhe identifikim në kohë të problemeve, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj i dhunës dhe në këtë mënyrë të kemi mirëqenie të fëmijëve dhe mbarëvajtje të procesit mësimor. /KultPlus.com

KMDLNJ i bën thirrje SBASHK-ut që të ndërpresë grevën në arsim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka kërkuar nga SBASHK-u që të ndalet greva bë arsim, pasi mban përgjegjësi për shkeljen e qenieve njerëzore – nxënësve, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një reagimi për media, KMLDNJ, thuhet se SBASHK-u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete

Kështu thuhet përmes një reagimi për media nga KMLDNJ, ku ndër të tjera potencohet se ata kanë monitoruar protestat e organizuara në disa shkolla dhe se kërkesat e tyre i konsiderojnë të drejta dhe të arsyeshme.

“KMDLNJ gjithnjë ka reaguar kundër linçimit publik të orkestruar ndaj SBASHK-ut dhe kryetarit, Rrahman Jasharaj si reagim nga pozita e të fortit e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Nëse Qeveria e Kosovës ka qëndrim linçues ndaj SBASHK-ut, e kjo është e pakundërshtueshme, edhe SBASHK-u mbanë përgjegjësi faktike dhe konkrete për shkelje të drejtave të njeriut të nxënësve andaj duhet të ndërpres me shkelje të këtyre të drejtave. KMDLNj ka monitoruar protestat e organizuara në entet parashkollore dhe në disa shkolla dhe kërkesat e tyre i konsideron si të drejta dhe të arsyeshme hiç këtu angazhimet për grevë-thyerje nga pozitat ekskluzivisht partiake”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit, KMDLNj tërheq vëmendjen edhe për grevën në Komunën e Prishtinës që u shkakton shumë dëme qytetarëve të Prishtinës, që nga foshnjat që duhet të regjistrohen, deri te shumë biznese dhe qytetarë të cilët janë të privuar nga ofrimi i shërbimeve që aktualisht janë të pjesshme.

“KMDLNj pret dhe shpreson se greva e SBASHK-ut do të përfundojë shpejt dhe do të nisë procesi arsimor duke theksuar se në këtë rast SBASHK-u nuk do të jetë palë e humbur. Nëse këmbëngul të vazhdojë këtë grevë në këtë mënyrë atëherë, pa asnjë dyshim më së shumti do të humb SBASHK-u, përjashtuar nxënësit që, edhe deri më tani janë humbësit më të mëdhenj, pa fajin e tyre”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Greva në arsim ka filluar më shumë se një muaj më parë dhe fundi i saj akoma nuk po shihet në horizont. /KultPlus.com

Greva vazhdon, s’ka zgjidhje për të filluar mësimi

Greva nga SBASHK-u, e cila ka filluar më shumë se një muaj më parë, nuk po duket të jetë afër fundit, shkruan KultPlus.

Sindikalistët kanë mbajtur një takim virtual me Komisionin për Arsim, mirëpo nuk u arrit përsëri as edhe një zgjidhje.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje disa herë SBASHK-ut që të fillojnë mësimin.

Raportohet se një numër i madh i shkollave nuk kanë pranuar një propozim nga Ardian Gola, kryetari i Komisionit për Arsim.

Arritja e një zgjidhje nuk duket të jetë afër. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti zbulon tri ofertat e Qeverisë në këmbim të ndaljes së grevave

Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media tha se këshillit grevist ua ka thënë tri gjëra për të cilat ata u zotuan se do ta pyesin anëtarësinë.

Kurti tha se këshilli grevist nuk e pyeti anëtarësinë por sapo dolën nga takimi thanë se greva do të vazhdojë raporton Gazeta Express.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të këshillit grevist për të cilën ata na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Neve na u tha në takim se do ta pyesin anëtarësinë, porsa dolën nga takimi thanë se greva do të vazhdojë, kur e pyetën anëtarësinë.  Oferta shtesë ishte kjo, do të jenë pjesë përmbajtësore për Ligjin për Pagat. Do te jene pjesë përmbajtësore për diskutime publike për ligjin mbi pagat. Ua dham lajmin atyre të parët, sepse këtë javë fillon diskutimi publik. Dy të tjerat ishin që bashkë me BSPK do ta bëjmë reformën e sistemit pensional, që të bëjmë diferencimin e kategorive të ndryshme, duke e hequr pragun famëkeq 15 vjet përvojë punë, dhe u zotuam që tek barnat esenciale të shtojmë edhe 10 milionë euro”, ka thënë Kurti teksa ka treguar ofertën shtesë për krerët e sindikatave.

Ai tha se në takim i është kërkuar që të lëvizë nga pozicioni.

“Në takim më është thënë kryeministër lëviz, por unë të paktën kam lëvizur 10 herë vetëm në drejtim të kërkesave të sindikatave, prandaj për këtë arsye kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla dhe mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Nuk bën bojkot e grevë shtetit sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që s’ka pas komunikim, problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut”, tha ai. / KultPlus.com

S’ka marrëveshje mes Qeverisë dhe SBAShK-ut, edhe kjo javë nis me grevë

Greva do të vazhdojë edhe më tutje, ka bërë të ditur Sindikata e Arsimit, të dielën.

Kjo pasi, takimi i së shtunës në mes kryeministrit, Albin Kurtit dhe kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hymolli, ka dështuar të realizohet zgjidhja.

Hymolli, të dielën iu ka kumtuar grevistëve që me Kurtin ka debatuar, por zgjidhje s’ka pasur.

Sindikata po kërkon 100 euro shtesa, ndërkaq Qeveria ka ndarë nga 50 euro shtesa për të gjithë punonjësit publikë.

Pra sindikata kërkon nga mësimdhënësit të mos dalin sot në punë.

Por kështu nuk mendon Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo ka thënë se “shkolla duhet të jetë vendi ku nesër do të takohen me mësimdhënësit”.

Greva ka nisur më 25 gusht dhe sindikata zotohet se nuk do të ndërpritet derisa të ju zbatohen kërkesat./ KultPlus.com

Jasharaj: Greva vazhdon, Qeveria s’po ofron zgjidhje

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar greva në arsim do të vazhdojë, shkruan KultPlus.

Ai gjithashtu njoftoi se kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe po vazhdojnë ta bëjnë një gjë me Unionin e Sindikatave të Evropës dhe se kanë pranuar letër mbështetjeje në emër të 10 milionë anëtarëve.

Këto deklarata Jasharaj i bëri në konferencë për media, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), Nevrus Kaptelli si dhe nënkryetari i Sindikatës së Arsimit të Maqedonisë Veriore (SONK), Tafa Ameti.

“Greva po vazhdon fatkeqësisht për shkak të mungesës së vullnetit të Qeverisë që të ulet me përfaqësuesit e sindikatës për të gjetur një zgjidhje. Jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe me unionin e sindikatave të Evropës dhe kemi marrë letër mbështetjeje në emër të 10 milionë anëtarëve”, tha ai mes tjerash.

Ai gjithashtu njofton se janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me Sindikatën e Arsimit nga Shqipëria.

“Jemi në komunikim edhe me vëllezërit tonë nga Shqipëria, të cilët në emër të sindikatës kanë ardhur në Kosovë për të shprehur mesazhin e solidaritetit dhe mbështetjes. SBASHK-u dhe sindikatat tjera janë të hapura për të dialoguar me Qeverinë. Deklarata e ministres së Arsimit se dyert janë të hapura, por SBASHK-u nuk do dialog janë një porosi e gabuar. Në të kalurën jemi takuar me të, por tani nuk po ka kohë sepse po shkon në vizita”, thotë Jasharaj.

Mësimi, i cili tradicionalisht, ka filluar më 1 shtator për të gjithë nxënësit, nuk po fillon akoma. /KultPlus.com

SBASHK nuk dorëzohet, vazhdon grevën përkundër presioneve të vazhdueshme

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, përmes një komunikate për media, ka dhënë informacion për ditën e 13-të të grevës në institucionet arsimore.

Në njoftim thuhet se Këshilli Qendror Grevist ka vërejtur se ditët e fundit ka presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke u munduar ta shantazhojnë e etiketojnë me postime të rrejshme, pastaj përgatitja e tentim sulmit fizik gjatë vizitës së tij që u bëri grevistëve.

“Presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë – rasti i djeshëm i vizitës së Kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën.

Ju bëjmë apel prindërve që edhe përkundër që numri është i vogël që tentuan me nxënës ta thyejnë grevën me presion ndaj grevistëve, që të heqin dorë nga kjo metodë, sepse në këtë formë në asnjë mënyrë greva nuk mund të ndërpritet. Presionin ta orientojnë drejt Qeverisë duke kërkuar zgjidhje për të filluar punën institucionet arsimore”, thuhet në njoftim.

Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut ka theksuar se është duke i përcjell me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë së tyre.

“Të gjitha këto do ti paraqesim pranë organeve të drejtësisë. Apelojmë te organet e rendit dhe organet tjera që me vëmendje ti përcjellin rastet si ai i djeshmi ndaj kryetarit Jasharaj dhe tentuesit e prishjes se rendit ti vejmë para organeve të drejtësisë, po ashtu edhe nxitësit të cilët me dezinformata të ndryshme nxisin këto sulme”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Greva e vitit 1989 e minatorëve në Trepçë (FOTO)

Në maj të vitit 1989, minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë, për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj.

Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore, kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. / KultPlus.com

E marrë nga Shenida Bilalli / Facebook

Këngëtarja turke vdes pas 288 ditëve grevë urie

Pas 288 ditësh grevë urie, këngëtarja turke Helin Bolek ka ndërruar jetë, shkruan KultPlus.

28-vjeçarja e kishte nisur protestën e saj mbi nëntë muaj më parë me qëllimin për të denoncuar përndjekjen politike në Turqi dhe veton e qeverisë ndaj grupit të saj muzikor, “Grup Yorum”.

Lajmi është publikuar nga anëtarët e grupit përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter.

Mësohet se një prej tyre, kitaristi Ibrahim Goreck, po vazhdon grevën e tij të urisë, e cila ka vazhduar që prej 291 ditësh.

Kohët e fundit, fotot e Helin Bolek të botuara nga mediat, gjatë ditëve të protestës tregojnë një trup të rënë komplet nga pesha, por që kanë ngjallur shumë reagime në Turqi.

Qëllimi i protestës së saj ishte sigurimi i lirisë për të gjithë të burgosurit politikë dhe dhënies fund të bastisjeve të qendrave kulturore.

“Ju po vrisni një grua vetëm 28-vjeçare, tha Goreck përmes një video, në të cilën duket shumë i dobësuar, kërkesat tona nuk ishin shumë të vështira për t’u plotësuar. Fashizmi i AKP-së (partia e Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan) shkaktoi vdekjen e Helinit”.

Grupi “Grup Yorum” ka qenë aktiv që nga viti 1985, kur u themelua nga katër studentë të Universitetit Marmara. Ai gjithmonë ishte një grup në favor të kauzës kurde dhe betejave ndërkombëtare për drejtësi dhe liri, deri më tani grupi ka nxjerrë 25 albume dhe ka shitur mbi 2 milionë kopje.

Sidoqoftë, grupi nuk kishte interpretuar me vite me radhë, madje në vitin 2015, koncerti vjetor i grupit, i akuzuar se i përket një organizate terroriste, ishte ndaluar të mbahej nga autoritetet.

Më pas filluan bastisjet në qendrat kulturore ku ata performonin, ndërsa denonconin vazhdimisht shkatërrimin e instrumentave të tyre muzikore, si dhe arrestimin e pamotivuar të dhjetra personave.

Disa nga anëtarët e grupit, përfshirë Helin Bolek dhe Ibrahim Goreck, ishin burgosur. Në burg ata filluan grevën e tyre të urisë më 16 maj. Më të 11 mars, të dy ishin dërguar në spital kundër vullnetit të tyre, por avokati i tyre konfirmoi se ata nuk kishin pranuar ndonjë ndërhyrje mjekësore.

Dy anëtarë të tjerë të grupit, Bahar Kurt dhe Baris Yüksel, e kishin përfunduar grevën e tyre të urisë pas 190 ditësh. Helin e vazhdoi deri në fund. /KultPlus.com

Haradinaj: Kthejuni mësimit sepse e gjithë vera mund t’ju shkojë duke i kompensuar orët e humbura

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj ka kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen orëve të mësimit, në të kundërtën, e gjitha sezona e verës mund t’ju shkojë duke dhënë mësim për orët e humubra.

Këto deklarata i pari i ekzkeutivit i ka bërë në një konfernecë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

“Greva është e drejtë e të gjithëve. Oferta nuk është e imja por e Kosovës. Kosova e ka respektuar mësuesit, arsimtarët dhe në tanësi. Është rritje substanciale. Kërkesa ime është si kryetar qeverie, si një prind, sepse po marrim shumë porosi që të rikthehet procesi mësimor që mos t’i hupim kohë fëmijëve. Po japin këshilla plot të tjerë. Por rritja është e konfirmume. Do të ishte mjaft racionale që nesër. Duhet me u komenzu. Nuk duhet ta hupni verën që ti kompensojnë orët”, ka deklaruar ai. /Indeksonline/KultPlus.com

“Kopshti i vishnjave” në TKK të hënën

Pas grevës nëntë ditore të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe institucioneve të tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës, TKK-ja ka treguar se po u rikthehet shfaqjeve me program të ri sa u përket datave, shkruan KultPlus.

TKK njofton se prej ditës së hënë fillon programi i muajit shtator me premierën e shfaqjes “Kopshti i Vishnjeve”, nga Anton Çehov me regji të Ilir Bokshit, pastaj reprizat do jenë më datë 18 dhe 19 shtator.

Repertori vazhdon me shfaqjen “Arturo Ui” në regji të Bekim Lumit, mandej “Kaligula” nga Albert Kamy, duke vazhduar me paraqitje edhe në Festivalin e Teatrove në Tiranë.

“Shfaqja “Bordel Ballkan” në regji të Andras Urban, pas ndryshimit të orarit nuk ka qenë e planifikuar të luhet në repertor të këtij muaji”,ka njoftuar TKK-ja./ KultPlus.com

“Kopshti i Vishnjeve” nga Ilir Bokshi, sjellë kapjen e pushtetit nga injorantët

Këshilli Drejtues i TKK-së del me një rekomandim në lidhje me grevën

Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës ju ka rekomanduar daljen nga greva punonjësve të teatrit, shkruan KultPlus.

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës si: Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ditë më parë kanë anuluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor rregullores.

Mirëpo Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës edhe pse e konsideron grevën demokratike, ka rekomanduar daljen nga greva duke u arsyetuar se qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Sipas tyre punonjësit e Teatrit duhet që të kenë besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Këshillin Drejtues se do të angazhohen për t’i realizuar premtimet e dhëna.

Më poshtë mund të lexoni vendimin e plotë:

Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ëhstë duke i parë më shqetësim gjitha kërkesat e punonjësve të teatrit. Kërkesat e aktorëve i kemi parë si të arsyeshme dhe si të tilla janë analizuar dhe shqyrtuar nga ne.

Ministri i Kulturës, z. Gashi në takimin tonë që e kishim, më 28.08.2018 është zotuar se do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijuesve, Performuesëve dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore, të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe të realizojë premtimin e dhënë. Këshilli drejtues i TKK-së beson fuqishëm në premtimet e dhënë nga z. Gashi.

Greva është demokratike, por në këtë rast KD-ja e TKK-së rekomandon dalje nga greva dhe normalizim të punëve. Qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Në ju bëjmë thirrje për të dalë nga greva për t’i filluar punët, por edhe njëherazi të kemi besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjithashtu të kemi besim edhe në angazhimin tonë si Këshill drejtues , se do të angazhohemi për t’i realizuar premtimet e dhëna, të cilat janë meritore për ju./ KutlPlus.com

Sakrifica për një shfaqje, aktori i TKK-së tregon për lëndimet që i shkakton shfaqja “Bordel Ballkan” (FOTO)

Dje Aktorët Rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, anuluan shfaqjen ‘Bordel Ballkan’, duke u futur kështu në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre drejtuar MKRS-së, shkruan KultPlus.

Kësisoj mbrëmë njëri ndër aktorët e kësaj trupe Armend Baloku, shpalosi nëpërmjet rrjetit social Facebook, disa fotografi që tregojnë lëndimet që ka pasur gjatë shfaqjes ‘Bordel Ballkan’. Me këto fotografi dhe me një mbishkrim Armend Baloku, ka treguar se pagat që kanë aktorët e këtij teatri janë të mjerueshme, duke pasur parasysh punën që bëhet.

“Foto ne vazhdim tregojne demtimet qe i kam pasur nga shfaqja e fundit ne Teatrin Kombetar. Keto demtime i kam cdo here pas shfaqjes “Bordel Ballkan”. Nuk kam pushim as te shtuneve e as te dieleve. Po ashtu nuk kam pushim as diteve qe shteti yne ka feste. Prova mbaje qe nga mengjesi e deri naten vone. #proteste #mbeshtetjeperteatrin #mbeshtetjeperaktoret”, ka shkruar Baloku.

Që nga sot e deri në 9 ditët e ardhshme repertori i TKK-së, do të vazhdoj ashtu siç ka qenë ndërsa pas 10 ditësh nëse nuk plotësohen kërkesat e aktorëve, atëherë ata kanë thënë se do ta përshkallëzohet situata dhe do të bllokohet i gjithë repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com