Në Prishtinë më 6 dhjetor fillon raundi i dytë për grevën globale për ndryshimet klimatike, përcjellë KultPlus.
Greva Globale e Klimës, është një protestë në të gjithë botën kundër mosveprimit të qeverisë për ndryshimin e klimës.
Në Kosovë më 20 shtator ishte raundi i parë, ku shumë qytetarë marshuan deri tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të ngritur zërin. Të premten e ardhshme, më 6 dhjetor, qytetarët e Kosovës do t’i parashtrojnë kërkesat e tyre përsëri.
Dimri po vjen, e për qytetarët e Kosovës do të jetë më e vështirë të marrin frymë. Kosova A dhe Kosova B janë në fuqi të plotë, duke prodhuar energjinë elektrike që e mbipërdorim. Tani është momenti për të vepruar dhe për t’ua bërë të ditur institucioneve, se brezi i ri nuk do të pranojë këtë. Kjo është e ardhmja jonë.
Termocentralet e qymyrit nuk janë problemet e vetme që ka Kosova. Ujin, që e përdorim për pije është i pakët, por prapë ne zgjedhim ta humbim. Kjo si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve. Ministria ka marrë të gjitha dokumentet e duhura për t’u siguruar që hidrocentralet do të ndërtohen. Sidoqoftë, ata janë të paqartë për lëshimin e tyre, dhe ne nuk besojmë se të gjitha dokumentet janë marrë në mënyrën e duhur.
Në këtë datë bota do të dalë kundër ndryshimeve klimatike, dhe ne gjithashtu, për herë të dytë në Prishtinë. Protestuesit do të mblidhen së pari në Termokiss (11:00), për të vazhduar te sheshi Skënderbeu, do të marshojmë për tek Grandi dhe pika e fundit do të jetë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Urban (14:00). Kjo bëhet për arsye që shqetësimi kryesor i qytetarëve të dëgjohet, që është: Ta bëjmë mjedisin prioritet kryesor!
Pas marshit, aktivistët do të shkojnë tek stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe tek parku i qytetit për të ndërmarrë veprim. Do të mbjellin pemë, si mënyra më efektive e veprimit mitigues. Të gjitha mjetet e nevojshme dhe fidanët për t’u mbjellë janë të siguruara.
“Të gjithë ju, që jeni kundër ndotjes të së ardhmes tuaj, duhet të bashkoheni në këtë marsh. Vendimmarrësit duhet të vetëdijesohen, që qytetarët nuk pajtohen me atë çka ata po vendosin për ta”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com