Varianti Omicron i koronavirusit pritet të infektojë mbi gjysmën e popullsisë në Evropë, por ende nuk mund të trajtohet si një sëmundje endemike e ngjashme me gripin stinor, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Evropa ka regjistruar mbi 7 milionë raste të reja me koronavirus vetëm në javën e parë të vitit 2022, shifër dyfish më e lartë krahasuar me një periudhë dyjavore, tha drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge gjatë një konference për media.
“Me këtë ritëm, Instituti për Metrika dhe Vlerësim të Shëndetit parashikon se më shumë se 50 për qind e popullsisë në rajon do të infektohet me Omicron gjatë 6-8 javët e ardhshëm”, tha Kluge, duke iu referuar një qendre hulumtuese në Universitetin e Uashingtonit.
Pesëdhjetë nga 53 shtetet në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë regjistruar raste me variantin e ri, tha Kluge.
Megjithatë, sipas studimeve të fundit, Omicroni më shumë po prek traktin e sipërm respirator sesa mushkëritë, duke shkaktuar simptoma më të lehta sesa variantet paraprake të sëmundjes COVID-19.
Por, OBSH-ja ka thënë se duhen më shumë studime që të vërtetohet një gjë e tillë.
Më 10 janar, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se ndoshta është koha që të ndryshohet mënyra sesi gjurmohet evoluimi i COVID-19 dhe ai sugjeroi që të përdoret një metodë e ngjashme që përdoret për gripin stinor, pasi sipas tij, vdekshmëria nga koronavirusi ka rënë.
Kjo do të nënkuptonte që virusi të trajtohej si sëmundje endemike, në vend se një pandemi dhe shtetet nuk do të regjistronin çdo rast e as nuk do të testonin të gjithë njerëzit që shfaqin simptoma.
Por, zyrtarja e lartë e OBSH-së për emergjenca në Evropë, Chatherine Smallwood, tha se kjo mund të jetë “një rrugëdalje”, duke shtuar se endemiteti kërkon që sëmundja të ketë një transmetim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm.
“Ne ende kemi pasiguri të madhe dhe një virus që po evoluon mjaft shpejt, duke paraqitur sfida të reja. Sigurisht, ne ende nuk jemi në atë pikë që do të mund ta quanim epidemi”, tha Smallwood./REL/ KultPlus.com