Grupi nga Korea Jugore, “BLACKPINK”, vazhdon ta ruajë titullin e grupit me më së shumti ndjekës në platformën muzikore YouTube, raporton portali “NME”.
Aktualisht, grupi i përbërë nga katër vajza, Rosé, Lisa, Jennie dhe Jisoo, i ka 75 milionë ndjekës në faqen zyrtarë në këtë platformë, duke u bërë edhe grupi i parë muzikor që e arrin këtë sukses.
Lajmin e konfirmoi edhe një përfaqësues nga YouTube.
Kështu, “BLACKPINK” e vazhdon dominimin si grupi më i ndjekur në këtë platformë muzikore, pasi e kishte marrë këtë titull nga këngëtari kanadez, Justin Bieber, vitin e kaluar.
Bieber aktualisht i numëron 69.3 milion ndjekës në faqen e tij zyrtare në YouTube.
Në fillim të këtij viti, njëra prej këngëtareve të “BLACKPINK”, Rosé, foli publikisht për të ardhmen e grupit të famshëm të muzikës K-Pop.
Kur u pyet nëse e ka imagjinuar ndonjëherë jetën pas shpërbërjes së bendit, Rosé deklaroi se nuk mendon se një gjë e tillë do të mund të ndodhë së shpejti.
“Unë jam rritur me këto vajza. Ajo janë pjesë e pandashme e imja. Nuk mendoj se grupi ‘BLACKPINK’ do të shpërbëhet në një të ardhme të afërt. Prandaj është budallallëk të brengosem për një gjë të tillë apo edhe të mendoj për këtë. Ne do të jemi familje përgjithmonë”, deklaroi këngëtarja.
Derisa tri anëtarët e bendit, Lisa, Jennie dhe Rosé, tashme e gëzojnë një karrierë edhe si solo këngëtare, pjesëtarja e katërt e bendit, Jisoo, po e sfidon veten në tjetër fushë, që është filmi. Në një intervistë të fundit ajo ka treguar se ende ndihet e pasigurt për ndjekjen e një karriere muzikore jashtë “BLACKPINK”./koha/ KultPlus.com