Në Godinën Liria në Qytetin Studenti, në vendin simbol të Lëvizjes Studentore që solli rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, u bë dje promovimi i audioguidës dhe i guidës së Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” në frëngjisht dhe italisht.
Kjo audioguidë dhe guidë u realizua nga studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, me mbështetjen e Agjencisë Universitare të Frankofonisë, Ambasadës Franceze dhe Ambasadës Italiane në Tiranë.
Në këtë promovim ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila u shpreh se, “mbajtja gjallë e së shkuarës përmes institucioneve të memories është synimi i Ministrisë së Kulturës dhe sa mirë kur në këtë proces përfshihet edhe brezi i ri”.
“Realizimi i audioguidave për Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” nga studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në italisht e frengjisht është një kontribut jo vetëm në përmirësimin e shërbimeve në muzeumet tona, por dhe një hap i parë drejt një bashkëpunimi më afatgjatë”, tha ministrja Margariti.
Në këtë promovim gjithashtu morën pjesë Christina Vassak, Ambasadore e Francës, Alberto Cutillo, Ambasador i Italisë, Artur Sula, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, pedagogë e studentë. /atsh / KultPlus.com