Kush e vodhi Mona Lisën në vitin 1911?

Mona Lisa mund të jetë fytyra më e njohur në faqe të dheut. E spikatur në emisione televizive dhe në filma të panumërt, e parodizuar në format nga më të ndryshme në krejt globin, e përmendur në libra arti në çdo gjuhë, Mona Lisa ka një fytyrë që tërheq çdo vit mbi shtatë milion njerëz në Louvre të Parisit.

Secili nga këto vizitorë do të shohë nga afër, se Mona Lisa është shumë e vogël, saktësisht 76cm x 53cm. Nuk ngjason me veprat e tjera të Rilindjes sepse nuk është masive, apo të bjerë në sy menjëherë, apo të shkaktojë ndonjë emocion të fortë. Në fakt, kur Mona Lisa u vendos në Louvre më 1797, ajo varej në mur me piktura të tjera dhe nuk ishte e vetme në qendër të vëmendjes sikundër sot. Mona Lisa, natyrisht, është një vepër arti e një artisti të nderuar si Leonardo da Vinci, megjithatë nuk ishin aftësitë e tij ato që e bënë pikturën të famshme. Mona Lisa e mori famën e vërtetë prej një vjedhësi veprash arti, një italian i quajtur Vincenzo Peruggia. Mëngjesin e të hënës, të 21 gushtit 1911, Peruggia doli jashtë nga Louvre, pa u pikasur me Mona Lisa-n të fshehur nën përparësen e punës. Peruggia nuk ishte ndonjë fytyrë e panjohur në muze. Ai ishte duarshkathët, i punësuar herë pas here për të punuar me xham mbrojtës për eksponatet. Ai kishte punuar me një numër pikturash të shtrenjta dhe të bukura në Louvre, por edhe në muzetë e tjerë.

Atëherë, përse e vodhi Mona Lisa-n?

Për Vicenzo Peruggia-n kjo ishte një çështje patriotizmi. Gabimisht kishte menduar se Mona Lisa ishte vjedhur në Itali në kohën e Napoleonit dhe besonte se ishte detyra e tij t’ia kthente këtë tablo atdheut. Ai e fshehu tablonë në një WC të muzeut natën e së dielës, duke e ditur se do të ishte i mbyllur të hënën dhe mund ta vidhte qetësisht e të largohej. Sidoqoftë, gjatë marrjes në pyetje pas dy vjetësh, Peruggia tha se thjesht kishte ardhur të hënën në mëngjes me punëtorë të tjerë, kishte pritur deri sa galeria që mbante Mona Lisa-n të zbrazej, e kishte marrë pikturën nga muri, e kishte fshehur nën përparësen e punës dhe kishte dale jashtë. Në fakt, stafi i Louvre nuk e pikasi menjëherë mungesën deri të nesërmen.
Ndonjëherë pikturat hiqeshin nga muri për t’u fotografuar, ndaj s’ishte diçka e pazakontë që njëra prej tyre të mungonte. Megjithatë, kur rojet e sigurisë pyetën fotografët, zbuluan se piktura ishte vjedhur.

Kur policia nisi hetimin, Peruggia ndodhej në shtëpi duke e futur Mona Lisa-n në një sënduk në apartamentin e tij, pa i shkuar aspak nëpër mend se kjo vjedhje sapo kishte ndryshuar historinë e artit. Përgjatë dy viteve në vijim, vjedhja e Mona Lisa-s u bë lajm ndërkombëtar. Kjo ngjarje u përhap përmes gazetave në të gjithë Francën dhe në mbarë botën, duke u publikuar edhe nga New York Times. Ndërkohë, policia kërkoi me dëshpërim për hajdutin dhe hetoi plot të dyshuar, përfshi poetin e mirënjohur Guillaume Apollinaire, i cili njëherë kishte bërë thirrje që Louvre të digjej, e që tashmë zotëronte disa statuja të vogla të cilat ishin vjedhur nga Louvre.

Dhe sot shënohen gjithsej 111 vite nga burgosja e poetit francez Guillaume Apollinaire nën dyshim të vjedhjes së pikturës Mona Lisa nga muzeu në Luvër.

Policia mendoi se burri që kishte vjedhur statujat, mund të kishte edhe Mona Lisa-n. Kur policia e mori në pyetje Apollinaire-in për Mona Lisa-n dhe për statujat, për këtë të fundit ai implikoi mikun e tij, një piktor i ri spanjoll që quhej Pablo Picasso. Thuhet se Apollinaire dhe Picasso qanë gjatë marrjes në pyetje dhe në fund policia kuptoi se asnjëri prej tyre nuk ishte burri që kërkonin. Pas vjedhjes muzeu i Louvre-it ishte mbyllur për një javë. Megjithatë kur u rihap, njerëzit po mbanin radhën vetëm që të futeshin e të shikonin vendin ku më parë qëndronte piktura e Mona Lisa-s. Madje deri në Kaliforni e dinin me saktësi se ç’pamje kishte kjo pikturë e vogël nga Franca, sepse e kishin parë vazhdimisht në gazeta, si një lloj krimi sensacional. Nëse Vincenzo Periugga do të kishte vjedhur një pikturë tjetër, kjo vepër arti mund të ishte bërë po aq lehtësisht piktura më e famshme në botë, dhe Mona Lisa nuk do të bëhej aq e njohur sa ç’është sot.

Por për shkak të vjedhjes, Mona Lisa u bë vepra e parë e artit që shihej dhe shpërndahej në të gjithë botën, gjatë një kohe kur komunikimi masiv ishte ende në hapat e parë. Një vepër arti e cila më parë kishte qenë thjesht një drejtkëndësh i vogël në një mur të mbushur me piktura, tashmë ishte bërë epiqendra e një skandali global. Ndërkohë, planet e Periugga-s për t’ia shitur pikturën një galerie arti në Itali, u ndërprenë. Me famën e re të Mona Lisa-s, çdo përpjekje për ta ofruar kundrejt shpërblimit, apo për ta shitur, mund të rezultonte në arrestimin e tij. Ndaj, qëndroi brenda një sënduku, për dy vite. Më në fund, në vitin 1913, Vincenzo Periugga-s po i humbte durimi. Ai kontaktoi Alfredo Geri-n, një tregtar veprash arti në Firence, për t’ia kthyer Mona Lisa-n “vendlindjes” në këmbim të shpërblimit.

Geri i tha Peruggia-s ta takonte te Galeria Uffizi, për ta verifikuar pikturën. Kur Peruggia ia dorëzoi, Geri premtoi se do ta mbante në një vend të sigurt, megjithatë ai telefonoi policinë sapo Peruggia u largua. Hajduti i veprave të artit u arrestua në hotelin ku po qëndronte, Mona Lisa u rimor dhe krimit që shkundi botën, i erdhi fundi. Galeria Uffizi e ekspozoi pikturën për dy javë, përpara se të kthehej zyrtarisht në Louvre, në 4 janar të vitit 1914. Që nga ajo kohë, kanë ndodhur disa incidente ku individë përpiqen ta dëmtojnë Mona Lisa-n, por nuk ka pasur më vjedhje. Sot piktura ka një mur të veçantë në Louvre dhe mbrohet nga një xham antiplumb, me ajër të kondicionuar. Për sa i përket Vincenzo Peruggia-s, ai u burgos për gjashtë muaj dhe Italia e vlerësoi për atdhetarizmin e treguar. Ai shërbeu në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në fund u shpërngul sërish në Francë, ku hapi një punishte për piktura, të cilën e zotëroi deri kur vdiq në vitin 1925.

Përktheu: David Hudhri / KultPlus.com

‘Ikën dashuria si ky ujë që rrjedh, ikën dashuria si kjo jetë e qetë’

Poezi nga Guillaume Apollinaire

Ura Mirabo

Poshtë urës Mirabo lumi Senë shkon
pse m’u kujtua vallë
dashuria jonë pas hidhërimit gaz kishim gjithmonë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Kapur dorë për dore le të rrimë përballë
ndërsa poshtë
urës së krahëve tanë
e lodhur vështrimesh, vala para çan

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Ikën dashuria si ky ujë që rrjedh
ikën dashuria si kjo jetë e qetë
dhe si shpresa që është kaq e sertë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Treten ditët, edhe javët treten
as kohë e kaluar
as dashuritë s’kthehen
poshtë urës Mirabo shkon lumi i Senës

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj. / KultPlus.com

Ura Mirabo

Poezi nga Guillaume Apollinaire

Poshtë urës Mirabo lumi Senë shkon
pse m’u kujtua vallë
dashuria jonëpas hidhërimit gaz kishim gjithmonë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Kapur dorë për dore le të rrimë përballë
ndërsa poshtë
urës së krahëve tanë
e lodhur vështrimesh, vala para çan

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Ikën dashuria si ky ujë që rrjedh
ikën dashuria si kjo jetë e qetë
dhe si shpresa që është kaq e sertë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Treten ditët, edhe javët treten
as kohë e kaluar
as dashuritë s’kthehen
poshtë urës Mirabo shkon lumi i Senës

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj.

KultPlus.com