Filmat “Era” dhe “Gülizar”, në festivalin Karlovy Vary

Filmi “Era” dhe filmi “Gülizar” të mbështetura nga Qendra Kinematografike janë përzgjedhur në seksionin “Work in Progress” në Festivalin e 57-të të filmit në Karlovy Vary.

Filmi “Era” është film i metrazhit të gjatë me regji dhe skenar nga Parta Kelmendi.

Ngjarja e filmit përcjell dramën e viteve të 90-ta në Kosovë. Kur populli i Kosovës ballafaqohej me ndjekjet dhe nxjerrje nga puna në mënyrë masive.

Përmes personazhit kryesor Era, trajtohet jo vetëm ngjarja, por edhe psikologjia dhe ndikimi i tjetërsimit të vlerave kulturore dhe njerëzore të asaj kohe.

Filmi u xhirua me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Qendrës Kinematografike të Maqedonisë së Veriut.

Skenariste dhe regjisore është Parta Kelmendi, ndërsa producente e filmit është Afërdita Saraçini Kelmendi.

Filmi “Gülizar” është filmi i parë me bashkëprodhim Turqi-Kosovë, i xhiruar në Turqi dhe Kosovë. Producente e filmit nga Kosova është Valmira Hyseni.

Filmi tregon historinë e një gruaje që shkon në një udhëtim nga Turqia në Kosovë për t’u martuar.

“Gulizar” është mbështetur nga Ministria Turke e Kulturës dhe Turizmit dhe Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com