Përkujtesë historike: 2 korrik 1990
Nga Jusuf Buxhovi
Deklarata e Paravësisë e 2 korrikut 1990 paraqet ngjarjen më të rënëdsishme në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Delegatët e Kuvendit të Kosovës, me shpalljen e kësaj Deklarate, Kosovën e shkëputën nga pushtimi serb. Kjo legjitimoi Kosovën njësi të barabartë të federatës jugosllave me të drejtën e shkëputjes. Deklerata Kushtetuese si e tillë, i hapi rrugën Republikës së Kosovës, e cila u shpall në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator të atij viti. Këto dy vendime madhore të përcjella nga Referendumi për Pavarësi i mbajtur më 26 shtatorit 1991, zgjedhjet Presidenciale dhe Parlamentare të 24 maj 1992 si dhe krijimim e qeverisë së Kosovës në fund të atij viti, që mori përsipër rezistencën institucionale, Kosovën e vunë në binarët e pandalshëm historik të shtetformimit, që do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008.
TEKSTI I PLOTË I DEKLARATËS KUSHTETUESE, I BOTUAR NË “FLETORËN ZYRTARE” TË KSAK, nr 21, MË 3 KORRIK 1990
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”
(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat). / KultPlus.com