Guri përkujtimor i Pashkë Markaj, e njohur si Nana Pashkë, po dërgohet në Kompleksin Memorial të Mejës.
Prej një jave është temë cështja e gurit përkujtimor të Nanës Pashkë, i cili ishte vendosur në vendin ku ajo dogji vetën pas varrimit të dy djemëve të saj, që ishin zhdukur në Masakrën e Mejës, eshtrat e të cilëve ishin kthyer pas 4 vjetëve nga Batajnica e Serbisë.
Familjarët treguan se pronari i tokës ku ishte vendosur guri donte ta hiqte prej aty dhe sot u publikuan pamjet e gurit përkujtimor në një deponi mbeturinash.
Familjarët i kanë thënë Gazetës Express se gurin tani e kanë marrë Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Policinë për ta vendosur në Kompleksin Memorial, në Mejë.
Guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë,para disa ditësh është larguar me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala, shkruan KultPlus.
Për këtë rast i pari që ka reaguar është profesori universitar dhe shkrimtari Ag Apolloni duke u shprehur se nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit.
Ndërsa sot, Apolloni ka reaguar edhe njëherë, pasi guri përkujtimor i Pashkë Markut është hedhur në plehra.
KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Apollonit:
Sot Hasan Zenun Bala e hodhi në plehra gurin simbolik të vënë aty në kujtim të nënës Pashkë, që nga dhimbja e papërballueshme për dy djemtë e saj të vrarë nga kriminelët serbë, dogji veten njëzet vjet më parë.
Me siguri Hasani ndihet krenar dhe fitimtar, sepse nuk mundi ta ndalë askush: as Qeveria, as qytetarët.
Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se disa fitore janë më të turpshme se humbjet. Kjo e tij është e tillë.
Hasan, ke hedhur në plehra një gur që na e përkujtonte një tragjedi të madhe, një gur që dëshmonte për krimet serbe. Duke e hequr një dëshmi të tillë, ke bërë një gabim të pafalshëm.
Ke thënë se e ke hequr për shkak se aty mund të bëhej një kishë. A mund të jesh aq i padijshëm sa të besosh se mund të ngritet një kishë aty ku një person ka bërë vetëvrasje? Akti i nënë Pashkës është mbifetar, por ti je ultrafetar, dhe me këtë poshtrim që ua bëre shqiptarëve të krishterë, ke nxitur një konflikt ndërfetar. Kam pritur që komuniteti musliman të ndërhyjë të ta shpëtojë fytyrën ty dhe vetes, por mjerisht nuk e bëri. Uroj ta bëjë.
Hasan, do të doja ta shihja fushën tënde përplot me muslimanë që protestojnë kundër teje, dhe e mbrojnë vëllazërinë ndërfetare. Duket që koka jote është më e fortë se guri të cilin e hoqe, dhe vetëm vëllezërit e tu muslimanë mund të të kthejnë në rrugë të Zotit.
Nëse e ke hequr edhe për arsye politike, je treguar edhe më injorant. E kuptuam që me Vetëvendosjen nuk je, dhe kjo është diçka krejt normale (jetojmë në pluralizëm politik). Por nëse je me LDK-në, ke fyer ‘frymën rugoviane’ të saj. Nëse je me krahun e luftës (PDK, AAK etj.), ke kontribuar në zhdukjen e një dëshmie të fortë të krimeve serbe, të një dëshmie që nisi të bëhej vend pelegrinazhi, pra e ke dëmtuar krahun e luftës.
Kur e hedh në plehra historinë e popullit tënd, mos prit medalje! Turp, Hasan!
Të gjithë shqiptarët normalë (muslimanë, të krishterë, jofetarë) janë në anën e asaj historie që ti sot e hodhe në plehra. Na munde të gjithëve. Fitove, Hasan. Për turpin tënd, fitove. / KultPlus.com
Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) është larguar me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala, shkruan KultPlus.
Përkundër faktit që Pashkë Marku konsiderohet simbol i Kosovës, pronari i tokës nuk ka treguar as edhe një pikë rrespekti e madje arsyeja e këtj veprimi nga ana e tij konsiderohet një gjest i prapambetur.
Për këtë ka reaguar profesori universitar dhe shkrimtari i njohur Ag Apolloni i cili është shprehur se ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare dhe politike.
KultPlus ju sjell reagimin e plotë të Ag Apollonit:
Guri përkujtimor i Pashkë Markut (nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë) qenka hequr sot pasdite me bager nga pronari i tokës, Hasan Zenun Bala. Nëna Pashkë është simbol i Kosovës, prandaj heqja e atij guri është një gjest i pamenduar i pronarit. Lus Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës (Gjakovë). Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike, se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet! / KultPlus.com