E njohur për plazhet e saj bruz, malet madhështore, qytetet e lashta plot shtëpi prej guri, kuzhinën e shijshme dhe jetën e gjallë të natës, Shqipëria theu një rekord turistik këtë vit, shkruan në një artikull gazeta e përditshme turke “Haber Turk”.
Shqipëria është ndoshta një nga vendet e fshehura me shumë potencial në Ballkan.
Shqipëria u rimëkëmb shpejt pas pandemisë dhe theu rekordin turistik para fundit të këtij viti.
Me rritjen e investimeve në turizëm vitet e fundit dhe tërheqjen e vëmendjes së turistëve europianë, Shqipëria, e preferuara e re e Ballkanit, ka filluar të bëhet një destinacion tërheqës edhe për turqit.
Vendi, i cili ka një popullsi prej 2,8 milionë banorësh priti 7,2 milionë turistë, pothuajse trefishi i popullsisë së tij, në 8 muajt e parë të vitit.
Ajo që bie më shumë në sy është se, sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit në Shqipëri, numri i turistëve nga Turqia arriti 135 000 duke u rritur me 132 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pra, le të shohim se çfarë e bën tërheqës këtë vend ballkanik.
Ngjashmëritë kulturore mes dy vendeve
Ngjashmëritë kulturore midis dy shoqërive mund t’i shihni kudo, nga kuzhina në jetën e përditshme, nga arkitektura te reflektimet e tyre në gjuhë.
Por, jo vetëm që janë të ngjashëm, kultura turke është e dashur dhe e vlerësuar në Shqipëri.
Një nga vendet më ekonomike në Evropë
Shqipëria mund të jetë pak më e shtrenjtë se Turqia për shkak të diferencës së kursit të këmbimit, por gjithsesi është një nga vendet më ekonomike në Evropë.
Nëse paguani 3 euro për një kafe në Itali, në Shqipëri paguani 1 euro.
Gjithashtu, mund të hani një picë të këndshme për 6-7 euro në një restorant të mirë, dhe të pini një birrë për 2-3 euro.
Edhe pse tarifat e akomodimit variojnë në varësi të sezonit dhe standardeve, fjetja dhe mëngjesi ditor fillon nga 70-80 euro, dhe qiraja ditore e automjeteve të segmentit B fillon nga 30-40 euro.
Përsa i përket plazheve, megjithëse një ombrellë dhe dy shezlong kushtojnë mesatarisht 20 euro, sigurisht që mund të shijoni detin edhe në plazhet publike./atsh/KultPlus.com