Pamjet shokuese të policëve amerikanë hipur mbi kuaj duke i rrethuar imigrantët haitianë përgjatë kufirit me Meksikën po nxisin krahasime të errëta me epokën e skllavërisë në ShBA dhe me keqtrajtimin historik të personave me ngjyrë në këtë shtet.
Fotografitë që janë shpërndarë shumë, të bëra nga një fotograf i agjencisë AFP këtë javë, shfaqin agjentë të patrullës kufitare të ShBA-së, të hipur në kuaj, duke i përdorur rripat e frerëve të kuajve kundër imigrantëve haitianë, duke i shtyrë ata drejt lumit Rio Grande, i cili e ndan Teksasin nga Meksika.
Sekretari amerikan për Sigurinë e Atdheut, Alejandro Mayorkas, ka thënë se oficerët ishin duke u përpjekur që t’i menaxhonin imigrantët që po e kalonin lumin. Ai është zotuar se departamenti i tij do t’i hetojë raportet për abuzime, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Shumë amerikanë i kanë krahasuar pamjet me skllavërinë historike, e cila kishte marrë fund më 1865, dhe me periudha tjera të errëta për njerëzit me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara.
Në një fotografi të shpërndarë shumë në internet, pamjet e kësaj jave në kufi krahasohen me një vizatim historik të një skllavi afrikan, i cili tërhiqet i lidhur me litar dhe goditet me kamxhik. / KultPlus.com