Bashkëpunimi në mes të profesorit dhe nxënëses së tij solli ngjyra dhe një pamje të re brenda mureve të gjimnazit ‘Hajdar Dushi’ në Gjakovë. Puna e të dyve bashkë solli muralin me imazhin e duarve që i zgjaten njëra tjetrës, si synim për të përçuar afirmitetin dhe respektin që duhet të kemi me njëri tjetrin, shkruan KultPlus.
Nxënësja Berna Ajdini së bashku me profesorin e saj Armend Zeqa punuan rreth një javë, pas orarit të mësimit për të realizuar një mural të tillë brenda gjimnazit ‘Hajdar Dushi’.
Në një prononcim për KultPlus, profesori i artit Armend Zeqa tha se ideja e këtij murali ishte e nxënëses së tij, ndërkaq realizimin e kësaj ideje e bënë së bashku.
Tutje ai ka shtuar se murali në vetvete përmban si mesazh respektin që si njerëz duhet ti japim njëri tjetrit qoftë brenda por edhe jashtë mureve të shkollës.
“Mesazhi i pikturës është respekti dhe afirmiteti që ne si njerëz, por dhe brenda shkollës si nxënës japim dhe gjejmë tek njëri tjetri”, pohoi ai.
Krejt në fund profesori ka treguar se bërja e një murali të tillë në muret e shkollës ku ai punon ka gjetur një mbështetje si nga menaxhmenti i shkollës, ashtu dhe nxënësit të cilët dhe e kanë pritur mjaft mirë./ KultPlus.com