Ministri Çeku: 1.7 milion euro për rinovimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se janë hapur procedurat e prokurimit për rinovimin e dy objekteve kulturore.

Më poshtë është njoftimi i plotë i ministrit Çeku.

Vazhdon modernizimi i hapësirave kulturore

Pas hartimit dhe miratimit të projekteve zbatuese, kemi shpallur procedurat e prokurimit për punime rinovimi në dy hapësira të rëndësishme kulturore:

🔹️Galeria Kombëtare e Kosovës, Prishtinë (1.7 milion euro)

🔹️Kinemaja e qytetit “Lumbardhi”, Prizren (1 milion euro)

Me këtë seriozitet infrastruktura kulturore nuk është trajtuar asnjëherë më parë./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në The MET

Ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Çeku ka marr pjesë në prezantimin e Petrit Halilaj në New York, përkatësisht në The Met, ku bëhet edhe artisti i parë shqiptar që prezantohet në këtë nivel kaq prestigjioz, shkruan KultPlus.

Më poshtë e sjellim reagimin e plotë të ministrit Çeku.

Artisti ynë Petrit Halilaj arriti që përmes artit të sjell një pjesë historie të vendit tonë në mesin e komunitetit më prestigjioz artistik të New Yorkut, duke na bërë secilin prej nesh krenar për të dhe Kosovën njëkohësisht.

Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem pjesë e hapjes së ekspozitës së tij “ABETARE” në muzeun e New Yorkut, The Metropolitan Museum of Art.

Ekspozita u frymëzua nga vizatimet e shkrimet e nxënësve në bankat e shkollës që ai ndoqi në Runik gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, ndërsa për prezantimin në MET zgjeroi hulumtimin në shkolla të tjera ku kishte konflikte, në Shqipëri e vende nga ish-Jugosllavia. Këto vizatime të shndërruara në skulptura metalike sjellin kujtesën kolektive dhe fuqinë imagjinative të brezave të studentëve, jetët e të cilëve u shënuan nga konflikte traumatike dhe ndarje territoriale gjatë luftërave në Ballkan.

Përtej arritjes individuale të tij, kjo është një arritje e madhe në fushën e diplomacisë publike. Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në The MET, duke hapur rrugën e promovimit e prezantimit të artit e Kosovës para publikut e artdashësve amerikan e më gjerë./ KultPlus.com

Kurti dhe Çeku vizitojnë ekspozitën e botimeve në gjuhë të huaja për Kosovën “Kosova në gjuhët e botës”

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë vizituar ekspozitën e botimeve në gjuhë të huaja për Kosovën të titulluar “Kosova në gjuhët e botës”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

Ata u njoftuan nga kryetari i AShAK-ut, Mehmet Kraja, për llojllojshmërinë e tematikave të qindra librave dhe botimeve në shumë gjuhë të huaja, të cilat përveçse pasqyrojnë ndërhyrjen e NATO-s, përfshijnë edhe mbështetjen ndërkombëtare ndaj Kosovës, si dhe pjesë të historisë së popullit tonë në kohë lufte.

Kjo ekspozitë u hap për publikun më 25 mars në kuadër të aktivitetet të AShAK-ut për shënimin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s./MKRS/KultPlus.com

Çeku: Pas shume vitesh pritje Hamami i Gazi Mehmed Pashës po ju kthehet qytetarëve

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se pas shumë vitesh pritje, Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren do t’i rikthehet qytetarëve pas ndërhyrjeve të fundit, përcjell KultPlus.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:

Pas shumë vitesh pritje, Hamami i Gazi Mehmed Pashës po ju kthehet qytetarëve. Një monument që i ka rezistuar shekujve po prezantohet para komunitetit.

Pas përfundimit të fazës së parë do të vazhdohet me fazën përfundimtare të punimeve dhe funksionalizim të plotë të monumentit./KultPlus.com

Kurti viziton “Dardanët”: Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”

Në prag të ndeshjes së shumëpritur për kualifikimet e Evropianit 2024, ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës që luhet të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kryeministri Albin Kurti në shoqëri të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministres Daulina Osmani ka vizituar kampin e Dardanëve.

Kurti ka falënderuar futbollistët kosovarë dhe stafin e Kombëtares në përgjithësi për punën e mirë dhe për emocionet e papërshkrueshme që i japin popullit të Kosovës.

“Ju vazhdimisht në ndeshjet e kaluara na keni sjell emocione, por edhe ethe. Janë emocione të paharrueshme dhe gëzime të cilat na mbajnë optimistë për të ardhmen. Ju dëshiroj shumë sukses në dy ndeshjet në vijim. E di se me Zvicrën e keni më vështirë edhe për arsye objektive, por besoj se me mbështetjen e ministrisë, me trajnerët që keni dhe me punën ekipore e ushtrimet që do të bëni në këto ditë, do të keni mjaftueshëm energji që edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më 9 shtator, por edhe më 12 shtator kundër Rumanisë të jepni maksimumin dhe të merrni rezultatin që të gjithë e presin me aq dëshirë”, ka thënë Kurti.Ai ka falënderuar gjithsecilit për gjithë këtë kontribut, i cili nuk është vetëm sportiv por është edhe popullor sepse jo vetëm njerëzit që përcjellin sportin ju ndjekin.

“Juve ju ndjekin krejt njerëzit që e duan Kosovën”, ka theksuar para futbollistëve kryeministri Kurti.

Presidenti i FFK-së Agim Ademi duke e falënderuar të parin e ekzekutivit për vizitën ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që institucionet shtetërore po i japin ekipit kombëtar dhe në përgjithësi futbollit të Kosovës.

“Kryeministri është motivues i madh dhe është njeri i aksionit, prandaj e kemi parë të arsyeshme që ai si kreu i qeverisë të vjen sot për vizitë dhe të japë mesazhin e tij frymëzues për të ecur përpara së bashku”, ka thënë presidenti Ademi.

Në emër të ekipit kombëtar kryeministrin me bashkëpunëtorët e tij i ka falënderuar kapiteni Amir Rrahmani.

“Faleminderit për përkrahjen ndaj ekipit kombëtar dhe ndaj federatës. Shpresoj që edhe në të ardhmen kontributi dhe ndihma e institucioneve për rritjen e futbollit nuk do të mungojë”, ka thënë kapiteni i Dardanëve.Ndërkaq, ministri Hajrulla Çeku premtoi se institucionet do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah futbollit dhe ekipit kombëtar.

“Ju jeni të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve dhe ne jemi këtu për t’iu ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme si shtet e si institucione, jo vetëm zyrtarisht por edhe moralisht e me zemër. E keni një shtet dhe shoqëri të tërë mbrapa. Edhe jemi krejt me juve. Dijeni se po e përfaqësoni më shumë se një ekip dhe një sport. Këtu e kemi një gjasë të madhe për të ecë përpara dhe duhet ta shfrytëzojmë. Faleminderit të gjithëve për kontributin që e jepni për shtetin”, ka thënë Çeku. /KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim ministrin e Investimeve të Arabisë Saudite, konfirmojnë gatishmërinë për bashkëpunim mes dy shteteve

Në Muzeun Etnologjik të Kosovës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka pritur Ministrin e Investimeve të Arabisë Saudite Khalid Al-Falih, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Arabi, Lulzim Mjeku, ambasadori Faisal Ghazi Hifzi dhe shefi i Fondit Saudit për Zhvillim, Sulltan AlMarshad.

Bashkë diskutuan për trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës, zhvillimet dhe punët që po bëhen në fushën e trashëgimisë e kulturës. Po ashtu për sportin, sukseset e sportistëve kosovarë nëpër botë, për Kampionatin Evropian të Xhudos dhe kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare 2030.

Të dy ministrat konfirmuan gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin mes dy shteteve./KultPlus.com

Nëntë xhudistë bëhen pjesë e FSK-së për të trajnuar pjesëtarët e saj në xhudo

Nga sot, nëntë sportistë të xhudos janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të trajnuar pjesëtarët e FSK-së në xhudo, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Çeku:

Ushtrinë po e forcojmë përmes talentit të xhudistëve tanë. Nga sot nëntë sportistë të xhudos bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të trajnuar pjesëtarët e saj në xhudo. Përmes këtij projekti përfiton Ushtria e Kosovës, po ashtu xhudistët elitarë dhe profesionistë.

Jemi të lumtur që programi shtetëror “Kosova Shtet i Xhudos” po zbatohet sipas planit dhe me hapa konkretë./ KultPlus.com

Zhbllokohet përfundimisht procesi i mbrojtjes së përhershme ligjore të trashëgimisë kulturore

Ministri Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se është zhbllokuar përfundimisht procesi i mbrojtjes së përhershme ligjore të trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.

Pas vlerësimit dhe rekomandimit pozitiv nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, listës së aseteve në mbrojtje të përhershme, pas një stagnimi disa vjeçar i shtohen Hamami i Madh në Prishtinë, varrezat Hebraike në Prishtinë, shkolla e Muzikës (ish Saraji i Mustafë Pashës) në Gjilan, Atik Xhamia në Gjilan, dhe ish-hoteli Jadran në Mitrovicë.

Gjatë javëve dhe muajve në vijim pritet të miratohen propozime të tjera për shpallje asetesh në mbrojtje të përhershme nga kategori të ndryshme të trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com

Çeku: Projektligji për kinematografi e shpall filmin si sektor me interes të veçantë publik në Kosovë

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar edhe Projektligjin për kinematografi dhe koncept-dokumentin për rini.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u shpreh se me Projektligjin për kinematografi parashihet reformë e plotë strukturore në sektorin e filmit duke e shpallur këtë sektor si interes të veçantë publik.

Sa i takon koncept-dokumentit për Rini, Çeku e konsideroi si reformë të plotë po ashtu në sektorin rinor, i cili u jep mundësi për të hartuar ligj të ri për rininë.

“Parasheh një reformë të plotë strukturore në sektorin e filmit, projektligji e shpall filmin si sektor me interes të veçantë publik në Kosovë gjithashtu është një përpjekje për të krijuar kushte për ekonominë kulturore bazuar në filmin, tërheqjen e investitorëve të huaj përmes sistemit të rabatit parasheh një sistem të rimbursimit të investimeve të huaja në prodhimin e filmave në Kosovë, ky projektligj parasheh edhe themelimin e rrjetit të kinemave publike të Kosovës fuqizimin e kapaciteteve të QKK-së“, u shpreh Çeku.

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi kosovar miratoi edhe draftin e programit edukativ për nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë (11) të Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë “Edukimi për Siguri” (MAShTI) si dhe propozim-vendimin për kursime dhe ndarje buxhetore. / KultPlus.com

Çeku: Kosova aplikon vitin e ardhshëm për anëtarësim në UNESCO

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, deklaroi se Kosova në vjeshtën e vitit të ardhshëm do aplikojë për tu bërë anëtare e UNESCO-s.

Sipas tij, nga anëtarësimi në UNESCO do dëshmohet edhe më shumë pavarësia e sovraniteti i Kosovës.

“Unë besoj që në mundësinë e radhës duhet të aplikohet.E ajo mundësi është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, kjo për shkak se konferenca e përgjithshme e UNESCO-s takohet çdo 2 vjet dhe kjo është mundësia për aplikim. Aplikimi në Këshillit e Evropës në Bashkimin Evropian, NATO e shumë shpejt edhe në UNESCO,janë veprime të natyrshme për ta konfirmuar sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Çeku në Tëvë1.

Ai tutje përmendi edhe aplikimin e Kosovës për statusin e kandidatit për anëtar në Bashkimin Evropian, e që do ndodhë gjatë këtij muaji.

“Besoj që në të njëjtën logjikë duhet të vazhdojmë edhe me UNESCO-n dhe me organizatat tjera institucionale e ndërkombëtare”, tha ai tutje.

Kujtojmë se kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar organit kulturor të OKB-së në vitin 2015 nuk ka marrë mjaftueshëm vota nga shtetet anëtare të UNESCO-s, për shkak të kundërshtimit të fortë nga Serbia dhe aleatët e saj. /KultPlus.com

Bashkëpunim kulturor mes Kosovës dhe Gjermanisë

Sot, në Mynih, në kuadër të takimit zyrtar mes Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrit të Kulturës të Bavarisë, Markus Blume, më qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit kuluror mes Kosovës dhe Gjermanisë, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë.

Ky bashkëpunim synon partneritetin në fushat shkencore, profesionale, të digjitalizimit dhe të veprimtarive kulturore mes dy institucioneve. Po ahstu shkëmbimin e ndërsjellë të të dhënave bibliografike, mbështetje për hulumtuesit shkencorë, bashkëpunim në zhvillimin dhe implementimin e projekteve shkencore, informacion të ndërsjellë rreth botimeve me qasje të hapur, shkëmbim të ekspertizës dhe përvojës shkencore, organizim të ngjarjeve të përbashkëta si konferenca shkencore, seminare dhe ekspozita, shkëmbim të materialit informativ dhe të publikimeve etj.

Marrëveshja është nënshkruar nga Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe Klaus Ceynowa, drejtor i Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë.

Ministri Çeku pret në takim përfaqësues nga fusha e  kulturës dhe artit nga Ukraina

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku priti në takim Yuliia Hnat, Alex Fisher, Kateryna Iakovlenko dhe Kateryna Botanova, përfaqësues nga fusha e  kulturës dhe artit nga Ukraina.

Bashkë diskutuan për zhvillimet aktuale në vendin tonë sa i përket kulturës, ngritjen artistike pas luftës dhe si mund të ndihmojë përvoja e Kosovës Ukrainën. Gjithashtu ndër të tjera u fol për ndikimin dhe organizimin e bienales Manifesta në Prishtinë, bienale kjo që pritet të mbahet në Ukrainë në vitin 2028 dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ministri Çeku shprehu keqardhje për situatën e rëndë në Ukrainë, po ashtu mbështetjen dhe solidaritetin e vendit tonë me këtë shtet.

Delegacioni nga Ukraina po qëndronin në Kosovë në kuadër të Konferencës së Asociacionit Ndërkombëtar të Bienaleve që u mbajt në Prishtinë si pjesë e Manifesta 14./KultPlus.com

Mbahet ceremonia e shpërndarjes së 394 titujve të librave dhe 19 revistave letrare për 32 biblioteka komunale

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u mbajt ceremonia e shpërndarjes së 394 titujve të librave dhe 19 revistave letrare për 32 biblioteka komunale të cilat janë financuar nëpërmjet thirrjes publike për përkrahjen e botimit dhe blerjes së librave dhe revistave letrare.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha që MKRS-ja do të vazhdojë të qëndrojë afër botuesve, shkrimtarëve, bibliotekave dhe institucioneve komunale kulturore.

Gjithashtu ka treguar edhe për programin “Rrjeti Bibliotekar në Republikën e Kosovës”, angazhim ky i përbashkët i MKRS, MASHTI dhe MAPL, i cili mbi të gjitha ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimit të materialit bibliotekar në nivel vendi si dhe qasje në formë elektronike në titujt e arkivuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe bibliotekat publike lokale.

Në mënyrë simbolike, ministri Çeku ka ndarë titujt për bibliotekën e Preshevës, Bibliotekën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atë të komunës së Kamenicës./ KultPlus.com

Përmbyllet puntoria dy-ditore ku u u prezantuan Draftet e Koncept dokumentit për sportin dhe Strategjisë shtetërore për sportin

Sot në Prishtinë u mbyll punëtoria dy ditore ku u prezantuan Draftet e Koncept dokumentit për sportin dhe Strategjisë shtetërore për sportin.

Në këtë diskutim pjesëmarrës ishin përfaqësues të komunitetit të sportit, përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror e lokal dhe akterë tjerë njohës të kësaj fushe.

Koncept-dokumenti për sportin parasheh bazën analitike për ndryshimet e domosdoshme në legjislacionin dhe politikat përcjellëse të sportit dhe sektorëve ndërlidhës, ndërsa Strategjia shtetërore për sportin parasheh një vizion afatgjatë për zhvillimin e sportit.

Në hartimin e këtyre dokumenteve janë angazhuar zyrtarë të administratës shtetërore në dy nivelet e qeverisjes, ekspertë vendorë e të jashtëm, federatat e organizatat e sportit dhe palët e tjera relevante.

Ministri Çeku falenderoi të gjitha palët për angazhimin dhe punën e deri tanishme ndërsa u bëri thirrje që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre deri në finalizim të këtyre dy dokumenteve me rëndësi të madhe për fushën e sportit.

Synimi është që të dyja dokumentet të finalizohen brenda këtij viti dhe të dërgohen për miratim në qeveri dhe kuvend./ KultPlus.com

Çeku vazhdon takimet me kryetarë të komunave, diskutuan për sportin në përgjithësi me Muhaxherin

Një nga pritoritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përmirësimi i infrastrukturës fizike për të rinjtë, sportistët, artistët tanë në gjithë Kosovën. Renovim i objekteve ekzistuese dhe fillim të projekteve aty ku ka mungesë. Objekte kulturore të mirëfillta, me program e funksionale, qendra rinore që u ofrojnë të rinjve hapësira rekreative e natyrisht hapësira të dinjitetshme sportive.

Për këtë qëllim ministri Çeku po zhvillon takime me kryetarë të komunave në gjithë vendin, ku po diskutojnë për projektet që kanë vite që janë zvarritur po ashtu zhvillimin e projekteve të reja.

Të premten u takua me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Filluan me diskutim për Palestrën e Sportit në Zahaq. U dakorduan që pas tejzgjatjes, procesi aktual duhet të përmbyllet, të bëhet vlerësimi i gjendjes në terren dhe të vazhdohet me shpallje të tenderimit për operator të ri në mënyrë që projekti të përfundojë.

Një tjetër projekt që ka zgjatur me vite është ai i Palestrës së Sporteve në Loxhë, ku gjithashtu kanë stagnuar punimet. Komuna njoftoi se kanë ndërprerë kontratën dhe do të punojnë drejt vlerësimit të punëve të mbetura dhe verifikimit të pagesave të fundit, në mënyrë që të hapet mundësia e përfundimit e funksionalizimit me proces të ri.

U fol gjithashtu për stadiumin e qytetit. U pajtuam që të bëhet studim i fizibilitetit për stadium të ri dhe të shqyrtohet kapaciteti që nevojitet në aspektin teknik, ekonomik e operacional duke marrë parasysh edhe stadiumet tjera të kategorive të ndryshme në territorin e Kosovës. Të sigurohemi që të vlerësohet më pas projekti ekzistues dhe të rishikohet sipas analizave më terren në mënyrë që kur të fillojnë punimet të mos hasim në probleme, siç ka ndodhur deri tani.

Fusha ndihmëse në Raushiq është një tjetër projekt që gjithashtu u përcoll me probleme. Komuna njoftoi që shpronësimi i pronave që i kanë penguar punimet është përfunduar, tani MKRS do të vazhdojë procesin me angazhim të plotë drejt zgjidhjes më të mirë.

Ministri Çeku e njoftoi edhe me punët që janë përfunduar dhe ato që ende janë në proces në fushën e trashëgimisë kulturore.

Kanë përfunduar ndërhyrjet emergjente në shtëpinë e Qehajve ndërsa po vazhdojnë në kullën e Sheremetit dhe dyqanin e Musa Goranit.

Ministri Çeku propozoi disa projekte potenciale.

Një shtëpi të shahut. Investimin ta bëjë MKRS e Komuna të sigurojë lokacionin. Po ashtu një poligon të shigjetarisë, ku komuna u zotua ta sigurojë lokacionin sipas kritereve të nevojshme.

U diskutua gjithashtu për mbylljen e fushave të tenisit për t’u funksionalizuar gjatë dimrit, bashkë me të gjitha instalimet e duhura.

Kryetari Muhaxheri po ashtu u njoftua për dy programet nacionale që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe i sportit në shkolla, programe këto që do të zbatohen në të gjithë vendin. U shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë në zbatimin e tyre. /KultPlus.com

Çeku në hapjen e Etno Fest: Ky festival ka sjellë një model të ri të menaxhimit të hapësirave kulturore në vend

Mbrëmë në fshatin Kukaj filloi festivali Etno Fest i cili do të mbahet deri më 9 shtator, përcjell KultPlus.

I pranishëm në hapjen e këtij festivali ishe edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili vlerëson se ky festival është një koncept i shkëlqyer që shërben si shembull se si mund të transformohet një hapësirë për t’i shtuar vlerë kulturore dhe potencial turistik një vendi.

Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:

Mes bukurive të natyrës së fshatit Kukaj, mbrëmë shijuam çdo moment të programit artistik të Etno Fest, festival ky që ka sjellë një model të ri të menaxhimit të hapësirave kulturore në vend. Një koncept i shkëlqyer që shërben si shembull se si mund të transformohet një hapësirë për t’i shtuar vlerë kulturore dhe potencial turistik një vendi, duke ruajtur dhe promovuar traditat tona.

Ishte kënaqësi e veçantë të ndjekim perfomancat, shfaqjen, ekspozitat dhe programin që ishte i paraparë për natën e parë dhe që do të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera.

Përgëzime për drejtuesin e festivalit, Fadil Hysaj dhe ekipin për punën e palodhshme që kanë bërë që ky festival të rritet çdo vit dhe të shndërrohet në vlerë artistike për vendin tonë.

‘Autostrada Hangar’, hapësira për edukim, prodhim dhe ekspozita u hap për publikun

Ministri Hajrulla Çeku e vizitoi sot hapësirën e re të edukimit, prodhimit dhe ekspozimit, që u themelua dhe u hap për publikun, në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman, tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren).

Kjo hapësirë e re, shumë e nevojshme për komunitetin e artit dhe qytetarët, do ta ofrojë vendin dhe mundësinë për mësim e shkëmbim të njohurive mes profesionistëve të rinj brenda fushave të tyre si dhe me ekspertë të jashtëm që do të angazhohen përmes programit të edukimit.

Përveç ekspozitave të artit bashkëkohor, Autostrada Hangar është vlerë e shtuar për komunitetin si hapësirë multifunksionale në shërbim të qytetarëve.

Po zhvillohen ndërhyrjet restauruese dhe konservuese në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren

Me shumë kujdes dhe duke i kushtuar rëndësi çdo detaji po zhvillohen ndërhyrjet restauruese dhe konservuese në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren, përcjellë KultPlus.

Aktualisht po punohet në rehabilitimin e pjesëve të brendshme.

Hamami i ndërtuar në vitin 1574 është aset i trashëgimisë kulturore i një rëndësie të veçantë pasi që për shekuj me radhë ka qenë pjesë e pandashme e jetës së qytetarëve të Prizrenit dhe është shndërruar në simbol shpirtëror dhe kulturor.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku ka vëzhguar nga afër sot punimet që po bëhen aty duke u shprehur që po punohet çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Çeku. / KultPlus.com

Hapet Instituti i Artit Bashkëkohor ARKIV, ministri Çeku pritet nga themeluesi Sislej Xhafa

Objekti i SHFMU ”Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë, tash do të ketë një tjetër funksion.

Kjo hapësirë është shndërruar në institucionin më të ri të artit në Kosovë, Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV.

Hapja u bë me ekspozitën e Artan Hajrullahut ”Silence Took a Hold of the Rooms”.

Ministri Çeku vizitoi ARKIV-in bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ku u pritën nga artisti Sislej Xhafa, njëkohësisht edhe themeluesi i këtij institucioni.

ARKIV, Instituti i Artit Bashkëkohor është institucioni i parë publik i dedikuar artit bashkëkohor në rajonin e Pejës. Duke bashkuar artistë vendas dhe

ndërkombëtarë në të gjithë disiplinat, do të jetë një qendër e krijuar për kërkime të avancuara, të menduarit kritik, eksperimentim dhe dialog. / KultPlus.com

Qëndrimet e Europa Nostra për Manastirin e Deçanit, sot ministri Çeku mban konferencë për media

Sot (16.07.2022) nga ora 14:00, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, do të mbajë konferencë për media.

Temë do të jetë çështja e qëndrimeve të organizatës Europa Nostra për Manastirin e Deçanit dhe vizita e delegacionit të tyre në Kosovë.

Gjithashtu, ngjarjet aktuale në fushën e kulturës, rinisë e sportit. /KultPlus.com

Ndërhyrjet në Muzeun Etnografik në Gjakovë drejt fundit, Ceku: Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Po bëhen prekjet e fundit para përmbylljes së ndërhyrjeve të Ministrisë së Kulturës në ndërtesën e Muzeut Etnografik në Gjakovë.

Ky aset i trashëgimisë kulturore me vlera të jashtëzakonshme dhe pikë reference e turizmit në Gjakovë po merr vëmendjen e merituar nga institucionet.

Muzeu Etnografik kishte nevojë urgjente për ndërhyrje, të cilat tani po i afrohen përmbylljes.

Ky muze po ashtu është përfshirë në analizën që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës në kuadër të Programit Kombëtar për zhvillimin e muzeve në Kosovë.

Duke i ruajtur origjinalitetin dhe mbrojtur nga të gjitha dëmtimet që i janë shkaktuar ndër vite, muzeu do të shërbej dhe bart kujtesën kolektive tek brezat e ardhshëm.

“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri i kulturës, Hajrulla Çeku. / KultPlus.com

Programi ‘Kosova shtet i xhudos’ po fillon fazën e parë

Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka kanë nëshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare të fazës së parë të programit “Kosova shtet i xhudos”.

Ky program ka për qëllim masivizimin e sportit të xhudos përmes shtrirjes në shkolla, fuqizimin e kapaciteteve të trajnerëve, zhvillimin e infrastrukturës, organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare dhe vazhdimësinë e rezultateve kulmore në sportin e xhudos.

Në kuadër të këtij memorandumi parashihet rritja e kapacitetit njerëzor për menaxhimin e programit të trajnerëve në xhudo, hartimi i projektit të detajuar për masivizimin e sportit të xhudos si dhe përkrahja për menaxhimin e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare./ KultPlus.com

Çeku pret në takim Badivukun, pianistja që performoi në sallën prestigjioze në ‘Carnegie Hall’

Pianistja nga Kosova, Adea Badivuku, është mirëpritur në takim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.

Badivuku bëri të ditur këtë gjë përmes një postimi në “Facebook”, duke falënderuan Çekun për pritjen e ngrohtë, siç thotë ajo.

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

“Faleminderit shume Ministrit te Kultures, Rinise dhe Sportit se Kosoves z.Hajrullah Çeku per pritjen e ngrohte sot! Ndihem shume e lumtur per mundesine e diskutimit te arritjeve dhe sukseseve te mia ne performancen pianistike ne SHBA e mbi te gjitha per mbeshtetjen e iniciativave, projekteve dhe artisteve te rinje!”

“Si pjesëmarrëse e vazhdueshme e garave dhe fituese e çmimeve të shumta, mund të them se çmimi i parë këtë herë në New York dhe performimi në sallën prestigjioze në Carnegie Hall ishte një përjetim përrallor”, kishte deklaruar Badivuku më herët për KultPlus.

Ky është vetëm njëri prej disa sukseseve të shumta që Kosova ka arritur në vitet e fundit përmes pianistëve të ndryshëm. /KultPlus.com

Çeku: Duhet të vazhdojnë të insistojmë si qeveri, si institucione, si shoqëri, si Kosovë që pikë së pari ta mbrojmë figurën e Dua Lipës

Në mesin e shumë zhvillimeve që kanë ndodhur së fundmi në aspektin kulturor dhe politik në Kosovë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka deklaruar se nuk janë ndërprerë kontaktet me organizatorët e festivalit “Sunny Hill”, shkruan KultPlus.

Pas ndarjes së çmimit kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”, ministri Çeku është deklaruar për media, ku mes tjerash ka treguar edhe prapaskenat e komunikimit mes MKRS-së dhe organizatorët e festivalit “Sunny Hill”.

“Unë kam thënë që në parim çështja e ndarjes së tokës për një periudhë kaq të gjatë, nuk duhet të bëhet në ngut ose të ndonjë lloj presioni vendimmarrje të bazuar, që në fund të matim dhe ta vlerësojmë në mënyrën e duhur interesin publik dhe aty ku ka interesa private në raste të caktuara. Ne kemi qenë në komunikim me organizatorët e festivalit të “Sunny Hill” dhe si MKRS ju kemi ofruar që të shërbejmë si pikë referente për të gjithë ministritë që ata kanë punë”, ka thënë Çeku.

I pari i Kulturës, ka thënë mes tejrash se kanë kërkuar që të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë.

“Nuk do të duhej të ishte shkas, as ndonjë arsyeje e mjaftueshme një çështje të cilën kemi thënë ta ri mendojmë, çështjen afatgjate të marrjes së asaj toke. Për ta bërë një lëvizje kaq të shpejtë, sepse vetëm para disa ditësh ne ishim duke diskutuar këtë çështje me ta. Dhe u duk se kishte një pranim për ta rimenduar për çështjen afatgjate të kontratës së kësaj toke. Dhe kaluan shumë pak ditë dhe ndodhi kjo që u paralajmërua dje”, ka deklaruar ai.

Çeku tutje, shprehu pakënaqësitë dhe zhgënjimin e tij se si emri i këngëtares Dua Lipa kanë marrë dimension të panevojshëm politik.

“Kontaktet nuk janë ndërprerë asnjëherë, ne jemi në komunikim dhe gjithsesi po vazhdojmë t’iu tregojmë që qëndrojmë pas gjitha zotimeve që i kemi ofruar nga fillimi. Unë besoj që një organizim i kësaj natyre është më i madh se të gjithë ne, sepse është për vendin tonë, për promovimin ndërkombëtar të vendit tonë. Nuk besoj që duhet të reduktohet në çështje të vogla ose të bëhet çështje e debateve politike. Jam thellësisht i zhgënjyer që po merr edhe një dimension politik të panevojshëm”, tha Çeku.

Më tej, tha se duhet të vazhdojnë të insistojnë si qeveri që ta mbrojnë imazhin e këngëtares Dua Lipa.

“Duhet të vazhdojnë të insistojmë si qeveri, si institucione, si shoqëri, si Kosovë që pikë së pari ta mbrojmë figurën e Dua Lipës. Një personaliteti të veçantë për vendin tonë që ka bërë shumë dhe ka kontribuar shumë për Kosovën. Ta shmangim çfarëdo politizimi ose të përfshirjes së emrit të saj në debatet politike dhe dua ta rikonfirmoj gatishmërinë edhe të ministrisë që drejtoj, por edhe për shkak të komunikimit me qeverinë, që jemi shumë të interesuar ta vazhdojmë bashkëpunimin me “Sunny Hill”. Jemi shumë të gatshëm, siç kemi qenë deri në minutë të fundit, që t’i qëndrojmë prapa zotimeve tona që t’iu plotësojmë të gjitha kërkesave”, ka përfunduar Çeku.

Ai tha se janë të gatshëm të diskutojnë më tej për çështjen e ndarjes së parcelës së nevojshme për organizimin e këtij festivali.

Nga ana tjetër, dje u njoftua zyrtarisht se “Sunnyhill” do të zhvendoset në Tiranë, për shkak të vonesave të shumta administrative për vendndodhjen. /KultPlus.com