Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi ka takuar ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, përcjell KultPlus.
Ata kanë ndarë së bashku vizionin për bashkëpunimin kulturor bilateral si dhe janë dakorduar për nisjen e bashkëpunimit në trashëgimi kulturore dhe muzetë.
“Kënaqësi të takoja dhe të ndajmë vizionin e përbashkët për bashkëpunimin kulturor bilateral, me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.
Diskutuam për marrëveshjet aktuale, atë për bashkëprodhim të filmave dhe në fushën e arkivave, ndërsa u dakorduam për nisjen e bashkëpunimit në trashëgimi kulturore dhe muzetë”, thuhet në njoftimin e tij. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se UEFA ka konfirmuar përkrahjen për futbollin e Kosovës, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, shefi i MKRS-së, ka njoftuar se është takuar nga kryetari i shtëpisë së futbollit evropian, Aleksander Ceferin.
Postimi i plotë:
UEFA konfirmon përkrahjen për futbollin e Kosovës
Sot bashkë me Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në selinë e UEFA-së në Nyon të Zvicrës u pritëm nga Kryetari i shtëpisë europiane të futbollit, Aleksander Čeferin. Kryetarit të UEFA-së ia shpalosëm planin investiv pesë vjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë.
Plani investiv që bën bashkë Ministrinë e Sportit, FFK-në dhe komunat përkatëse, parasheh përmbyllje të projekteve aktuale, renovime dhe stadiume të reja futbolli. Nga Kryetari Čeferin morëm zotimin për mbështetje financiare dhe profesionale për realizimin me kohë dhe cilësor të planit pesë vjeçar të infrastrukturës së futbollit”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, e ka mirëpritur dënimin e dytë të FIFA-s ndaj Serbisë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Çeku ka shkruar se shovinizmi serb nuk kalon.
“Dënimi i parë para pak javësh për banerin skandaloz me thirrje për gjenocid. Dhe sot, dënimi i dytë për fyerjet e ekipit dhe tifozëve ndaj shqiptarëve. Të dy rastet zyrtarisht të nisura nga Federata e Futbollit e Kosovës, me mbështetje të gjerë publike e institucionale”.
FIFA të premten e dënoi Federatën serbe me 50 mijë franga për thirrjet fyese të tifozëve në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar, huliganët serbë kanë fyer vazhdimisht Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën, dy lojtarët shqiptarë të Zvicrës. Zvicra kishte fituar 3:2 dhe kishte dërguar Serbinë në shtëpi./ KultPlus.com
Përmes ndërhyrjeve konservuese është shpëtuar ndërtesa e Kinemasë së parë të qytetit të Prizrenit, duke e kthyer në jetë, të gatshme për shfrytëzim nga komuniteti.
“Plot punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, thuhet tutje në postimin e ministrit Hajrulla Çeku. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është shtuar dhe një hapësirë e sportit në shërbim të komunitetit, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka ndarë edhe disa fotografi nga punimet në palestrën e sportit të gjimnazit të Pejës.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Edhe një hapësirë e sportit në shërbim të komunitetit. Kanë përfunduar punimet në palestrën e sportit të gjimnazit të Pejës. Përveç nga nxënësit e shkollës, palestra po shfrytëzohet edhe nga sportistët e qytetit.
Klubi i basketbollit Peja po i mban stërvitjet në këtë sallë, ndërsa me 29 dhjetor pret Hapoelin e Izraelit në Pejë, në kuadër të Ligës Ballkanike. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se pas restaurimit, shtëpia e piktorit, Hamdi Bardhi, në Prizren tanimë funksionon, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka ndarë edhe disa fotografi nga pjesa e shtëpisë së restauruar.
Postimi i plotë:
“Shtëpia e piktorit Hamdi Bardhi në Prizren ishte në prag të rrënimit. Pas restaurimit, monumenti pret të ketë funksion. Edhe një punë e mirë, trashëgimia jonë në shërbim të komunitetit, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur vitin me një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.
Për këtë ka shkruar edhe Ministri Hajrulla Çeku, i cili ka vlerësuar mbrëmjen si shumë të suksesshëm, njësoj sikurse gjithë vitin e Filharmonisë së Kosovës
Postimi i plotë:
“Filharmonia e Kosovës me koncertin përmbyllës të një viti të jashtëzakonshëm pune.
Interpretim i mrekullueshëm, në drejtimin e mjeshtrit bullgar Svilen Simeonov dhe me paraqitjen e violinistes virtuoze Sihana Badivuku, një repertor nga Straussi deri tek kolonat zanore të filmave ikonikë të kompozuar nga mjeshtri italian Ennio Morricone”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Më 15 dhjetor është mbajtur premiera e kompozitorit italian Giuseppe Verdi “La Traviata” nga Opera e Kosovës, ndërsa më 17 dhjetor u bajt edhe repriza, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se Opera e Kosovës dëshmoi potencialin dhe cilësinë operistike.
Postimi i plotë:
“Dy net, full house, 1500 bileta të shitura, mbi 150 performues në skenë, duartrokitje 15-minutëshe. “La Traviata” e Verdit nga Opera e Kosovës dëshmi e potencialit dhe cilësisë operistike. Urime të gjithëve për këtë moment historik.
Shfaqja transmetohet më 2 janar 2023 në RTK”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka nënshkruar licencën për Federatën e Mundjes dhe Federatën e Triathlonit, përcjell KultPlus.
Njoftimi është bërë përmes një postimi në faqen zyrtarë të MKRS-së.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë:
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka nënshkruar licencat e radhës për federatat sportive sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave.
Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, ministri Çeku i ka dorëzuar zyrtarisht licencën për ushtrimin e veprimtarisë kryetarit të Federatës së Mundjes, Naim Muja dhe kryetarit të Federatës së Triathlonit, Vedat Tërmkolli.
Përgëzime për të dy Federatat dhe suksese në veprimtarinë e tyre./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar pas incidentit që ndodhi sonte në finalen e Superkupës, në ndeshjen mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, shkruan KultPlus.
Ai ka dënuar sulmin ndaj policëve në këtë ndeshje duke i cilësuar si veprime të turpshme dhe të papranueshme.
Në vijim gjeni postimin e plotë të ministrit Çeku:
Në një periudhë aspak të lehtë për shtetin tonë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës, lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Sporti nuk është luftë. Palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për “trimat” që kanë problem me vetëpërmbajtjen. Për fajin e disave, jemi duke pësuar të gjithë, është duke pësuar sporti i Kosovës. Grupet e tifozëve, në emër të mbështetjes së klubeve të tyre të zemrës, janë duke e shkatërruar shpirtin sportiv dhe duke i shndërruar palestrat dhe fushat e sportit në ambiente të pasigurta për qyterarët sportdashës.
Ndeshjet e sportit janë momente argëtimi për familjet tona, për të gjitha grupmoshat pa dallim. Huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan të shijojnë sportin bashkë më fëmijët e tyre.
Këshilli për parandalimin e dhunës në kuadër të Ministrisë së Sportit rregullisht ka trajtuar rastet e dhunës në sport, duke i proceduar ato në institucionet relevante. Prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës duhet të jenë më efektive në dhënien e dënimeve për huliganët.
Edhe federatat e sportit duhet të vazhdojnë me veprime dhe vendime të ashpra, pa asnjë kompromis ndaj dhunës. Ministria e Sportit, paralelisht me veprimet e tjera, do të jetë e detyruar të zbatojë edhe veprime radikale për prezencën e tifozëve në palestra dhe fusha të sportit.
Këshilli për parandalimin e dhunës në sport do të mbledhet nesër në mëngjes për të trajtuar dhunën e shfaqur në ndeshjen e sontme të basketbollit mes Prishtinës dhe Trepçës.
Policëve të Kosovës dhe të lënduarve të tjerë u dëshiroj shërim të shpejtë./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se ka pranuar së fundmi shumë mesazhe fyese dhe kërcënesue nga Serbia, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku ka thënë se këto mesazhe kanë ardhur nga momenti kur ai ka publikuar veprimin shovinist të Serbisë.
Postimi i plotë:
“Përgjatë dy ditëve të fundit kam pranuar qindra mesazhe fyese dhe kërcënuese nga Serbia, nga momenti që e kemi sensibilizuar opinionin botëror për veprimin shovinist të ekipit të tyre të futbollit në Botërorin Katari 2022.
Fyerjet drejtuar familjes sime dhe kërcënimet me vrasje janë tregues të radhës se shovinizmi serb është rreziku më i madh ndaj paqes në rajonin tonë. Demokratizimi i Serbisë dhe shkëputja nga kontrolli rus janë parakushte për siguri e përparim në Ballkanin Perëndimor.
Një nga mënyrat më të mira për të mbrojtur të drejtën dhe të vërtetën tonë është edhe diplomacia qytetare. Reagimet publike të shumë qytetarëve tanë i kanë dhënë fuqi ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar FIFA-s. Besojmë që Serbia do të marr dënimin e merituar për veprimin skandaloz të tyre që e shndërron sportin në mjet të aspiratave pushtuese”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është inauguruar fillimi i restaurimit të ndërtesës ku do të funksionojë Qendra Kulturore Hebraike në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filluan punimet restauruese në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës.
Në Prizren për të inauguruar këto punime sot ishin Ministri Hajrulla Çeku, ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv, ambasadori gjerman, Joern Rohde, shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Michael Davenport, zëvendësambasadorja e SHBA, Alyson Grunder, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Qendra Kulturore Hebraike do të vendoset në ndërtesën e ish Hotel Shumadija, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.
Projekti i revitalizimit është hartuar nga Komuniteti Hebraik në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. Paralelisht me ndërhyrjet revitalizuese, jemi në koordinim me Komunitetin Hebraik në Kosovë dhe shtetin e Izraelit, për të ndërmarrë hapat për zhvillimin e projektit të hulumtimit për ndërtimin e narrativës së ekspozitës mbi historinë e Komunitetit Hebraik në Kosovë, ekspozitë kjo e cila do të prezantohet në hapësirat e kësaj Qendre. /KultPlus.com
Mbrëmë Ambasada e Francës në Kosovë ka prezantuar edicionin e 22-të – të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë. Kjo ngjarje e organizuar në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës Belgjikës dhe Aleancën Franceze të Prishtinës, ka mbledhur një numër të lartë të artdashësve që kanë mbushur plot sallën e Kino Armatës me rastin e hapjes zyrtare që filloi fiks në orën 18:30, shkruan KultPlus.
Festivali këtë vit do shtrihet në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. Në të njëjtën kohë me festivalin është duke u zhvilluar edhe “LA SEMAINE DU GOÛT”, java e shijes, dhe trajtimi i gastronomisë “në stilin francez” dhe për këtë aktivitet nga Franca ka ardhur shefi i kuzhinës, Chef Christophe dhe asistentja e tij Nathalie Vuitton.
Ata do të jenë çdo ditë në Institutin për aftësim profesionale KTC–së dhe në Espace FRANCE “le Vieux Lyon” ku do të mbajnë trajnime në fushën e kulinarisë.
Në ndërkohë, për programin e Festivalit të Filmit Frankofon dhe rëndësinë e Frankofonisë në Kosovë, të pranishëm ishin ambasadori i Francës, Olivier Guérot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe përfaqësues nga përfaqësitë diplomatike të Zvicrës dhe Belgjikës.
Fillimisht, ministri I Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se veprimtaria e vazhdueshme në kulturë, ka shënuar një rritje të dukshme të aktiviteteve në shumë nivele.
“Kjo javë ka qenë shumë e suksesshme dhe tradicionalisht ka bërë bashkë profesionistë, artistë të profilit kinematografik. Çdo program i ka dhënë Kosovës mundësinë që të njohë më mirë kulturën franceze, përmes kinemasë dhe arteve të tjera. Ky program i shkëlqyer me aktivitete të ndryshme është një rast që zhvillon shkëmbimin e kulturës. Veprimtaria e vazhdueshme në kulturë këtë vit ka shënuar intensifikimin e aktiviteteve në shumë nivele. Këtë vit ne nënshkruam marrëveshjen e bashkëprodhimit të filmit, duke hapur efektivisht marrëdhëniet e mëtejshme në fushën e kinemasë. Unë besoj se shkëmbimi ynë kulturor ndërmjet institucioneve është shembulli më i mirë se si po zhvillohen operacionet tona”, thotë Çeku.
Ndërsa, Ambasadori i Francës, Olivier Guérot ka thënë se Frankofonia nuk ka të bëjë vetëm me Francën apo vendet evropiane frankofone, por shtrihet edhe më gjerë, duke përfshirë një kinematografi të larmishme.
“Sonte jemi mbledhur për të festuar për kinematografinë. Dua të ju jap dy mesazhe shumë të shkurtra. Kinemaja është një mjet shprehës kulturor që krijon ëndrra, bashkon emocione nëpërmjet së qeshurës por kinemaja është gjithashtu një industri kreative e cila krijon edhe vende pune. Në anën tjetër, industria e filmit përshkon standardet tona kulturore, krijon një formë të kulturës tonë dhe për shkak se është një industri krijuese nuk duhet t’i lehet hapësirë për monopol. Kinemaja amerikane ka krijuar vepra të jashtëzakonshme dhe do t’i vazhdojë t’i prodhojë, por ekonomia ka nevojë për konkurrencë dhe kultura ka nevojë për diversitet. Frankofonia është një hapësirë diversiteti, një diversitet i brendshëm sepse Frankofonia nuk ka të bëjë vetëm me vendet evropiane frankofone, por shtrihet në pesë kontinente, treqind milionë folës dhe përfshin një kinematografi të larmishme”, thotë Guérot.
Tutje, fjalën e morën edhe përfaqësues nga përfaqësitë diplomatike të Zvicrës dhe Belgjikës.
“Ashtu si në vitet e kaluara, jam i nderuar të marr pjesë në nisjen e Javës së Frankofonisë që përmban një program të tillë. Kam kënaqësinë të konstatoj që Festivali i Filmit Frankofon ashtu sikurse Java e Frankofonisë që mbahet çdo ditë në mars, tashmë janë ngjarje të pashmangshme që kontribuojnë në skenën e pasur kulturore, duke marr parasysh që janë zhvilluar në Kosovë gjatë disa viteve të fundit. Në Zvicër, gjuhësia është një pjesë integrale e identitetit tonë. Dy të tretat e popullsisë përdorin më shumë se një gjuhë, të paktën një herë në javë. Popullsia e huaj që jeton në Zvicër gjithashtu kontribuon në shumë gjuhë. Kur flasim për këtë, gjuha shqipe është gjuha e gjashtë më e folur në Zvicër. Promovimi i gjuhës frënge, që është gjuha kryesore e folur nga 23% e popullsisë, është padyshim shumë e rëndësishme për ne. Në këtë rrugëtim, Frankofonia shkon përtej gjuhës frënge dhe është me të vërtetë një platformë e jashtëzakonshme e promovimit të vlerave të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe inkurajimit të bashkëpunimit të ri”, ka thënë përfaqësuesi nga Zvicra, Thomas Kolly.
Po ashtu, përfaqësuesi nga Belgjika, Julien Sassel është shprehur tejet i lumtur që aktivitetet belge janë pjesë e këtij edicioni.
“Jemi të lumtur që kemi mundësinë të përfshijmë aktivitetet belge në këto aktivitete. Këto përpjekje janë gjithashtu të lidhura me një projekt të Javës Belge, ende në zhvillim, që do të synojë të nxjerr në pah diversitetin kulturor të vendit tonë, të shprehur në gjermanisht, frëngjisht apo holandisht. Deri atëherë, ju uroj një mbrëmje të shkëlqyer”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Dino De Bruxelles nga Ambasada e Francës ka thënë se nga dita e djeshme e deri të dielën, të gjithë do të duhet të jenë të dedikuar ndaj të menduarit për dashurinë.
Ai po ashtu prezantoi premierën e filmit “France” nga regjisori francez Bruno Dumont, i publikuar në vitin 2021 dhe përshkruan jetën e një gazetareje, ylli televiziv, e kapur në një spirale ngjarjesh që do ta çojnë në rënien e saj.
“France” është një film komedi-dramë i vitit 2021, shkruar dhe drejtuar nga Bruno Dumont. Në të luajnë Léa Seydoux, Blanche Gardin, Benjamin Biolay, Emanuele Arioli, Juliane Köhler, Gaëtan Amiel, Jewad Zemmar dhe Marc Bettinelli.
Filmi ndjek jetën e një gazetareje televizive, e kapur në një spirale ngjarjesh që do ta çojnë në rënien e saj. Midis dramës dhe komedisë, Franca kërkon të krahasojë krizën intime dhe publike të një gruaje të re me një portret të Francës bashkëkohore.
Filmi pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Kanë më 15 korrik 2021. U publikua në Francë më 25 gusht 2021 nga ARP Selection.
Filmi synohet veçanërisht të jetë një satirë e trajtimit të informacionit nga kanalet televizive. France de Meurs është një gazetare yll në një stacion televiziv privat francez.
Fama e saj, mënyra e saj e konceptimit të raporteve dhe programeve, si dhe një zinxhir ngjarjesh personale, do të shkaktojnë një dyshim total të karrierës së saj në media dhe do ta kthejnë jetën e saj përmbys, përveç përpjekjeve të saj me sulmet e panikut dhe ankthin.
Kujtojmë se Festivali i Filmit Frankofon do të zgjasë deri më 20 nëntor dhe tema e filmave për këtë edicion është “AMOUR TOUJOURS”, një ilustrim i përsosur i këtyre 22 viteve takimesh romantike me Artin e 7-të.
Të gjitha informatat mbi shfaqjen e filmave dhe vendet i gjeni KËTU. Hyrja për të gjithë filmat është falas.
Gjithashtu, vizita e Ambasadorit të Francës në Institutin e Trajnimit Profesional të KTC-së dhe në Espace FRANCE “le Vieux Lyon” në Fushë Kosovë, do të mbahet ditën e premte, më 18 nëntor, në orën 11:00. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku së fundmi ka marrë pjesë në Samitin e Rinisë të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të kancelarisë federale të Republikës së Austrisë, përcjell KultPlus.
Ai pati rastin që të iu drejtohet 200 të rinjve që përfaqësojnë organizata jo-qeveritare nga e gjithë Austria, në ngjarjen përmbyllëse të Vitit Europian të Rinisë 2022.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Dy ditë produktive pune në Vjenë
Me ftesë të kancelarisë federale të Republikës së Austrisë, mora pjesë në Samitin e Rinisë të Ballkanit Perëndimor. Gjatë vizitës pata takime me Ministren e BE-se dhe Kushtetutës së Austrisë, znj. Karoline Etdstadler dhe Sekretaren Austriake të Shtetit për Rini, Claudia Plakolm. Në fund, pata rastin t’u drejtohem 200 të rinjve që përfaqësojnë organizata jo-qeveritare nga e gjithë Austria, në ngjarjen përmbyllëse të Vitit Europian të Rinisë 2022. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është shperhur se bashkëpunimi kulturor me Francën ka marrë një tjetër diemzion me vizitën gjashtë-ditore të përfaqësuesve të rajonit Hauts-de-France në Kosovë shkruan KultPlus.
Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:
Bashkëpunimi kulturor ndërkombëtar me shtetin e Francës, mori një dimension të ri dhe dinamikë të shtuar me vizitën gjashtë ditore të përfaqësuesve të rajonit Hauts-de-France në Kosovë. 🇽🇰🇫🇷
Profesionistë të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore nga Franca, kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit e institucioneve dhe skenës së pavarur dhe kanë zhvilluar vizita në asete të trashëgimisë kulturore me potencial për nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.
Bashkëpunimi kulturor i nisur me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëprodhim kinematografik, dhe projektet e zhvilluara në fushën e arkeologjisë, do të vazhdojë me hapa tjerë konkret, në veçanti duke nxitur bashkëpunimin nga fusha e artit bashkëkohor, muzeologjisë dhe kinematografisë.
Vizita filloi me Konferencën për Politikat publike në Francë, ku u prezantua përvoja franceze e zhvillimit të politikave kulturore. Ditët në vijim delegacionet zhvilluan takime dhe vizita në institucionet e arsimit të lartë në Prishtinë dhe Prizren, me akterët e skenës së pavarur kulturore, për të vazhduar në lokacionet e Bienales Nomade Manifesta 14, Kalanë e Novobërdës dhe shfaqjen në teatrin ODA, për të shijuar jetën e pasur kulturore në Kosovë./ KultPlus.com
Mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është shpalosur ekspozita e Akil Dashevcit.
Përmes ekspozitës së tij të parë “Ngjyrat e dashura të Akilit”, ai ka sjell vepra të shkëlqyeshme artistike.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tutje ka njoftuar se Qeveria e Kosovës po punon vazhdimisht për të mundësuar sa më shumë aktivitet dhe integrim shoqëror për personat me aftësi të kufizuara. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Baletit, në përbërje nga Fisnik Smani, Lejla Pula, Jeta Musolli, Sihana Vitaku dhe Pajtim Zogaj.
Bashkë kanë diskutuar për sfidat që ka aktualisht ky institucion dhe prioritetet e planet për dinamizimin e punës.
Duke iu uruar suksese anëtarëve të rinj në përgjegjësinë që kanë marrë, ministri Çeku ka theksuar se përkrahja e MKRS-së për të zhvilluar baletin nuk do të mungojë asnjëherë, ndërsa anëtarët e Këshillit falënderuan ministrin për pritjen dhe besimin për t’i dhënë një drejtim të ri Baletit, duke theksuar se në këtë institucion kanë parë entuziazëm të madh të punës. /KultPlus.com
Kosova ka arritur një tjetër sukses të madh në E-Sports, këtë herë skuadra e “Bad News Eagles” ka siguruar tri fitore radhazi, për t’u kualifikuar më tej në “Legends Stage”, në turneun më të madh në botë në lojën Counter-Strike, shkruan KultPlus.
Në ndeshjen e fundit, BNE u përballën kundër GamerLegion, duke fituar me lehtësi dhe kësisoj duke siguruar kualifikimin tutje.
Për këtë fitore ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, duke përgëzuar djemtë për këtë sukses të madh.
“Djemtë e Kosovës duke shkëlqyer në Brazilin që ende nuk na njeh. Pas tri fitoreve, Bad News Eagles në fazën “Legends”. Përgëzime Flatron, Sener, Rigon, Dionis e Genc. Faleminderit që e mbani flamurin e Kosovës në piedestal. 🦅🇽🇰 #IEM Rio Major 2022″, thuhet në postimin e tij.
Siç kishin njoftuar edhe BNE, Çeku kishte luajtur një rol kyç në sigurimin e vizave për ta. /KultPlus.com
Një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina”, mbrëmë ka mbyllur perden e fundit. E organizuar çdo dy vjet në një qytet tjetër evropian, edicioni i 14-të i Manifestës gjeti hapjen në Prishtinë në muajin korrik, me ç’rast gjithsej 25 hapësira u bënë trendi më i fundit dhe më i ndjekuri në Kosovë. Brenda kësaj periudhe janë shënuar 800 mijë vizita në lokacionet e Manifestës, duke e bërë Prishtinën qendrën më të madhe kulturore në Evropë e jo vetëm, shkruan KultPlus.
Duke i tejkaluar prezantimet e Prishtinës në kuadër të makiatos apo periudhës së pasluftës, Prishtinën tashmë të gjithë e kanë njohur nga një këndvështrim tjetër. Qyteti u shndërrua në muzën e disa nga mediave më prestigjioze në botë por edhe atyre vendore. Përgjatë 100 ditëve, mbi 100 pjesëmarrës kanë ekspozuar artin e tyre dhe emocioni që është shpërfaqur nga puna e tyre, ka dalë përtej imagjinatës së njeriut. Kësisoj, është shfaqur puna artistike dhe kolektive e artit bashkëkohor, një punë kjo që padyshim e ka prekur nivelin botëror e që ka marrë vëmendjen e botës së artit ndërkombëtar.
Vizitorë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë pushtuar Prishtinën në masë të madhe. Vëmendja e tyre iu dedikua Manifestës, më konkretisht artistëve pjesëmarrës, nga të cilët ata vendorë qenë rreth 60 përqind (një përqindje më e lartë e artistëve vendas se në shumë bienale të tjera). Puna e tyre e pakrahasueshme iu është prezantuar botës së promovimit, andaj këta artistë kosovarë kanë dëshmuar që shpirti i tyre është i fundosur thellë në “oqeanin” e artit, dhe nuk ka rrugëdalje nga kjo.
Në anën tjetër, Kosova ka dhënë më të mundurën e saj, për të organizuar e mbajtur një ngjarje të përmasave të tilla. Duke pasur parasysh që ardhja në Kosovë e një bienale të tillë që radhitet në mesin e pesë bienaleve më të fuqishme të artit pamor në botë, atëherë mund të themi që Kosova ka arritur t’i thyej limitet e veta.
Kujtojmë se me përfundimin e Manifestës, Ministria e Kulturës është duke ndërmarr hapat që të sigurohet një trashëgimi e prekshme dhe konkrete e Manifestës, gjë që do të finalizohet ditëve në vijim. Gjithashtu MKRS është angazhuar për të mbajtur të ekspozuara veprat e intervenimit artistik të Petrit Halilaj dhe Flaka Halitit deri në fund të vitit 2023. Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku pati bërë të ditur se ky është viti kur është iniciuar themelimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë dhe mendohet që projekti do të zgjasë deri më 2026.
Qe arkitekti italian Carlo Ratti ai që krijoi një vizion urban për Prishtinën, duke sugjeruar mënyra se si vendet e braktisura në të gjithë qytetin mund të ringjallen për përdorim publik. Bienalja ka përdorur këto vende si hapësira ekspozite: “Grand Hotel Prishtina”, “Sheshi Zahir Pajaziti”, “Kino Armata”, “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Fakulteti Filozofik – UP”, ”Galeria Kombëtare e Kosovës”, “Galeria e Fakultetit të Arteve – UP”, “Rruga 2 korriku” , “Çelësa punues”, “Gërmia departament store”, “Kino Rinia”, “Qendra për Praktikë Narrative”, “Sheshi Adem Jashari”, “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Hamami i Madh”, “Foundation 17 Gallery Space”, “Muzeu Etnologjik”, “Fabrika e Tullave”, “Green Corridor”, “Rilindja”, “Pallati i Rinisë dhe Sportit”, “Prishtina Observatory”, “The Flat”, “Partisan Martyr’s Cemetery Monument”, “Hertica School House”.
Konsiderohet që Bienalja këtë vit është përpjekur për të lënë një trashëgimi për artistët në Kosovë, duke përfshirë hapësirën e quajtur “Qendra për Praktikë Narrative”. Qendra përfshin një dhomë të errët fotografike dhe një punëtori të mbushur me mjete elektrike për t’i përdorur artistët. Autoritetet e qytetit të Prishtinës i kanë dhënë Manifestës ndërtesën për katër vjet dhe fondacioni që drejton bienalen po mbledh fonde për ta bërë atë një institucion të përhershëm.
Mbyllja zyrtare e “Manifesta 14 Prishtina” në Fabrikën e Tullave përkoi me disa fjalime si dhe me një performancë speciale nga grupi Saz’iso.
Drejtoresha e Manifesës, Hedwig Fijen ka falënderuar secilin person që ka qenë pjesë e 100 ditëve, duke përmendur se mbështetja e tyre është simbol i brezit të ri të fuqishëm të Kosovës.
“Pikërisht kur arritëm këtu në Prishtinë i premtova Kryetarit dhe Ministrit se do të ishte edicioni më i mirë ndonjëherë. E mbajtëm premtimin. Mendoj me gjithë zemër që e bëmë. Vetëkuptohet që ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë 109 partnerët dhe financuesit tanë. Por para së gjithash, le t’u japim një duartrokitje të ngrohtë sepse shumë prej tyre janë këtu. I jemi thellësisht mirënjohës të gjithë artistëve, ndërkombëtarë dhe kosovarë, për veprat inteligjente dhe brilante dhe për angazhimin e tyre. Tani, unë do të filloj me listën time të pabesueshme të gjatë të emrave të njerëzve që meritojnë njohjen, të cilët dhanë gjithë çka mundën për të ndërtuar këtë edicion të jashtëzakonshëm. Nuk ka audiencë, asnjë njoftim për shtyp, asnjë publikim, asnjë komunikim, pa këta njerëz”, ka thënë Fijen.
Sipas saj, stafi i tyre mbështetës, mbështetja e tyre e përkushtuar është simbol i brezit të ri të fuqishëm të Kosovës. Dhe, nuk do të kishte vepra arti, artistë, ekspozita, vende, asgjë, pa ekipin e tyre të prodhimit. E po ashtu, nuk do të kishte turne ndërmjetësuesish, asnjë program shkolle, asnjë hulumtim para-bienal, nuk do të kishte qytetarë, as nën-kulturë, pa ekipin e tyre të arsimit.
“Faleminderit të gjithëve për gjithçka që dhatë. Faleminderit, audiencave, sepse në fund të fundit, ne i bëjmë të gjitha për ju dhe jo për ne. Më shumë se 800 mijë panë se çfarë ndodhi në qytet. Një duartrokitje e madhe shkon për veten tuaj”, përfundon Fijen.
Ndërkaq, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ri-konfirmuar se Kosova ka kapacitetin për të organizuar një ngjarje kaq të madhe të artit ndërkombëtar.
“Faleminderit që jeni sonte këtu. Po e mbyllim një udhëtim të jashtëzakonshëm në të cilin shumë njerëz kanë kontribuar, e unë posaçërisht dua t’i shpreh falënderimet tona si Ministri për Hedwig the ekipin, për punën e tyre të mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë dua ta ri-konfirmoj këtë që tashmë është shumë e qartë. Kosova nuk e ka vetëm vullnetin por e ka edhe kapacitetin për të organizuar një ngjarje kaq të madhe të artit ndërkombëtar. Jemi shumë të sigurt që do të vazhdojmë edhe më tutje. Ne ia kemi dalë së bashku me institucionet, artistët, organizatorët, dhe të gjithë ju që keni kontribuar në një formë apo tjetër”, ka thënë Çeku.
Gjithashtu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka përmendur se trashëgimia e Manifestës, do të jetojë tutje, nëpërmjet ndërtesave, instalacioneve, Fabrikës së Tullave, bibliotekës “Hivzi Sulejmani” dhe “Green Corridor”.
“Është një ndjenjë fantastike për të qenë sonte këtu me të gjithë ju, për të përmbyllur një event aq fenomenal për kryeqytetin tonë, për vendin tonë. Kanë qenë me të vërtetë 100 ditë të mrekullueshme. Ishte me të vërtetë një ëndërr e realizuar, të shihja të gjithë qytetin si muze. Me Manifestën e kemi bërë këtë, por Prishtina përplot 100 ditë është transferuar në një qytet-muze të artit kontemporan. Kam premtuar më herët që trashëgimia do të vazhdojë. Trashëgimia e Manifestës do të jetojë tutje, dhe do të jetojë nëpërmjet ndërtesave, instalacioneve, “Tulltores”, bibliotekës “Hivzi Suljemani”. Po ashtu, do të jetojë nëpërmjet “Green Corridor” dhe ne patjetër që nuk do ta humbasin vrullin dhe do të vazhdojmë të krijojmë gjëra të bukura për qytetin tonë”, ka thënë Rama.
Sipas tij, ata janë të vetëdijshëm që ka shumë punë para tyre por kjo vetëm tregon që nëse njerëzit bashkohen, nuk do të ka çfarë t’i ndal ata për të transformuar kryeqytetin, e për ta bërë një kryeqytet me karakterin më unik në botë.
“E kemi edhe një numër të madh të gjërave që kanë ndodhur këtyre ditëve. Kemi mësuar se çka i duhet qytetit, çka dëshiron qyteti dhe çfarë dëshirojnë qytetarët e Prishtinës. Kjo nuk është lamtumirë. Kjo në fakt është fillimi i “Manifesta 14 foundation” që do të vazhdojë trashëgiminë në qytet. Andaj, të dashurohemi me Prishtinën. Le ta zbulojmë dhe t’i tregojmë botës historitë tona të suksesit”, përfundon ai.
Mbrëmja në Fabrikën e Tullave vazhdoi me një performancë speciale nga bendi “Saz’iso”, që solli tingujt e jugut të Shqipërisë mu në mesin e Prishtinës. Instrumentet diversive në skenë kanë shënuar fundin e një ngjarje kulturore, teksa kanë jehuar nëpër çdo shpirt të pranishëm.
Të rrethuar nga prezenca e dritës së hënës, zjarri gjigand që shërbente për ngrohtësi, reflektorë të ndryshëm që dhanë hijeshi, muzika shqiptare krejtësisht e rrallë, ushqimi i llojllojshëm e pija, të pranishmit kanë qenë dëshmitarë të një rrugëtimi që zor se harrohet dot. Me “Manifesta 14” është rishkruar e ardhmja e kryeqytetit.
Artistët pjesëmarrës në “Manifesta 14 Prishtina”:Abazi/Greville/Pinchuk, Larry Achiampong, Astronomy Club of Kosova, Bora Baboçi, Celine Baumann, Elona Beqiraj, Valentina Bonizzi, Anna Bromley, Luz Broto, Lee Bul, Lua Coderch, Daniel Gustav Cramer dhe Haris Epaminonda, Ilir Dalipi, Yael Davids me Andre van Bergen, Cevdet Erek, ETEA, Jakup Ferri, Foundation 17, Lek M.Gjeloshi, Nuria Guell, Driton Hajredini, Artan Hajrullahu, Laureta Hajrullahu, Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Lawrence Abu Hamdan, Haveit Collective, Roni Horn, Fahrija Hoti dhe gratë e Krushës së Madhe, Majlinda Hoxha, ICA-Sofia, Astrit Ismaili, Fitore Isufi Shukriu – Koja, Hristina Ivanoska, Emily Jacir, Jelena Juresa, Genc Kadriu, Alevtina Kakhidze, Sejla Kameric, Antoneta Kastrati me Casey Cooper Johnson, Doruntina Kastrati, Kino Armata, Genti Korini, Argjirë Krasniqi, Edona Kryeziu, Katalin Ladik, Luljeta Lleshanaku, Nimon Lokaj, Jumana Manna, Brilant Milazimi, Hana Miletic, Ivan Moudov, Alekta Xhafa Mripa, Alban Muja, Sami Mustafa, Silvi Naçi, Natasha Nedelkova, New Grand (Blerta Hashani, Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi, Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi, Ermir Zhinipotoku), Tuan Andrew Nguyen, Thao Nguyen Phan, Vigan Nimani, Christian Nyampeta, Off Season, Adrian Paci, Susan Philipsz dhe Radio International Collective, Marubi National Museum of Photography, Marta Popivoda, PykëPresje, Sahej Rahal, Lala Rascic, Carlo Ratti Associati, raumlaborberlin, re.act.feminism, Alicja Rogalska, RomaMoMa me Farija Mehmetin, Ugo Rondinone, Nusret Salihamixhiqi, Secondary Archive, Sekhmet Institute, Selma Selman, Driton Selmani, Dineo Seshee Bopape, Abi Shehu, Chiharu Shiota, Igor Simic, Uyra Sodoma, Speculative Tourism, Beth Stephens dhe Annie Sprinkle, Mette Sterre, StoryLab, Kolektivi the names comes last, tamtam, Miryana Todorova, Vangjush Vellahu, Alije Vokshi, Werker Collective, Sislej Xhafa, Yll Xhaferi, Miki Yui, Driant Zeneli, Hana Zeqa, Lulzim Zeqiri, Dardan Zhegrova. / KultPlus.com
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sort, Hajrulla Çeku, ka thënë se është tejet i gëzuar që pas një pune të gjatë dhe sfiduese, sot ka nënshkruar licencën e parë për një federatë të sportit, sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave.
Sipas tij, ky është një nga angazhimet qendrore të Ministrisë së Sportit në përmbushje të njërit nga zotimet kryesore, fuqizimit të standardeve të qeverisjes së mirë në organizatat sportive të Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, kryetarit të Federatës së Pingpongut të Kosovës, Jeton Beqiri sot zyrtarisht ia dorëzova vendimin dhe licencën për ushtrimin e veprimtarisë, me afat vlefshmërie deri në fund të vitit 2024. Përgëzime për FPPK-në, dhe shumë suksese në masivizimin dhe ngritjen e cilësisë në sportin e pingpongut në Kosovë”.
“Nga Komisioni për licencim u njoftova që një numër i federatave tashmë kanë dorëzuar aplikacionet për licencim, ndërsa së shpejti pritet që të dorëzohen edhe disa aplikacione të tjera. Jemi të përkushtuar për të çuar përpara synimin tonë strategjik për më shumë integritet në sistemin tonë sportiv. Dita e sotme është datë e shënuar për sportin kosovar”./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim boksieren Donjeta Sadiku dhe trajneren Marjola Sallauka e të cilat i shpërbleu për sukseset e arritura në Kampionatin eEuropian ku bokierja kosovare fitoi medaljen e bronztë, përcjell KultPlus.
Çeku përmes një postimi në Facebook tha se takimet me sportistet janë shumë frymëzuese dhe të japin motiv shtesë.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:
Donjeta Sadiku, pas medaljes botërore, tash me të bronztën europiane dhe me plot vendosmëri edhe drejt medaljes olimpike
Gjithmonë janë shumë frymëzuese dhe të japin motiv shtesë takimet me sportistet tona që me angazhimin e tyre po na bëjnë krenarë të gjithëve.
Boksieren Donjeta Sadiku, bashkë me trajneren Marjola Sallauka, kryetarin e Federatës së Boksit, Enver Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Latif Demolli i prita sot në kabinet.
I urova për medaljen e re që i sollën shtetit tonë, të bronztën në Kampionatin Europian, ndërsa i ndamë shpërblimin në vlerë prej tetë mijë euro për Donjetën dhe katër mijë euro për trajneren, Marjola Sallauka, bazuar në rregulloren për shpërblime të sportistëve, të cilët arrijnë rezultate kulminante në gara ndërkombëtare.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku është shprehur se sportistet kosovare po japin shembull për fëmijët e të rinjtë e vendit me sukseset ndërkombëtare duke u bërë po ashtu promovimi ynë më i mirë si shtet, përcjell KultPlus.
“Momente plot krenari për vendin tonë. Urime të gjitha sportisteve dhe komunitetit të sportit”, ka shkruar ai.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Katër medalje të reja për shtetin e Kosovës
Sportistet tona po japin shembull për fëmijët e të rinjtë e vendit me sukseset ndërkombëtare duke u bërë po ashtu promovimi ynë më i mirë si shtet.
Fundjava ishte plot suksese në fushën e sportit. Boksierja Donjeta Sadiku mori medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Budva, një sukses historik, Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e xhudos që u mbajt në Abu Dhabi, ndërsa në garën e njejtë xhudistja Loriana Kuka mori medaljen e bronztë. Që po zhvillohen gjenerata të reja me potencial në xhudo na dëshmoi Laurina Gashi, e cila mori medaljen e artë në Kupën Evropiane për kadete (U18).
Momente plot krenari për vendin tonë. Urime të gjitha sportisteve dhe komunitetit të sportit. / KultPlus.com
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka pritur sot në takim përfaqësuesit e klubit futbollistik “FC Kosova” nga Cyrihu, fitues të Kupës së Diasporës në Zvicër.
Me kryetarin e klubit, Nesret Limani diskutuan për organizimin e klubeve shqiptare në Zvicër dhe për të arriturat e “FC Kosova”, duke potencuar edhe bashkëpunimin që mund të kenë futbollistët e Kosovës dhe futbollistët shqiptar të Zvicrës.
Ministri Çeku ka falenderuar delegacionin e “FC Kosova” për vizitën ndërsa duke i uruar për rezultatin e arritur tha se është në interes të ketë bashkëpunim për zhvillimin e sportit të klubeve shqiptare në diasporë. / KultPlus.com