1247 eksponate të koleksionit të muzeut publik të Kosovës janë marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës gjatë kohës së luftës (1998-99) nga Akademia e Shkencave të Serbisë. Por ministri Hajrulla Çeku thekson se Serbia po vazhdon të shkelë konventat e UNESCO-s, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë kundër historisë dhe identitetit të shqiptarëve, krahas shkatërrimit të mbi 1000 vendeve trashëgimore.
Duke mos i kthyer eksponatet në vendin e tyre të origjinës, Serbia po shkel në mënyrë flagrante konventat e UNESCO-s, marrëveshjen origjinale dhe dokumentin e Ahtisaarit.
Ja disa nga thesaret e vjedhura arkeologjike dhe etnografike që i përkasin koleksionit publik të muzeut të Republikës së Kosovës.
(përshkrimet në mbishkrimet e fotove) / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka pritur sot në takim ministren e Kulturës dhe Sportit të Greqisë, Lina Mendoni, ambasadoren e Zyrës Ndërlidhëse Greke në Kosovë, Heleni Vakali, udhëheqësin e Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, Fitim Gllareva dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Në një frymë shumë pozitive diskutuan për fuqizimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Të dyja palët shprehën gatishmëri për të kaluar në veprime dhe aktivitete konkrete. Ministrja Mendoni e ftoi ministrin Çeku në Athinë për të vazhduar diskutimet dhe konkretizuar bashkëpunimin.
Delegacioni nga Greqia do të kenë disa takime dhe vizita në institucione të kulturës dhe në monumente të trashëgimisë kulturore përgjatë vizitës së tyre zyrtare në Kosovë. / KultPlus.com
Gjysmë shekulli punë, dedikim dhe sakrificë e Baletit Kombëtar të Kosovës, u manifestuan mbrëmë me një organizim që erdhi përplot emocion, në datën që shënoi një përvjetor jubilar të një institucioni që i dhuroi shumë Kosovës për kaq vite jetë, shkruan KultPlus.
Publiku i shumtë në numër, pasi kishin zënë vend të sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë, ishin gjithë sy e veshë për të parë se dritat po uleshin dhe mbrëmja po fillonte.
Me zërin drithërues të Berat Miftarit dhe imazhet e historikut të BKK-së që po lëviznin në monitorët e dy skajeve të sallës, u shfaq dokumentari, si një dokument i një rrugëtimi nëpër të cilin kaloi Baleti i Kosovës përgjatë këtyre viteve.
E për të shënuar një 50-vjetor meritor të Baletit Kombëtar të Kosovës, BKK bashkoi forcat me Trupën e Teatrit të Operas dhe Baletit të Shqipërisë dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës për të jetësuar dhe rivënë në skenë baletin e parë shqiptar ‘Halili dhe Hajria’, shfaqje kjo me të cilën Baleti i Kosovës i hodhi hapat e parë, që do të pasoheshin me vështirësi dhe shumë sakrifica por një punë të madhe.
Në një sallë të improvizuar, vepra tërësisht shqiptare me muzikë nga Tish Daija dhe koreografi nga Panajot Kanaçi, erdhi në Prishtinë me një përcjellje të gjallë të orkestrës që u printe dirigjenti Gridi Kraja dhe balerinët e vënë në skenë nga Alisa Gjoni.
E mbrëmja u kurorëzua me paraqitjen e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës, të cilët u ngjitën në skenë me kokën lart pas duartrokitjeve që i morën nga publiku në shenjë mirënjohje për veprimtarinë e tyre të pashoq.
Ata iu bashkuan trupës së baletit dhe balerinëve të vegjël duke sjellë një performancë magjike nën tingujt e ‘Bareshës’ së Nexhmije Pagarushës duke ia shtuar edhe më shumë veçantinë kësaj mbrëmje madhështore.
Në mbrëmjen që përcolli emocion në publikun artdashës, pati edhe fjalime të krerëve të institucioneve shtetërore dhe nismëtarë të institucionit më të rëndësishëm të këtij arti.
Fjalën i pari e mori ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili filloi fjalimin e tij duke shprehur mirënjohje për qindra ata gra e burra që ndër dekada dhanë gjithçka për ta sjellë Baletin Kombëtar të Kosovës në gjysmë shekulli përvojë e lavdi.
“Që nga themelimi në brezin e parë, BKK ka korrur suksese të njëpasnjëshme, ka zhvilluar breza të tërë profesionistësh brenda Kosovës, ka ofruar program të pasur për publikun duke bashkëpunuar me koreografë të shumtë nga vendi dhe bota”, deklaroi Çeku duke shtuar se BKK ka pasur një rrugëtim aspak të lehtë por të mbushur me krenari, sfida të panumërta, përkushtim vetëmohues e shumë dashuri për artin e lëvizjes.
Çeku po ashtu foli edhe për problemin kyç që po e shoqëron këtë institucion tash e 50 vite, mungesën e një objekti të përshtatshëm për veprimtarinë artistike.
“Angazhimi institucional për përmirësimin e infrastrukturës kulturës do të jetë i vazhdueshëm përderisa ndërtesa e Teatrit Kombëtar është në proces rinovimi dhe po krijojmë hapësirë alternative pune e koncertimi për Filharmoninë e Kosovës, paralelisht do të zhvillohet procesi ndërkombëtar për projektimin dhe ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, shtëpia jonë e përbashkët e cila do t’i akomodojë artet skenike të Kosovës”, përfundoi Çeku.
Ndërkaq, kjo mbrëmje nuk do të kishte të njëjtin kuptim pa prezencën dhe fjalimin e një prej nismëtarëve dhe pjestarëve të brezit të parë që vunë themelet artistike të institucionit të baletit, Elez Nikçi.
“Kam nderin dhe privilegjin që t’ju drejtohem në një fjalë rasti në këtë moment historik kur Baleti Kombëtar i Kosovës po shënon dinjitetshëm 50-vjetorin e lindjes. Kur e shikoj këtë atmosfterë në sallë më shfaqen imazhe të trupës së parë ktu e 50 vite më parë, një grup i vogël entuziastësh të diciplinuar në skenë, artistë në shpirt, vizionarë, unikë ndaj qëllimit final, morën përsipër që të bënin diçka që ishte e nevojshme për ne dhe për vendin tonë para së gjithash.”, u shpreh Nikçi e për të cilin kjo mbrëmje kishte edhe një dozë tjetër emocioni pasi 50 vite më parë ishte ai që u vish në kostumin e Halilit në baletin ‘Halili dhe Hajria’.
“Kalendarikisht brezi im ka realizuar rreth 22 premiera, për ajo që do të veçoja është koreografia e maestros dhe doajenit të baletit, Panajot Kanaçi, ‘Halili dhe Hajria’,me të cilën po e shënojmë simbolikisht standardin e rrugëtimit dhe formësimit tonë si kreatorë të skenës kombëtare”, shtoi Nikçi.
E për të festuar këtë përvjetor jubilar, në skenë u ngjit drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili po ashtu i përket gjeneratës së parë së balerinëve të diplomuar pas luftës.
Kajtazi shprehet se për 50 vite me radhë fati i Baletit Kombëtar të Kosovës ka qenë i lidhur kryekëput me fatin e të gjithë popullit të Kosovës dhe nuk përbën ndonjë përjashtim në aspektin e vështirësive dhe sfidave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë.
“Baleti Kombëtar i Kosovës, historinë e ka të ndarë në dy etapa, atë të gjeneratës së parë të balerinëve të cilët nga viti 1972 vunë në skenë vepra të repertorit kombëtar dhe botëror deri në vitin 1991 kur në mënyrë të dhunshme u larguan nga teatri. Etapa e dytë është e pasluftës kur profesori Ahmet Brahimaj së bashku me kolegët e gjeneratës së vetë arritën të rithemelojnë Baletin Kombëtar të Kosovës duke krijuar brezin e rinj të balerinëve të cilët rivunë në jetë këtë institucion i cili kishte pushuar së funkionuari për një dekadë.”, tha Kajtazi i cili ndër të tjerash shtoi se balerinët sot e kanë më të lehtë sepse dikush tjetër e themeloi atë 50 vite më parë kurse tani u mbetet vetëm kujdesi ndaj tij që të festojë edhe shumë jubile në të ardhmen, përcjell KultPlus.
Më tutje, Kajtazi nderoi jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë Ahmet Brahimaj, një prej nismëtarëve dhe pjesë e brezit të parë të baletit të Kosovës, duke e cilësuar si personin më të rëndësishëm, pa kontributin e të cilit nuk do të bëhej mbrëmja e djeshme.
Ky fjalim u përcoll me duartrokitje të shumta, në falënderim për personin që i dha kaq shumë këtij institucioni që pavarësisht vështirësive dhe barrierave, mbrëmë shënoi gjysmë shekulli jetë.
Po ashtu, Kajtazi shfrytëzoi këtë fjalim për të kërkuar një sallë të mirëfilltë për Baletin Kombëtar të Kosovës duke shpresuar që 55-vjetori i këtij institucioni kaq të rëndësishëm ta gjejë atë me një teatër ku të gjithë balerinët të mund ta shprehin të gjithë potencialin e tyre artistik pa barriera, në kushte elementare të punës.
Në këtë mbrëmje dhe këtë manifestim kaq të veçantë e domethënës u nderua personi të cilit i jepen shumë atribute për të arriturat e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, për të cilin u nda mirënjohje ‘Post Mortum’.
E në emrin e familjes, foli bashkëshortja e tij, Zogëza Mulaku – Brahimaj e cila e përgëzon punën e baletit dhe i uron suksese dhe jetë të gjatë deri në pafundësi.
“Me shumë emocione e pranoj këtë mirënjohje për Ahmetin dhe jam tejet e lumtur që balerinët tanë vazhdojnë të punojnë me energji të plotë dhe i tejkalojnë me mjeshtëri të gjitha barrierat. Sukseset dhe perfeksionimi i tyre vazhdojnë të mahnisin dhe të lobojnë për Kosovës përmes kulturës dhe vlerave cilësore jo vetëm në Kosovë por edhe më tej.” , u shpreh Mulaku – Brahimaj duke shtuar se fryma dhe shpirti i Ahmet Brahimaj janë në Baletin Kombëtar të Kosovës dhe për aq sa baleti ekziston aq edhe ai është i pavdekshëm.
Ju kujtojmë që Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972. Balerinët e kësaj gjenerate u shkolluan në Shkollen e Mesme të Baletit në Shkup, nën udhëheqjen e Tatjana Petkovska. Në shkollë kanë diplomuar 25 balerinë nga Kosova – 19 meshkuj dhe 6 femra. Pas përfundimit të suksesshëm të shkollimit, shumica e balerinëve u kthyen në Prishtinë. Në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës u formua Baleti i Kosovës. Pjesëtarët e parë të baletit ishin: Ahmet Brahimaj, Rustem Selca, Elez Nikçi, Shqipe Hoxha, Esma Mulla, Salajdin Kice, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rrustem Bajrami, Rustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj dhe Enver Berisha.
Drejtor u emërua Abdurrahman Nokshiqi. Më vonë trupës iu bashkuan edhe 5 baerinci nga Shkupi (Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli), si dhe dy balerina nga Kosova (Enver Elshani dhe Jashar Berisha). Me punë dhe përkushtim, brezi i parë vuri në skenë shumë produksione te mëdha.
Në vitin 1991, balerinët u larguan me dhunë nga teatri duke ndërprerë të gjitha aktivitetet e tyre.
Pas luftës, me ndihmën e disa kolegëve, Ahmet Brahimaj hapi shkollën e parë të mesme të baletit, në kuadër të shkollës së mesme muzikore “Prenkë Jakova”. Në vitin 2001, pas shumë vitesh mungesë, gjenerata e parë e Baletit të Kosovës u rikthye në skenë e shoqëruar nga valltarët e rinj të shkollës. Emisioni i parë, “Fyelltari” u shfaq me shumë sukses.
Në vitin 2005 mbaron klasën e parë të Ahmet Brahimajt në Liceun e Baletit. Sot këta valltarë përbëjnë bërthamën e Baletit të Kosovës. Në mesin e maturantëve ishin: Bardha Neziri, Behije Murtezi, Luljeta Aderni, Vjollca Llugiqi, Leonora Rexhepi, Jeta Musolli, Sinan Kajtazi, Labinot Rexhepi, Drilon Podrimçaku, dhe Driton Saqipi. Më vonë në trupën e brezit të ri të shkollës bashkohen edhe më shumë balerinë si: Teuta Krasniqi., Marigona Hoxha, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Muhamet Bikliqi, Liridon Mziu, Fisnik Smani, Fatmir Smant, Aulonë Nuhiu, Nora Gashi, Abetare Hyseni, Vlora Prizreni, Mimoza Bytyqi, Mërgime Morina, Isa Beg Gjocaj, Donmir Bilalli, Elmedina Berisha, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Shpëtim Mejtani etj. Baleti ka realizuar shumë shfaqje të suksesshme, moderne dhe klasike./ KultPlus.com
Ministri Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani pritën në takim shefin e futbollit në UEFA, Zvonimir Boban, shoqëruar nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përcjell KultPlus.
Bashkë diskutuan për programin e Qeverisë së Kosovës për sportin në përgjithësi e në veçanti për infrastrukturën sportive të futbollit në vend. Po ashtu gjatë këtij takimi u fol për hapat konkretë për avancimin e mëtejmë të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.
Shefi i futbollit Boban e falënderoi ministrin Çeku për pritjen ndërsa të dy shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në zhvillimin e sportit të futbollit kosovar./ KultPlus.com
Është shpalosur sot projekti i nënshkruar në mbledhjen e 99 të Qeverisë së Kosovës “Kosova, shtet i xhudos’ me të cilin synohet që të fuqizohet sporti si mjet për ndërtimin dhe ruajtjen e mirëqenies shoqërore dhe ekonomike si dhe kanal kryesor për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në këtë ceremoni kaq me rëndësi për sportin kosovar ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se xhudo dhe rezultatet e xhudistëve kosovarë kanë qenë kryefjala e sportit vendos tash e 15 vite.
“Qysh në të kaluarën në vitet 90-ta pastaj edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e fuqishëm deri në ditët e sotme, sporti është dëshmuar si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të imazhit tonë shtetëror dhe promomivimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.”, u shpreh i pari i qeverisë, duke shtuar se sporti në përgjithësi dhe xhudo posaçërisht ka bërë punë të jashtëzakonshme në krijimin e ndjenjës së përkatësisë brenda shoqërisë sonë dhe krijimin e përceptimit pozitiv të opinionit të huaj për Kosovën.
“‘Kosova shtet i xhudos’ është hapi konkret të cilin e kemi ndërmarrë si Qeveri për të siguruar jo vetëm vazhdimësinë e ndikimit të xhudos në promovimin tonë ndërkombëtar por mbi të gjitha zhvillimin maksimal të këtij sporti përbrenda Republikës së Kosovës.”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.
Kurti po ashtu tha se për herë të parë në Kosovë, sporti po zë vendin dhe po merr trajtimin e merituar.
Më pas, fjalën e mori kryetari i Federatës së Xhudos në Kosovë, Agron Kuka i cili e cilëson këtë program si programin më me vlerë që ka ndodhur në historinë e sportit të Kosovës, duke ia atribuuar punës së xhudistëve dhe trajnerëve të sportit të xhudos në Kosovë që sivjet shënon edhe 55-vjetorin e themelimit.
“E Përgjatë këtyre 55 vitete kemi gjenerata të tëra që punuan me zell e përkushtim për avancimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos duke filluar me gjeneratën e artë të viteve 70-të dhe duke vazhduar deri në ditët e sotme ku patëm fatin e jashtëzakonshëm që në mesin tonë të veprojë dhe punojë kampioni olimpik, Driton Kuka, i shpallur edhe zyrtarisht si trajneri më i mirë në botë dhe Evropë për vitin 2021. Tri medalje të arta olimpike, dhjetëra botërore e evropiane e qindra ndërkombëtare.”, u shpreh Kuka duke shtuar tutje se kjo duhet të ketë qenë arsyeja dhe motivimi për ministrin Çeku që të fillojë një program të tillë që në thelb e ka promovimin e vendit dhe avancimin e xhudos në shumë dimensione.
E pranishme në këtë cermoni ishte edhe ish-kampionja olimpike, Majlinda Kelmendi e cila tha se ky është një program jashtëzakonisht i rëndësishëm, që u mundëson sportistëve të kenë masivitet, kushte më të mira për stërvitje duke marrë parasysh që do të ndërtohet nga një doxh në pothuajse në secilin qytet të Kosovës dhe më e rëndësishmja të ketë vazhdimësi të sukseseve.
“Jam jashtëzakonisht e lumtur që sporti i xhudos më në fund po e merr vendin dhe trajtimin e duhur, siç e tha edhe kryeministri sepse ka tash e 15 vite që çdo qytetar i Kosovës mburret me sukseset e sportit të xhudos. Fatmirësisht, përmes punës së jashtëzakonshme të trajnerit Driton Kukat kemi hapur dyer të cilat edhe sot përmes politikës është e vështirë të hapen. Jemi ulur në tavolina që politika e ka të vështirë të ulet me ata njerëz, me ato shtete, kështu që përmes sportit ka qenë shumë më e lehtë.”, u shpreh mes tjerash Kelmendi.
Kurse për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, programi ‘Kosova shtet i xhudos’ i shërben qëllimeve strategjike të institucioneve shtetërore dhe synon të ndikojë në mirëqenien shoqërore, shëndet publik dhe në promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Çeku më tutje njofton se ky program ka gjithsej gjashtë qëllime kryesore.
“Janë gjashtë qëllime kryesore, një është infrastruktura e përmirësuar fizike, dy është fuqizimi i kapaciteteve trajnuese, tre është masivizimi i sportit të xhudos, katër është mbështetja për sportistët dhe trajnerët elitarë, pesë është organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në vendin tonë dhe gjashtë promovimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës”, u shpreh ministri Çeku.
Programi ‘Kosova shtet i xhudos’ është një kornizë strategjike veprimi për pesë vitet e ardhshme në vlerë prej 12 milionë eurosh./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka pritur në kabinetin e tij Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Çeku njofton se aty u diskutua dhe ndanë mendime e vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.
Postimi i plotë:
‘Nder i veçantë që sot të pres në kabinetin tim Presidentin e FIFA-së, Gianni Infantino.
Me Infantinon dhe ekipin e tij – përfshirë legjendën e futbollit, Youri Djorkaeff, ndamë mendime dhe vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.
Me qëllim të kultivimit të pasionit dhe talentit të natyrshëm të të rinjve tanë në futboll, zhvilluam diskutim produktiv me fokus të veçantë në infrastrukturën fizike të sportit të futbollit dhe përfshirjen e futbollit në sistemin arsimor të Kosovës.
Përveç diskutimit, u dakorduam që të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për konkretizim të bashkëpunimit në integrimin dhe adaptimin e modelit të programit të FIFA-së “Futbolli në Shkolla” në programin tonë shtetëror “Sporti në Shkolla”.
Rruga që duhet të ndjekim për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të sportit të futbollit është bashkëpunimi dhe ndërveprimi i thellë ndërmjet organizatave sportive vendore dhe ndërkombëtare dhe institucioneve relevante të sportit“, thuhet në postimin e tij. /KultPlus
Sot është duke u mbajtur Seanca e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast po diskutohet për një mori gjërash, në mesin e tyre edhe projektligji anti-doping në sport, shkruan KultPlus.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin anti-doping në sport, ku pas miratimit një fjalim e pati edhe Hajrulla Çeku.
Ministri i Kulturës tha se ky ligj do t’iu mundësojë drejtësi dhe shanse të barabarta të gjithë garuesve.
“Projektiligji do ta rregullojë fushën e antidopingut në sportin e Kosovës dhe ka tre objektiva. Njëri është fuqizimi i integritetit të sistemit sportiv në Kosovë, dy është kujdesi ndaj shëndetit të sportistëve dhe sportisteve të vendit tonë dhe tre është sigurimi i drejtësisë dhe shanseve të barabarta në garat sportive”.
“Projektligji për antidopingun parasheh themelimin e Agjensisë Shtetërore antidoping. Ky entitet i ri që do ta ketë statusin e agjencisë ekzekutive do të jetë administrues i domenit antidoping në sport”.
“Një nga detyrat kryesore të saj do të jetë hartimi i kodit shtetëror antidoping në përputhje me kodin përkatës ndërkombëtar.”, ka thënë Çeku.
67 deputetë votuan pro miratimin të këtij projektligji, derisa nuk pat asnjë abstenim dhe askush nuk ishte kundër. /KultPlus.com
Ministri Çeku u prit sot në takim nga kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Bashkë diskutuan për projektet infrastrukturore në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë, po ashtu për trashëgiminë e pasur kulturore në këtë zonë.
Takimi filloi me diskutim për infrastrukturën sportive. Palestra e sportit është një investim i Ministrisë që ka përfunduar dhe tashmë po u ofron të rinjëve, sportistëve dhe klubeve të Kaçanikut hapësirë të dinjitetshme për të zhvilluar aktivitete fizike e sportive.
U fol po ashtu për stadiumin. Një projekt i stagnuar prej problemeve me projektin, biseduam për mundësinë e rishikimit të projektit aktual që kishte mangësi dhe pas përfundimit të këtij procesi të diskutohet modaliteti i vazhdimit të punimeve.
Mirëpritëm lajmin që Komuna po themelon muzeun e qytetit. Si Ministri e Kulturës ofruam mbështetje në kapacitete profesionale, ndihmë në kurim të ekspozitës dhe trajtim të eksponateve.
Ministri Çeku i njoftoi për ndërhyrjet emergjente dhe restauruese në fushën e trashëgimisë kulturore që po zhvillohen në gjithë vendin. U zotuan që të punojnë në koordinim për të mbrojtur, restauruar dhe funksionalizuar asetet e trashëgimisë kulturore në Kaçanik./ KultPlus.com
Ministri Hajrulla Çeku tashmë ka nisur takimet e tij me kryetarët e komunave për të dinamizuar projektet dhe investimet kapitale. Ai së fundmi është takuar me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyeni me ç’rast ka vlerësuar qytetin si një qytet që ka potencial të bollshëm në fushën e artit, sportit dhe trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.
“Një projekt konkret që ngërthen edhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Gjilanit është Kalaja e Pogragjës, një nismë e komunës të cilës Ministria i është bashkuar me shumë vullnet, bashkë me QRTK Gjilan dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës. Tashmë po e diskutojmë mundësinë e një investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Gjilanit, që Kalaja e Pogragjës dhe zona përreth të shndërrohen në destinacion turistik, duke u siguruar gjithmonë që vlerat kulturore, të trashëgimisë dhe ato mjedisore mbrohen me përpikmëri”, ka thënë Çeku.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Gjilani është një prej komunave me përplot potencial në fushën e artit, sportit e trashëgimisë kulturore.
Në ciklin e takimeve me kryetarë të komunave për të dinamizuar projektet e investimeve kapitale, kisha kënaqësinë e veçantë të takohesha me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni.
Folëm për projektet ekzistuese të cilat duhet ti përmbyllim dhe u dakorduam për disa projekte të reja.
Stadiumi i qytetit të Gjilanit është një projekt me shumë interes për komunitetin dhe për Ministrinë e Sportit dhe Komunën. Tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë. Kemi filluar procedurat për hartimin e projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit. Projekt përfundimtar për këtë stadium nuk ka ekzistuar, është punuar me faza dhe nuk ka pasur projekt për kategorinë e përcaktuar. Pas hartimit të projektit final të detajuar do të qartësohen detajet e realizimit të punimeve, përfshi periudhën kohore dhe koston. Hap i domosdoshëm në këtë proces ka qenë edhe shkëputja e kontratës me operatorin, ndërsa angazhimi i dy niveleve të qeverisjes do të jetë maksimal për ta përmbyllur këtë projekt që padrejtësisht i është mohuar sportistëve e qytetarëve të Gjilanit për kohë të gjatë.
Sa i përket palestrës sportive në Zhegër, jemi duke u kujdesur që si projekt të ketë realizim të suksesshëm të punimeve tash që po i afrohemi fazës përfundimtare. Në bashkëpunim me komunën e Gjilanit po mundohemi që brenda afatit optimal ta përmbyllim dhe funksionalizojmë në shërbim të rinisë, sportistëve dhe të gjithë komunitetit.
Në investimet e trashëgimisë kulturore Gjilani ka pasur dhe vazhdon të ketë asete të prioritet. Për shkak të gjendjes jo të mirë të monumenteve për vite me radhë, ndërhyrjet emergjente në këtë rajon janë duke vazhduar, një pjesë e tyre kanë përfunduar, e së shpejti fillon faza e re në shërbim të shpëtimit të aseteve të trashëgimisë kulturore.
Një projekt konkret që ngërthen edhe trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Gjilanit është Kalaja e Pogragjës, një nismë e komunës të cilës Ministria i është bashkuar me shumë vullnet, bashkë me QRTK Gjilan dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës. Tashmë po e diskutojmë mundësinë e një investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Gjilanit, që Kalaja e Pogragjës dhe zona përreth të shndërrohen në destinacion turistik, duke u siguruar gjithmonë që vlerat kulturore, të trashëgimisë dhe ato mjedisore mbrohen me përpikmëri.
Xhepat e gjelbër është një nismë tjetër e komunës për të cilën jemi ftuar të bashkëpunojmë për të ndërtuar hapësirat sportive dhe kulturore. U dakorduam që në momentin që komuna ka projektin përfundimtar ta ndajë me ne dhe të shohim mundësinë e përfshirjes në buxhet.
Qendra e Kulturës në Gjilan është një projekt i ri që i nevojitet komunitetit që është shumë aktiv në sferën kulturore. Në parim jemi zotuar t’i shohim mundësitë për bashkëfinancim me qëllim të plotësimit të nevojave për komunitetin në Gjilan.
Në kuadër të projekteve potenciale, nga kryetari Hyseni kërkova të propozohen lokacione të përshtatshme për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe shtëpisë së shahut në Gjilan.
Dhe dakordimi ynë i fundit ishte që organizimi i Flakës së Janarit për vitin e ardhshëm të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë. Kryetarin e njoftova me dy programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe sportit në shkolla. Dy programe me interes nacional që do të shtrihen në të gjitha komunat e Kosovës kryetari i mirëpriti me gatishmëri të plotë për bashkëpunim./ KultPlus.com
Takimet e ditës së sotme me kryetarë të komunave, ministri Hajrulla Çeku i vazhdoi në komunën e Vitisë ku u takua me kryetarin Sokol Haliti.
Në fjalën e njoftoi se qëllimi i këtyre vizitave është zgjidhja e shumë projekteve kapitale në të cilat punët kanë mbetur të papërfunduara si dhe investimet e reja kapitale.
Palestra e sportit në Viti dhe revitalizimi i stadiumit në Pozheran janë dy projekte të rëndësishme dhe të tejzgjatura për të cilat u diskutua. Komuna u zotuan t’i takojnë operatorët ekonomik e të zgjidhen problemet që kanë shkaktuar ngecje të punëve, e procedurat e duhura të vazhdojnë ashtu që të përfundojnë dhe funksionalizohen këto hapësira në shërbim të komunitetit sportiv dhe sportdashësve.
Kryetari Haliti propozoi edhe ndërtimin e një salle teatrale për të cilën është siguruar lokacioni, ndërsa ministri Çeku u zotua të punojë në këtë drejtim e të koordinohen në kohë të duhur me komunën për zhvillimet e mëtejme që të përmbushen nevojat e qytetarëve.
U fol gjithashtu për projektet në fushën e trashëgimisë kulturore. Në shumë monumente të trashëgimisë po intervenohet me qëllim të shpëtimit të monumenteve nga rrënimi dhe në disa tjera po bëhet restaurimi dhe konservimi i tyre.
Ndërhyrjet në Xhaminë e Gërmovës, Mullirin e Ndue Sopit, Mulliri dhe Valavica e Visheve në Binçë kanë përfunduar, ndërsa do të vazhdohet me ndërhyrje në monumentet të tjera të cilat kanë nevojë për intervenim me qëllim të shpëtimit dhe ruajtjes së trashëgimisë tonë kulturore.
Për fund u disktua për programet shtetërore, art në shkolla dhe sport në shkolla që pritet të zhvillohen nga viti i ardhshëm në gjithë vendin, ndërsa morëm gadishmëri që të punohet në zbatim në Komunën e Vitisë./ KultPlus.com
Ministri Çeku ka takuar kryetarin e Ferizajit, Agim Aliu në kuadër të vizitave në komuna të Kosovës për të diskutuar rreth projekteve kapitale në sport, kulturë, rini dhe trashëgimi kulturore, përcjell KultPlus.
Diskutimi filloi me infrastrukturën fizike në fushën e sportit, ku u fol për stadiumin e qytetit, shtëpinë e shahut, palestrën e xhudos dhe projekte të tjera. U dakorduan që të bëhet një studim i plotë i fizibilitetit në këtë komunë, përmes së cilit do të analizohet shtrirja hapësinore, kategoria e kapaciteti që nevojitet për komunën e Ferizajit në shumë aspekte.
Vazhduan tutje me sallën e sporteve në Gremë, ku operatori ekonomik do të vazhdojë punën dhe deri në fund të vitit pritet përfundimi i punëve. Qendra multifunksionale është një tjetër projekt i rëndësisë së lartë ku është marrë zotim që puna në terren të intensifikohet dhe dinamizohet.
Ministri Çeku i njoftoi edhe me punët që po bëhen në fushën e trashëgimisë kulturore. Ndërhyrjet emergjente dhe restauruese. Kisha katolike në Ferizaj është në proces të hartimit të projektit të restaurimit, ndërsa do të fillojnë restaurimi i ish-gjimnazit të vjetër Ismail Qemajli dhe restaurimi i “Xhamisë së Madhe”.
Po ashtu janë propozuar disa projekte potenciale si shtëpia e shahut, palestra e xhudos, e palestra e gjimnastikës. Komuna u zotua se e mbështesin investimin dhe janë të gatshëm ta sigurojnë lokacionin.
Në fund të takimit, të pranishmit u njoftuan për programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, arti në shkolla dhe sporti në shkolla. Komuna e mirëpriti këtë iniciativë dhe shprehi gatishmërinë të bashkëpunojnë në zbatim të tyre./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, po vazhdon ciklin e vizitave nëpër Komunat e Kosovës, e tani radha ishte e Gjilanit, aty ku një prej çështjeve më të diskutuara është ajo e Stadiumit të Qytetit, shkruan KultPlus.
Çeku, pasi e falënderoi kryetarin Hyseni për pritjen, ka thënë se në Gjilan ka ardhur për t’i dinamizuar projektet e investimeve kapitale, programet tjera të përbashkëta e projektet e reja të sportit, artit e rinisë.
Në kuadër të kësaj, ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore, ndërkaq ka konfirmuar se mbështetjen ndaj nismës së Komunës së Gjiilanit për ta shndërruar Kalanë e Pogragjës dhe gjithë ambientin aty në atraksion turistik.
Për palestrën e Zhegrës, ministri Çeku tha se janë duke u kujdesur në veçanti, për të shtuar se tashmë ky projekt po shkon në fazën përfundimtare të realizimit të punimeve, në mënyrë që të jetë në shërbim të sportistëve e rinisë.
Ndërkaq, duke folur për stadiumin e qytetit, ministri Çeku ka thënë se tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, duke shtuar se është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare.
“Sa i përket stadiumit, tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, fatkeqësisht. Kemi filluar fazën e hartimit të projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili përfundimisht na e nxjerr koston, rrugën dhe na tregon kohën që na duhet për ta realizuar përfundimisht këtë investim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i këtillë i duhet edhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare. Është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare”, tha ai.
“Ky projekt nuk ka ekzistuar asnjëherë sepse është punuar me faza më herët dhe asnjëherë nuk ka pasur projekt përfundimtar. Në momentin që e kemi projektin profesional me të gjitha standardet, do të kalojmë në kontraktimin e punimeve dhe do të bëjmë më të mirën që brenda kohës më optimale, në bashkëpunim me kryetarin e Komunës, të vazhdojmë ta trajtojmë me shumë prioritet përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit”, ka shtuar ministri Çeku.
Ministri i MKRS-së ka thënë po e shqyrtojnë mundësinë e mbështetjen edhe ndaj nismës së Komunës për projektin ‘xhepat e gjelbër të lagjeve’, për të bashkëfinancuar ndërtimin e fasciliteteve sportive dhe kulturore, por edhe për projektin tjetër të Komunës për Qendrën e Kulturës, derisa ka dhënë zotimin për bashkëfinancimin edhe të manifestimit kultutor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”.
Në fund, ministri Çeku tha se nga kryetari Hyseni ka kërkuar lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe për ndërtimin e një shtëpie të shahut.
“Tashmë kryetari Hyseni është në komunikim edhe me federatat përkatëse dhe në momentin që i kemi lokacionet, ne do t’i nisim procedura për ndërtimin e këtyre palestrave të reja, një për xhudon e një për shahun”, ka përfunduar ministri Çeku
Hyseni e ka falënderuar ministrin Çeku për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Gjilanit.
“Diskutuam rreth projekteve që janë në zhvillim e sipër e për projektet dhe idetë e reja që ne si Komunë mendojmë t’i realizojmë. Është një qasje e re e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por në të njëjtën kohë, edhe ne si Komunë po mundohemi që të jemi sa më kreativë që është e mundur që t’i plotësojmë nevojat elementare e bazike për komunitetin sportiv e artistik”, ka deklaruar pas takimit kryetari Hyseni.
“Po ashtu, sot e kam shfrytëzuar rastin që ta njoftoj ministrin Çeku për zhvillimin e punimeve në palestrën e sporteve në Zhegër, për situatën rreth stadiumit të qytetit, duke e ditur faktin që ministri që nga fillimi i mandatit një prej top prioriteteve e ka pasur zgjidhjen e problemit të këtij stadiumi. Detajet që i kemi nxjerrë dhe që janë qartësuar për opinionin kanë treguar për defektet e mëdha në stadiumin e Gjilanit. Tash kemi arritur në një fazë që projektit po i jepet energji e re dhe frymë e re dhe në të njëjtën kohë do të qartësohen edhe problemet e fundit në mënyrë që stadiumi i qytetit të fillojë të punohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shtuar kreu i Gjilanit. /KultPlus.com
Takimet me kryetarë të komunave vazhduan sot në Podujevë. Ministri Çeku u prit nga kryetari Shpejtim Bulliqi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Të shumta janë projektet për të cilat u diskutua, disa që janë zvarritur ndër vite për shkak të mungesës së mirëfilltë të planifikimit të projekteve, si dhe ato potenciale, që të rinjve, sportistëve dhe artistëve të mos u mungojë infrastruktura për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Qendra multifunksionale është një projekt që pritet të fillojë së shpejti. Komuna u zotuan të sigurohen që lokacioni mos të ketë probleme pronësore, dhe bazuar në projektin e kompletuar në detaje, MKRS të fillojë investimin.
Për ndërtimin e Palestrës Sportive Komuna do ta sigurojë projektin dhe dokumentet përcjellëse, të bëhet rishikimi i projektit dhe paramasës, analizat e duhura paraprake, dhe të planifikohet në buxhet për realizim për vitet e ardhshme.
U fol gjithashtu për pishinën gjysëm olimpike për të cilën Komuna ka ndarë lokacionin dhe hapi tjetër është hartimi i projektit dhe planifikimi i buxhetit.
Konservimi dhe rivitalizimi i xhamisë së djegur të fshatit Orllan është një projekt i ri që do të fillojë së shpejti, ndërsa u diskutua edhe për ndërhyrje emergjente në ndërtesën e Burgut.
Ministri foli gjithashtu për programet shtetërore për art në shkolla dhe sport në shkolla që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm dhe të zbatohen në gjithë shkollat e vendit ndërsa kryetari Bulliqi e mirëpriti këtë iniciativë dhe shprehu gatishmërinë e tij të bashkëpunojë në zbatim të tyre. / KultPlus.com
Në ciklin e takimeve me kryetarë të komunave, gjatë ditës së djeshme ministri Hajrulla Çeku ka takuar kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti.
Bashkë diskutuan në përgjithësi për fushën e kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore ndërsa në veçanti për projektet infrastrukturore në këto fusha.
U fol për Stadiumin e Qytetit. Nga Komuna u zotuan që të zhvillojnë takime me operatorin ekonomik dhe të intensifikohen punët e mbetura në terren deri në përmbyllje të kontratës.
Vazhduan me Palestrën Sportive ku gjithashtu ka ngecje të punëve. U dakorduan që punët të vazhdojnë me intensitet më të lartë dhe me mbikqyrje të vazhdueshme.
Një tjetër projekt për të cilin u diskutua është Shtëpia e Kulturës. Komuna u zotuan të zhvillojnë projektin e plotë, që do të shqyrtohet nga MKRS për bashkëfinancim në vitet e ardhshme.
Ministri Çeku edhe në këtë takim e vuri në theks rëndësinë që projektet të jenë sa më cilësore dhe t’i plotësojnë të gjitha kriteret në mënyrë që gjatë implementimit të projekteve të mos shfaqen probleme, siç ka ndodhur në shumicën prej tyre deri tani.
U fol po ashtu për Revitalizimin e Qytetit të Vjetër të Janjevë ku ka filluar zbatimi i projektit “Trashëgimia Kulturore si Nxitëse për Ringjallje Ekonomike të Janjevës” dhe punët po vazhdojnë. U dakorduan që të punojnë së bashku që ky projekt të marrë vëmendjen e merituar.
Minsitri Çeku e informoi për dy programet shtetërore që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, ai i artit në shkolla dhe sportit në shkolla. Mori zotim që nga komuna e Lipjanit do të ketë angazhim të lartë në zbatimin e këtyre dy programeve. /KultPlus.com
Sot ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka takuar kryetarin e Komunës së Prizrenit Shaqir Tolaj me ç’rast kanë diskutuar rreth rreth infrastrukturës fizike, projekteve kapitale në kulturë, rini, sport e trashëgimi kulturore, për t’i dinamizuar punët në projektet aktuale dhe për të filluar të reja aty ku ka mungesë, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Komuna e Prizrenit ka potencial të jashtëzakonshëm kulturor e sportiv dhe meriton vëmendje të veçantë.
Sot takova kryetarin e komunës, Shaqir Totaj dhe bashkëpunëtorët e tij, për të diskutuar rreth infrastrukturës fizike, projekteve kapitale në kulturë, rini, sport e trashëgimi kulturore, për t’i dinamizuar punët në projektet aktuale dhe për të filluar të reja aty ku ka mungesë.
Vëmendje të veçantë u kushtuam projekteve të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ku Ministria përgjatë këtyre viteve është duke investuar rreth 1.8 milion euro për rehabilitim dhe restaurim të aseteve të trashëgimisë kulturore në komunën e Prizrenit.
Diskutuam për Revitalizimin e rrugës Marin Barleti, një projekt shumë i veçantë. Për herë të parë në Kosovë po rijetësohet komplet një zonë, ku krahas komponentës së restaurimit, përfshihet dizajni urban dhe zhvillimi i zonës. Ministria tashmë ka përfunduar me restaurimin e shtëpisë së familjes Morina dhe do të vazhdojë me restaurimin e shtëpive të radhës në kuadër të projektit. Ky projekt do të zbatohet në kuadër të bashkëpunimit paraprak me zyren e BE-së në Kosovë, Ministrinë dhe Komunën. Ndërsa u dakorduam për nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe për koordinim dhe zbatim të projekteve.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjithashtu përfshihet edhe Rijetësimi i Kinemasë Lumbardhi, ku pritet fillimi i ndërhyrjeve restauruese gjatë këtij viti.
Ndërhyrjet restauruese janë duke u zhvilluar edhe në Qendrën Historike të Prizrenit, në disa shtëpi tradicionale sikurse shtëpia e familjes Bardhi, shtëpia e Familjes Lokvica tashmë është projekte në proces, shtëpia e familjes Destan Kabashi ka përfunduar, kurse ndërhyrjet në shtëpinë e familjes Sokoli dhe në kompleksin e familjes Dorambari, pritet të fillojnë. Nga kryetari kërkova një koordinim më efikas në sigurimin e lejeve dhe dokumenteve përkatëse nga komuna, për projektet e restaurimit që zbatohen nga Ministria e Kulturës si institucioni kompetent për restaurimin e aseteve të trashëgimisë, në mënyrë që të tejkalohen vonesat e paraqitura në zbatim të projekteve.
Në kuadër të ndërhyrjeve emergjente me qëllim të sigurimit të masave mbrojtëse për trashëgiminë kulturore në rrezik, punët janë zhvilluar dhe kanë përfunduar në Hanin dhe Nallbanin e familjes Kovaçi, dy shtëpi në rrugën Marin Barleti, Konsullatën Austro- Hungareze dhe Hanin e Familjes Zajmi, Prizren.
Në proces të përmbylljes janë punimet në Kullën e Pjetër Penkpalaj në Zym, dhe Shtëpinë e Sava Toskës në Prizren.
Faza e dytë e ndërhyrjeve emergjente në rajonin e Prizrenit, duke vazhduar në monumentet në gjendje kritike, do të vazhdojë menjëherë pas përmbylljes së projekteve në proces. Do të sigurohemi që të zvogëlohet rreziku i degradimit të trashëgimisë kulturore në gjendje të keqe.
Një tjetër projekt me rëndësi i cili është drejt përfundimit është restaurimi i Kinemasë së Parë.
Për të vazhduar tek projekti i Qendrës Kulturore Hebraike, i cili është në proces të lidhjes së kontratës për restaurim, rindërtim dhe adaptim të ndërtesës, ku Ministria do të financojë në tërësi realizimin e këtij projekti.
Restaurimi i Hamamit të Gazi Mehmed Pashës, gjithashtu është projekt në zbatim, i cili do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, deri në restaurim të plotë të këtij aseti me vlera të larta të trashëgimisë kulturore.
Fshati Zym, si një fshat me histori, traditë dhe kulturë, do të trajtohet në kuadër të programit që mbështetet nga Ministria e Kulturës, dhe zbatohet nga UNHABITAT, ku gjatë vitit të ardhshëm do të hartohet Plani i Menaxhimit me qëllim të nxitjes së mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit kulturor e rural në këtë zonë.
Sa i përket sportit diskutuam për ndërtimin e stadiumit në Zhur i cili është afër përfundimit, ku nga komuna u njoftuam që operatori ekonomik do t’i vazhdojë punët përfundimtare për fazën aktuale të ndërtimit të vrazhdë.
Një projekt tjetër që ka filluar në vitin 2018 por nuk ka përfunduar asnjëherë është ai i pishinës olimpike. Pas verifikimit të bërë në terren, Federata e Notit kanë ardhur në përfundim që kjo pishinë është jashtë standardeve për pishina olimpike, me ç’rast kërkohet analizë më e thellë e këtij projekti drejt zgjidhjes së shumë sfidave që ka pasur procesi.
Në Stadiumin “Përparim Thaçi” janë në përfundim punimet e fazës së parë ndërsa diskutuam që faza tjetër të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në fazën e dytë përfshihen punët përfundimtare për funksionalizimin e plotë të stadiumit konform standardeve.
Folëm edhe për ndërtimin e një Qendre Rinore. Lokacioni është caktuar, projekti është në hartim e sipër, dhe sapo të jetë i gatshëm dhe i plotë me të gjitha fazat e duhura do të mund të fillojnë punimet.
I propozuam disa projekte potenciale si renovimin e pjesës së mbetur të palestrës “Sezai Surroi”. U zotuam që sapo të përfundohet hartimi i plotë i projektit nga komuna, të vazhdojmë me renovimin e pjesës së fundit të kësaj palestre.
Nga komuna kërkuam të shqyrtohen mundësitë për lokacionet potenciale për një shtëpi të shahut, një sallë të xhudos, fusha të mbyllura të tenisit dhe një sallë pingpongu. U dakorduam që komuna të na dërgojë nga dy propozime për lokacionet e mundshme në mënyrë që Ministria t’i përfshijë në buxhet sipas prioriteteve për vitin e ardhshëm.
Një çështje tjetër që bashkëbiseduam ishte edhe ndërtesa e institucionit të arkivit në qytetin e Prizrenit. U dakorduam që të ndahen fondet për vitin e ardhshëm ndërsa nga komuna konfirmuan përzgjedhjen e lokacionit të përshtatshëm për këtë ndërtim që do të financohet nga Ministria e Kulturës.
Po ashtu, kryetarit Totaj ia shpalosa edhe dy programet kombëtare që do të nisin vitin e ardhshëm: Arti në shkolla dhe Sporti në shkolla, duke kërkuar nga ai dhe komuna mbështetje në zbatimin e këtyre programeve. Sigurova mbështetjen e pakursyer të kryetarit dhe komunës së Prizrenit.
E falënderoj kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj, për pritjen, gatishmërinë dhe bashkëpunimin e deritashëm./ KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Nënë Terezës” u hapën dy ekspozita në Prishtinë, kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës.
Në qendrën “BogdaniPolis” në Katedralen Shën Nënë Tereza u mbajt ekspozita “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, ku u paraqitën fotografi ekskuzive të Nënë Terezës. Për detajet e ekspozitës dhe fotografitë e saj foli Imzot Don Lush Gjergji, duke shpalosur kujtimet që nga vitet e 80-ta ndërsa foli për rëndësinë, jetën dhe veprën e Nënës Terezë, zemërgjerësinë dhe fisnikërinë që pati ajo.
Ndërsa fotografi shumë të veçanta të Nënë Terezës u paraqitën edhe në ekspozitën që u hap në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ekspozita kishte fotografi që nga fëmijëria e Nënës Terezë, nga shkollimi e deri tek mësimi qe u jepte të tjerëve, nga veshja tradicionale e Prizrenit e deri tek humanizmi i saj në Kalkutë, fotografi këto që pasqyronin shenjtërinë dhe dashurinë e saj.
Në hapjen e ekspozitave mori pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Imzot Don Lush Gjergji, përfaqësues të Ipeshkvisë së Kosovës si dhe personalitete tjera nga jeta politike e kulturore. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku së fundmi ka vizituar festivalin ‘Hardh Fest’ me ç’rast ka takuar shumë qytetarë dhe ka shijuar rrushin e verën cilësore që iu është ofruar nga prodhuesit vendorë, përcjell KultPlus.
“Të tilla festivale po i japin gjallëri gjithë vendit”, ka shkruar ai.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Një e diel shtatori, ideale për të kaluar ditën në vreshtat e Rahovecit. Periudha e vjeljes së rrushit të shijshëm të kësaj zone.
Sot bashkë me kryeministrin Kurti ishim në ditën e fundit të festivalit Hardh Fest. Takuam shumë qytetarë dhe shijuam rrushin e verën cilësore që na ofruan shumë prodhues vendorë.
Hardh Fest edhe këtë vit ofroi program fantastik. Aktivitete për fëmijë, vizita në asete të trashëgimisë kulturore për turistë, program të pasur kulturor e artistik e promovim të kulturës së rrushit, duke tërhequr kështu çdo vit e më tepër vizitorë.
Të tilla festivale po i japin gjallëri gjithë vendit. / KultPlus.com
Festivali Etno Fest që promovon kulturën, artin, traditën e trashëgiminë kulturore të vendit, mbrëmë hapi dyert me një program të pasur artistik.
Pjesëmarrësit patën mundësi të dëgjojnë performanca të shumta, ekspozita, shfaqje teatrale e të shijojnë ushqim tradicional në fshatin Kukaj.
Në edicionin e dymbëdhjetë të “Etno Fest” temë qendrore është ‘Dashunia’ për vlerat më të sinqerta të dashurisë për tokën, atdheun, familjen, kafshët dhe natyrën dhe kjo sipas organizatorëve do të jetë e shfaqet në programin e festivalit.
Në hapje mori pjesë ministri i kulturës, Hajrulla Çeku i cili në fjalën e tij ndër të tjera tha që ky festival ka koncept të shkëlqyer që shërben si shembull se si mund të transformohet një hapësirë për t’i shtuar vlerë kulturore dhe potencial turistik një vendi, duke ruajtur dhe promovuar traditat tona.
“Etno Fest” edhe kësaj radhe e ka shndërruar fshatin Kukaj në një atraksion turistik.
Festivali që do të zgjasë deri më 9 shtator mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Në kujtim të shejtores shqiptare, presidentja Osmani u shprehu mirënjohjen e thellë motrave të saj për angazhimin e pakursyer për t’u shërbyer njerëzve në Kosovë, përcjell KultPlus.
“Motrat misionare, të cilat ofrojnë ndihmë në heshtje, jashtë vëmendjes së gjithsekujt, prej vitesh kujdesen për më të varfrit, për ata që Nënë Tereza i deshi më së shumti. Ato u ofrojnë atyre strehë e ushqim, kujdesen për ta dhe i mbajnë afër me dashuri, sipas shembullit të misionares së madhe shqiptare, Nënë Terezës”, theksoi Osmani.
Sipas saj, duke qenë çdo ditë me të varfrit, duke e ndarë dhembjen me ta, motrat misionare po e japin shembullin se si mes njerëzish duhet të mbretërojë dashuria e respekti.
“Këto parime nëna Terezë i kishte fort për zemër. Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës për këtë shembull përkushtimi e dashurie që ato ua ofrojnë më të varfërve tanë”, është shprehur Osmani./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe miistri i Kulturës, Hajrulla Çeku kanë vizituar sot festivalin e vjeljes së rrushit ‘HardhFest’ i cili po mbahet në qytetin e Rahovecit, përcjell KultPlus.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku qëndruan sot n’Konak, ku po vazhdon të mbahet #HardhFest . Falënderojmë Ministrinë dhe Qeverinë për mbështetjen e dhënë edicionit të sivjetmë të festivalit.” , thuhet në postimin e faqes së festivalit në Facebook.
Ndërkaq, ‘HardhFest’ shënoi sivjet edicionin e 20. Me slloganin ‘Ca kokrra rrushi’, ky festival filloi më 2 shtator dhe përfundon sot./ KultPlus.com
Ministri Çeku ka filluar serinë e diskutimeve me kryetarët e komunave. Temë kryesore e takimeve janë investimet kapitale në kulturë, sport, rini dhe trashëgimi kulturore.
Vizita e parë ishte në Vushtrri ku u prit në takim nga kryetari Ferit Idrizi. / KultPlus.com
Samiti i Kulturës që këtë vit shënoi edicionin e gjashtë, është ngjarje dy-vjetore që i bën bashkë ministrat e kulturës, institucionet e artit dhe artistët nga e gjithë bota. Delegacioni i Kosovës mori pjesë në këtë samit me ftesë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Qeverisë së Skocisë, Këshillit Britanik (British Council) dhe Parlamentit të Skocisë, bashkë-organizatorë të ngjarjes.
Gjatë samitit, panelistët dhe delegatët pjesëmarrës, nga kryeministri britanik Boris Johnson, tek ministrat e kulturës nga shumë shtete e deri te artistët, aktivistët e zyrtarët e tjerë, diskutuan për rolin që kanë arti e kultura në edukim, liri, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky organizim vjen edhe si thirrje globale për të rimenduar politikën kulturore, si përpjekje për ta nxjerrë trajtimin e kulturës nga qasja sektorale dhe vendosur atë në thelb të tërë spektrit qeverisës, politikave publike dhe planifikimit zhvillimor.
Përgjatë tri ditësh, ministri Çeku bashkë me ekipin e tij ishin pjesë e sesioneve dhe paneleve si folës, patën takime bilaterale me delegacione të ndryshme shtetërore dhe ndoqën disa aktivitete kulturore në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Edinburgut.
Në fjalimin e mbajtur para të pranishmëve, ministri Çeku ofroi hollësi mbi reformën ligjore dhe institucionale në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës. Duke folur për vizionin e qeverisë për zhvillimin kulturor, ai sqaroi se ripërcaktimi i politikës kulturore synon institucione efikase dhe të pavarura, rritje të audiencave, shpërndarje më efektive të fondeve dhe prezantim ndërkombëtar të shtetit. Ministri në veçanti potencoi ndikimin që kultura ka në sistemin arsimor, duke paralajmëruar nisjen e programit shtetëror për edukim artistik. Ai gjithashtu tregoi për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të ndërlidhur artin, kulturën e trashëgiminë kulturore me sferat e tjera të politikave publike, si planifikimin hapësinor e mjedisin, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin e diplomacinë.
Delegacioni i Kosovës pati disa takime dhe shkëmbime me ministrat, zëvendës ministrat, sekretarët shtetërorë të kulturës nga Mbretëria e Bashkuar, Katari, Letonia, Uellsi, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara (National Endowment for the Arts). Këto takime shërbyen për të nisur dialogun për bashkëpunimin e ardhshëm bilateral kulturor ose për konsolidimin e marrëdhënieve ekzistuese në kulturë. /KultPlus.com
Pas një procesi një vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë. Me vendimin e sotëm hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të ministrit Hajrulla Çeku:
Reforma e madhe në kulturë po bëhet!
Pas një procesi një vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë. Me vendimin e sotëm hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.
Ky moment i rëndësishëm është rezultat i punës së madhe të stafit civil dhe kabinetit politik të Ministrisë së Kulturës, zyrtarëve të institucioneve publike të kulturës, zyrtarëve të ministrive të linjës, pjesëtarëve të komunitetit artistik e organizatave të skenës së pavarur, konsulentëve vendorë dhe nga jashtë. Hapat e ardhshëm të reformës më të madhe kulturore në vend do të bazohen në këtë dokument, i cili do të jetë udhërrëfyes i yni shtetëror për çdo lloj mase që duhet të ndërmarrim për t’i ngritur më tutje të gjitha kapacitetet kreative në vend.
Legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e kulturës është tejet kufizues dhe në masë të madhe nuk i përgjigjet nevojave aktuale të sektorit. Reforma në kulturë synon zvogëlimin e burokracisë, nxitjen e krijimtarisë cilësore, mbrojtjen dhe fuqizimin e artistit, diversifikimin e burimeve të financimit, edukimin artistik të fëmijëve dhe të rinjve dhe zhvillimin e audiencave në mënyrë që si rezultat i të gjitha këtyre kultura të ketë ndikim më të madh në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë. / KultPlus.com
Muaji i Rinisë është duke u zhvilluar me aktivitete të ndryshme dhe dinamikë të lartë.
Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ministri Çeku takoi të rinj dhe përfaqësues të organizatave rinore, në kuadër të ciklit të takimeve të organizuara nga zyra e RYCO në Kosovë.
Bashkë diskutuan tema që ndërlidhen me rininë tonë, përfshirë këtu rëndësinë e hartimit të Koncept Dokumentit për Rininë, që do të trasojë rrugën e reformës ligjore e institucionale për politikën shtetërore që synon fuqizimin e rolit të rinisë në Kosovë.
Një ngjarje plot interaktivitet dhe diskutim konstruktiv për shoqërinë tonë dhe punën që po bëhet dhe duhet të bëhet në fushën e rinisë. / KultPlus.com