Në mbrëmjen e 29 janarit në Sallën e Kuqe, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit është mbajtur koncerti premierë i këtij viti nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.
Nën udhëheqjen e dirigjentit izraelito-gjerman, Maayan Franco dhe pianistit shqiptaro-rumun, Herman-Med Cerisha janë interpretuar koncerti për piano dhe orkestër nga kompozitori Edvard Grieg dhe Simfonia në d mol e kompozitorit Cesar Franck.
Për të ndjekur koncertin i pranishëm ishte edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. /KultPlus.com
*SHËNIM: Të gjitha fotografitë janë realizuar nga Arben Llapashtica
Në oborrin e Kompleksit muzeor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sot u bë promovimi i lojës “Mos u Nxeh Prizren!”.
Loja e përgatitur nga organizata ‘EC Ma Ndryshe’ është prezantuar në format të hapësirës publike dhe atë të formës së lojës për tavolinë.
Në promovim morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga këshilltarja Nora Arapi-Krasniqi, përfaqësuesit e organizatës “Ec Ma Ndryshe”, Drejtori i QRTK-Prizren, Samir Hoxha, mësimdhënësit e shkollës “Emin Duraku” dhe shkollave të tjera.
“Si ministri besojmë që edukimi për trashëgiminë kulturore duhet të fillojë qysh prej moshës më të re dhe mënyra më e mirë për të mësuar diçka është përmes lojës, përmes argëtimit dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin”, ka thënë ministri Çeku.
“Kjo mund të duket diçka e vogël por është një metodologji shumë e avancuar për t’i edukuar fëmijët tanë me idenë që duhet mbrojtur kultivuar dhe promovuar vlerat tona të trashëgimisë”, u shpreh tutje ministri.
“Përmes këtij aktiviteti po bëhet prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore, edukimi joformal i gjeneratave të reja”, ka thënë mes tjerash, drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha.
Kjo lojë kreative e dizajnuar për qytete të ndryshme të Shqipërisë, si: Gjirokastra, Tirana, Shkodra, Korça, etj. tanimë në Kosovë për herë të parë është prezantuar në Prizren.
Loja, përveq që synon të ‘pushojë’ fëmijët nga ekspozimi i tepërt në pajisje elektronike, poashtu synon rikthimin e një nostalgjie të shumë familjeve kosovare, tanimë në një format ndryshe.
Fëmijët përmes lojës e argëtimit do të mund të (ri)zbulojnë elemente të ndryshme të trashëgimisë së qytetit të tyre përderisa të rriturit, evokojnë kujtimet që ofron loja dhe mund të diskutojnë hapur për temat e mbrojtjes së trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.
Edicioni i lojës “Mos u Nxeh Prizren” është dizajnuar nga organizata ‘EC Ma Ndryshe’ në partneritet me GuideKS (Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës) dhe kontribut të çmuar nga stafi profesional i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren, përderisa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Artisti Jakup Ferri do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik për vitin 2022, ndërsa kuratore do të jetë Inke Arns.
Për të përcjellë përgatitjet dhe parë nga afë punën e artistit, sot në studion e tij qëndroi për vizitë Ministri Hajrulla Çeku dhe këshilltarja Nora Arapi-Krasniqi, ku takuan artistin Jakup Ferrri, kuratoren Inke Arns dhe ekipin e pavijonit.
Ekipi i Kosovës që do të prezantohet në Bienalen e Venedikut, e njoftuan për përgatitjet që janë duke u bërë dhe punës që do të përzgjidhet për prezantim si në Sale D’armi, Arsenale në Venedik.
Artisti Ferri shpalosi pikturat, tapiseritë dhe qëndisjet të cilat i punon së bashku me gratë të cilat vazhdojnë t’i ruajnë këto tradita artizanale.
Ministri Çeku shprehu gatishmërinë e plotë të ministrisë në mbështetje pavijonit që Kosova të prezantohet sa më dinjitetshëm në Venedik. / KultPlus.com
Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte Hajrulla Çeku ka listuar sukseset e këtij viti që po lëmë pas, duke e vlerësuar si një kthesë për fushën e kulturës dhe sportit, pikërisht me rritjen e buxhetit që është bërë në këto dy fusha. Çeku ka folë edhe për Sallën Koncertale, objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, propozimin e KultPlus për themelimin e Festivalit të Muzikës në kuadër të RTK-së, e ka vlerësuar si ide të mirë, sikurse që ka folë edhe për kishën ortodokse brenda Kampusit të UP-së.
KultPlus: Jemi në fund të vitit, dhe brenda kësaj periudhe sa edhe po e udhëhiqni Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, e keni vlerësuar si vit që është bërë shumë për fushat të cilat edhe janë brenda kësaj ministrie, në fakt, cila është e arritura më e madhe që e konsideroni edhe si kthesë për kulturën kosovare?
Hajrulla Çeku: Dy shtyllat kryesore të angazhimit tonë në kulturë janë: institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore. Planet vjetore të prokurimit, aktivizimi i petty cash, angazhimi i zyrtarëve shtesë financiar, konkurset për drejtuesit, renovimet dhe sigurimi i hapësirave shtesë, janë disa nga veprimet për t’i adresuar nevojat e institucioneve publike të kulturës. Në anën tjetër, mbështetja e përgjithshme për artistë dhe organizata kulturore për vitin 2021 është 3.8 milionë Euro, një rritje prej 60 përqind, krahasuar me vitin e kaluar.
KultPlus: Edhe këtë vit, filmi dhe sporti janë dy fushat më të arrira, ku edhe Kosova është përfaqësuar dhe po vazhdon të përfaqësohet në mënyrën më të mirë, a do të krijoni një fond edhe më të madh për këto dy fusha?
Hajrulla Çeku: Fondi shtetëror për filmin është dyfishuar për 2022, ndërsa buxheti do të rritet edhe viteve në vijim. Gjatë vitit 2022 do të miratohet ligji i ri për kinematografinë për të krijuar kushte nxitëse për zhvillimin e industrisë së filmit. Buxheti për sportin është rritur gjatë vitit 2021. Mbështetja e përgjithshme për federatat e sportit, klubet sportive dhe sportistët është 6.35 milionë Euro, 57 përqind më tepër se në 2020 dhe 51 përqind më tepër se në 2019.
KultPlus: Serbia vazhdon të krijojë filma për luftën e Kosovës, duke e shtrembëruar të vërtetën, të cilët kanë realizuar filma edhe për Kosharen, Reçakun, duke mos përjashtuar edhe shumë filma dokumentarë po për luftën e Kosovës, a do të duhej të kishim një thirrje të veçantë, për filma me tematikë të caktuar, në mënyrë që të realizohen sa më shumë filma për luftën e Kosovës?
Hajrulla Çeku: Filmat për luftën e Kosovës janë prodhuar dhe do të prodhohen në vazhdimësi. Gjatë vitit 2022 do mbështesim krijimtarinë audio-vizuele për të promovuar të vërtetën mbi luftën dhe shtetin e Kosovës nëpër botë.
KultPlus: Kur jemi te kjo thirrje, duke pas parasysh edhe bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, a do të duhej që një thirrje e tillë të ishte e përbashkët?
Hajrulla Çeku: Veprimtaria filmike ndjek metodën e bashkëprodhimit. Filmi “Zgjoi” është një shembull ilustrues, pasi edhe Shqipëria është njëra nga bashkëprodhueset. Besoj që viteve në vijim do të kemi bashkëpunim të shtuar me Shqipërinë në fushën e prodhimtarisë filmike.
KultPlus: Prej pasluftës e këndej, çdo ministër ka premtuar ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit të Kosovës, por që ende ky objekt mbetet vetëm premtim për zgjedhje. Në ndërkohë, para objektit, ju themeluat institucionin e operës, sa mendon se kemi kapacitet kuadrosh për funksionalizimin e një institucioni të tillë?
Hajrulla Çeku: Institucioni i Operës së Kosovës është themeluar, ka mbajtur koncertin inaugurues, ka miratuar aktet e brendshme, ka strukturën drejtuese dhe është në përgatitje të programit të rregullt vjetor për vitin 2022. Ne jemi në komunikim me Komunën e Prishtinës, dhe në momentin e ndarjes së lokacionit do të shpallet edhe konkursi për projektim, për te vazhduar pastaj me hapat e nevojshëm për ndërtimin e Teatrit të Operës.
KulPlus: E sa i përket objektit të Operës dhe Baletit, sa herë keni folur për këtë objekt, por edhe institucionit nuk iu keni referuar si Opera dhe Baleti i Kosovës “Ibrahim Rugova”, por vetëm Opera dhe Baleti i Kosovës, a ka ndonjë ndryshim në emërtim, pasi që më herët, këtij objekti i janë referuar me emrin e Ibrahim Rugovës?
Hajrulla Çeku: Fokusi im janë puna dhe realizimi i zotimeve. Institucioni është funksionalizuar, në radhë është ndërtesa.
KultPlus: E sa i përket Sallës Koncertale, do të mbetet objekti Gërmia, apo pritet të ketë ndonjë ndryshim?
Hajrulla Çeku: Procesin e ndërtimit të sallës koncertale në objektin e Gërmisë nuk mund ta kthejmë në pikën zero, pasi janë zhvilluar disa faza të procedurës. Viti 2022 duhet të na gjejë me dinamizim të punëve drejt synimit të përbashkët për sallë koncertale.
KultPlus: Ndërkohë, së fundi keni diskutuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën edhe për objektin e Muzeut të Artit Bashkëkohor, mund të na shpjegoni se ku dhe si do të realizohet ky objekt?
Hajrulla Çeku: Në fillim të vitit të ardhshëm do të ngritet një këshill profesional për konceptimin dhe themelimin e institucionit. Bashkë me Komunën e Prishtinës do ta identifikojmë hapësirën më të përshtatshme ku do të vendoset Muzeu i Artit Bashkëkohor. Bienalja nomade Manifesta do të jetë platforma profesionale e dialogut gjithëpërfshirës për themelimin e institucionit.
KultPlus: Kur jemi te objektet, mund të flasim për objektin e Kishës Ortodokse brenda kampusit, mund të jetë si alternativë për ndonjë projekt kulturor?
Hajrulla Çeku: Për strukturën në fjalë që gjendet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës ekziston një proces i hapur gjyqësor. Pa përfunduar procesi gjyqësor nuk mund të ndërmarrim ndonjë veprim.
KultPlus: Kur jemi te themelimi i institucioneve, objekteve dhe iniciativave të ndryshme kulturore, Kosovës edhe më tej i mungon festivali i këngës, e që do të duhej të funksiononte brenda RTK-së. E dimë që ende nuk jemi anëtarë të EBU-së, që Kosova të përfaqësohet në Eurovizion, por a nuk do të duhej që Kosova të krijonte një traditë me këtë festival edhe para se të fillonte përfaqësimin?
Hajrulla Çeku: Mendoj që është ide e mirë. Duhet të flasim me RTK-në.
KultPlus: Ndërkohë, kemi një përfaqësim super dinjitoz në nivel ndërkombëtar, kur kemi parasysh suksesin e Dua Lipës, Rita Orës, Erza Muqollit, “Gjon’s Tears” dhe shumë artistëve të tjerë, kur kemi gjithë këta artistë të famshëm, a do të duhej të mendonim më seriozisht për një projekt që mund ti bashkonte këta artistë?
Hajrulla Çeku: Edhe kjo mendoj që është ide shumë e mirë.
KultPlus: Dhe për fund, cili është plani kryesor i vitit 2022, qe është edhe prioritet i MKRS-së, por edhe i Qeverisë së Kosovës, sa i përket fushës së kulturës?
Hajrulla Çeku: Viti 2022 është i reformës në sferën e kulturës. Do ta ndërtojmë bazën e nevojshme për funksionim efikas të institucioneve publike të kulturës dhe partneritet strategjik e fuqizim të skenës së pavarur kulturore. Do t’i dinamizojmë procedurat për Sallën Koncertale, Muzeun e Artit Bashkëkohor, Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Teatrin e ri Kombëtar./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shkruan KultPlus.
“Investimet kapitale strategjike ne sektorin e kulturës, studimi i fizibilitetit dhe plani rregullues i hollësishëm për Qendrën Historike të Qytetit të Prishtinës, mbrojtja dhe promovimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, përmirësimi i infrastrukturës fizike sportive, bienalja nomade Manifesta, janë vetëm disa nga pikat për të cilat u pajtuam të bashkëpunojmë gjatë vitit 2022, duke bashkërenduar përpjekjet institucionale për krijimin e kushteve të dinjitetshme për komunitetin artistik e sportiv”, shkroi mes tjerash Çeku në “Facebook”.
Ai gjithashtu tregoi se vitin po e përmbyllin me shumë nisma që trasojnë rrugën për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të kulturës e sportit në kryeqytet dhe më gjërë.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të jetë partner serioz zhvillimor, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me të gjitha institucionet publike dhe shoqërinë civile”, shkruhet në fund të postimit.
Përpos mesazheve, Çeku e Rama ndanë edhe disa fotografi. /KultPlus.com
Ekipi i filmit “Zgjoi” është takuar me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Çeku njoftoi se ka pritur në takim ekipin që po bën historinë drejt çmimin prestigjioz “Oskar”.
“Institucionet e shtetit janë duke e ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në këtë rrugëtim të përbashkët”, shkroi Ministri në “Facebook”.
Ai tutje shtou se ky takim ishte një kënaqësi e veçantë për të. “Artistët tanë vazhdojnë të na përfaqësojnë dinjitetshëm. Kinematografia e Kosovës është duke ecur në hap me botën”, përmbylli postimin.
“Zgjoi” së fundmi është përfshirë në listën e ngushtë për nominimet në Oskar. /KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar së fundmi një takim me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Rama ka njoftuar se kanë diskutuar për një varg çështjes të cilat i kanë prioritet si qeverisje komunale.
“Ministrit Çeku i kërkova bashkëpunim për projekte të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, siç janë ndërtimi i Sallës Koncertale dhe Muzeut të Artit Bashkëkohor. Nga ana e tij, ministri Çeku më shprehu mbështetjen dhe përkushtimin për bashkëpunim ndërmjet institucioneve tona”, ka shkruar Rama mes tjerash.
Ndër të tjera, si temë e takimit ishin edhe përgatitjet e përbashkëta për Bienalen Nomade Evropiane, Manifesta, që vitin tjetër vjen në Prishtinë. /KultPlus.com
Rreth 455 mijë EUR është shuma shtesë që u sigurua javën e kaluar për federatat e sportit.
Mbështetja e përgjithshme për Komitetin Olimpik, federatat, klubet dhe sportistët gjatë vitit 2021 është 6,35 milionë EUR, një rritje prej 57 përqind krahasuar me vitin 2020 dhe 51 përqind krahasuar me vitin 2019, bënë të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Brenda programit të ringjalljes sporti dhe sportistët kanë përfituar 2.28 milionë euro:
27 federata (dhe KOK e KPOK) 214 klube sportive (dhe organizata) 178 sportistë.
Mbështetja e përgjithshme për federatat e sportit gjatë vitit 2021 është mbi 4 milionë EUR, një rritje prej 115 përqind krahasuar me vitin 2020 dhe 60 përqind krahasuar me vitin 2019.
“Siç e kemi shpallur nga fillimi, sporti është prioritet nacional i qeverisë. Viti i ardhshëm, ndër tjerash, do të na gjejë me:
Strategjinë dhe Planin e Veprimit për zhvillimin e sportit, Programin afatgjatë për funksionalizimin e ligave sportive në të gjitha shkollat e vendit, Përfundimin e disa projekteve të trashëguara dhe nisjen e të rejave në infrastrukturë sportive, Programin për brandimin ndërkombëtar të Kosovës si “Shtet i Xhudos”, Formulën e re të financimit të klubeve sportive nga shteti (përfshi trajnerët sportiv), Politikën e re të kategorizimit, vendosjen e rregullsisë financiare dhe rilicensimin e federatave të sportit”, shkruan ai. / KultPlus.com
Sot Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i ka dorëzuar Kryetares së Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore 54 dosje, propozime që 54 asete të trashëgimisë kulturore të hyjnë në listën e mbrojtjes së përhershme.
Dosjet për vlerësim janë dorëzuar me propozim të institucioneve kompetente të trashëgimisë kulturore në përputhje me ligjin për trashëgiminë kulturore, ndërsa i përkasin trashëgimisë arkitekturale dhe arkeologjike.
Ministri Çeku dhe kryetarja e KKTK-së, Halimi vlerësuan se në kuadër të koordinimit dhe bashkëpunimit të institucioneve të trashëgimisë ka ardhur edhe deri tek ky hap konkret në proces të mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë tonë të pasur kulturore.
Kjo nismë do të hap rrugë drejt përfshirjes së trashëgimisë kulturore në plane hapësinore, duke mundësuar shfrytëzimin e potencialit që kemi për zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është miratuar projekt-ligji për arkivat shtetërore, një nismë që synon zhvillimin modern dhe efikas të sistemit arkivor të Kosovës, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi të publikuar një rrjetin social “Facebook”, Çeku, njoftoi se ky dokument është i rëndësishëm.
“Ky dokument i rëndësishëm parasheh rregullat themelore për organizimin, administrimin dhe funksionimin unik të shërbimit arkivor si dhe kompetencat e organeve për krijimin, pranimin ruajtjen, mbrojtjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e materialit arkivor të shtetit tonë”, shkroi ai.
Lëndët arkivore kanë rëndësi historike, shkencore dhe kulturore ato duhet të ruhen, të pasurohet fondi dhe koleksionet e arkivit me dokumente të rëndësishme të vendit dhe të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë.
Ky projekt-ligj u miratua në mbledhjen e fundit të mbajtur nga Qeveria e Kosovës. /KultPlus.com
Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë, u mbajt takimi i fundit për këtë vit, mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik.
Kësaj radhe u diskutua me komunitetin e teatrove, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me pjesëmarrësit u fol për identifikimin e sfidave, nevojave dhe hapat e përbashkët të veprimit për adresimin e shumë çështjeve me rëndësi.
Bashkëbisedimi filloj me një prezantim nga ministri për punën që është bërë në fushën e teatrove dhe për idetë për të ardhmen.
Në lidhje me teatrin, koncepti është që jeta teatrore të organizohet edhe përtej institucioneve publike dhe për këtë duhet të obligohet ministria në të ardhmen që të krijojë hapësira të reja për teatro të tjera dhe për organizime teatrore, sidomos në shkolla të Kosovës, veçoi ministri Çeku.
Ndër të tjera gjithashtu foli për financimin për teatrot dhe projektet teatrore, i cili është dyfishuar këtë vit.
Ndër temat kyçe që u diskutuan në këtë takim të përbashkët ishin mbledhja e analizës mbi gjendjen e tanishme të sektorit dhe ku duam ta dërgojmë teatrin, reforma ligjore në kulturë, e posaçërisht në fushën e teatrit, ku të parashihet edhe çfarë do të vije pas 20-30 viteve.
Në diskutim u fol edhe për çështjen e këshillave drejtues, organizimin sindikal në sektorin e teatrit, sundimin e ligjit, deburokratizimin sa më të madh të kulturës, rritjen e krijimtarisë dhe vlerave artistike në fushën e teatrit, për krijimin e hapësirave të reja për artistët e rinj, financimin e qëndrueshëm të teatrov, duke zgjidhur menaxhimin e financave nga vet teatrot, për zhvillimin e një konkurrence të shëndoshë të angazhimit të artistëve në shfaqjet teatrale, bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe teatrove të qyteteve, dhe nçështje tjera që ndërlidhen me këtë fushë.
Ndër diskutuesit që kontribuuan në këtë takim të përbashkët ishin: Florent Mehmeti nga Teatri Oda, Naim Berisha nga Shoqata Sindikale e TKK-së, Flutura Zymi, aktiviste, Sokol Plakolli, artist, Fatmir Hyseni, nga Teatri i Ferizajt, Agron Gërguri nga Teatri i Podujevës, Vedat Haxhiislami, aktor, Fadil Hysaj, regjisor, pedagog, Saranda Elshani nga Teatri i Suharekës, Xhevat Limani, artist nga Shqipëria, Edi Kastrati nga Teatri i Gjakovës, Elhame Kutllovci, regjisore e teatrit, Valina Muçolli, aktore, Shefqet Gjoca, drejtor në AKKV “Shota”, dhe Gyner Halili, aktor. / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se së shpejti do të nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesat e rrezikuara brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Çeku ka njoftuar se përgjatë muajve të fundit kanë bërë hapa konkret.
“Kemi vlerësuar gjendjen fizike të ndërtesave brenda kompleksit, tani po nisim ndërhyrjet emergjente me karakter shpëtimi. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë të vendit dhe nga jashtë, dje kemi themeluar Komisionin e Ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit, ndërsa nga fillimi i vitit të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra hartimi dhe zbatimi i master-planit për kompleksin memorial.”, shkruan ai mes tjerash.
Minitri tutje shpjegon se gjithashtu në mbledhjen e tretë, që u zhvillua dje, te Komitetit ndër-ministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, i cili kryesohet nga Kryeministri Albin Kurti, morën vendime të rëndësishme.
Gjatë prillit të këtij viti, Qeveria Kurti kishte themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të zbatimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. /KultPlus.com
Kosova përmes sportit në xhudo është ngritur në pediestalet më të larta në vendet, lojërat e kampionatet botërore, shkruan KultPlus.
Së fundmi, xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi është shpallur xhudistja më e mirë në sportin e xhudos për vitin 2021.
Përpos saj, edhe trajneri Driton Kuka është shpallur si trajneri më i sukesshëm për këtë vit në sportin ku ai tani ka veçse tri medalje të arta.
Rreth këtyre ngjarjeve historike kanë reaguar edhe krerët shtetror të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
“Një tjetër arritje e jashtëzakonshme e ekipit të xhudos të Kosovës. Urime Driton Kukës për fitimin e çmimit të arritjeve të trajnerit 2021, dhe Distria Krasniqit që u shpall xhudistja e vitit”.
“Kënaqem kur shoh ekipin tonë t’i sjellë më shumë lavdi vendit. Të gjithë e festojmë suksesin tuaj”, ka shkruar Kurti në ‘Twitter’.
Në anën tjetër, Osmani ka shtuar se këto dy rezultate janë historike për sportin e Kosovës.
“Edhe dy rezultate historike për sportin në Kosovë. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është përzgjedhur nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos si xhudistja më e mirë në botë”.
“Ndërsa, Driton Kuka, mjeshtri i xhudos, u zgjodh trajneri më i mirë në botë në këtë sport”.
“Krenari dhe emocione të jashtëzakonshme. Kosova e artë”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Ministri Çeku përmes një postiomi në “Facebook”, uroi të dy për çmimet e merituara, derisa falënderoi ata për krejt çfarë po bëjnë për shtetin e Kosovës.
“Toni, trajner Kosove, më i miri në botë! Urime mjeshtër, faleminderit për krejt çfarë po bën për shtetin tonë. Kampionja jonë olimpike Distria Krasniqi shpallet xhudistja më e mirë e vitit në botë. Urime kampione, plotësisht e merituar”, ka shkruar ai.
Federata Kombëtare e Xhudos ka bërë shpërndarjen e këtyre çmimeve përmes një ceremonie virutale. /KultPlus.com
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore do të organizojë një tryeze me titull “Bashkëpunimi ndër-institucional në Fushën e Trashëgimisë Kulturore”, shkruan KultPlus.
Kjo tryezë pritet të zhvillohet më 20 dhjetor, bë hotel Sirius dhe do të përbëhet nga tre panelë të ndryshëm.
Në këtë tryezë do të jetë i pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili do të shoqërohet së bashku nga Kreshnik Bajrami, Zanita Halimi dhe Ardian Gola për të bërë hapjen.
Përmes tre panelëve dhe diskutimeve nga 20 minuta respektivisht do të diskutohet rreth mbrojtjës së trashëgimisë kulturore, trashëgimia shpirtërore duke përfshirë praktikat dhe politikat, e gjithashtu edhe zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i trashëgimisë kulturore. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku po vazhdon serinë e diskutimeve të hapura me komunitetin artistik e kulturor, ku mbrëmë është mbajtur takimi i katërt, shkruan KultPlus.
Në serinë e katërt ishte radha e komunitetit dhe ansambleve folklorike që të diskutojnë së bashku edhe me shoqëritë kulturore artisitke mbi artin e kulturën.
Fillimisht, ministri paraqiti vizionin që është në programin për kulturën që ndërlidhet me pjesën e ansambleve folklorike dhe shoqërive kulturore artistike, ku do të ketë mbështetje dhe konsolidim të vazhdueshëm të institucioneve që kultivojnë traditën folklorike në vendin tonë, mbështetja e institucioneve dhe organizatave që merren me folklor është edhe prej orientimeve strategjike, mbështetje mbi edukimin dhe dokumentimin e trashëgimisë shpirtërore folklorike i cili është një detyrim i përhershëm i ministrisë.
Adresimi i çështjeve si rregullimi i statusit të artistit të pavarur në kuadër të ligjit për kulturën, ku përfshihen edhe performuesit, valltarët, instrumentistët, mbështetja e qëndrueshme dhe rritja e buxhetit për Ansamblin Shota, konsolidimi dhe përkrahja për ansamblet që funksionojnë në Kosovë, prezantimi i kulturës tonë në skenën ndërkombëtare si interes strategjik që të kemi një prezencë më të madhe ndërkombëtare, infrastruktura kulturore, me theks ajo edukative mbi traditën tonë folklorike, janë ndër angazhimet e ministrisë në raport me përmirësimin e sektorit.
Edukimi për kulturë, në bashkëpunim me MASHTI-n është një për synimeve dhe me drejtuesit e Ansamblit Shota veç janë diskutuar dhe hartuar disa programe që të rinjtë të edukohen për folklorin dhe kulturën tonë në mënyrë që të bëhet ndërlidhja sa më e mirë mes shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm me krijuesit, performuesit dhe prodhuesve të aktivitetit kulturor.
Tema të tjera të cilat u diskutuan kishin të bënin me rregullimin e insfrastrukturës ligjore dhe fizike për të përmbushur edhe statustin e ansambleve dhe hapësirinë ku ato funksionojnë.
Kushtet më të mira për punë dhe vendi për t’u kryer aktivitet e tyre ishin disa prej kërkesave kryesore që u paraqitën në këtë diskutim të hapur që është mbajtur në ambientet e Kino Armatës. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi pati bërë të ditur anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artistëve vendor, me ç‘rast ka pasur reagime të shumta, përcjell KultPlus.
Andaj, sot ka reaguar edhe ministri Hajrulla Çeku i cili ka shprehur keqardhjen për anulimin e konkursit për blerjen e veprave të artit.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Disa sqarime mbi anulimin e procedurës për blerjen e veprave të artit.
Fillimisht shpreh keqardhjen time për anulimin e procedurës dhe gjithë situatën e krijuar veçanërisht në raport me të gjithë artistët pjesëmarrës në këtë thirrje.
Sulmet ndaj artistëve që kanë qenë në listën e përfituesve dhe ndaj anëtarëve të komisioneve përzgjedhëse janë totalisht të papranueshme. Fushata denigruese dhe kërcënimet që nisën nga momenti i shpalljes së listës janë veprime të ulëta.
Programin për blerjen e veprave të artit e kemi nisur me qëllimin më të mirë. Megjithatë, duke e përfshirë brenda Programit të Ringjalljes Ekononike kemi krijuar pritshmëri të gabuar. Do të duhej ta komunikonim më mirë në publik konceptin e programit. Gjithashtu, ankesat për konflikt interesi që i kemi pranuar kërkonin periudhë shtesë shqyrtimi. Këtë kohë nuk e kishim, pasi jemi në fund të vitit dhe brenda pak ditësh mbyllen edhe sistemet e pagesave. Për shkak se fondi përkatës i ringjalljes mund të përdoret vetëm sivjet, për shkaqe procedure kërkohej edhe anulimi formal i kësaj thirrje.
Menjëherë kemi filluar punën për thirrjen e radhës, e cila do të shpallet në fillim të vitit të ardhshëm. Do të jemi të kujdesshëm, kemi nxjerrë mësimet tona. Blerja e veprave të artit nga shteti do të jetë praktikë e rregullt viteve në vijim dhe me buxhet të shtuar.
Edhe një herë, shpreh keqardhjen time më të thellë sidomos ndaj artistëve të listës fituese dhe bashkëndiej me ta për situatën e krijuar pa fajin e tyre. Ju siguroj që angazhimi ynë mëton fuqizimin e artistëve të Kosovës. Në këtë kuptim, besoj thellë që shteti duhet t’i blejë veprat më të mira të artit, duke e nxitur krijimin e tregut të artit, i cili e vlerëson dinjitetshëm artistin dhe artin cilëson. / KultPlus.com
Jakup Ferri do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venecias 2022, shkruan KultPlus.
Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka konfirmuar këtë lajm, derisa Ministri Hajrulla Çeku e priti në takim dhe i ofroi mbështetje të plotë.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Çeku përsëri përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, i ka uruar suksese Ferrit.
“Përgëzime për Jakupin, mbarësi në këtë detyrë të rëndësishme. Republika jonë sërish do të pushtojë majat e artit botëror”, ka shkruar ai mes tjerash.
Jakup Ferri është përzgjedhur në mesin e 12 artistëve që aplikuan në thirrjen publike të Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim Jakup Ferrin, artistin që do të përfaqësoj Kosovën në Bienalen e Venedikut, përcjell KultPlus.
“Sot në Ministrinë e Kulturës patëm kënaqësinë të presim artistin e njohur, Jakup Ferri, i cili do të përfaqësoj Republikën e Kosovës në edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik 2022.
Ai së bashku me komisioneren e Pavionit të Kosovës Alisa Gojani Berisha u pritën nga Ministri Hajrulla Çeku dhe shefja e kabinetit, Klodeta Krasniqi.
Artisti Jakup Ferri në këtë takim tha që ndihet i nderuar që është përzgjedhur puna e tij nga dymbëdhjetë propozime që garuan në thirrjen publike të Ministrisë së Kulturës.
Ai gjithashtu foli për projektin e tij “The Monumentality of the Everyday” me të cilin doli fitues, projekt ky që do të kurohet nga kuratorja e gjermane Inke Arns, ndërsa tha që do të integroj qasjen konceptuale nga praktikat e tij të mëparshme si vizatime, piktura etj, të cilat do të adaptohen në një medium më tradicional të thurrjeve si tapiceritë që do të realizohen në bashkëpunim me gratë e komunitetit tonë.
Ndërsa Ministri Çeku shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Kulturës për të mbështetur projektin që do të prezanohet në Bienale, në mënyrë që të kemi një Pavion sa më të denjë që do të prezatoj vlerat e krijimtarisë artistike të artit Kosovar“, thuhet në njoftimin e MKRS-së. / KultPlus.com
Porgrami i ri ‘Evropa Kreative’, konsiderohet dritare shtesë për rritje të bashkëpunimit kulturor evropian.
Kosova arrin marrëveshjen për të qenë pjesë e programit të ri Creative Europe për periudhën 2021-2027, program ky i Bashkimit Evropian për mbështetje financiare për sektorët krijues, kulturor dhe audiovizual në Evropë.
Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës miratuam Projektligjin pёr Ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program. Kjo platformë mundëson promovimin dhe ndërlidhjen e artistëve tanë me skenën ndërkombëtare të artit, përmes mbështetjes së mobilitetit kulturor në projekte kulturore evropiane.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili njofton se ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, njëherit duke e fuqizuar pozitën e Republikës së Kosovës brenda hartës kulturore evropiane. / KultPlus.com
Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.
Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.
Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku përmes një postimi në rrjetet sociale, falënderoi xhudisten Majlinda Kelemendi duke i uruar asaj shëndet, mbarësi e suksese të radhës si trajnere.
“Çika jonë e artë sonte mbylli karrierën e saj si sportiste aktive. Majlindës iu nda Urdhri “Shotë Galica” nga Presidentja Vjosa Osmani. Tani e tutje, ajo i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror Driton Kuka në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës.
Faleminderit kampione, paç shëndet e mbarësi, të uroj suksese të radhës si trajnere“, thuhet në postimin e tij. / KultPlus.com
Sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë gjithsej 335 mijë euro për mundësimin e qindra nxënësve në pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri, përcjell KultPlus.
Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku ka publikuar një postim në rrjetet soicale duke thënë se të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport.
“Sot zotuam mbështetjen e radhës për sportin shkollor në Kosovë. Bashkë me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, zëvendës Ministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, Rektorin e Universitetin të Prishtinës, Naser Sahiti, Dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor, Adrian Telaku nënshkruam marrëveshjen në vlerë 335 mijë Euro që u mundëson qindra nxënësve pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri.
Së fundmi kemi zotuar mjete në vlerë prej 100 mijë eurove për Federatën e Sportit Shkollor për organizimin e garave sportive në shkollat fillore të Kosovës. Gjithashtu, me 100 mijë Euro po mbështesim Federatën e Sporteve Universitare për organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll gjatë vitit 2022.
Të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport. Qeveria jonë po punon intensivisht dhe po vepron konkretisht për të arritur këtë synim. Duke e masovizuar sportin shkollor e universitar, ne zbulojmë talentë, parandalojmë devijime, mbrojmë shëndetin. Gjatë mandatit tonë, krahas rritjes së mbështetjes për sportin shkollor dhe universitar, po punojmë edhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshi hapësirat sportive të shkollave. Bashkëpunimi i ngushtë mes Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, bashkë edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe komunat është parakusht i suksesit.
Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport“, thuhet në statusin e tij. / KultPlus.com
Më 5 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, e derisa në Kosovë kjo ditë është shënuar me disa aktivitete, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi në “Facebook” ka shkruar se dita e sotme ka qenë me shumë pozitivitet.
“Sot së bashku me UNICEF, UNVolunteers dhe shumë të rinj shënuam Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Puna vullnetare sjell shumë dobi për çdo shoqëri dhe komunitet, por edhe për personat që angazhohen”, shkroi Çeku.
Tutje, ministri gjithashtu shtoi se rëndësia e qytetarisë aktive dhe vullentarizmi kanë qenë shumë të pranishëm gjatë periudhës kur vendi po përballej me shumë sfida nga pandemia COVID-19.
“Prandaj ne si Ministri e Rinisë po bëjmë më të mirën të krijojmë një mjedis mbështetës për ta, me politikat dhe programet tona për vullnetarizmin dhe njohen e punës vullnetare. Në aktivitetin e sotëm u ndamë mirënjohje vullnetarëve Sara Sadiku, Erona Osmani, Arida Spahija, Hana Ahmeti dhe Gazzali Makasqi, të cilët i përgëzoj për angazhimin e tyre”, shkroi ai.
Për ta bërë bërë më të lehtë njohjen mes vullnetarëve dhe organizatave, Kosova me UNICEF kemi krijuar platformën e parë të takimit mes këtyre dy palëve kosovovolunteers.org, platformë kjo e cila tashmë po funksionon shumë mirë. /KultPlus.com