Çeku: Sot vendi ynë ka humbur një person shumë të veçantë

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka dërguar një telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së piktorit Zef Toçi, përcjellë KultPlus.

“Sot vendi ynë ka humbur një person shumë të veçantë”, ka shkruar mes të tjerash Çeku, i cili ka shtuar se puna e tij do të kujtohet gjithmonë.

KultPlus ju sjell të plotë telegram ngushëllimin:

E nderuar familje Toçi,

Me pikëllim sot mora lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit të njohur, Zef Toçi dhe ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Sot vendi ynë ka humbur një person shumë të veçantë. Maestro Toçi ka qenë një prej artistëve që dha kontribut të lartë në kulturën tonë, veçanërisht në fushën e artit pamor, duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtare për më shumë se gjysmë shekulli.

I diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve në Bruksel më 1972, tregoi talentin e tij duke u dekoruar medalje nga Mbretëria Belge.

Ai realizoi me sukses shumë ekspozita arti brenda dhe jashtë vendit. Duke jetuar dhe punuar në Prizren, me stilin surrealist në shprehësinë e tij artistike, piktori Toçi, kontribuoi në ngritjen e vlerave artistike të kulturës së Kosovës në përgjithësi. Ne do ta kujtojmë gjithmonë si shembull për punën, atdhedashurinë dhe mirësinë e tij. Ndërsa krijimtaria që ka lënë pas do tu shërbejë gjeneratave të tëra.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Zef Toçi./ KultPlus.com

Çeku pas festivalit në Kanë: Artistët tanë të filmit po e mbajnë Kosovën në majen e konkurrencës botërore

Me përfundimin e edicionit të 74-të të festivalit së filmit në Kanë, ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përcjellë KultPlus.

Çeku është shprehur se festivali në Kanë ishte një përjetim i jashtëzakonshëm dhe përfaqësim i dinjitetshëm për shtetin e Kosovës.

“Nuk e fituam as “Palmën e artë” as “Kamerën e artë”, por jemi krenarë dhe të lumtur me shembullin e dhënë”, ka thënë ai.

KultPlus ju sjell statusin e tij të plotë:

Përjetim i jashtëzakonshem, përfaqësim i dinjitetshëm. Kosova për herë të parë në Festivalin e Kanës, duke iu falënderuar filmbërësve të talentuar. Me filmin “Pa vend” të Samir Karahodës, për herë të parë ishim në kategorinë kryesore të filmave të shkurtë. Ndërsa filmi “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit ishte pjesë e programit “Directors’ Fortnight”.

Sonte përfundoi edicioni i 74-të i Festivalit të Kanës. Nuk e fituam as “Palmën e artë” as “Kamerën e artë”, por jemi krenarë dhe të lumtur me shembullin e dhënë. Artistët tanë të filmit po e mbajnë Kosovën në majen e konkurrencës botërore. Për t’i vazhduar sukseset botërore duhet vëmendje shtesë filmit. Përkushtimin tonë institucional dhe rritjen e përkrahjes ndaj filmit e konfirmoi edhe Kryeministri Kurti nga Kana. / KultPlus.com

Nis procesi për dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qindra monumenteve të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se Qeveria ka votuar themelimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës më 98/99, përcjellë KultPlus.

“Ky është moment i rëndësishëm, pasi zyrtarisht e nisim procesin për të kërkuar llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës”, ka shkruar Çeku.

Tutje ai ka bërë të ditur se anëtarë të komisionit do të jenë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë.

“Komisioni do të marr për bazë të gjitha dokumentimet që janë kryer deri sot, ndërsa do të ketë për detyrë hartimin e inventarit shtetëror me të gjitha monumentet e shkatërruara gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999. Mbi këtë dokument dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare do të përpilohet edhe kërkesa për dëmshpërblim”, thuhet në njoftimin e tij. / KultPlus.com

Kino Rinia, Rilindja dhe Hotel Grand dikur objekte shënjuese të identitetit kulturor, tani fati i tyre i papërcaktuar

Era Berisha

Trashëgimia kulturore, historia e qytetit dhe aspekti arkitektonik mbi objektet e vjetra janë këto aspekte që u diskutuan në bisedën “Off the record: Objekte në harresë” në Kino Armata nga panelistët si: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Valon Tolaj dhe sociologia Linda Gusia, të cilët folën rreth kontributit dhe vlerat e objekteve që janë lënë të braktisura, të degraduara e të pashfrytëzuara si: Kino Rinia, Hotel Grand dhe Rilindja, që dikur ishin rol kyç në krijimin e ndjesisë së përkatësisë e që sot fati i tyre mbetet në duar të proceseve të ndryshme, fundi i së cilave nuk dihet, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e kryeredaktores së K2.O, Besa Luci, e cila fillimisht foli rreth synimit që përmes artit dhe hulumtimeve kulturore të mobilizohen forcat në komunitet për shpëtimin e hapësirave të objekteve publike ku një numër i madh i tyre janë të braktisura apo të harruara dhe që njëkohësisht këto përpjekje të bashkohen në mënyrë që të inkurajohet angazhimi publik rreth qytetit e në veçanti rreth ndërtesave e objekteve që kanë potencial të vihen në shërbim të komunitetit e shpesh herë janë të rrezikuara apo i nënshtrohen procesit të privatizimit, nisi diskutimi rreth këtyre objekteve, deklaratave e premtimeve nga Qeveria për të transformuar procesin e privatizimit dhe vështirësive që ky proces sjell.

Është bërë e ditur se njëra ndër premtimet e Qeverisë ka qenë shuarja e Agjensionit Kosovar të Privatizimit ‘AKP’ dhe transformimit të procesit në përgjithësi ku në fakt një hap i tillë është ndërmarrë rishtazi me anë të shkarkimit të bordit të AKP-së dhe menaxhimi direkt i ndërmarrjeve shoqërore dhe pasurive të aseteve të tyre do të transferohen në fondin sovran që pritet të krijohet.

Duke pasur parasysh që 20 vitet e fundit është shpërfillur çështja se si ndërmarrjet e ndryshme shoqërore përveç funksionit apo potencialit ekonomik, shumica kanë edhe rol e funksion kulturor, ku me anë të tyre këto objekte u konsideruan edhe shënjues të identitetit të vendit tonë, kaluarës, kujtesës kolektive dhe të ardhmes tonë.

“E para është Rilindja, ku është cilësuar si mbretëreshë e ndërmarrjeve shoqërore dikur e kjo për shkak të rëndësisë që e ka pasur si forcë e dijës në gjuhën shqipe por edhe për kontributin që e ka vënë në luftën kundër analfabetizmit, përhapjen e pasurisë kulturore dhe lehtësimin e qasjes ndaj edukimit”, thotë Luci.

Sipas saj, Kino Rinia që dikur ishte kinemaja më e rëndësishme në qytet dhe që është cilësuar si interneti i gjeneratës së vitit 1970 për shkak të rëndësisë së saj që e shpërfaqte përmes filmave. Ndërsa, si objekt të tretë Luci përmendi Grand Hotelin, që është cilësuar si një objekt që mund ta përballojë çfarëdo tërmeti por që sot po i shkundet mbijetesa për shkak të privatizimit.

Qëllimi i bisedës së mbrëmshme ka marrë për bazë edhe mundësitë e humbura gjatë procesit të privatizimit dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe kultivimit të kujtesës kolektive duke ruajtur funksionin kulturor të objekteve dhe ndërmarrjeve shoqërore në vrazhdën e premtimeve të transformimeve për procesin në përgjithësi. Andaj, rreth rëndësisë së ruajtjes të këtyre ndërtesave dhe rolit që ato kanë pasur dikur, pikërisht nga perspektiva e saj, ka folur sociologia Linda Gusia.

“Pikërisht fakti që jemi në Kino Armata, një hapësirë që është shpëtuar nga shkatërrimi, harresa e privatizimi duke u shndërruar në një hapësirë kulturore, tregon se si këto hapësira të përbashkëta janë qenësore për ndërtimin e shoqërisë tonë. Andaj, të gjitha organizatat e rezistencës janë një shpresë për shpëtimin e asaj se çfarë na ka mbetur”, thotë Gusia.

Ndërsa, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth themelimit të fondit sovran dhe shpëtimin e hapësirave që kanë domethënie dhe potencial kulturor.

“Kërkesa ime për të gjithë që janë në angazhim është që së bashku të ndërtojmë një ‘case’ për ti bindur të tjerët në institucione që këto hapësira, disa prej të cilave do të trashëgohen nga AKP-ja në modelin e ri të organizimit, ia vlen për ti shndërruar në hapësira të shfrytëzuara nga komunitetet e ndryshme kulturore e të tjera”, thotë Çeku.

Sipas tij, ndonjëherë duhet të reduktohet vetëm qëndrueshmëria financiare sepse sektorët e tjerë mund të jenë konkurrentë në raport me pjesën kulturore por kjo duhet të vijë nga komuniteti në mënyrë që kultura të mos jetë barrë e buxhetit por të vijë në formën e industrisë dhe ekonomisë kulturore.

Po ashtu, drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj foli rreth ndjeshmërisë në lidhje me historinë dhe mënyrën se si janë trajtuar ndërmarrjet e ndryshme shoqërore, varësisht nga funksioni i tyre.

“Problemet janë të shumta por unë besoj që duhet të sqarojmë se objekti i Rilindjes dhe Kino Rinia nuk janë privatizuar. Kurse, Hoteli Grand si pasojë e dështimeve të ndryshme, fatkeqësisht është privatizuar sepse natyra e saj do të kishte një përfundim të njëjtë ku funksioni do të mbetej ajo e hotelit pa e ndërruar destinacionin dhe dizajni duhet të ishte në koordinim të plotë me Komunën”, thotë Tolaj.

Kjo bisedë ka ardhur në kuadër të serisë së bisedave “Off the record” që fondacioni Shtatëmbëdhjetë e ka filluar vitin e kaluar brenda projektit ‘Metamorphosis’. Po ashtu, ky aktivitet është organizuar me rastin e publikimit të artikullit multimedial ‘Fantazmat e privatizimit’ nga K2.0 brenda projektit “Citizens Engage”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar në bashkëpunim me Institutin GAP. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Serbia vazhdon te mbajë padrejtësisht koleksionin arkeologjik të plaçkitur në Kosovë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka listuar disa arsye se pse kishat ortodokse në Kosovë janë të sigurta dhe të mbrojtura nga ligji, shkruan KultPlus.

Sipas Çekut, për restaurimin e objekteve Ortodokse që janë dëmtuar gjatë trazirave të marsit tatimpaguesit në Kosovë paguan 6.9 milion euro, ndërsa gjykatat në Kosovë gjykuan dhjetra autorë me dënime me burg.

Çeku ka përmendur edhe faktin se Serbia nuk ka kthyer objektet e plaçkitura në Kosovë, ndonëse është e obliguar ta bëjë.

Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:

1. Tatimpaguesit e Kosovës paguan 6.9 milion EUR, ndërsa BE shtoi edhe 2.9 milion EUR për restaurimin e rreth 50 vendeve dhe objekteve Ortodokse të dëmtuara në trazirat e Marsit 2004. Gjykatat e Kosovës gjykuan dhjetëra autorë me dënime me burg që varionin nga 21 muaj deri në 16 vjet.

2. Policia e Kosovës ka një njësi të veçantë të trashëgimisë kulturore që mbron kishat ortodokse. Nga 201 anëtarë të njësisë, 30 (15%) janë serbë të Kosovës. Sipas Policisë së KS dhe Misionit të KFOR-it në Kosovë, ngjarja e fundit e cilësuar më e rëndë ka ndodhur afër një kishe ortodokse në vitin 2007.

3. Sipas Policisë së Kosovës, nga 57 incidente në vendet fetare gjatë vitit 2020, vetëm tetë kanë ndodhur në kishat Ortodokse, ndërsa 45 në vendet Myslimane. Shumica e 57 incidenteve ishin raste vjedhjeje, ndërsa asnjë nuk u klasifikua si i motivuar fetarisht.

4. Nga 2014 deri në 2021, Policia raportoi 537 incidente në vendet fetare (kryesisht vjedhje), nga të cilat 329 (61%) në vendet myslimane, 166 (31%) në vendet katolike dhe 32 (6%) në vendet ortodokse. Policia e Kosovës ofron siguri për rreth 200 objekte ortodokse (prania 24/7 në 24 prej tyre).

5. Institucioni i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe kishat Ortodokse në vend gëzojnë të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore dhe institucionale që sigurojnë respektimin e plotë të të drejtave të tyre, si dhe një nivel të lartë të sigurisë.

6. Harmonia ndërfetare është një cilësi që dallon shoqërinë kosovare. Ne kultivojmë respekt të veçantë ndaj vendeve tona të adhurimit dhe kemi dhënë prova të panumërta historike të mbrojtjes së tyre aktive.

7. Ligji i Kosovës për Zonat e Veçanta të Mbrojtura garanton mbrojtjen e 45 kishave dhe manastireve ortodokse, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetin serb (mijëra hektarë).

8. Kosova ka themeluar Këshillin e Implementimit dhe Monitorimit për të monitoruar dhe lehtësuar zbatimin e legjislacionit përkatës. Këshilli i Implementimit dhe Monitorimit  ka pesë anëtarë, dy ministra qeveritarë, BE, OSBE dhe Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.

9. Aneksi i Planit të Ahtisaarit mbi trashëgiminë kulturore përcakton 15 detyrime kryesore në gjashtë nene. Kosova i përmbushi të gjitha detyrat e saj. Ka vetëm një detyrim që përfshin Serbinë, por nuk është zbatuar kurrë: kthimi i objekteve të plaçkitura në Kosovë.

10. Serbia vazhdon të mbajë padrejtësisht koleksionin e plaçkitur arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës (1247 artefikt), në kundërshtim të plotë me marrëveshjen fillestare, Konventën e UNESCO-s mbi pasurinë kulturore dhe Planin e Ahtisaarit.

11. Gjatë luftës 98-99, forcat serbe shkatërruan qindra pasuri të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Aktgjykimet e dënimit të Tribunalit të Hagës i klasifikuan ato si krime kundër njerëzimit. Deri më tani, asnjë pranim i përgjegjësisë, asnjë falje, asnjë dëmshpërblim nga Serbia.

12. Republika jonë mori përgjegjësinë – ne mbrojmë trashëgiminë tonë. Ne besojmë në universalitetin e trashëgimisë kulturore dhe fetare, dhe si të tillë në potencialin e saj unifikues. Kështu, ne kundërshtojmë me forcë përpjekjet për të shfrytëzuar fenë për përfitime të veçanta politike.

13. Organizimi i liturgjive politike ju bën një Kishë politike. Si i tillë, në vend që të afrosh njerëzit së bashku, ti nxit konflikte. Zoti i Përjetshëm na urdhëron të kërkojmë paqe. Ndjekja e udhëzimeve të ‘perëndive politike’ është një recetë për katastrofën, KOS-i duhet të kishte mësuar mësimin e tij nga vitet 1990.

14. Ekziston një çështje e mosmarrëveshjes pronësore për strukturën e papërfunduar të ndërtuar në Universitetin e kampusit të Prishtinës gjatë mbretërimit gjenocid të Millosheviçit. Liturgjia politike e KOS është një presion i drejtpërdrejtë në gjykatë, sulm ndaj pavarësisë gjyqësore dhe shkelje e shtetit të së drejtës./ KultPlus.com

May be an image of outdoors and monument
May be an image of monument and outdoors

Çeku për liturgjinë e sotme në Kishën Ortodokse Serbe: Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për këtë aktivitet

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji në Kishën e braktisur në oborrin e UP-së për herë të parë prej vitit 1998.

Për festën që mbahet në ditën e 40 pas krishtlindjeve ortodokste që njihet si “Dita e Ngritjes së Krishtit”, Dioçeza e Rashkës dhe Prizrenit ka mbajtur liturgji së bashku me besimtarë dhe peshkopë të tjerë.

Për këtë ngjarje, ka reaguar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar se për aktivitetin në fjalë, Policia e Kosovës nuk ka qenë e informuar paraprakisht duke bërë kështu që ky aktivitet të shkelë rregullat e sigurisë publikë në Kosovë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të ministrit Çeku.

Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë.

Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë.

Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve. / KultPlus.com

Pas suksesit në skenat botërore, pianistja Anila Aliu viziton Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Çeku priti në takim pianisten Anila Aliu dhe Prof. Valbona Pula Petrovci, përcjell KultPlus.

Ato zhvilluan një takim me Ministrin z. Çeku dhe këshilltarin i tij z.Liburn Jupolli ku diskutuan për sfidat që kanë të rinjtë e vendit në këtë fushë, ndërsa nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u siguruan që një prej prioriteteve do të jetë mbështetja dhe promovimi i të rinjve, që janë aset shumë i rëndësishëm i vendit.

Anila Aliu është fituese e shumë çmimeve të para, absolute dhe e çmimeve speciale në gara e akademi të ndryshme, si në Kosovë po ashtu edhe vende tjera si në Shqipëri, Maqedoni, Itali, Gjermani, Luksemburg, Lituani, Francë e Amerikë. Së fundi ajo mori çmimin “Grand Award” në Garën Ndërkombëtare të Pianos në Bangkok. / KultPlus.com

Ministri Çeku në KultPlus: Nuk e kam guximin e ministrave të kaluar që mos t’i raportoj parregullsitë në ministri

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku gjithmonë zënë vend prezantimet nga më të ndryshme të artistëve, bashkëbisedimet për dhe rreth kulturës, shpalosjet e thella rreth çështjeve dhe kërkesave të rëndësishme të shtruara nga komuniteti artistik, si dhe shpalosjet e programeve për kulturë, si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ajo e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh artistësh e udhëheqës të institucioneve kulturore, ku të gjithë kishin ardhur për të dëgjuar nga afër programin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, program ky që pritet ta zbatojë përgjatë mandatit katër vjeçar.

Përmes një diskutimi të përbashkët me komunitetin artistik, ministri fillimisht tregoi se fokusi i tij është në miratimin e programit për dy segmente ku përfshihet ndërtimi ndryshe i qasjes për nga mënyra se si funksionojnë institucionet kombëtare të kulturës dhe zhvillimi i një partneriteti strategjik me skemën kombëtare të pavarur. Këto dy drejtime janë pjesë kyçe të cilat do të përmbushin nevojën për reformën me një program më cilësor dhe më reprezentativ.

Skema e pavarur kulturore është menduar të bëhet aleat i shtetit për promovimin ndërkombëtar të artit, imazhit ndërkombëtar të shtetit dhe zhvillimit të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Kurse, për institucionet kombëtare të kulturës tashmë ka filluar një diskutim me Ministrinë e Financave për të siguruar një lloj autonomie financiare dhe administrative të këtyre institucioneve.

Pasi të pranishmit kishin zënë vendet e tyre, nën shoqërimin e shiut që po binte furishëm, po njëlloj ishin edhe diskutimet rreth çështjeve të ndryshme që pasuan përgjatë diskutimit, të cilat herë nisnin në një frymë humori por përfundonin në rrjedhën e seriozitetit.

Debati nisi nën moderimin e aktores Vlora Merovci e ku fillimisht, Ministri u kujdes të falënderoj gazetën KultPlus për angazhimin e vazhdueshëm dinamik.

“Faleminderit KultPlus për një angazhim që disa vite nuk po ndalet e po e mban një lloj dinamike të diskutimit mbi çështjet që lidhen me artin dhe kulturën, prandaj për mua është kënaqësi të jemi së bashku këtu”, tha Çeku.

Sipas tij, ekziston një kaos që duhet të rimendohet për një funksion efikas ndaj reformave dhe parimeve të përgjithshme të cilat në krye kanë këshilla drejtues, drejtorë dhe mënyra të ndryshme të organizimit strukturor të programeve. Andaj, puna për të fuqizuar pozitat e udhëheqësve si: menaxherët e përgjithshëm, drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik, do të duhej të ishte njëra ndër pikat kryesore që këto figura të jenë shumë të fuqishme.

“Qëllimi final është programi cilësor dhe zhvillimi i audiencës përmes krijimtarisë, prodhimtarisë dhe konsumit kulturor. Prandaj, ekziston diskutimi me një grup të organizatave ku modeli i financimit është më i mirë dhe më i gjallë, për arsye se Ministria e Kulturës që 20 vite është më shumë skemë sociale sesa një Ministri e zhvilluar’’, thotë Ceku.

Për Çekun, është një fatkeqësi që në kulturë të ekzistojë një logjikë e shpërndarjes së fondeve për të gjithë nga pak sepse kultura nuk duhet të funksionojë me këtë logjikë sepse siç po shihet nuk ka rezultate deri më tash. Ndërkohë, ekzistojnë edhe propozime nga organizatat për një model tjetër për fondin kulturor ku vendimmarrja për projektet të jetë e pavarur në mënyrë që kultura të financohet jo si skemë sociale por si fond zhvillimor.

Tutje, Çeku foli edhe rreth çështjes së vendimmarrjes finale sepse ai shpesh ishte sfiduar me pyetje që kërkojnë përgjigje përfundimtare e sipas tij nuk ka një përgjigje përfundimtare sepse ai beson se në art dhe kulturë nuk duhet të ekzistojnë të tilla, definitive por parime të përgjithshme dhe orientime të ndryshme ngase përgjigjet përfundimtare vijnë nga vetë komunitetet.

“Deri tash kemi humbur kohë me ndërtimin e strategjisë sektoriale prandaj duhet të gjejmë forma më kreative, më të shpejta dhe të lehta për t’i lëvizur disa gjëra që kanë mbetur të bllokuara për një kohë të gjatë. Andaj, rëndësi kanë për të marrë ato fusha ku kanë nevojë më së shumti, aty ku komuniteti më orienton mua, por kur bëhet fjalë për trashëgiminë, unë do ti dhuroj prioritet maksimal kohor dhe buxhetor, konsolidimit të rreth 200 monumenteve që janë në rrezik, në çdo moment”, tha Çeku.

Teksa ai u pyet edhe nga moderatorja Vlora Merovci rreth gjendjes të cilën ai e ka gjetur institucionin, ai është shprehur se në fakt është pjesa më e dhimbshme dhe pjesa të cilën ai më së paku ka dëshirë ta flas për arsye se nuk dëshiron të tingëllojë sikur një shfajësim apo vënie faji të dikujt tjetër ose edhe distancim nga përgjegjësia.

“Unë çdo ditë i kujtoj vetes shifrën e zgjedhjeve të fundit sepse kur dikush të voton me këtë nivel të besimit të paarritshëm në shumë vende të botës, është një përgjegjësi e madhe”, potencon ai.

Mënyra më e mirë për të racionalizuar legjislacionin, mendohet të jetë vendosja e vetëm një ligji të kulturës e për çka ai ka kërkuar ndihmën e artistëve. Gjithashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikohen edhe parregullsitë e tjera që mediat nuk i dinë por që është një listë mjaft e madhe.

Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve, Filharmonia e Kosovës, Muzeu i Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Shotës, janë vetëm disa institucione të cilat kanë nevojë për ndihmë emergjente dhe financiare, prandaj komuniteti artistik i pranishëm patën rastin të shtrojnë para Ministrit, jo vetëm problemet dhe shqetësimet e tyre por edhe kërkesat e shpresat, të cilat Çeku do të mundohet t’i realizoj.

Kërkesat dhe problemet e shtruara përfshinin: ndarjen e buxhetit, planet për vitet e ardhshme në kuptimin kapital, infrastruktura për të shfaqur punë dinjitoze, ndryshimi i administrimit politik të kulturës, mënyra e zgjedhjes së komisioneve, ndarja e subvencioneve, pajisja e institucioneve me kuadro të mirëfillta, mungesa e kritikave të mirëfillta në çdo fushë të artit, krijimi i vendeve të punës për gjeneratat e reja, drejtimi i kërkesave së klientëve në mënyrë të drejtë nga administratat, regjistrimi i projekteve në një vend ku shikohet progresi i tyre dhe vendi i saktë i tyre, planet për renovimin e Teatrit, takime me punëtorët e teatrit për çështje të ndryshme, ligji për të drejtat e autorit e shumë të tjera.

Pasi u deklarua se ai nuk e ka guximin e ministrave të kaluar që të mos raportoj parregullsitë që i detekton në ministri, Çeku, me një përgjegjësi të plotë u mundua t’i jap përgjigje secilës pyetje të artistëve.

Fillimisht tregoi se janë duke punuar fuqishëm për të themeluar institucionin e Operës për të pasur një program e aktivitet në një ambient të rregullt me premiera aktive.

Tutje u shpreh se do të punojë në minimizimin e Ministrisë së Kulturës për ta kthyer në rolin e saj që e ka realisht.

“Duhet të hiqet dominimi absurd që është vënë mbi sektorin sepse tash po e vërej që Ministri ka vendosur si të ndahen subvencionet e gjë që nuk duhet ndodhur. Do të tentoj të eliminoj logjikën për të marrë projekte me shuma të vogla sepse kjo qasje e vjetër është shfrytëzuar për të shprehur ndikim politik. Komisionet tashmë janë duke u monitoruar nga media dhe duhet të ndërrohen komplet”, tha Çeku duke treguar se tash e tutje do ta mbaj kabinetin e tij larg vendimmarrjes.

Gjatë këtij diskutimi u tregua se tashmë Ministria e Kulturës është duke i zhvilluar tre databaza për kulturë, trashëgimi dhe sport ku çështja e projekteve do të trajtohet në mënyrë online ku të mos ketë më burokraci.

Krejt për fund të këtij diskutimi u fol edhe për performancat e kulturës jashtë vendit dhe përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Ky diskutim rreth cilësisë artistike lidhet me prezantimin ndërkombëtar sepse kemi nevojë për të komunikuar përmes artit dhe artistëve ku fondi të ngritet në një nivel ndërkombëtar. Ndërsa në UNESCO duhet të aplikojmë vetëm atëherë kur e dimë se do të anëtarësohemi sepse dështimi i kaluar nuk do të duhej të shndërrohej në një ndëshkim afatgjatë për Kosovën”, tha Çeku.

Kështu, krejt në fund nuk munguan as edhe admirimet për KultPlus si një forum i rëndësishëm për të debatuar rreth kulturës në një strukturë të përgjithshme si dhe lumturia për atë se çka u dëgjua përgjatë natës së mbrëmshme. Kurse, pas debatit të pranishmit lanë anash shqetësimet e tyre për të shijuar nga një gotë verë e për tu kënaqur me muzikë shqiptare që po kulmonte në ambientin e KultPlus Caffe Gallery.

Eventi ishte i sponsorisuar nga Stone Castle dhe Fluidi. / KultPlus.com

Çeku takohet me ambasadorin e BE-së në Kosovë, diskutojnë për trashëgiminë kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szynyog më të cilin kanë diskutuar rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë, shkruan KultPlus.

Në njoftimin e bërë nga ministria theksohet se që të dyja palët janë pajtuar se duhet punuar në përfundimin e projekteve të filluara sa i përket trashëgimisë.

Gjithashtu tregohet se Ministra është e zotuar që të jap mbështetje maksimale në mbarëvajtjen e masave shtetërore për të ruajtur kulturën dhe historinë në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

Diskutim mbi trashëgiminë kulturore me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szynyog

Ministri Çeku pati kënaqësinë e veçantë të zhvillojë një bisedë të frytshme mbi trashëgiminë kulturore në Kosovë me ambasadorin e BE-së, z. Tomas Szynyog. Në diskutim morën pjesë edhe zv. shefja e sektorit operacional në zyren e BE-së, znj. Hillen Francke, këshilltari politik z. Stefano Gnocchi, këshilltarja e ministrit znj. Nora Arapi Krasniqi dhe asistentja ekzekutive e ministrit znj. Donartë Kastrati.

Trashëgimia kulturore mbetet një nga pasuritë më të çmueshme të Kosovës, me histori shumë-shekullore të kulturave, popujve, feve dhe traditave të ndryshme. Në takim u pajtuan që duhet punuar drejt përfundimit të projekteve të veçse filluara në këtë fushë. Ka shumë monumente të cilat kërkojnë përkujdesje nga shteti i Kosovës me urgjencë.

Na presin sfida të ndryshme përbrenda fushës së trashëgimisë të cilat kanë filluar të adresohen me programin qeverisës. MKRS zotohet të jap mbështetjen maksimale dhe të sigurojë mbarëvajtjen e masave shtetërore për ta ruajtur identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovë./ KultPlus.com

Kosova kërkon nga Serbia kthimin e koleksionit të grabitur arkeologjik dhe etnologjik

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, sot i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e artefakteve tona që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi, përcjell KultPlus.

Kërkesës së Muzet Kombëtar të Kosovës përmes një letër përcjellëse, i dhanë mbështetje të plotë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku.

Të dy letrat argumentojnë detyrimin e Serbisë dhe institucioneve përkatëse për kthimin e këtij koleksioni bazuar në Marrëveshjet e nënshkruara që parashohin ekspozimin e përkohshëm në Beograd dhe kthimin e tij, konventën e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës, dhe pakon e Ahtisaarit që obligon Serbinë të kthej në Kosovë koleksionin në fjalë.

Lexoni më poshtë letrën e plotë të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe letrën përcjellëse nga Ministrat e Qeverisë së Kosovës në gjuhën shqipe.

Të nderuar,

Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnogafik i Kosovës. Ndonëse të marrura nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artifaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse.

Kam dëshirë t’ju përkujtoj detyrimin e trefishtë në raport me keto artefakte:

1. Marrëveshjet e nënshkruara mes institucioneve tona parashohin bartjen e artefakteve me qëllim ekspozimi të përkohshëm dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, pronë e së cilës janë,

2. Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës),

3. Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit te Ahtisaarit në mënyrë të prerë obligon Serbinë të kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrur përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd.

Numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës. Për të realizuar këtë detyrim, propozoj themelimin e një grupi punues të përbërë nga përfaqësues (nga një zyrtar) të katër muzeve: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnografik i Kosovës, Muzeu Kombëtar në Beograd dhe Muzeu Etnografik në Beograd, si dhe profesionistë ndërkombëtarë të muzeologjisë. Detyra e këtij grupi punues do të ishte hartimi i planit dhe mbikëqyrja e procesit të kthimit të të gjitha artefakteve në Kosovë.

Ju falënderoj paraprakisht për bashkëpunimin. Do të jem ne pritje të përgjigjes tuaj dhe mundësisë për të caktuar takimin e parë mes institucioneve tona. 

Me respekt,

Ajet Leci

Muzeu Kombëtar i Kosovës

Të nderuar,

Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Z. Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar i Kosovës, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë. Pasuria kulturore e Kosovës e marrur në fund të viteve 1990 për qëllime ekspozuese, me kohë të kufizuar dhe me detyrimin për ta kthyer, vazhdon të mbahet në muzetë e Serbisë. Në radhë të parë si detyrim nga marrëveshja mes muzeve, pastaj edhe si detyrim nga Konventa 1970 e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe Plani i Ahtisaarit, Serbia duhet të kthejë artefaktet e Kosovës duke i dhënë fund një procesi veçse të stërzgjatur.

Institucionet e Republikës së Kosovës do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi. Ne e mirëpresim propozimin e tyre për të themeluar një grup të përbashkët pune mes muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare për të hartuar një plan dhe mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë. Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd, si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherit zotohemi që nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tonë.

Ju falemnderit për bashkëpunimin tuaj.

Me respekt,

Donika Gërvalla-Schwarz

Zv. Kryeministre

Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Hajrulla Çeku

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit/ KultPlus.com

Çeku: Ahmet Brahimaj mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë

Në një vjetorin e vdekjes së Ahmet Brahimaj, Baleti Kombëtar dha reprizën e shfaqjes “Sisters” ku Ministri Hajrulla Çeku pati nderin t’i ndaj disa fjalë.

Fjalimin e plotë të ministrit e gjeni më poshtë:

“E nderuara zonja Brahimaj,

E nderuara familja Brahimaj,

Balerin dhe miq të Baletit Kombëtar,

Zonja dhe zotërinj,

Shfaqja e natës së sontme iu dedikua të ndjerit Ahmet Brahimaj, një prej figurave kyçe të zhvillimit të baletit në Kosovë, fillimisht si pjesëtar i gjeneratës së parë të baletit dhe më pas si drejtor i institucionit.

Ahmeti, me kontributin e tij jetësor në kulturë, mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë. Ai i takon gjeneratës që e ka mbajtur kulturën gjallë me rezistencë dhe devotshmëri.

E kemi parë edhe në situatë pandemike që pa art dhe kulturë, muzikë dhe vallëzim, jeta është e thatë. Baleti në Kosovë, si medium, është kulmi i disiplinës, kapaciteteve fizike, ekselencës njerëzore.

Gjatë udhëheqjes së tij si drejtor, Baleti Kombëtar ngriti zërin tonë në botë. Trupa e baletit ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar ndërkombëtarë, performoi anembanë Evropës, por më e rëndësishmja, u ofroi qytetarëve tanë netë të paharrueshme muzikore.

Pa figura si Ahmet Brahimaj, baleti kosovar do të dukej shumë ndryshe. E gjithë kultura kosovare e çmon, dhe i gjithë populli i Kosovës e nderon punën dhe figurën e tij në këtë përvjetor.

Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, bile në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani është radha jonë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ahmet Brahimajn.” / KultPlus.com

BKK me shfaqje në kujtim të Ahmet Brahimajt, Çeku: Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, tani është radha jonë

Në një vjetorin e vdekjes së Ahmet Brahimaj, Baleti Kombëtar i Kosovës dha reprizën e shfaqjes ‘Sisters’ me kereografi të Mehmet Balkan, shkruan KultPlus.

Pjesmarrës në këtë shfaqje ishte edhe Ministri i Kulturës, Harrulla Çeku i cili në një postim në Facebook ka shkruar se Ahmet Brahimaj mbetet një nga figurat kyçe në zhvillimin e baletit në Kosovë.

Tutje ai ka shtuar se pa figura si Brahimaj baleti kosovar do të dukej ndryshe, duke theksuar se Ahmet Brahimaj ka bërë pjesën e tij dhe na mbetet ne bëjmë pjesën tonë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Shfaqja e natës së sontme iu dedikua të ndjerit Ahmet Brahimaj, një prej figurave kyçe të zhvillimit të baletit në Kosovë, fillimisht si pjesëtar i gjeneratës së parë të baletit dhe më pas si drejtor i institucionit.

Ahmeti, me kontributin e tij jetësor në kulturë, mbetet një prej heronjve tanë popullor që i kanë dhënë shpirt vendit tonë. Ai i takon gjeneratës që e ka mbajtur kulturën gjallë me rezistencë dhe devotshmëri.

E kemi parë edhe në situatë pandemike që pa art dhe kulturë, muzikë dhe vallëzim, jeta është e thatë. Baleti në Kosovë, si medium, është kulmi i disiplinës, kapaciteteve fizike, ekselencës njerëzore.

Gjatë udhëheqjes së tij si drejtor, Baleti Kombëtar ngriti zërin tonë në botë. Trupa e baletit ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar ndërkombëtarë, performoi anembanë Evropës, por më e rëndësishmja, u ofroi qytetarëve tanë netë të paharrueshme muzikore.

Pa figura si Ahmet Brahimaj, baleti kosovar do të dukej shumë ndryshe. E gjithë kultura kosovare e çmon, dhe i gjithë populli i Kosovës e nderon punën dhe figurën e tij në këtë përvjetor.

Për baletin kosovar, ai e bëri pjesën e tij, bile në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani është radha jonë.

Qoftë i përjestshëm kujtimi për Ahmet Brahimajn./ KultPlus.com

Hajrulla Çeku nderon figurën e Shaqir Hotit

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka bërë homazhe para Teatrit Kombëtar për të nderuar figurën e Shaqir Hotit, i cili ndërroi jetë dje më 10 prill 2021.

Ai u nënshkrua në librin e zisë i cili ishte vendosur para Teatrit Kombëtar për këtë qëllim.

Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur i cili me kapacitetin e tij profesional, intelektual e njerëzor kultivoi një pjesë tejet të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe ishte forcë e bashkimit të të gjitha fushave të tjera kulturore – veçanërisht të kulturës sonë muzikore”, ka shkruar Çeku. / KultPlus.com

Çeku: Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur

Mbrëmë u bë e ditur se instrumentisti i njohur i Kosovës, Shaqir Hoti ka ndërruar jetë. Adhurues të tij e dashamirës të artit, e kanë konsideruar një humbje të madhe për artin shqiptar.

Ndër reagime të shumëta ka qenë edhe reagimi i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, theksoi se kultura kosovarë ka humbur njërin prej margaritarëve të vet kulturor. Çeku poashtu ka potencuar se Kosovës dhe të gjitha sferave kulturore të saj, do t’i mungoj personaliteti, urtësia, profesionalizmi, inovacioni, kreativiteti dhe kultura e veçantë shprehëse e Hotit.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Çekut.

Ndërroi jetë Baca Shaqë!

Sot kultura kosovare humbi njërin prej margaritarëve të vet kulturorë, trashëgimorë e njerëzorë.

Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur i cili me kapacitetin e tij profesional, intelektual e njerezor kultivoi një pjesë tejet të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpritërore dhe ishte forcë e bashkimit të të gjitha fushave të tjera kulturore – veçanerisht të kulturës sonë muzikore.

Kosovës dhe të gjitha sferave të saj kulturore do t’i mungojë personaliteti, urtësia, profesionalizmi, inovacioni, kreativiteti dhe kultura e veçantë shprehëse e Bacës Shaqë.

Ministria e Kulturës dhe i tërë komuniteti muzikor i Kosovës ndajnë dhimbjen me familjen e z. Hoti në këto kohëra të vështira. / KultPlus.com