Ministri Çeku pret në takim artistin Jakup Ferri: Jemi të gatshëm për mbështetjen e projektit që do të prezanohet në Bienale

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim Jakup Ferrin, artistin që do të përfaqësoj Kosovën në Bienalen e Venedikut, përcjell KultPlus.

Sot në Ministrinë e Kulturës patëm kënaqësinë të presim artistin e njohur, Jakup Ferri, i cili do të përfaqësoj Republikën e Kosovës në edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venedik 2022.

Ai së bashku me komisioneren e Pavionit të Kosovës Alisa Gojani Berisha u pritën nga Ministri Hajrulla Çeku dhe shefja e kabinetit, Klodeta Krasniqi.

Artisti Jakup Ferri në këtë takim tha që ndihet i nderuar që është përzgjedhur puna e tij nga dymbëdhjetë propozime që garuan në thirrjen publike të Ministrisë së Kulturës.

Ai gjithashtu foli për projektin e tij “The Monumentality of the Everyday” me të cilin doli fitues, projekt ky që do të kurohet nga kuratorja e gjermane Inke Arns, ndërsa tha që do të integroj qasjen konceptuale nga praktikat e tij të mëparshme si vizatime, piktura etj, të cilat do të adaptohen në një medium më tradicional të thurrjeve si tapiceritë që do të realizohen në bashkëpunim me gratë e komunitetit tonë.

Ndërsa Ministri Çeku shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Kulturës për të mbështetur projektin që do të prezanohet në Bienale, në mënyrë që të kemi një Pavion sa më të denjë që do të prezatoj vlerat e krijimtarisë artistike të artit Kosovar“, thuhet në njoftimin e MKRS-së. / KultPlus.com

Kosova arrin marrëveshjen për të qenë pjesë e programit të ri ‘Creative Europe’ i cili mbështet financiarisht sektorët krijues, kulturor dhe audiovizual në Evropë

Porgrami i ri ‘Evropa Kreative’, konsiderohet dritare shtesë për rritje të bashkëpunimit kulturor evropian.

Kosova arrin marrëveshjen për të qenë pjesë e programit të ri Creative Europe për periudhën 2021-2027, program ky i Bashkimit Evropian për mbështetje financiare për sektorët krijues, kulturor dhe audiovizual në Evropë.

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës miratuam Projektligjin pёr Ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program. Kjo platformë mundëson promovimin dhe ndërlidhjen e artistëve tanë me skenën ndërkombëtare të artit, përmes mbështetjes së mobilitetit kulturor në projekte kulturore evropiane.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili njofton se ky program krijon hapësira të reja për komunitetin tonë artistik për avancim të veprimtarisë brenda dhe jashtë shtetit, njëherit duke e fuqizuar pozitën e Republikës së Kosovës brenda hartës kulturore evropiane. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Majlinda Kelmendi tani i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror, Driton Kuka, në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.

Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.

Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku përmes një postimi në rrjetet sociale, falënderoi xhudisten Majlinda Kelemendi duke i uruar asaj shëndet, mbarësi e suksese të radhës si trajnere.

“Çika jonë e artë sonte mbylli karrierën e saj si sportiste aktive. Majlindës iu nda Urdhri “Shotë Galica” nga Presidentja Vjosa Osmani. Tani e tutje, ajo i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror Driton Kuka në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës.

Faleminderit kampione, paç shëndet e mbarësi, të uroj suksese të radhës si trajnere“, thuhet në postimin e tij. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport

Sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë gjithsej 335 mijë euro për mundësimin e qindra nxënësve në pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri, përcjell KultPlus.

Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku ka publikuar një postim në rrjetet soicale duke thënë se të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport.

Sot zotuam mbështetjen e radhës për sportin shkollor në Kosovë. Bashkë me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, zëvendës Ministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, Rektorin e Universitetin të Prishtinës, Naser Sahiti, Dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor, Adrian Telaku nënshkruam marrëveshjen në vlerë 335 mijë Euro që u mundëson qindra nxënësve pjesëmarrjen në programin e skijimit gjatë këtij dimri.

Së fundmi kemi zotuar mjete në vlerë prej 100 mijë eurove për Federatën e Sportit Shkollor për organizimin e garave sportive në shkollat fillore të Kosovës. Gjithashtu, me 100 mijë Euro po mbështesim Federatën e Sporteve Universitare për organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll gjatë vitit 2022.

Të gjithë fëmijët tanë duhet të merren aktivisht me sport. Qeveria jonë po punon intensivisht dhe po vepron konkretisht për të arritur këtë synim. Duke e masovizuar sportin shkollor e universitar, ne zbulojmë talentë, parandalojmë devijime, mbrojmë shëndetin. Gjatë mandatit tonë, krahas rritjes së mbështetjes për sportin shkollor dhe universitar, po punojmë edhe në përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshi hapësirat sportive të shkollave. Bashkëpunimi i ngushtë mes Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, bashkë edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe komunat është parakusht i suksesit.

Sportin duhet ta bëjmë kulturë, fëmijët dhe të rinjtë tanë duhet të jetojnë me sport“, thuhet në statusin e tij. / KultPlus.com

MKRS ndan 330,000 euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit

Sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, Dafina Gexha, Zëvendësministre e Shëndetësisë, rektorin e UP Naser Sahiti, dekanin e FEFS, Musa Selimi dhe Kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruan memorandum bashkëpunimi që parasheh përfshirjen e rreth 400 nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në projekt të edukimit jo-formal në sportet malore, specifikisht skijimit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 330,000.00 Euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit. Për realizimin e aktiviteteve sportivo-edukative, përmes së cilave promovohen benefitet e aktivitetit fizik dhe kapacitetet e  Republikës së Kosovës për zhvillimin e sporteve malore.

Obligim i MASHTI-t do të jetë përzgjedhja e nxënësve dhe stafit përcjellës të tyre. Ministria e Shëndetësisë sipas memorandumit do të sigurojë stafin mjekësor dhe mjetet përcjellëse. Universiteti i Prishtinës, respektivisht FEFS, do të bëjë trajnimin e nxënësve në sportin e skijimit nëpërmjet stafit profesional, të cilin do ta sigurojë. Ndërsa FSSHK-ja obligohet për mbarëvajtjen e organizimit dhe kryerjen e shpenzimeve të realizimit të këtij projekti.

Memorandumi përfshin mbështetjen e aktiviteteve në harkun kohor një vjeçar, përkatësisht në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa qëllimi është zhvillimi, avancimi dhe masovizimi i sportit në vendin tonë. / KultPlus.com

Çeku: Jam shumë i gëzuar që këtë 28 nëntor po e shënojmë me një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë si kurrë më herët

“Jam shumë i gëzuar që këtë 28 Nëntor po e shënojmë me një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë si kurrë më herët”, nis njoftimin Ministri për Kulturë Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Jemi kthyer nga Shqipëria me nënshkrimin e disa dokumenteve shumë të rëndësishme, përfshi kalendarin e përbashkët kulturor dhe marrëveshjen për trashëgimi kulturore.

Gjithashtu, në fushën e bashkëpunimit kulturor kemi nënshkruar pesë marrëveshje mes institucioneve tona artistike, bibliotekave, muzeve, parqeve arkeologjike, arkivave shtetërore.

Me rëndësi të veçantë është edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit, Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës të Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës të Kosovës.

Kjo marrëveshje do të krijojë bazë të fortë për bashkëpunim artistik e shkëmbim kulturor, dhe në veçanti do të nxisë konsolidimin e institucionit më të ri, të themeluar këtë vit, atë të Operës së Kosovës.

Besoj shumë që përmes bashkëpunimit kulturor të ndërsjellë, do të tejkalohen edhe kufizimet administrative dhe burokratike. Do të punojmë që vlerat tona kombëtare t’i promovojmë dhe t’i ruajmë gjithmonë me krenari.

Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, pavarësinë e kombit shqiptar. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Nga sakrifica e familjes Jashari, mësojmë për lirinë tonë

Në kuadër të aktiviteteve të Javës së Flamurit dhe në nderim dhe kujtim të figurës më emblematike të popullit shqiptar, Familjes Jashari, sot më 28 nëntor, në 109-vjetorin e Ditës së Flamurit, në 24-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë dhe në ditëlindjen e 66-të të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua “Libri i Kujtesës: FAMILJA JASHARI – në dritën e betejës për liri”.

Libri i cili u promovua sot përfshin artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës (dhjetor 1991 – mars 1998), gazeta të cilat i posedon Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Libri është ndër botimet më të veçanta të BKK-së, si dhe është libër i një rëndësie tejet të madhe për popullin e Kosovës. Një libër kujtese dhe krenarie për ne, për të gjithë.

Në promovimin e librit morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Bekim Jashari nga familja Jashari, deputetja Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, profesori universitar Haqif Mulliqi, publicisti Halil Matoshi, dhe shumë personalitete të tjera.

Ministri Çeku në fjalën e tij në promovimin e librit, foli për rëndësinë e 28 nëntorit si një ditë krenarie për shqiptarët, si një ditë e veçantë ku duhet të kujtohet trashëgimia jonë historike e kombëtare si dhe të kujtohen ata që me jetën dhe veprat e tyre pasuruan historinë e kombit shqiptar, të cilët me vuajtjet, sakrificat dhe jetën e tyre bënë të mundur këtë festim.

“Jam mëse i lumtur që sot, në Javën e Flamurit, jemi mbledhur këtu, për të promovuar një botim shumë të vlefshëm e të veçantë të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, botim ky i dedikuar kujtimit të Familjes Jashari: Në dritën e betejës për liri”, tha ministri.

Ministri po ashtu foli edhe për Familjen Jashari e cila me kurajon dhe guximin e tyre të papërkulshëm, sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë.

“Ne jemi përherë krenarë dhe mirënjohës për sakrificën e Jasharajve. Mirënjohjen dhe kujtimin për veprën madhështore të tyre e përjetësojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, duke mësuar se çfarë i shtyri që të flijonin gjithçka nga vetja për lirinë tonë. Duke e njohur, dokumentuar, ruajtur e prezantuar historinë tonë, ne vëmë bazat e një shoqërie të vetëdijshme e të përgjegjshme”, shtoi tutje ministri Çeku.

Ministri për fund vuri në theks rolin e rëndësishëm të institucioneve të kulturës dhe arsimit në vetëdijesimin dhe përhapjen e burimeve të shkruara, dhe Biblioteka është pjesë e pandashme në këtë proces.

“Në kuadër të fuqizimit të rolit të Bibliotekës si institucion i rëndësishëm kulturor e arsimor, gjatë javës që lamë pas nënshkruam marreveshjen e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë sonë dhe asaj të Arsimit dhe ministrisë së Administrimit të Pushtetit lokal. Përmes kësaj marreveshjeje synojmë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave më të rëndësishme të vendit, rritjen e kualitetit të shërbimeve dhe ofrimit të qasjes në koleksione të larmishme”, tha ministri në fjalën e tij.

Ndërkaq, Bekim Jashari nga familja Jashari, që njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Skenderajt, tha se në këtë ditë të shënuar historike po promovohet ky botim kaq i rëndësishëm që pasqyron dhe dëshmon luftën tonë të drejtë, pasqyron ngjarjet që nga sulmi i parë mbi Familjen Jashari e deri te rënia e tyre.

“Raportimi i gazetave, sidomos atyre shqiptare në ato rrethana lufte ishte shumë i vështirë, por gazetarët e reporterët tanë nuk u ndalën asnjëherë duke sjellë tek opinioni i gjerë publik atë që po ndodhte në vendin tonë dhe përmes raportimeve mbi luftën tonë heroike nxitën bashkësinë ndërkombëtare që përfundimisht të intervenojnë në Kosovë”, tha Bekim Jashari.

Për librin po ashtu folën edhe profesori universitar Haqif Mulliqi, publicisti Halil Matoshi dhe drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku.

“Libri i Kujtesës: FAMILJA JASHARI në dritën e betejës për liri” nuk është libër komercial. Ai do t’u ndahet të gjitha bibliotekave të vendit, njoftoi drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku. / KultPlus.com

Brikena Sopi, me dramën “Hekurudha” fiton çmimin “Katarina Josipi”

.

Sot në Ministrinë e Kulturës u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”.

Shkrimtarja dhe dramaturgia Brikena Sopi, me dramën “Hekurudha” ka marrë çmimin kryesor.

Juria vlerësuese e cila ka qenë në përbërje nga Doruntina Basha – dramaturge (Kryesuese), dhe anëtarëve: Florent Mehmeti – regjisor, Ilire Vinca – aktore, Shefqet Gjocaj- zv. Drejtor Artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Liri Cami – përfaqësuese e MKRS -së, unanimisht kanë vlerësuar të mos ndajnë çmimin e dytë dhe të tretë për shkak të prurjeve të pakta dhe mos përmbushjes së kritereve artistike të konkursit.

Kryesuesja e jurisë vlerësuese Doruntina Basha, në arsyetimin për dramën fituese tha se “Hekurudha” është një dramë psikologjike e cila me precizitet pothuajse matematikor, në një ambient minimalist dhe me një qasje moderne trajton fërkimet mes traditës, modernes, gjinisë, familjes e individit brenda një shoqërie të ngujuar mes të kaluarës dhe të ardhmes.

Brikena Sopi duke pranuar këtë çmim ndër të tjera tha që është e nderuar që po vlerësohet puna e saj dhe po promovohet drama shqipe.

Kurse ministri Çeku vlerësoi punën e jurisë ndërsa tha që çmime të tilla përveç që vlerësojnë artistët janë edhe instrument nxitës për krijimtari artistike./ KultPlus.com

Kosova me 4 medalje në Kampionatin Ballkanik të karatesë

Ekipi i përfaqësueses së Kosovës gjithashtu përfaqësues të Federatës së Karatesë në Kosovë të mërkurën u pritën në takim nga ministri i MKRS, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani.

Duke i uruar për suksesin që kanë treguar në një garë me kaq shumë konkurrencë ku ishin pjesëmarrës, ministri Çeku i siguroi ata që mbështetja institucionale nuk do të ju mungoj ndërsa i përgëzoj për punën që po e bëjnë me kaq shumë përkushtim.

Karateistët kosovar pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanit të karatesë që u mbajt në Poreq, Kroaci, arritën të marrin 4 medalje. Një medalje të argjendtë e mori Elhami Shabanin dhe tri të bronzta, Fortesa Orana, Herolind Nishevci, si dhe në ekipore, konkurrenca e meshkujve./KultPlus.com

Mbyllet Festivali i Teatrove në Ferizaj, Çeku: Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë

Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e Teatrit ‘Adriana’, e së fundmi ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, përcjell KultPlus.

“Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit”, ka shkruar Çeku.

Sipas tij, tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Gjysmë shekulli festival.

Të martën në mbrëmje u mbyll edicioni 50/51 i Festivalit të Teatrove në Ferizaj – 2021, nën organizimin e shkëlqyer të Teatrit ‘Adriana’, Ferizaj. Për shtatë net me radhë publiku shijoi performancë teatrore të nivelit të lartë nga Teatri ‘Adriana’, Ferizaj, Teatri ‘Bekim Fehmiu’, Prizren, Teatri Dodona, Prishtinë, Teatri ‘Hadi Shehu’, Gjakovë, Teatri ‘Faruk Begolli’ – AAB, Prishtinë, Teatri ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Teatri i Gjilanit.

Juria profesionale në përbërje Shkurtë Aliu, Agim Sopi dhe Alban Beqiraj, ndau çmimet për më të mirët e festivalit: Mentor Berisha për kostumografi (Kosovo for dummies), Petrit Bakalli për skenografi (Provo edhe një herë, Sam), Vlora Dervishi për rolin episodik (Farsë në Varvolth), Donikë Ahmeti për rolin dytësor grua (Bob Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht), Tristan Halilaj për rolin dytësor burrë (Brinat), Vjosa Abazi për rolin kryesor grua (Vizita e Zonjës Plakë), Ernest Malazogu për rolin kryesor burrë (Provo edhe një herë, Sam), Blertë Neziraj për regjinë më të mirë (Kosovo for dummies), Çmimi special për ‘Takime në burg’ të Teatrit ‘Avdush Hasani’, Podujevë dhe Shfaqja më e mirë për ‘Provo edhe një herë, Sam’ të Teatrit ‘Bekim Fehmiu’, Prizren me regjisor Ilir Bokshin.

Tekstet e Friedrich Dürrnemantt, Woody Allen, Jeton Neziraj, Enda Walsh, Mikke Bartlett dhe Agush Mulliqi u inskenuan mjeshtërisht nga regjisorët Sulejman Rushiti, Ilir Bokshi, Erson Zymberi, Butrint Pasha dhe Blertë Neziraj.

Përgëzime për gjithë komunitetin teatror të Kosovës, organizatorët dhe publikun artdashës. Ju faleminderit për cilësinë dhe emocionin e ofruar.

Fotografitë: Teatri ‘Adriana’. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Çdo ditë punë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore në rrezik

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku ka vizituar sot Gjilanin dhe Vitinë për të parë nga afër punimet që po realizohen në monumentet historike që janë në rrezik, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë vetë ministri përmes një postimi në Facebook.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:

Çdo ditë punë për të shpëtuar trashëgiminë kulturore në rrezik.

Ndërhyrjet tona në monumentet që janë në rrezik po vazhdojnë në gjithë Kosovën. Për t’i parë nga afër punimet, bashkë me këshilltaren Nora Arapi Krasniqi sot ishim në Gjilan dhe Viti.

Atje u pritëm nga Artan Hoxha, drejtor i QRTK Gjilan dhe stafi profesional, të cilët na shoqëruan në vizitat tona te Shtëpia kullë e Sahit Agës në Kufcë të Poshtme të Gjilanit, Mulliri i Ndue Sopit dhe Mulliri e Velanica e Vishëve në Binçë të Vitisë.

Këto janë vetëm disa nga ndërhyrjet emergjente në rajonet e Gjilanit dhe Ferizajit. Përveç tyre, në fazën e parë ndërhyrje do të kemi edhe në Mullirin e Zylbeharit, Mullirin e Madh, Xhaminë në Dunavë, Xhaminë e Llovcës, Xhaminë e Germovës, Xhaminë e Carrabregut, Xhaminë në Vryqec dhe Xhaminë e Velekincës./KultPlus.com

MKRS ndan 360,000 euro për rinovimin e dy objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dje nënshkruan një marrëveshje për bashkë-financim për rinovimin e dy lokacioneve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, me ç’rast MKRS sot ka financuar këtë projekt, përcjell KultPlus.

“Së bashku me kontributin e BE prej 2 milionë eurosh për projektin “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social”, marrëveshja e sotme për ndarjen e shumës prej 360,000 Euro shtesë nga MKRS është dëshmi dhe përkushtim për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes BE, MKRS dhe UNDP”, ka shkruar Ministri Hajrulla Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Vazhdojmë me punë të mira në fushën e trashëgimisë kulturore
Dje nënshkruam një marrëveshje për ndarjen e shumës prej 360,000 Euro shtesë për të rinovuar dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. MKRS do të financojë dhe UNDP do të zbatojë restaurimin e plotë të dy monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore: shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë dhe xhaminë e Drenocit në komunën e Deçanit.
Këto ndërhyrje zbatohen në kuadër të Instrumentit të Bashkimit Europian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP), i financuar nga projekti “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social”, i cili zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim të ngushtë me MKRS.
Së bashku me kontributin e BE prej 2 milionë eurosh për projektin “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social”, marrëveshja e sotme për ndarjen e shumës prej 360,000 Euro shtesë nga MKRS është dëshmi dhe përkushtim për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes BE, MKRS dhe UNDP. / KultPlus.com

Ndahen shpërblimet shtetërore për xhudistet, Çeku: Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takim me ta

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

“Ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë”, thotë Çeku.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Nder i veçantë që sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të pres vajzat e arta të Kosovës, xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin Driton Kuka.
Së bashku më zëvendësministren, Daulina Osmani atyre u ndamë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takimi me ta. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që sportin e xhudos ta shtyjmë përpara, ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë. / KultPlus.com

Çeku: Jam i lumtur që gjeneratat e reja do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e aktiviteteve sportive

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka përuruar inagurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, përcjell KultPlus.

“Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos.

Sot në qytetin e Pejës, në një ambient shumë të veçantë, të rrethuar me malet e bukura të Rugovës, përuruam Qendrën Nacionale të Xhudos.

Jam shumë i lumtur që tash gjenerata të tëra talentësh të rinj në sportin e xhudos, do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve sportive, të dedikuar pikërisht për ta. / KultPlus.com

Çeku: Ekspozitat ‘GrandArt’ dhe ‘Nuk është diçka e njëanshme’, dy rrugëtime magjepsëse

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka shpalosur përshtypjet e tij rreth dy ekspozitave si: ‘GrandArt’ dhe ‘Nuk është diçka e njëanshme’, ekspozita këto tejet të veçanta e të cilat në vete ngërthejnë në vete rrugëtime krejtësisht të ndryshme por shumë të bukura, përcjellë KultPlus.

“Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse
Sot vizituam dy ndër qendrat tona të artit pamor, Galerinë Kombëtare dhe Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Bashkë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, deputetët Fitim Uka dhe Ardian Gola dhe këshilltarin politik Liburn Jupolli patëm rastin të zbulojmë botën e harruar dhe “të fshehur” të një epoke të tërë nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e deri tek vitet e pasluftës me ekspozitën e veprave të Hotel Grand, të cilat u bënë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare në vitin 2020. Aty u pritëm nga Kryetarja e Këshillit Drejtues të GKK-së Zake Prelvukaj dhe u.d. Drejtori i GKK-së Naim Spahiu.
Ekspozita “GrandArt” jo rastësisht është ndër më të vizituarat, ajo përfshinë veprat e emrave kulmorë të artit, si Shyqri Nimani, Agim Çavdarbasha, Fatmir Krypa, Gjelosh Gjokaj, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri e Simon Shiroka ndër të tjerë.
Vizitën e dytë e realizuam në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, te Qafa. Aty zbuluam botën e veçantë të Adem Dërmakut, një zë me shumë karakter dhe një gjuhë shprehëse pamore që përshkon tregime nga personale deri tek ato shoqërore të një personaliteti që vepron jashtë Kosovës, përplot me tregime për Kosovën. Ekspozita “Nuk është diçka e njëanshme” është kuruar nga Eleni Laperi, ndërsa sot në Galeri u pritëm nga koordinatorja Dhurata Ramosaj. / KultPlus.com

Çeku: Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës

Ministri në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, ka reaguar për suksesin e filmave kosovarë që tregojnë rrëfime të veçanta, prekin tema sociale, dhe problematika që sipas tij, po zgjojnë interes në gjithë botën, përcjellë KultPlus.

Për këto suksese të filmbërësve, konsiderohet se MKRS-ja po obligohet që ata të jenë përherë pranë tyre dhe të bëjnë më të mirën e tyre për të mbështetur filmin.

“Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës. Artistët tanë të talentuar po e dëshmojnë veten dhe po e lartësojnë shtetin tonë në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës. Artistët tanë të talentuar po e dëshmojnë veten dhe po e lartësojnë shtetin tonë në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë.
Së fundi morëm edhe një lajm që na gëzoi shumë. “Vera Andrron Detin” me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit do të ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë ‘Venice Film Festival’. Një sukses i jashtëzakonshëm, një tjetër moment historik në kinematografinë tonë.
Kosova gjithashtu shkëlqeu në Festivalin e Kanës. Për herë të parë filmi “Pa Vend” nga Saimir Karahoda ishte në kategorinë kryesore të filmave të shkurtë dhe juria ndërkombëtare e Cinéfondation e ka përzgjedhur si kandidat i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit. Ndërsa “Luaneshat e kodrës” nga Luana Bajrami ishte pjesë e programit “Director’s Fortnight”.
Filmi “Zgjoi” (Hive) nga regjisorja Blerta Basholli bëri histori në “Sundance Film Festival”, duke u bërë i vetmi, që deri më tani, ka arritur të fitojë tri çmimet kryesore të këtij festivali kaq të rëndësishëm. Ndërsa filmi i Norika Sefës “Në kërkim të Venerës” ishte në Roterdam ku fitoi çmimin special të jurisë.
Poashtu animacioni “Clara me mustaqe” me skenar dhe regji nga Ilir Blakçori dha premierën në festivalin francez “Annecy International Animation Film Festival”, që njihet si njëri prej festivaleve më të mëdha të animacionit në botë. “Clara me mustaqe” fitoi “Çmimin e qytetit Annecy” / “City of Annecy Award”.
Por nuk ndalet këtu puna e mirë që po bëhet në këtë fushë. Së shpejti regjisorët tanë me filmat ‘Në kërkim të Venerës’, ‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Pa vend’ do të jenë pjesë e konkurrencës zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës.
Të gjithë këta filma tregojnë rrëfime të veçanta, prekin tema sociale, dhe problematika që po zgjojnë interes në gjithë botën. Sukseset e filmbërësve na obligojnë që të jemi përherë pranë tyre dhe të bëjmë më të mirën tonë për të mbështetur filmin.
Ne do të angazhohemi dhe do të rrisim përkrahjen në këtë fushë, duke filluar nga rritja e mbështetjes financiare. Do të punojmë që sukseset e tilla të vazhdojnë. I jam mirënjohës gjithë komunitetit kinematografik të Kosovës për punën vetëmohuese dhe suksesin ndërkombëtar. / KultPlus.com

Nis procesi për dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qindra monumenteve të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se Qeveria ka votuar themelimin e komisionit shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës më 98/99, përcjellë KultPlus.

“Ky është moment i rëndësishëm, pasi zyrtarisht e nisim procesin për të kërkuar llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës”, ka shkruar Çeku.

Tutje ai ka bërë të ditur se anëtarë të komisionit do të jenë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë.

“Komisioni do të marr për bazë të gjitha dokumentimet që janë kryer deri sot, ndërsa do të ketë për detyrë hartimin e inventarit shtetëror me të gjitha monumentet e shkatërruara gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999. Mbi këtë dokument dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare do të përpilohet edhe kërkesa për dëmshpërblim”, thuhet në njoftimin e tij. / KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim artistin Petrit Halilaj, sjell instalacionin e famshëm “Lule Mosmëharro”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim një nga artistët më të suksesshëm bashkëkohor shqiptar, Petrit Halilaj, shkruan KultPlus.

Halilaj ka ardhur në Kosovë sepse nesër  së bashku Alvaro Urbano  me do të bëhet prezantimi i instalacionit të famshëm ‘Lule Momëharro 2020-2020”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në kuadër të Austradës Bienale.

Ky instalacion do të jetë i hapur për publikun nga data 1 korrik deri më 11 shtator të këtij viti.

Petrit Halilaj është një prej artistëve që me punën e tij ka arritur suksese dhe është prezantuar në galeritë dhe vendet më të njohura të botës në fushën e artit. Ai punon mes Gjermanisë, Kosovës dhe Italisë ndërsa puna e tij është e bazuar në dokumente, narativa dhe kujtime të lidhura me historinë e Kosovës.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Vatra Abrashi, Leutrim Fishekqiu, Alvaro Urbano,Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza./ KultPlus.com

Viola von Cramon viziton monumentet kulturore të Prizrenit

Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka vizituar sot qytetin e Prizrenit.

Cramon këtë vizitë e bëri nën shoqërimin e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku me të cilët vizitoi edhe shumë monumente të trashëgimisë kulturore në këtë vend.

Von Cramon tha se është e nderuar që vizitoi këtë vend, ndërsa shpresoi të mos jetë vizita e fundit atje.

“Faleminderit për ditën interesante në Prizren. Ishte një nder i madh për mua të isha mysafire juaja dhe të vizitoja trashëgiminë kulturore të Kosovës së bashku me kryetarin e qytetit Haskuka dhe Ministrin e Kosovës për Kulturë, Çeku. Shpresoj të kthehem së shpejti. Vend i shkëlqyeshëm për jetën multietnike”, shkroi von Cramon në rrjetin social Twitter./ KultPlus.com

Çeku pas sukseve të Gjakovës e Bajramit: Vajzat tona po ngrisin Kosovën në majat e suksesit botëror

Sukseset e grave e vajzave shqiptare në fushën e artit, kulturës dhe sportit çdo herë shtrihen përtej kufijve, shkruan KultPlus.

Ishte pikërisht xhuditstja kosovare, Nora Gjakova ajo që sot i siguroi Kosovës medaljen e bronztë në Kampionatin e Xhudos dhe regjisorja Luana Bajrami ajo që shënoi një moment tjetër historik, duke dërguar për herë të parë një film kosovar në festivalin më të rëndësishëm të filmit, atë të Kanës.

Këtyre sukseseve i është gëzuar edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili ka shkruar se janë vajzat tona ato që po ngrisni republikën në majat e suksesit botëror.

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij të plotë:

Dy lajme të jashtëzakonshme sot. Vajzat tona në art dhe sport sërish e ngritën Republikën tonë në majat e suksesit botëror.

Regjisorja e talentuar Luana Bajrami me filmin e saj “Luaneshat e Kodrës” do të jetë pjesë e Festivalit të Kanës. Ky është moment historik pasi është hera e parë që një film kosovar do të jetë pjesë e festivalit më të rëndësishëm në botë.

Në anën tjetër, xhudistja Nora Gjakova ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest. Ky është paralajmërim i fuqishëm për sukseset që pritet t’i kemi sivjet në Lojërat Olimpike në Tokio./ KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim Luana Bajramin, regjisoren që po e bën Kosovën pjesë të Festivalit në Kanë

Kinematografia kosovare sot përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, shkruan KultPlus.

Menjëherë pas këtij lajmi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku bashkë me këshilltarin e tij, Liburn Jupollin, kanë pritur në kabinetin e tij regjisoren e këtij filmi, Luama Bajrami.

Luana në këtë takim ishte e shoqëruar nga producentja, Valbona Rrahmani, asistenti i produksionit, Lavdrim Krenzi, Arben Zharku, Drejtor i QKK dhe Lum Çitaku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në QKK.

Gjatë këtij takimi, Ministri Çeku i uroj për suksesin ndërsa u diskutua për rëndësinë që kanë paraqitjet e tilla me vlerë për promovimin e Kosovës dhe gjithashtu punën e mirë që po bëjnë të rinjtë e vendit tonë, duke na bërë krenar në botë.

“Luaneshat e Kodrës”, flet për një histori që zhvillohet diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë.

Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja për Bibliotekën ‘Ibrahim Rugova’, familja e ish-presidentit dhuron Arkivin Privat

Era Berisha

Projekti i bazuar në modelin amerikan për ndërtimin e Bibliotekës Presidenciale që ka për qëllim mbajtjen e kujtesës historike dhe shtetërore të popullit tonë dhe njëkohësisht dëshmon për përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për ndërtimin e një shteti të pavarur, sot bëri bashkë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,Hajrull Çekun me ç’rast edhe u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Bibliotekës Presidenciale ‘Ibrahim Rugova’ dhe Ministrisë për Kulturë, shkruan KultPlus.

Së pari, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nisi deklaratën e saj duke falënderuar të pranishmit për prezencën dhe në veçanti Ministrin Çeku, i cili sipas Osmanit, ka treguar një gatishmëri të menjëhershme për mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare dhe institucioneve tjera bartëse të Ministrisë së Kulturës.

‘’Ministri Çeku ka treguar një gatishmëri të menjëhershme që ta mbështesë bashkërisht Bibliotekën Kombëtare por edhe institucionet tjera bartëse të Ministrisë së Kulturës. Projekti jonë është i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të Bibliotekave Presidenciale, prandaj kemi filluar me ndërtimin e Bibliotekës Presidenciale e cila do ta mbajë emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Qëllimi i saj është mbajtja e kujtesës tonë historike dhe shtetërore dhe në veçanti përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e vet të pavarur dhe sovran”, thotë Osmani.

Sipas saj, duke u bazuar në modelin amerikan, rrjedhimisht është marrë përkrahje nga departamenti i shtetit amerikan i cili do të dërgojë një ndër ekspertët më të njohur të saj, për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë nën modelin amerikan dhe në të njëjtën kohë sipas memorandumit të bashkëpunimit që sot është nënshkruar me Ministrin Çeku, do të punohet së bashku për zhvillimin e fondeve për bibliotekën.

“Biblioteka Kombëtare do të ofroj të gjithë bibliografinë që e kanë të ish-presidentit Ibrahim Rugovës siç janë: librat, artikujt e tij por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të. Kurse, lajm i rëndësishëm është që familja e ish-presidentit Rugova, ka vendosur që të gjithë Arkivin Privat të Presidentit, ta vë në dispozicion për Bibliotekën Presidenciale”, thotë Osmani.

Krejt në fund, ajo ka shfrytëzuar rastin që t’i bëjë thirrje institucioneve bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë materiale të ndryshme rreth ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

“Në këtë mënyrë do të ruhet kujtesa jonë dhe njëkohësisht do të ruhen në kujtesën tonë historike edhe përpjekjet e një populli të tërë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, përfundon Osmani.

Ndërsa, Ministri Çeku është shprehur se është një kënaqësi që ai është prezent jo vetëm për nënshkrimin e memorandumit por edhe për fillimin e një nisje të jashtëzakonshme.

“Për mua është kënaqësi që të jem së bashku me juve, jo vetëm për të nënshkruar memorandumin por për të qenë pjesë e një nisme të jashtëzakonshme. Kjo nismë ia shton Kosovës një institucion të ri të dijës dhe shkencës e të studimit duke besuar se ky krijim nderon figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe njëkohësisht edhe Republikën e Kosovës”, thotë Çeku.

Sipas tij, si Ministri e Kulturës, të gjitha pjesët përbërëse do të jenë në dispozicion dhe prandaj ata do ta marrin me seriozitet një detyrë kaq të rëndësishme dhe fisnike në të njëjtën kohë. Ata ndjejnë një obligim që ti përgjigjen kësaj nisme duke u bërë pjesë e Bibliotekës Presidenciale ‘Ibrahim Rugova’.

“Ky hap i rëndësishëm do ta pasurojë fondin e kësaj biblioteke e cila natyrisht duhet të zgjerohet përtej institucioneve që janë pjesë e Ministrisë së Kulturës dhe Presidencës për një nismë kombëtare për të pasur një fond të pasur reprezentativ dhe për të shtuar aktivitetin tonë studiues për të lënë një amanet ndaj brezave të ardhshëm”, përfundon Çeku. / KultPlus.com

Objektet fetare nxisin debat mes Çekut dhe Petkoviqit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka treguar se gjatë vitit 2020, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovë kanë ndodhur vetëm 57 incidente nëpër objekte fetare dhe prej tyre vetëm tetë në kisha ortodokse, përcjell KultPlus.

Ai ka thënë se bazuar nga të dhënat asnjë nga këto nuk është cilësuar me motive fetare.

“Të dhënat e Policisë së Kosovës: nga 57 incidente në objektet fetare gjatë vitit 2020, vetëm tetë kanë ndodhur në kisha ortodokse dhe 45 nëpër objekte fetare islame. Shumica e rasteve ishin vjedhje, ndërsa asnjë nga 57 incidentet nuk janë klasifikuar si të motivuara fetarisht. Ne mbrojmë trashëgiminë tonë”, ka shkruar Çeku në Twitter.

https://twitter.com/HCeku/status/1399683712388898822

Por, postimi i Çekut nuk i ka pëlqyer edhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka reaguar ndaj postimit të Çekut në Twitter, duke thënë se që nga viti 1999 janë shkatërruar më tepër se 135 kisha e manastire ordotokse.

“Që nga viti 1999, më tepër se 135 kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe janë shkatëruar në K&M. Serbia ka rinovuar më tepër se 45 tempuj. Shumë kisha janë ende të rrënuara, pasi Prishtina nuk lejon rikonstruktimin e tyre. Ata që u kanë vënë flakën atyre, nuk mund të ruajnë trashëgiminë kulturore të Serbisë”, ka shkruar Petkoviq./ KultPlus.com

https://twitter.com/PetkovicPetar/status/1399723676564590592

Ministri Çeku sonte në KultPlus Caffe Gallery, takim me komunitetin artistik

KultPlus Caffe Gallery është vendi që bënë bashkë artistët jo vetëm për shpalosjen e punës së tyre por edhe për takime të ndryshme përmes të cilave synohet që të ju bëhet zgjidhje problemeve të këtij komuniteti.

Kësaj radhe, KultPlus ka ftuar ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun si personin adekuatë ku do të adresohen problemet e komunitetit artistik.

Sonte, Çeku do të jetë i pranishëm për të shpalosur programin e tij dhe njëkohësisht do të takohen nga afër me artistët për të dëgjuar kërkesat e tyre të cilave pritet të ju japë zgjidhje gjatë mandatit të tij.

Eventi mbahet sonte duke filluar nga ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Gjithashtu ju informojmë që eventi është i hapur dhe do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19, por për shkak të numrit të limituar, duhet njoftuar paraprakisht për pjesëmarrjen tuaj. / KultPlus.com