Lahaj takohet me ministrin Çeku, u ofron ndihmë institucioneve në ndërtimin dhe avancimin e skenës operistike në Kosovë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është takuar gjatë ditës së sotme me tenorin nga Kosova me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, shkruan KultPlus.

Lahaj i cili në takim ishte së bashku me Besa Luzhën diskutoi me ministrin mbi artin dhe kulturën, e në veçanti skenën muzikore Kosovare.

Në njoftimin e bërë nga Ministra e Kulturës tregohet se Lahaj ka ofruar ndihmë institucioneve të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e mëtejmë dhe avancimin e skenës muzikore dhe operistike në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

Takim me tenorin Ramë Lahaj

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte kënaqësinë të priste në takim tenorin nga Kosova me famë ndërkombëtare, z. Ramë Lahaj, i cili u shoqërua nga Prof. Besa Luzha.

Këngëtari i skenave operistike botërore u prit nga Ministri Çeku dhe këshilltari i tij, Liburn Jupolli. Bashkë biseduan mbi artin dhe kulturën, në veçanti mbi skenën muzikore në Kosovë.

Shprehim falenderim ndaj z. Lahaj i cili i ofroi ndihmë institucioneve qendrore të Kosovës të kontribuojë në ndërtimin e mëtejmë dhe avancimin e skenës muzikore dhe operistike në Kosovë. Kabineti i Ministrit dhe ai do të vazhdojnë të mbajnë kontakt për bashkëpunim më të afërt në të ardhmen./ KultPlus.com

Çeku shpalos programin e MKRS-së: Mënyra e financimit të kulturës do të ndjek një logjikë tjetër

Sot ministri Hajrulla Çeku në një konferencë për media ka shpalosur programin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku ai është shprehur se mënyra e financimit të kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore do ta marr një kahje tjetër logjike, shkruan KultPlus.

“Nuk është krijuar një efekt i shtuar nga financimi që është bërë sepse mënyra e financimit së kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore duhet ta ndjek një logjikë tjetër. Kjo logjikë është ajo e kthimit ekonomik, shoqëror, shëndetësor sepse rinia, sportistët e artistët, janë potenciale të jashtëzakonshme zhvillimore të këtij vendi”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, në politikat  e kaluara logjika e subvencionimit vetëm është mirëmbajtur dhe nuk është zhvilluar potenciali i të rinjve tanë. Prandaj, ata tani tentojnë të formojnë një dallim duke nisur qysh nga logjika e skemave sociale e deri tek qasja e zhvillimit përmes MKRS-së.

“Përmbajtja e programit është një përmbledhje e instrumentit tonë të zbatimit të programit ku me të gjithë stafin kemi punuar me shumë detaje sepse teksti narrativ i këtij programit është rezultat i asaj pune dhe është një matricë shumë e madhe me dhjetëra objektiva e masa, me qindra aktivitete e indikatorë, me dimensione të kohës dhe buxhetit”, thotë Çeku.

Krejt në fund, ai ka bërë të ditur se MKRS-ja tani ka mjaft punë që po i presin ata për 4 vjet e kjo punë është pjesë e punës së tyre të përditshme sepse programi është një hartë shumë e madhe e përmbledhjeve së objektivave dhe orientimeve të përgjithshme që priten të realizohen. / KultPlus.com

Çeku: Personaliteti i Bogujevcit do të frymëzoj breza artistësh e atdhetarësh

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Ismet Bogujevci, vdiq ditën e djeshme duke lënë kështu të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, qoftë personalisht apo përmes ekranit, përcjell KultPlus.

Gjatë ditës së sotme për të nderuar figurën e Bogujevcit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve ‘Shota’ ka organizuar një ceremoni komemorative, ku personalitete të shumë kanë bërë homazhe tek Teatri Kombëtar i Kosovës.

Ndërkaq fotografi nga këto homazhe ka publikuar Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili njëkohësisht ka shkruar se vepra e Bogujevcit do të frymëzoj breza të tëra artistësh.

“Pusho i qetë Ismet Bogujevci. Vepra dhe personaliteti yt do të frymëzojnë breza artistësh, aktivistësh e atdhetarësh”, është shkrimi në Facebook i Ministrit./ KultPlus.com

Pusho i qetë Ismet Bogujevci. Vepra dhe personaliteti yt do të frymëzojnë breza artistësh, aktivistësh e atdhetarësh.

Posted by Hajrulla Çeku on Friday, May 14, 2021

Çeku: Për emërimin e Shkurte Aliut dhe të tjerëve anëtarë të Këshillit Drejtues të TKK-së, jam konsultuar me komunitetin teatror të Kosovës

Ditë më parë, me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, u emërua Këshilli i Ri Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Këshilli drejtues, me mandat 4 vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliq.

Ndërkaq, për emërimin e këshillit drejtues kanë reaguar individë të shumtë, duke e cilësuar si vendim për rehatim të partiakëve, gjë që ka nxitur një reagim nga ministri Çeku.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Çekut.

Në lidhje me emërimin e Shkurte Aliut dhe të tjerëve si anëtarë të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës:

  1. Jam konsultuar me komunitetin teatror të Kosovës dhe emrat e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar janë rezultat i atij procesi.
  2. Në emër të departizimit në fushatë kam propozuar një filtër profesional mes ministrit dhe Këshillit Drejtues. Dhe atë mekanizëm do ta zhvillojmë shumë shpejt. Ky mekanizëm i pavarur dhe profesional do ta këshillojë ministrin, por në fund vendimi merret nga ministri në përputhje me kompetencën ligjore.
  3. Partizimi në emërime ndodhë atëherë kur kriter kryesor për marrjen e detyrës është anëtarësia partiake. Ndërsa ky ndikim partiak është manifestuar edhe në forma të tjera, psh në Teatër përmes favorizimit të regjisorëve, ndërhyrjes në repertor, ndalimit të shfaqjeve. Këto nuk do të ndodhin më, ose në momentin që ndodhin do të sigurohemi të marrin përgjigjen e merituar.
  4. Ligji ma jep të drejtën për emërime mbi bazën e besimit. Dmth për emërimin e anëtarëve të këshillave drejtues nuk kërkohet as konkurs e as procedurë, sepse ky nuk është punësim, por emërim. Prandaj, mua mund të më gjykoni në bazë të performancës së njerëzve që kam emëruar. Këshillit duhet t’i japim kohë dhe pastaj bashkërisht të vlerësojmë punën e tyre. Ndërsa në momentin që ndodh një shkelje, e njëjta do të adresohet menjëherë.
  5. Në atë detyrë e kam emëruar një profesioniste, jo një militante të padijshme. E kam emëruar një regjisore teatri, jo një që nuk e di as ku ka konkuruar, kam emëruar Shkurten e teatrit, jo Shkurten e Vetëvendosjes.
  6. Anëtarët e Këshillit Drejtues nuk paguhen me rrogë, ata kompensohen për mbledhjet që i mbajnë, por shuma maksimale mujore për një anëtar është 200 euro bruto. Gjithashtu, ligji ua ndalon të drejtën për t’u angazhuar në punë krijuese të kontraktuara nga Teatri.
  7. Pra, Shkurta regjisore nuk ka të drejtë të bëj shfaqje për sa kohë është në Këshill, ndërsa për punën e saj mund të marrë më së shumti 200 euro në muaj. E puna e saj bashkë me gjashtë anëtarët tjerë të Këshillit është zhvillimi i Teatrit Kombëtar, një mision sa sfidues aq edhe fisnik.
  8. Gjithë kjo zhurmë po bëhet për të krijuar një përshtypje për kisne rehatim të partiakëve me qëllime përfitimi material. Kjo po bëhet edhe duke e përdorur fjalën “bord”, në synimin për të krijuar sensacion. Teatri Kombëtar nuk ka bord, ka këshill drejtues. Dhe ky nuk është punësim, por emërim.
  9. Shkurta është profesioniste, punëtore e madhe, njeri me integritet, e pakorruptueshme. Ka dhënë shumë për teatrin, nuk ka marr asgjë. Ka ende për t’i dhënë jetës teatrore në Kosovë. Kam besim të plotë në profesionalizmin dhe integritetin e saj, prandaj edhe e kam emëruar në atë detyrë. E njëjta vlen edhe për anëtarët tjerë të këshillit: Gresa Pallaska, Visare Aliu, Rebeka Qena, Armend Smajli, Ben Apolloni, Brikena Mulliqi.
  10. Kemi nisur reformimin e institucioneve kombëtare të kulturës dhe ky proces nuk do të ndalet. Teatri, Baleti, Filharmonia, Galeria dhe të tjerat do të kenë këshilla drejtues profesional, autonomi financiare dhe qëndrueshmëri institucionale, kapacitete të mjaftueshme njerëzore, udhëheqës me integritet artistik e njerëzor, cilësi të rritur programore, prezantim të dinjitetshëm ndërkombëtar dhe audiencë të rritur. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Inva Mula e gatshme të kontribuojë në skenën kulturore kosovare

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka mirëpritur sot një nga personalitetet më të shquara të kulturës operistike shqiptare dhe botërore, Inva Mulën, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi nga ana e MKRS-së ku kanë treguar se vizita e sopranos është bërë në mënyrë spontane për të shprehur gatishmërinë e saj për të kontribuuar në skënën kulturore kosovare.

“Diva jonë mbarëshqiptare me modestinë, thjeshtësinë dhe qasjen e saj dashamirëse e uroi ministrin Çeku për postin e ri dhe e njoftoi për projektet e ndryshme të saj duke shprehur gatishmërinë të kontribojë në skenën kulturore kosovare”, shkruhet ndër të tjera në njoftim.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte kënqësinë e veçantë të mirëpriste një nga personalitetet më të shquara të kulturës operistike shqiptare dhe botërore, zonjën Inva Mula.

Zonja Inva Mula e nderoi me praninë e saj Ministrin Hajrulla Çeku dhe një pjesë të kabinetit të tij, shefen e kabinetit Klodeta Krasniqi dhe këshilltarin për kulturë Liburn Jupolli në një vizitë spontane për të shprehur mbështetjen për punën e kësaj ministrie.

Inva Mula, figurë eklatante e sopranos koncertante me famë botërore dhe punë që shtrihet në shumë sfera stilistike, fituese e shumë çmimeve me profil operistik nga mosha e re, me nje bagazh përvoje pedagogjike e deri te prezenca e saj në kinematografi botërore, gjegjësisht në filmin e famshëm “Elementi i pestë”.

Diva jonë mbarëshqiptare me modestinë, thjeshtësinë dhe qasjen e saj dashamirëse e uroi ministrin Çeku për postin e ri dhe e njoftoi për projektet e ndryshme të saj duke shprehur gatishmërinë të kontribojë në skenën kulturore kosovare./ KultPlus.com

Çeku pas fitores së Gjakovës: Krenarë me xhudistët që po rendisin Kosovën në majën e suksesit sportiv

Pas fitores së Akil Gjakovës i cili tashmë është kampioni i ri i Evropës në Xhudo, duke siguruar medaljen e artë në Lisbonë, ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Çeku ka deklaruar se ndjehet krenarë me xhudistët që po rendisin Kosovën në majat e suksesit sportiv, shkruan KultPlus.

Ndjehem krenar me xhudistët kosovarë që po vazhdojnë ta rendisin Kosovën në majet e suksesit sportiv”, ka shkruar në profilin e tij në Facbook Çeku.

Më poshtë mund të gjeni postimin e tij të plotë:

Kosova përsëri e artë. Kësaj radhe me xhudistin Akil Gjakova, i cili me këtë arritje bëhet kampion i Evropës në kategorinë (-73).

Ndjehem krenar me xhudistët kosovarë që po vazhdojnë ta rendisin Kosovën në majet e suksesit sportiv./ KultPlus.com

Çeku: Vendimi për Manastirin e Deçanit, s’bazohet në logjikë të shëndoshë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, është shprehur i shqetësuar për lajmin se Europa Nostra ka vendosur që Manastirin e Deçanit ta fusë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021.

Çeku përmes një postimi në Facebook, ka theksuar që sipas tij, i vetmi shqetësim, i supozuar lidhur me Manastirin e Deçanit thuhet të jetë një “rrugë e pandërtuar për të cilën vetë Europa Nostra konstaton se është arritur marrëveshje mes të gjitha palëve, duke përfshirë klerin ortodoks”.

Ai tha që institucionet e vendit po e trajtojnë me përkushtim të plotë këtë çështje.

Më poshtë postimi i plotë Çekut:

Me shqetësim e morëm dje lajmin se Europa Nostra ka vendosur që Manastirin e Deçanit ta fusë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021.

Kur kjo organizatë kishte vendosur që Manastirin e Deçanit ta nominonte në listën e monumenteve më të rrezikuara, pati reaguar Presidentja bashkë me Kryeministrin e Kosovës me një letër ku shpalosën argumente të qarta se përse ky Manastir nuk bën të futet në këtë listë, duke qenë se nuk i plotësonte as parakushtet themelore për t’u konsideruar i rrezikuar.

Është vlerësim i pavarur dhe profesional i organeve përkatëse të rendit dhe sigurisë që kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë nivel të lartë sigurie dhe nuk janë të rrezikuara.

Me shpalljen e pavarësisë, shteti i Kosovës ka miratuar të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore, institucionale dhe politike për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë në vendin tone.

Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për mbrojtjen e të gjitha aseteve të trashëgimisë kulturore të vendit, e ne veçanti të kishave dhe manastireve ortodokse, klerit ortodoks, praktikuesve të fesë e komuniteteve joshumicë.

Monumentet e përfshira në listën e Europa Nostra janë vërtet në rrezik duke qenë se u kanoset edhe shembja për shkak të faktorëve të ndryshëm. Përjashtim këtu bën vetëm Manastiri i Deçanit i cili, në vetë arsyetimin e Europa Nostra, përshkruhet si një objekt funksional kulti, në gjendje të mirë, ku zhvillohen liturgjitë ditore, ku komuniteti kryen ceremonitë e tyre duke qenë i hapur edhe për pelegrinë.

I vetmi shqetësim, i supozuar, lidhur me Manastirin e Deçanit thuhet të jetë një rrugë e pandërtuar për të cilën vetë Europa Nostra konstaton se është arritur marrëveshje mes të gjitha palëve, duke përfshirë klerin ortodoks.

Gjuha e përdorur në tekstin e nominimit është e pasaktë, tendencioze dhe e papranueshme. Cilësimi “ekstremistët lokalë” është ekzagjerim i qëllimshëm, sulmi i pretenduar nga organizata terroriste “ISIS” është i pabazuar në fakte, andaj kjo na bën të besojmë se nominuesi nuk ka ndjekur linjë profesionale argumentimi por ka devijuar në një përmbajtje me ngarkesa politike dhe krejt të pabazuara në burime.

Si në tekstin e nominimit ashtu edhe në shpalljen finale, ndër tjerash, paragjykohet statusi i shtetit të Kosovës, si dhe bëhet përpjekje për ndërlidhjen e çështjes së Manastirit me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy këto pretendime janë të pasakta dhe janë në linjë me qëndrimin politik të shtetit të Serbisë. Kosova ka status të definuar, dhe ajo ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Ky deklarim unanim i vullnetit të popullit të Kosovës përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010. Ndërsa ndërlidhja mes çështjes së Manastirit dhe dialogut politik është e paqëndrueshme, dhe duhet të refuzohet pasi të gjitha garancitë për trashëgiminë kulturore që rrjedhin nga Plani i Ahtisaarit janë të përfshira në Kushtetutën dhe legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo çështje nuk duhet të rihapet.

Në arsyetimin e kësaj organizate shihet qartë njëanshmëria e saj kur referencat i merr kryekëput nga historiografia serbe në rastet kur përmend karakteristikat e brendshme të objektit, derisa Kosovën e përmend me një fusnotë! Kjo qasje e Europa Nostra është joprofesionale, jorealiste, e njëanshme, dhe me ndikim të qartë politik.

Vendimi për ta futur Manastirin e Deçanit në listën e 7 objekteve më të rrezikuara nuk bazohet në logjikë të shëndoshë, duke qenë se vetë arsyetimi i vendimit bie ndesh me argumentet për rrezikun që kinse po i kanoset. Për këtë flasin edhe fotografitë të cilat i ka publikuar vetë Europa Nostra në faqen e saj zyrtare.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e trajtuar me përkushtim të plotë këtë çështje. Jemi duke zhvilluar konsultime të brendshme, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë për të përcaktuar hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij problemi, të cilët do t’i ndërmarrim në ditët në vijim.

Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë. Trashëgimia jonë është universale. Ajo i takon krejt njerëzimit, i takon brezave të kaluar, të tashëm dhe të ardhshëm. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Puna e Cimës do të dokumentohet për gjeneratat e ardhshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, së bashku me një pjesë të stafit të MKRS-së dhe me drejtuesit e institucioneve shtetërore të kulturës, kanë bërë homazhe në nderim të artistit Rasim Thaçi-Cima.

“Nderimet e merituara figurës së dashur për publikun, ai një kohë ka qenë edhe sportist por përherë ka qenë artist, që është dalluar me lëvizje skenike dhe mesazhe që në kohëra të vështira jepte edhe mesazh politik. Ne si ministri përveç nderimeve do ta kryejmë dokumentimin e punës së tij, që ajo t’i shërbej edhe gjeneratave të ardhshme”, tha Çeku para medieve.

Në këto nderime foli edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar, Naser Shatrolli.

“Jemi para Teatrit Kombëtar për të nderuar punën e tij, pozitivizmin e tij i cili me humorin e tij i ka dhëne kuptim jetik jetës tonë, me veprat dhe humorin e tyre, që na kanë dhënë shpresë me veprat e tyre, ka ngelë dhe do ngelet ikonë e humorit shqiptar”, tha Shatrolli. / KultPlus.com

Hajrulla Çeku nesër do të bëjë homazhe për të nderuar Rasim Thaçin – Cimën

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Harulla Çeku nesër së bashku me drejtuesit e institucioneve shtetërore të kulturës do të bëjnë homazhe para Teatrit Kombëtar të Kosovës, për ta nderuar figurën e artistit Rasim Thaçi – Cima, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi për media ku gjithashtu tregohet se në këto homazhe do të jenë të pranishëm edhe një pjesë e stafit të MRKS-së.

Homazhet do të mbahen me fillim në ora 11:00

Në varrezat e fshatit Vukovc të Drenasit sot është varrosur humoristi Rasim Thaçi-Cima. Ai vdiq dje si pasojë e COVID-19../ KultPlus.com

Çeku ju drejtohet artistëve në Ditën Botërore të Teatrit: Ne do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj aspak të lehtë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot në Ditën Botërore të Teatrit ju është drejtuar të gjithë artistëve me një mesazh, përcjell KultPlus.

Ai i ka uruar të gjithë artistët për këtë ditë dhe poashtu ka theksuar se është në dijeni për problemet me të cilat ky komunitet ballafaqohet.

Më poshtë mund të lexoni mesazhin e plotë të Çekut.

Të dashur artistë të teatrit,

Sot, në një nga ditët më të rëndësishme për teatrin në vend dhe në gjithë botën, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën, kontributin, përkushtimin e vetëmohimin tuaj në zhvillimin dhe avancimin e teatrit dhe jetës teatrore në vend dhe jo vetëm.

Sukseset dhe rezultatet e punës suaj nuk janë vetëm tuajat, ato suksese në vazhdimësi kanë qenë dhe janë suksese të të gjithë neve si shoqëri e si shtet, ngase pjesën më të mirë të imazhit të Kosovës e keni krijuar ju, artistët, krijuesit e performuesit kosovarë.

Si Ministër i Kulturës i sapoemëruar, jam i vetëdijshëm që kushtet në të cilat veproni nuk janë më të mirat, njoh sfidat e mungesat e juaja, por jam këtu që së bashku me ju të shtyjmë para punë të mira e procese që do të ndryshojnë gjendjen ekzistuese në fushën e kulturës. Bashkërisht me kontributin tuaj, kultura në përgjithësi dhe teatri në veçanti do njohin zhvillimin dhe avancimin e merituar mëtutje.

Më lejoni që secilit prej jush t’ i urojë përzemërsisht 27 Marsin- Ditën Botërore të Teatrit. Ju urojmë punë të palodhshme dhe suksese të vazhdueshme në punën tuaj fisnike. Ju sigurojmë se ne do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj aspak të lehtë.

Në pamundësi të shpalljes së laureatëve të çmimeve në fushën e teatrit për vitin 2020, për shkak të kohës tejet të shkurtër nga marrja e mandatit si Ministër dhe duke respektuar këtë proces si të rëndesishëm për vlerësimin e punës suaj, ju siguroj që në ditët në vijim do të përmbyllim procesin e ndarjes së çmimeve të teatrit ashtu siç ju e meritoni duke ju trajtuar me korrektësi e profesionalizëm.

Sinqerisht i juaji,
Hajrulla Çeku,
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
. / KultPlus.com

Ministri Çeku uron Nora Gjakovën: Sportistët vazhdojnë të jenë ambasadorët tanë më të mirë

Xhudistet e Kosovës sërish me medalje, flamuri ynë këtë herë u ngrit në Gjeorgji. Ministri Hajrulla Çeku uron xhudisten Nora Gjakova, e cila në Grand Slamin e Tbilisit në Gjeorgji u stolis me medalje të artë. Përgëzime edhe për trajnerin Driton Kuka, tërë përfaqësuesen e Kosovës në xhudo dhe federatën. 

Ky sukses, përveç formës së lartë të Norës, është tregues edhe për standardin e xhudos në Kosovë. Sportistët vazhdojnë të jenë ambasadorët tanë më të mirë. Falë tyre simbolet tona shtetërore depërtojnë edhe në vendet që akoma nuk e kanë njohur shtetin tonë. 

Ministria do të vazhdojë të jetë përkrah dhe në mbështetje të sportistëve tanë. 

Urime Norë, urime Driton! Suksese xhudistëve tanë atje, presim medalje tjera në Tbilisi. / KultPlus.com

Çeku: Lurani la një zbrazëti të madhe në artin dhe kulturën tonë shqiptare

Telegram ngushëllimi i ministrit Çeku me rastin e vdekjes së aktorit Luran Ahmeti

E nderuar familja Ahmeti,

I tronditur dhe me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, aktorit tonë të madh shqiptar, Luran Ahmeti.

Ikja e tij e hershme nga kjo botë është dhimbje e madhe dhe humbje e pazëvendësueshme për familjen, miqtë dhe kolegët e Luranit dhe lë një zbrazëti të madhe në artin dhe kulturën tonë shqiptare.

Skenës artistike teatrale e kinematografike do t’i mungojë talenti dhe profesionalizmi i Luranit, i cili me dashurinë, përkushtimin dhe angazhimin e tij për lojën skenike, arriti të depërtojë edhe në skenën ndërkombëtare. Lurani nuk e përfaqësoi vetëm veten e tij, por prezantoi edhe vlerat e artin shqiptar brenda hapësirave kombëtare dhe jashtë tyre.

I lehtë i qoftë dheu.

Pranoni ngushëllimet më të përzemërta e të sinqerta, ju e nderuar familje, miq, kolegë e ju dashamirë të Luranit./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Sporti, prioritet i ministrisë dhe qeverisë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), sot zgjedh organet e reja drejtuese për katër vitet e ardhshme. Për këtë, Asambleja e Përgjithshme e KOK-ut, ka mbajtur punimet nëpërmjet të cilave ka zgjedhur kryetarin dhe organet tjera drejtuese.

Për të përshëndetur delegatët e Asamblesë së KOK-ut dhe për të uruar për mbarëvajtje të punimeve, mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, cili uroi për këtë proces zgjedhor.

Ministri i përgëzoi për punën dhe sukseset e arritura sportistët dhe trajnerët tanë të cilët përkundër faktit që pandemia ka krijuar në situatë të vështirë edhe për sportin edhe aktivitetet sportive, duke kufizuar pjesëmarrjen në gara brenda dhe jashtë vendit, kanë arritur të përfaqësojnë Kosovën në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.

Ministri Çeku tha se prioritet i ministrisë dhe i Qeverisë së Kosovës do të jetë sporti dhe mbështetja e të gjithë sportistëve, vajza dhe djem, organizatat sportive si dhe Komitetin Olimpik të Kosovës në garat olimpike.

“Urojë të na përfaqësoni denjësisht dhe të bëni krenar çdo qytetar të Kosovës me të arriturat tuaja në sport duke u kurorëzuar edhe me medalje”, tha ndër të tjera ministri Çeku, duke i falënderuar dhe Majlinda Kelmendin e Driton Kukën për medaljen e fituar në LO Rio 2016, duke e konsideruar se kanë bërë krenar secilin në Kosovë.

“MKRS-ja dhe Qeveria do ta ketë prioritet sportin bazuar në programin e saj me qëllim avancimin dhe zhvillimin e sportit duke modernizuar infrastrukturën, masivizuar sportin nëpërmjet sporti shkollor dhe sportit për të gjithë, identifikimin dhe zhvillimin e talenteve në sport, fuqizimin e aktivitetit sportiv e fizik në ruajtjen e mirëqenies shoqërore”, veçoi tutje ministri.

Ministri Çeku tha se si ministër por edhe MKRS-ja do të bashkëpunojë me udhëheqësinë e re të KOK-ut e cila pritet të dalë pas procesin zgjedhor dhe u uroi suksese kandidatëve për pozitat që garojnë për ciklin e ardhshëm olimpik në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i tanishëm i KOK-ut, Besim Hasani, e falënderoi ministrin Çeku dhe drejtuesit e MKRS-së të cilët për pjesëmarrjen në punimet e asamblesë zgjedhore të KOK-ut.

Hasani në prezantimin e punës së deritashme të KOK-ut, foli për sukseset e sportistëve të Kosovës dhe organizatave sportive, si dhe bashkëpunimin që kanë pasur me MKRS-në. / KultPlus.com

Hajrulla Çeku merr zyrtarisht detyrën e ministrit: Pretendojmë ta largojmë vëmendjen nga politika

Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur që Hajrulla Çeku të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila deri më tani ishte udhëhequr nga Vlora Dumoshi.

Për të marrë zyrtarisht pozitën e re, sot në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u bë dorëzim-pranimi i detyrës së Ministrit të ri të Kulturës, por që Vlora Dumoshi nuk ishte e pranishme për dorëzimin e detyrës, shkruan KultPlus.

Zëvendësministrat në largim, Engelbert Zefaj dhe Qazim Rrahmani, i kanë dorëzuar detyrën Ministrit të ri të Kulturës duke e uruar atë për marrjen e detyrës dhe duke i dëshiruar sukses dhe përmbushje të objektivave dhe realizim të planeve gjatë udhëheqjes së MKRS-së.

“Jam mëse i bindur se do të keni sukses në rrugëtimin e juaj”, u shpreh Zefaj gjatë dorëzimit të detyrës ministrit të ri.

Tutje Zefaj u shpreh se në Ministrinë e Kulturës gjatë vitit 2020 është punuar shumë, por që pandemia sfiduese e ka dëmtuar punën e ministrisë për shkak të mungesës së aktiviteteve.

Ndërsa ministri i ri, Hajrulla Ceku, pasi falënderoi Engelbert Zefaj dhe Iber Alajn, sekretarin e përhershëm në Ministrinë e Kulturës, për pritjen, ai nuk harroi të shpreh falënderimet e tij edhe për punën që ka bërë Dumoshi.

“Pres që të kemi koordinim për punë për tu sistemuar për përgjegjësinë që kemi marrë. Falënderoj të gjithë ata që më dhanë besimin për të shërbyer në këtë institucion nga ku pretendojmë ta largojmë vëmendjen nga politika. Zotohem që punët e mira të vazhdojnë tutje me dinamikë dhe energji të reja të njerëzve që do të vijnë”, tha Çeku. / KultPlus.com

Njihuni më tepër me Hajrulla Çekun, ministrin e ri të Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur që Hajrulla Çeku të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila deri më tani ishte udhëhequr nga Vlora Dumoshi.

Harjulla Çeku në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ishte deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse më herët ishte udhëheqës i OJQ-së “Ec ma ndryshe”.

Për tu njohur më tepër me Hajrulla Çekun, po ju sjellim disa informata për ministrin e ri.

Hajrulla Çeku është lindur në vitin 1983 në Prizren. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Shkenca Politike” dhe ka magjistruar në “Qeverisje dhe Zhvillim Lokal” në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani. Për 15 vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.

Përgjatë viteve u angazhua në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare. Ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në shumë prej tyre. Ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit, ndërsa në cilësinë e ekspertit të jashtëm ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ka qenë zëvendës-ministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë.

Hajrulla Çeku ka përfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara, Maltë, Gjermani, Belgjikë, Kroaci dhe Francë.

Çeku u zgjodh deputet në legjislaturën 2019-2021 dhe gjatë kësaj periudhe ishte Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis dhe anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Po ashtu ka qenë udhëheqës i Forumit për Transparencë Parlamentare, dhe pjesë e Grupit të Deputetëve të Gjelbër.

Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën angleze, turke dhe serbe. Ai është i martuar dhe ka një vajzë.

Ndryshe, për Qeverinë Kurti 2 kanë votuar 67 deputetë ndërsa kundër kanë votuar 30. / KultPlus.com

Hajrulla Çeku, ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë, Hajrulla Çeku është renditur si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit , shkruan KultPlus.

Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri më sot e kishte udhëhequr ministrja Vlora Dumoshi.

Harjulla Çeku në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ishte deputet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse më herët ishte udhëheqës i OJQ-së “Ec ma ndryshe”./ KultPlus.com

Hajrulla Çeku tregon shifrën marramendëse të kosovarëve që pushuan në Shqipëri

Hajrulla Çeku, ish udhëheqës i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, i cili u emëruar zëvendësministër i Turizmit në Qeverinë e Shqipërisë, ka dhënë disa statistika rreth vizitorëve kosovarë në territorin e Shqipërisë.

Sipas tij kosovarët realizuan afër 670 mijë vizita/hyrje në territorin e Shqipërisë gjatë muajit gusht 2018, një rritje prej 40% në krahasim me gushtin 2017. Në total (janar-gusht 2018) kemi mbi 1.5 milionë hyrje, 17.7% më shumë se e njëjta periudhë 2017.

“Kosovarët vazhdojnë të dominojnë turizmin shqiptar. Përkundër të gjithave dhe gjithçkaje. #VisitAlbania”, ka shkruar Ceku në Facebook./KultPlus.com

Rama prezanton dy zëvendësministra nga Kosova (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo ka publikuar listën e zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, shkruan KultPlus.


Bazuar në këtë listë, në Qeverinë e Shqipërisë, risia e emrave të zv/ministrave ishin dy emrat nga Kosova. Valbona Shujaku emërohet zv/ministre e Kulturës, ndërsa Hajrulla Çeku – zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit. Emërimi i dy zv/ministrave nga Kosova është një nga risitë e Ramës në kabinetin qeveritar. /KultPlus.com