Reagon Çeku pasi ju vu flaka Gjimnazit të vjetër në Ferizaj: Ky është krim, përgjegjësit përpara drejtësisë

Sot, në orët e para të mëngjesit ju vu flaka Gjimnazit të vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj. Për këtë vepër ka reaguar ministri i kulturës, Hajrullah Çeku, duke e quajtur krim, shkruan KultPlus.

Kjo ndodhi vetëm një javë pasi MKRS kishte nënshkruar kontratën për restaurimin e këtij gjimnazi dhe vetëm një ditë pasi kishin nisur punimet.

Çeku është shprehur se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.

“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.

Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve. Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, shkruan Çeku. / KultPlus.com

Ministri Çeku priti në takim fëmijët e Rasim Thaçit: Dokumentimi i veprimtarisë artistike është detyrimi jonë ndaj tij

Këtë muaj bëhet një vit nga vdekja e artistit tonë të njohur Rasim Thaçi – Cima, përcjell KultPlus.

Sot, ministri Hajrulla Çeku priti në takim fëmijët e tij, Adelina dhe Artan Thaçi.

Personaliteti i Cimës ishte i veçantë, ai dallohej si në dimensionin njerëzor ashtu edhe në atë artistik.

Dokumentimi i veprimtarisë së tij artistike dhe shënimi i datave të rëndësishme janë detyrime tona ndaj tij dhe të gjithë atyre që kanë dhënë shumë për vendin tonë përmes artit“, shkruhet në njoftim. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Dy ditë në Vjenë, takime të dobishme për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Austrisë

Ministri Çeku ka qëndruar për dy ditë në Vjenë ku ka mbajtur disa takime për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Austrisë, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Dy ditë në Vjenë, takime të dobishme për fuqizimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Austrisë.

Së bashku me Ambasadorin e Kosovës në Austri, Lulzim Pllana takuam dy deputetët e Parlamentit Federal Austriak, Martin Engelberg dhe Carmen Jeitler-Cincelli. Patëm një diskutim shumë produktiv për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve të kulturës të Kosovës dhe Austrisë.

Po ashtu pata kënaqësinë të takohem me Andrea Mayer, Sekretare e shtetit në Ministrinë Federale për Art, Kulturë, Shërbim Civil dhe Sport. Bashkë diskutuam për intensifikimin e bashkëpunimit me fokus të veçantë në fushën e institucioneve të kulturës, muzeve dhe rritjen e shkëmbimit kulturor përmes artistëve të pavarur në Kosovë dhe Austri./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Sportin ta kthejmë në kulturë të shoqërisë

Sot, në Brezovicë, u përmbyll  ngjarja dy ditore “Tryeza e Sportit”, ku akterët më të lartë vendorë të komunitetit sportiv, diskutuan tema të ndërlidhura me këtë fushë.

Në vazhdën e diskutimeve u arritën disa përfundime dhe pajtueshmëri, të cilat do të ndihmojnë në orientimin e qeverisë dhe komunitetit të gjerë sportiv drejt zhvillimit të mëtejmë të sportit në vend.

Ndër pikat për të cilat palët u pajtuan për të vazhduar më tutje ishin:

Hartimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin e sportit, mbi parimin e gjithëpërfshirjes dhe integrimit të të gjitha palëve të interesit në vend. Si hap fillestar për hartimin e startegjisë, të pranishmit u dakorduan për rëndësinë e procesit të analizës së gjendjes ekzistuese të sportit, e cila do të fokusohet mbi dy shtylla kryesore: grumbullimi dhe përpilimi i bazës së të dhënave në sektorin e sportit dhe në infrastrukturën fizike sportive. Procesi i përpilimit të bazës së të dhënave, i cili do të filloj gjatë këtij muaji, do të bëhet në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe organizatave tjera qeverisëse të sportit në Kosovë.

Në temën e Sportit për të gjithë, me fokus të veçantë u adresua procesi i integrimit të aktiviteti fizik dhe sportiv në sistemin e arsimit në Kosovë. Përpos rëndësisë që kjo luan për zhvillimin e një shoqërie të shëndosh, me këtë qasje synohet të ndërtohet edhe sistemi i identifikimit të talentëve të rinj në sport dhe shndërrimi i sportit në kulturë shoqërore.

Për këtë, të pranishmit u dakorduan për inicimin e hartimit të programit “Sporti në shkolla”,  proces për të cilin do të nevojitet koordinimi dhe bashkëpunimi i thellë mes organizatave sportive dhe ministrive të linjës. Përtej kësaj, të pranishmit u dakorduan që në kuadër të këtij programi të rëndësisë së veçantë të adresohet edhe qasja, përkrahja dhe ofrimi i mundësive të barabarta edhe për personat me aftësi të kufizuar.

Një temë tjetër me rëndësi, ishte tema e Sportit Elitar, që ka të bëjë me ngritjen e rezultateve sportive në nivel shtetëror dhe përfaqësimi i sportit në arenën ndërkombëtare. Të pranishmit u pajtuan se me prioritet të lartë duhet trajtuar ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, i trajnerëve, stafit ndihmës – mjekë sportiv, fizioterapeut, psikolog, nutricist – e të tjera profile deficitare dhe të nevojshme për përgatitjen maksimale të sportistëve vendor.

Në lidhje me infrastrukturën fizike, fokusi duhet përqendruar në identifikimin dhe adresimin e nevojave emergjente në infrastrukturë, e më pas në investimet e mëdha të interesit nacional. Si fillim u dakordua që të krijohet një pasqyrë e qartë rreth gjendjes në teren, duke marrë parasysh shpërndarjen hapësinore të infrastrutkurës ekzistuese, demografinë në ato zona, kërkesat dhe nevojat. Në përfundim të kësaj analize, u dakordua të organizohet një takim i përbashkët ku do të diskutohet rreth orientimit strategjik për investime kapitale në fushën e sportit.

Pika e fundit për të cilën u diskutua gjatë këtyre dy ditëve, ishte diplomacia sportive. Përtej diskutimeve rreth rëndësisë dhe rolit të diplomacisë sportive për shtetin e Kosovës, të pranishmit u dakorduan që bashkarisht të hartojnë protokolle specifike të cilat do të udhëzojnë organizatat sportive për pjesëmarrje dhe përfaqësim në garat ndërkombëtare. Poashtu u diskutua rreth rëndësisë së organizimit të ngjarjeve dhe aktiviteteve të natyrës ndërkombëtare në vendin tonë për promovim dhe zhvillim të diplomacisë sportive.

Në përmbyllje të tryezës dy ditore, mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, z. Albin, Kurti, për të ritheksuar vëmendjen dhe dedikimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fushën e sportit. Kryeministri ndër tjerash foli për rëndësinë e masivizimit dhe shkëlqimit në sport. Ai tha se “E para do ta shndërroj sportin në kulturë të shoqërisë, me ndikim në shëndetin publik. Ndërsa e dyta, do ta bëjë diplomacinë sportive të suksesshme përmes të arriturave të larta në arenën ndërkombëtare”./ KultPlus.com

54 asete të trashëgimisë kulturore propozohen për mbrojtje të përhershme

Sot Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i ka dorëzuar Kryetares së Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore 54 dosje, propozime që 54 asete të trashëgimisë kulturore të hyjnë në listën e mbrojtjes së përhershme.

Dosjet për vlerësim janë dorëzuar me propozim të institucioneve kompetente të trashëgimisë kulturore në përputhje me ligjin për trashëgiminë kulturore, ndërsa i përkasin trashëgimisë arkitekturale dhe arkeologjike.

Ministri Çeku dhe kryetarja e KKTK-së, Halimi vlerësuan se në kuadër të koordinimit dhe bashkëpunimit të institucioneve të trashëgimisë ka ardhur edhe deri tek ky hap konkret në proces të mbrojtjes së aseteve të trashëgimisë tonë të pasur kulturore.

Kjo nismë do të hap rrugë drejt përfshirjes së trashëgimisë kulturore në plane hapësinore, duke mundësuar shfrytëzimin e potencialit që kemi për zhvillim ekonomik e mirëqenie sociale. / KultPlus.com

Çeku takohet me komunitetin artistik, diskutojnë reformën në ardhje të politikës kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku është takuar me komunitetin artistik në Kosovë për të diskutuar për reformën në ardhje të politikës kulturore, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Çeku thotë se nga janari do të vijojnë të takohen me komunitetet e librit, trashëgimisë kulturore, vallëzimit, skenës alternative të muzikës, arkitekturës, dizajnit, modës, artizanatet dhe grupeve të tjera në gjithë vendin.  

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij.

Diskutimet me komunitetin artistik për reformën në ardhje të politikës kulturore

Javëve të fundit kemi dinamizuar diskutimet e hapura me komunitetin artistik. Në ciklin e takimeve të rregullta kemi bashkëbiseduar me komunitetet e arteve pamore, kinematografisë, muzikës klasike, ansambleve folklorike dhe teatrit. Nga janari e tutje vijojmë me librin, trashëgiminë kulturore, vallëzimin, skenën alternative të muzikës, arkitekturën, dizajnin, modën, artizanatet dhe grupet e tjera në gjithë vendin.

Synimi ynë i përbashkët është reformimi i sektorit të kulturës. Kemi nevojë për institucione publike të kulturës që kanë pavarësi financiare, qeverisje të qëndrueshme, program cilësor, prezantim ndërkombëtar dhe audiencë të zhvilluar. Poaq i rëndësishëm është edhe rregullimi i bashkëpunimit strategjik të shtetit me skenën e pavarur kulturore, zgjidhja e statusit të artistit të pavarur dhe nxitja e krijimtarisë artistike në gjithë territorin e shtetit.

Shpreh mirënjohjen time për secilin e secilën për pjesëmarrje dhe kontribut. I inkurajoj të tjerët të na bashkohen në diskutimet e radhës. Çdo mendim, kritikë e propozim ka vlerë të madhe në hartimin e dokumenteve të reformës. Koncept dokumenti për kulturën do ta trasojë rrugën tonë drejt ndryshimeve të shumëkërkuara në sferën e kulturës. Bashkëbisedimi me komunitetin artistik është element qenësor i këtij procesi. Duhet ta ndërtojmë bashkë atë që më pastaj do ta zbatojmë bashkë./KultPlus.com

MKRS do të dorëzojë këtë jave propozimet për mbrojtje të aseteve të trashëgimisë kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se e kanë filluar plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës, i cili sipas tij, do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore. Çeku ka thënë se gjatë kësaj jave do të dorëzojnë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore.

Ministri i Kulturës ka folur në një tryezë të organizuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), ku këta të fundit kanë thënë se gjendja e monumenteve nuk është e mirë andaj sipas tyre nevojitet bashkëpunim ndërinstitucional.

Çeku: Gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë kulturore

“Në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Kosovës për trashëgimi kulturore kemi filluar me plotësimin e legjislacionit sekondar përkatës i cili do të krijojë një bazë të fortë për një proces profesional të vlerësimit të trashëgimisë kulturore sipas standardeve dhe parimeve ndërkombëtare. Gjithashtu pas një angazhimi intensiv të institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe në koordinim të ngushtë me KKTK-në gjatë kësaj jave do të dorëzojmë grupin e parë të propozimeve për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë sonë të pasur kulturore”, ka thënë ministri Çeku.

Çeku ka thënë se në muajt e fundit kanë filluar disa programe që sipas tij do të kontribuojnë në përmirësimin e situatës sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Këtu ai ka përmendur programin e sistemit të integruar të menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe ka thënë se përmes këtij programi do të sigurohet përfshirja e të gjitha të dhënave të kategorive të trashëgimisë kulturore në një platformë të përbashkët e të integruar.

E kryetari i Komisionit për Arsim dhe Kulturë në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola ka thënë se ky komision do të mbështesë të gjitha masat shtetërore që ruajnë identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovës.

Gola: Komisioni parlamentar për arsim dhe kulturë jep mbështetje maksimale për ruajtjen e identitetit dhe kulturës së Kosovës

“Sigurisht që na presin sfida nga më të larmishmet kështu që zhvillimi i qëndrueshëm dhe promovimi i trashëgimisë që tashmë kanë filluar të adresohen me programin qeverisës dhe mbi të gjitha edhe atë legjislativ, kështu që në emër të komisionit parlamentar për arsim dhe kulturë jap mbështetjen maksimale për mbarëvajtjen e masave shtetërore për të ruajtur identitetin, historinë dhe kulturën e Kosovës. Roli, përgjegjësia e punës dhe koordinimi i të gjitha hallkave institucionale është i një rëndësie të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetarja e Bordit të KKTK-së, Zanita Halimi ka thënë se trashëgimia kulturore në Kosovë duhet të mbrohet.

Halimi: Trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik

“Kjo tryezë duhet të shihet si platformë dialogu për të reflektuar në atë çfarë është arritur deri tani si një komunitet i lidhur me vlerat dhe qëllimin e përbashkët dhe atë që duhet të ndërmerret ende. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se trashëgimia kulturore është burim i çmuar në shumë mënyra, trashëgimia kulturore është e rëndësishme për zhvillim ekonomik, për atraksion turistik, është faktor identiteti, prandaj ne duhet të vazhdojmë ta mbrojmë atë, jo vetëm për rolin e rëndësishëm në rritjen ekonomike në punësim, por veçanërisht sepse është përgjegjësi e jona ndaj brezave të ardhshëm”, ka thënë Halimi./KultPlus.com

Ministri Çeku: Kemi mbështetur artet pamore me mbi 410 mijë euro për shtatë muaj e gjysmë

Të mërkurën në Kino Armata në Prishtinë është mbajtur takimi i dytë i ministrit, Hajrullah Çeku me komunitetin e arteve pamore në kuadër të diskutimeve të hapura për kulturë.

Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin artistët, të cilët ministri Çeku i informoi rreth punës që që është bërë në fushën e arteve pamore për këto 7 muaj e gjysmë dhe për idetë për të ardhmen. Ai i ka njoftuar të pranishmit për mbështetjen që u është dhënë arteve pamore gjatë kësaj periudhe.

“Në total nga të dhënat që i kemi tani, mbështetja për artet pamore gjatë kësaj periudhe rreth 8-mujorëshe është mbi 410 mijë euro. Në krahasim me vitin e kaluar kur ka qenë rreth 162 mijë euro, është një rritje e konsiderueshme, por gjithmonë me idenë që vitet në vijim do të kemi një rritje edhe më të madhe.” – deklaroi ministri Çeku, shkruan KultPlus.

“Kemi inicuar garantimin e Statutit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, bëhet fjalë për çështje të organizimit të brendshëm kryesitsht të Galerisë, proces ky që përfundon në fund të këtij viti me hartimin e statutit të ri”- ka thënë ministri Çeku duke shtuar se është iniciuar gjithashtu procesi i reformimit ligjor duke filluar me një koncept-dokument për ligjin për kulturën.

Pas fjalimit të ministrit Çeku iu dha fjala edhe artistëve që të shprehin kërkesat e dhe propozimet e tyre.

Piktori dhe dizajneri grafik, Fehmi Hoxha ka kërkuar nga ministri caktimin e një hapësire për vëndosjen e atelieve të artistëve pamorë. “Ne si, artistë të artit pamor kemi arritur ta prezantojmë në mënyrë dinjtioze shtetin e Kosovës, në shtetet e huaja, prandaj na duhet hapsësira dhe më shumë financim i qëndrueshëm”- shtoi ai..

Ndërkaq, ministri Çeku nisi përgjigjen e tij me lajmin se para dy ditësh ka qenë i pranishëm në hapjen e galerisë së re ‘Galeria e 17, si një nismë për rritjen e numrit të hapësirave për artistët e artit pamor.

“ Rritja e numrit të  galerive është një indikacion i mirë jo vetëm i cilësisë së produktit artistik por edhe një gjallëri nw komunitet. Si ministri kemi një rol lehtësues, janë edhe disa galeri të tjera nëpër komuna që kanë telashe me ekzistu dhe me punu, ne mund t’i akomodojmë edhe brenda skenave të financimit dhe do të provojmë t’i akomodojmë ato.

Kurse Refki Gollopeni, organizator i manifestimit “Festari”, i cili ka pasur sivjet 20 vjetorin e realizimit, vuri theksin tek prezantimi i kulturës dhe artit tonë në arenën ndërkombëtare që të caktohen vende në qendrat e mëdha botërore si hapësira ku do të ekspozoheshin veprat e artistëve të Kosovës.

“Është  shumë me rëndësi që këto organizme kulturore siç është ‘Festari’ ose kolonia artistike ndërkombëtare, ku kanë marrë pjesë profesorë të akademisë të Parisit, Londrës, Agjentina, Koresë së Jugut, Indisë etj. Ne kemi një fond të pikturave që përmban diku rreth 500 piktura e që është i nivelit të jashtëzakonshëm. Një pjesë të pikturave i kemi ekspozuar në hapësirt komunale, një pjesë tjetër në hapësirën e muzeut, por një pjesë të madhe e kemi që rrinë në hapësirat e depos sepse nuk kemi ku t’i ekspozojmë”

Më pas, Ministri Çeku për t’iu përgjigjur kësaj pyetje shpjegoi hapat që kanë ndërmarrë për diplomaci kulturore.

“ E para është emërimi i atasheve kulturore, ne kemi nevojë me dërgu njerëz nëpër ambasadat tona që mirren ekskluzivosht me kulturën dhe prezantimin e kulturës, 2. Janë qendrat kulturore në të cilat kemi diskutimet edhe me qeverinë e Shqipërisë që të mund të jenë të përbashkëta dhe e treat është fondi i mobilitetit” – shtoi ministri Çeku.

Pjesëmarrës të tjerë në këtë diskutim ishin edhe prof. dr. Shyqri Nimani, Zake Prelvukaj,Veton Gusia, Eshfer Qahili, Mentor Avdyli, Haki Xhakli, Adriana Kutllovci, Eshref Qahili, Qëndrim Llugiqi, Rina Gosalci, Naim Spahiu, Vatra Abrashi, Bardhë Nuza,  Dren Maliqi, Naska Gorani, Nita Qahili, Rina Begolli, Klodeta Krasniqi, Bislim Bislimi e Jehona Shyti./KultPlus.com

Ministri Çeku: Meddy na la në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese

Sot, si pasojë e infektimit me koronavirus ka vdekur fotografi kosovar, Meddy Huduti.

Për ikjen e hershme të fotografit Huduti ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku i cili e ka përshkruar atë si një artist të talentuar dhe ikonë të gjeneratës së re, por edhe personalitet modest dhe njeri shpirtbardhë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese. Fotograf që ka dokumentuar parreshtur jetën kulturore në Kosovë. Artist i talentuar dhe ikonë e gjeneratës së re, por edhe personalitet modest, njeri shpirtbardhë.

Ngushëllime familjes dhe miqve, gjithë komunitetit artistik. Ahmed (Meddy) Huduti do të rrojë përherë në fotografitë që na i bëri, ndër më të mirat që kemi./KultPlus.com

Ndahen shpërblimet shtetërore për xhudistet, Çeku: Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takim me ta

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

“Ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë”, thotë Çeku.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Nder i veçantë që sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të pres vajzat e arta të Kosovës, xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin Driton Kuka.
Së bashku më zëvendësministren, Daulina Osmani atyre u ndamë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takimi me ta. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që sportin e xhudos ta shtyjmë përpara, ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë. / KultPlus.com

Fillon restaurimi i kullës së Ramë Zeqë Sadrisë në komunën e Gjakovës

Ka filluar restaurimi i kullës së Ramë Zeqë Sadrisë në komunën e Gjakovës.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se kanë filluar restaurimi i kullës së Ramë Zeqë Sadrisë, kullë kjo e cila daton qysh  nga shekulli 19, shkruan KultPlus.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:

Kulla e Ramë Zeqë Sadrisë, e cila daton nga shekulli 19, ka shërbyer për banim dhe fortifikim. Në gjendje të rëndë fizike, është braktisur në pritje të ndërhyrjeve restauruese.

Pas një periudhe pritjeje mbi katër vjeçare, gjatë muajit shtator kanë filluar ndërhyrjet restauruese me qëllim të mënjanimit të mëtutjeshëm të degradimit të vlerave të kësaj kulle.

Sot së bashku me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, Ardian Gola dhe këshilltaren, Nora Arapi Krasniqi, vizituam kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë të Komunës së Gjakovës.

Tashmë kanë filluar punimet dhe ndërhyrjet emergjente në asetet e trashëgimisë kulturore në rrezik, dhe kjo kullë është një prej tyre. Mbrojtja e monumenteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore dhe rijetësimi i tyre, është prioritet në qeverisjen tonë dhe për këtë do të angazhohemi vazhdimisht./KultPlus.com

Çeku: Jam i lumtur që gjeneratat e reja do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e aktiviteteve sportive

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka përuruar inagurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, përcjell KultPlus.

“Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos.

Sot në qytetin e Pejës, në një ambient shumë të veçantë, të rrethuar me malet e bukura të Rugovës, përuruam Qendrën Nacionale të Xhudos.

Jam shumë i lumtur që tash gjenerata të tëra talentësh të rinj në sportin e xhudos, do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve sportive, të dedikuar pikërisht për ta. / KultPlus.com

Shpaloset ekspozita ‘Raffaello portertist’, Çeku: Mos e humbisni rastin të shihni një nga ekspozitat më të arrira artistikisht në Kosovë

Era Berisha

Gjithsej 14 vepra të përmasave origjinale të piktorit të njohur italian Raffaello Sanzio da Urbino, sot përmes teknikave inovative duke filluar pikërisht nga riprodhimet e pikturave të cilat jepnin iluzionin se çdo nuancë, ngjyrë, teknikë e ngjyrosjes e edhe detajet nga më të voglat, pothuajse dilnin nga pëlhura e tyre për të hyrë në vëmendjen e çdokujt e grabitur mendimet e tyre nën strofullën artistike, për të vazhduar me sistemin e ndriçimit të pasmë që dallohej si një siluetë e pikturave, e deri tek fotografitë të cilat i përkasin arkivave të televizionit publik italian RAI e të cilat shfaqeshin në një ndërlidhje të vazhdueshme kinematografike për syrin e pranishëm, shpalosën kështu ekspozitën e titulluar “Raffaello portretist” të kuruar nga historiani i artit Antonio Paolucci, shkruan KultPlus.

E tërë jeta e mjeshtrit të madh italian, Raffaello, të cilit në vitin 2000 i ishte shënuar 500 vjetori i vdekjes, kishte gjetur shtëpinë e përkohshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës duke shfaqur kështu vepra tejet të mrekullueshme dhe krejtësisht origjinale. I frymëzuar nga piktorët si Leonardo da Vinci dhe Michelangelo, Raffaello na dërgon në rrugëtimin pasionant të ndjenjave diversive përmes portretizimit të identiteteve reale të cilat shfaqeshin në mënyra të ndryshme në secilën pikturë.

Gjestet e duarve, pozita e personazheve, shfletimi i faqeve të Biblës, satenet dhe kadifet e veshjeve të papëve dhe kardinalëve, imazhet e një zgjuarsisë të mprehtë, stili antik, emblemat aristokratike, portreti i një dashurie të dalluar në teknikë, fisnikëria e të shkruarit, portrete të shkëlqyera në butësinë e përpiktë, mistere portretesh nga perspektiva e syrit të piktorit, simbole të shfaqura përmes kafshëve mitike, lumturia rinore, eleganca e peizazheve të ndërthurura mes etikës dhe estetikës si dhe sfondet poetike janë këto vetëm disa nga elementet që Raffaello ka përplasur para syrit të shikuesit e njëkohësisht duke na dërguar në botën e skenave groteske, erotike e mitologjike gati në çdo cep të Muzeut Kombëtar.

Perspektiva dhe syri i tij kërkon të shpalos një simfoni të nuancave të errëta duke nisur nga ngjyra e kuqe, e zeza e deri tek e bardha, të cilat evokonin një përqendrim e përhumbje mjaft të dëshiruar të të pranishmëve. Piktori vazhdimisht në një mënyrë paralele qëndron në transparencën e pëlhurës, mëndafshit si një peizazh ku shikuesi vëren hovin e rilindjes italiane e që në realitet ashtu edhe dukej; një renesancë e brendshme.

Të pranishëm në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci.

“Është një ngjarje ku shënohet një bashkëpunim i rëndësishëm kulturor mes Kosovës dhe Italisë. Jemi të lumtur që sot kemi mundësinë që para publikut të Kosovës të kemi një ekspozitë të veçantë të një prej artistëve të mëdhenj botërorë, i cili na sjell një dimension të rafinuar të paraqitjes artistike. Unë jam shumë i lumtur që si Ministri e Kulturës kemi mundësinë të jemi pjesë e organizimeve të tilla të nivelit ndërkombëtar”, thotë Çeku.

Sipas tij, një ekspozitë e tillë lëvizëse ka lëvizur në tërë botën dhe do të lëvizë ende, andaj lumturia që Muzeu Kombëtar i Kosovës është pjesë e një organizmi ndërkombëtar, është tejet e lartë.

“I bëj thirrje publikut që duke i respektuar masat pandemike, të mos e humbin rastin të shohin një nga ekspozitat më të arrira artistikisht që ndonjëherë prezantohet në Kosovë”, përfundon Çeku.

Ndërsa, Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci foli rreth rëndësisë që kjo ekspozitë ka për Muzeun Kombëtar.

“Falënderoj të gjithë të pranishmit që ishin prezent në këtë ngjarje të rëndësishme. Shpresoj se këso bashkëpunime do të kemi edhe në të ardhmen. Është tejet e rëndësishme që kjo ekpozitë është shfaqur sepse është një organizim ndërkombëtar mjaft i rëndësishëm”, thotë Leci.

Po ashtu, Zv. Ambasadori i Ambasadës Italiane, Ugo Ferrero

“Ne jemi shumë të lumtur që po shpalosim këtë ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Hapja e kësaj ekspozite ka qenë shumë e rëndësishme sepse sjellja e një artisti të njohur italian si Raffaello, i cili ndërlidh klasiken dhe teknologjinë e re, është shumë e rëndësishme, andaj edhe ftojmë të gjithë që të vijnë ta shikojnë dhe të kënaqen me këto vepra të mrekullueshme”, thotë Ferrero.

Ekspozita “Raffaello portretist” është promovuar nga Ministria e Punëve te Jashtme e Italisë dhe Raicom, në kuadër të projektit Opera Omnia.

Ekspozita e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, do të qëndroj e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës çdo ditë nga e marta, 21 shtator deri te dielën 10 tetor 2021 (orari 10:00 – 18:00), përveç të hënave.

Ekspozita, e cila tashmë ka ndaluar në Tunizi, Turqi dhe Finlande, pas Kosovës do të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut. / KultPlus.com

Çeku: Ekspozitat ‘GrandArt’ dhe ‘Nuk është diçka e njëanshme’, dy rrugëtime magjepsëse

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka shpalosur përshtypjet e tij rreth dy ekspozitave si: ‘GrandArt’ dhe ‘Nuk është diçka e njëanshme’, ekspozita këto tejet të veçanta e të cilat në vete ngërthejnë në vete rrugëtime krejtësisht të ndryshme por shumë të bukura, përcjellë KultPlus.

“Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Dy ekspozita të veçanta, dy rrugëtime magjepsëse
Sot vizituam dy ndër qendrat tona të artit pamor, Galerinë Kombëtare dhe Galerinë e Ministrisë së Kulturës.
Bashkë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, deputetët Fitim Uka dhe Ardian Gola dhe këshilltarin politik Liburn Jupolli patëm rastin të zbulojmë botën e harruar dhe “të fshehur” të një epoke të tërë nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e deri tek vitet e pasluftës me ekspozitën e veprave të Hotel Grand, të cilat u bënë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare në vitin 2020. Aty u pritëm nga Kryetarja e Këshillit Drejtues të GKK-së Zake Prelvukaj dhe u.d. Drejtori i GKK-së Naim Spahiu.
Ekspozita “GrandArt” jo rastësisht është ndër më të vizituarat, ajo përfshinë veprat e emrave kulmorë të artit, si Shyqri Nimani, Agim Çavdarbasha, Fatmir Krypa, Gjelosh Gjokaj, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri e Simon Shiroka ndër të tjerë.
Vizitën e dytë e realizuam në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, te Qafa. Aty zbuluam botën e veçantë të Adem Dërmakut, një zë me shumë karakter dhe një gjuhë shprehëse pamore që përshkon tregime nga personale deri tek ato shoqërore të një personaliteti që vepron jashtë Kosovës, përplot me tregime për Kosovën. Ekspozita “Nuk është diçka e njëanshme” është kuruar nga Eleni Laperi, ndërsa sot në Galeri u pritëm nga koordinatorja Dhurata Ramosaj. / KultPlus.com

Ministri Çeku priti drejtuesit e ri të KOK-ut

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, priti në takim drejtuesit e ri të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi – kryetar dhe dy nënkryetarët, Eugen Saraçini dhe Gazmend Maxhuni.

Ministri Çeku i uroi drejtuesit e KOK-ut për marrjen e detyrës për një cikël të ri olimpik 4 vjeçar. Ministri tha se ministria do t’i qëndrojë prapa KOK-ut dhe organizatave sportive.

“Sportistët dhe organizatat sportive janë ato që do t’i paraprijnë proceseve kurse ne si ministri do të jemi në mbështetje dhe si lehtësues në avancimin e mëtejmë të sportit”, tha ndër të tjera ministri Çeku, duke ofruar gatishmërinë e plotë të përkrahjes së MKRS-së për KOK-un dhe organizatat sportive.

Ndërkaq, kryetari i ri i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e uroi ministrin për detyrën e re. Ai tha se deri më tani kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me ministrinë. “Synimi i ynë është që të arrijmë suksese edhe më të mëdha në sport, sidomos në prezantimin e Kosovës jashtë vendit”, tha Krasniqi.

Ministri Çeku e kryetari Krasniqi vlerësuan se synimi i përbashkët për avancimin e sportit dhe arritjen e sukseseve të reja do të bëhet përmes një koordinimi të ngushtë dhe një bashkëpunimi e komunikimi dy palësh, organizatave sportive si prijatar të proceseve dhe MKRS-së si mbështetës e lehtësues. / KultPlus.com

Shqipëria u vizitua nga 5 milionë turistë në 2017 (VIDEO)

Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku shpalos strategjinë e këtij institucioni për vitin 2018 duke veçuar si prioritet shtrirjen gjithëvjetore të lëvizjes turistike dhe rritjen e shërbimit te vizitori.

Duke konsideruar se viti 2017 pati një rritje të konsiderueshme të vizitorëve të huaj në vendin tonë, një shifër që arriti deri në 5 milionë turistë që vizituan Shqipërinë në të katër stinët, obligimi ynë është që kjo shifër të rritet për vitin 2018, tha zv.ministri Çeku për ATSH-në.

Më tej, ai solli dhe shifra konkrete mbi të ardhurat në buxhetin e shtetit nga turistët e huaj që kapin shumën e rreth 1.5 miliardë lekë. Duke u ndalur te turizmi gjithëvjetor, Çeku nënvizoi se bregdeti mbetet prioritar, por ai është shumë pranë maleve që po marrin një akses të veçantë në shtrirjen turistike.

Për operatorin turistik që vepron i pavarur, por i monitoruar nga strukturat qeveritare, zv.ministri tha se atë do ta konsiderojmë si faktor kryesor në zhvillimin dhe prezantimin tonë turistik në botë, por edhe duke e nxitur në investimet e tij për sa i përket infrastrukturës, kulturës dhe higjienës së shërbimit.

Është ky operator tha Çeku, që bënë edhe promovimin, por edhe shpërndarjen e vizitorit të huaj në ambientet tona të vizitueshme.

Infrastruktura rrugore dhe mjedisore është një tjetër prioritet i Ministrisë së Turizmit për 5 vitet e ardhshme duke theksuar se për këtë vit rritja e të ardhura nga turizmi do të jetë rreth 6.2%, ndërsa në fund të vitit 2027, çdo 3 të punësuar, njëri do të jetë i punësuar në turizëm ose në sektorët që lidhen me turizmin.

“Duke përcaktuar më saktë zonat me vlera turistike, do të mund të shpallen projekte për të investuar”, thotë Çeku.

Trendi i turizmit në vendin tonë është vlerësuar dhe nga operatorë apo media të huaja, duke e cilësuar Shqipërinë si një destinacion të veçantë në Ballkan. / KultPlus.com

Tre zëvendësministrat nga Kosova të emëruar në Qeverinë Rama, njihuni me profilin e tyre

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar sot listën e zëvendësministrave në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Bazuar në këtë listë, në Qeverinë e Shqipërisë, risia e emrave të zv/ministrave ishin edhe tre emrat nga Kosova. Valbona Shujaku emërohet zv/ministre e Kulturës, Hajrulla Çeku – zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa Besa Shahini në Ministrinë e Arsimit, shkruan KultPlus.

Valbona Shujaku vjen nga Prishtina – aktualisht e angazhuar në drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ndërsa tani e emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri në Qeverinë e re të Edi Ramës.

Hajrulla Çeku vjen nga Prizreni – ai është aktivist i shoqërisë civile dhe mbrojtës i trashëgimisë kulturore dhe gjithashtu drejton organizatën EC Ma Ndryshe, organizatë me bazë në komunitet që angazhohet për mbrojtjen e qyteteve të Kosovës. Ka përfunduar studimet master në qeverisje dhe zhvillim lokal. Ai njihet edhe si autor i shumë shkrimeve që lidhen kryesisht me problemet sociale. Çeku tashmë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, dhe i njëjti e ka konfirmuar se i është besuar kjo detyrë.

Ndërsa Besa Shahini e cila vjen nga Prishtina – tashmë e emëruar zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Deri në verën e vitit 2015, Besa ka punuar si analiste me oganizatën me bazë në Berlin, Inciativa Europiane për Stabilitet (ESI). Ajo herë pasë herë ligjëron dhe shkruan për gazetat ditore në Kosovë. Besa ka master nga HertieSchoolof Governance në Berlin.

Shahini pas marrjes së detyrës nga Edi Rama ka konfirmuar marrjen e detyrës dhe ka folur rreth punës që do ta bëjë në fushën e arsimit në Shqipëri.

“Kryeministri Rama sot më emëroi zëvendësministre të Arsimit në qeverinë shqiptare. Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtutjeshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri. Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon. Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”, ka shkruar Shahini. / KultPlus.com