Sot janë bërë 26 vite pa Zahir Pajazitin, njërin ndër komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), shkruan KultPlus.
Pajaziti lindi më 1 Nëntor 1962 në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës dhe ra dëshmorë më 31 Janar 1997 në fshatin Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, pasi ra në një pritë të organizuar nga forcat serbe. Ai njihet si Pushka e Parë e Lirisë dhe pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Sot, në këtë përvjetorë të 26-të, në sheshin që mban emrin e tij, presidentja e vendit dhe kryeministri bashkë me ministra të tjerë, kanë bërë homazhe te përmendorja e tij në Prishtinë.
Presidentja Vjosa Osmani është shprehur se këta heronj do të jenë gjithnjë në zemrën dhe kujtesën e secilit.
“26 vjet më parë që prej se lajmëtarët e lirisë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha e fituan përjetësinë duke u bërë heronjtë e Kosovës dhe frymëzuesit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit. Ata mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën, i dhanë shtytje realizimit të idealit të brezave për liri dhe pavarësi, ndaj do të kujtohen çdoherë me nder e respekt. Emrat e tyre do të jenë gjithnjë në zemrën dhe kujtesën e secilit”, thuhet në postimin e saj. / KultPlus.com
Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike.
Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, kur hasën në pritën e vënë nga forcat pushtuese në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë.
Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë. Si rezultat i kësaj pune Zahiri dhe aktivistët e Orllanit krijojnë Shtabin e Njësisë Guerile në Orllan, shkruan KosovaPress.
Në vitin 1991 pasi që në Kosovë fillojnë që punët e ilegales të koordinoheshin me legalen Zahiri shkon në Shqipëri për qëllime ushtarake. Me të kthyer në Kosovë në vitin 1992, grupi i tij zbulohet dhe Zahirit i duhet të kalojë në ilegalitet për disa muaj. Deri në 1992 ai kontribuoi në furnizimin me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit.
Gjatë vitit 1994, Zahiri filloi të angazhohet edhe në pjesë tjera të Kosovës për krijimin e UÇK-së. Kështu, ai është një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake.
Zahiri shquhet në këtë kohë si organizues dhe zbatues i shkëlqyeshëm i sulmeve guerile ndaj forcave serbe në Kosovë, po veçanërisht në rajonin e Llapit.
Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.
Zahiri ishte drejtuesi i njërës nga degët e mëdha të luftës, që më pas, natyrshëm, është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë drejtues i njërës nga degët e mëdha të luftës, ai ishte njëkohësisht edhe njëri nga bashkëkrijuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edmond Hoxha ishte junikasi që kishte ndër mend të krijonte përmasat e reja të traditës së tij familjare, apo të Kosovës. Duke qenë se në moshën gjashtëvjeçare, kur ishte ende fëmijë, kishte parë prangimin e burgosjen e të vëllait të tij të madh, Xhavitit, duke qenë se nga kjo që kishte parë kishte pasur dhimbje, por nuk kishte pasur thyerje.
Edmondi ishte studenti mes dëshirës për t’u bërë ushtarak dhe njeri i shkencave, i riu që kishte zgjedhur të bënte një jetë ndryshe e megjithatë tepër rinore, ndoshta më shumë se gjithçka ai do të niste një rrugë që njerëzit e tij e kishin hapur, me gjithë dhimbjen që kishte mbartur ajo, me gjithë gjakimin që kishin përjetuar e do të përjetonin.
Hakif Zejnullahu kishte një heshtje të jashtëzakonshme, ashtu siç e kishte edhe punën të jashtëzakonshme. Është një nga rastet më të veçanta të luftës, kur një figurë e rëndësishme si ai të ketë qëndruar, me një natyrshmëri të thellë, në vendin që i ishte caktuar, si zëvendës i Zahir Pajazitit dhe ndihmës i tij, dhe e gjithë kjo të ishte shumë e heshtur.
Hakifi dhe Zahiri ishin jo thjesht nip e dajë, por kishin të përbashkët gjithçka të virtytshme. /KultPlus.com
Sot 22 vjet më parë, kombi ynë përjetoi një nga goditjet më të mëdha. Humbi komandantin dhe dy personalitetet më domethënëse të luftës për liri dhe pavarësi.
Kështu u tha në akademinë përkujtimorë ku me nderime të
larta u vlerësuan heronjtë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha,
në 22 vjetorin e rënies së tyre, raporton Ekonomia Online.
Ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa,
përkujtoi heronjtë duke i cilësuar si emblemë të luftës për lirinë e vendit.
“Lufta e UÇK përfundimisht hapi rrugën dhe perspektivën për
jetë më të mirë të shqiptarëve në trojet e veta në gadishullin ilirik. Lufta
çlirimtare në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20 është ngjarje me ndikim
në marrëdhëniet ballkanike, evropiane e botërore. Komandanti Zahir Pajaziti
ishte strategu më i shquar i UÇK-së. Mbi të gjitha ishte personalitet emblemë i
luftës për liri”, u shpreh Mustafa.
Komandant Remi shtoi se Zahir Pajaziti, ishte organizator i
ushtrisë, anëtar dhe një nga themeluesit e shtabit të UÇK-së brenda vendit.
Ai e quajti Pajazitin si figura qendrore dhe identifikuese e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa për Zejnullahun dhe Hoxhën, tha se
asgjë nuk i ndali në misionin e tyre të shenjtë.
“Nismat e tij ishin të çmuara. Si i tillë komandanti do
mbetet gjithmonë në historinë tonë kombëtare shqiptare. Madhështia e rënies së
heroit tonë është rënia e tij përkrah dëshmorëve Haki Zejnullahu dhe Edmond
Hoxha. Ishte domethënës besimi që Hakiu kishte krijuar tek shokët. Edmond Hoxha
është dëshmi e tejkalimit e rretheve të UÇK-së dhe sinonim i madhështisë të UÇK-së.
Haki Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën asgjë nuk i ndali në misionin e tyre të
shenjtë. Rënia e tyre u bë dritë për kombin dhe lirinë. Jemi me fat që po
ndërtojmë vendin tonë drejt të ardhmes së ndritur në bashkëpunim me miqtë
tanë”, shtoi Mustafa.
Ndërsa, Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë, duke
kujtuar luftën e UÇK-së, tha se ajo ishte e mbështetur në mendje të mëdha
ideore të tilla si ato të tre heronjve.
Sipas Sylës, rënia e tyre ishte sa heroike edhe krenare në
mbrojtjen e identitetit dhe krenarisë kombëtare.
“Për një kohë lufta çlirimtare ra ndesh me filozofinë dhe
politikën e kohës. Më vonë u ndryshua. Lufta e UÇK-së ishte e mbështetur në mendje të mëdha ideore.
Mbështetur në këtë madhështi të heronjve siç ishte Zahir Pajaziti me luftëtarë
të tij, u arrit çlirimi dhe liria”, tha Syla.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se duhet të bëhet
më shumë që kujtimi të mbetet i gjallë për brezat e tjera.
“Duhet të bëhet më shumë që kujtimi për ta dhe lufta që bën
të mbetet e gjallë edhe për breza të tjerë. Ka aq shumë rënie krenare sa duhet
të bëjmë më shumë që kjo të mbetet gjallë edhe për brezat e ardhshëm ”, tha
Gucati.
Fakete Hoxha, motra e Edmond Hoxhës, iu drejtua të
pranishmëve, udhëheqësve të vendit që të jenë bashkë për të mirën e Kosovës
ashtu si dikur që ishin bashkë për lirinë e saj.
“Prapë sot më duket se kanë një porosi, kthehuni para 22 viteve
ata që ishit, kujtoni edhe sot. Kthehuni tek vetja, kujtojeni karakterin tuaj
për Kosovën dhe vendosni sot siç keni qenë atëherë së bashku”, tha Hoxha.
Zahir Pajaziti u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond
Hoxhën.
Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish -Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin ‘Hero i Kosovës’. /KultPlus.com