Petrit Halilaj fiton çmimin ‘STROMBOLI 2024’  për Art Bashkëkohor

Artisti Petrit Halilaj është shpallur fituesi i çmimit ‘Premio Stromboli 2024’ për Artin Bashkëkohor.

I karakterizuar nga veçantia e ishullit Stromboli dhe energjia e vullkanit aktiv të tij, Çmimi Stromboli është një mirënjohje në fushat e Artit Bashkëkohor, WEB3/Dixhital dhe Kërkimeve Akademike. Për 5 ditë, ishulli shndërrohet në një anije multidisiplinare të kulturës, përvojave dhe rrjeteve krijuese.

Në një komunikatë për media thuhet se një ekspozitë e veprave artistike të Halilajt do të shfaqet gjithashtu në ishull, duke shtuar edhe më tej tapetin e pasur të ngjarjeve.

Artisti Petrit Halilaj shprehu mirënjohjen e tij për organizimin dhe çmimin ia dedikoi ish-profesorit të tij, të ndjerit Alberto Garutti. Për nder të Garuttit, Halilaj njoftoi se të ardhurat e çmimit Stromboli 2024 do t’i dhurojë fondacionit “Hajde”, fondacionit në Runik. Ai shpreson se kjo mirënjohje do të ndihmojë në frymëzimin dhe mbështetjen e më shumë projekteve artistike në Kosovë.

Ishulli Stromboli do të presë gjithashtu ekspozitën Eroico (il) paesaggio (Peizazhi Heroik) në Kishën e San Bartolomeos. Ekspozita do të reflektojë mbi kompleksitetin dhe rëndësinë e peisazhit natyror, si një realitet i jashtëm ashtu edhe një dimension i brendshëm. Pesë finalistët e çmimit Stromboli, Yuri Ancarani, Benni Bosetto, Irene Fenara, Petrit Halilaj dhe Renato Leotta, do të prezantojnë punimet e tyre duke eksploruar temën e elementit natyror dhe forcën e tij, fizike dhe imagjinative, në një epokë të karakterizuar nga kriza klimatike. Gjuhët e tyre të ndryshme artistike, nga piktura në skulpturë, fotografia në video, ofrojnë një vizion të thellë dhe reflektues të peizazhit bashkëkohor.

EJA KËTË VERË

Petrit Halilaj po merr pjesë në ekspozita të ndryshme këtë verë, duke përfshirë prezantimin e tij solo në Komisionin Met Roof Garden në Nju Jork. Projektet tjera përfshijnë: Performer dhe Pjesëmarrës në Tate Modern, Londër dhe “When the Sun Goes Away We Paint the Sky” në Merian, Basel.

Qielli i NewYork-ut hapet me ‘Abetaren’ e artistit Petrit Halilaj

Për të parën herë, një artist kosovar komisionohet dhe ekspozon punën e tij në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, të Shteteve të Bashkuara. Duke filluar këtë të hënë, 29 prill 2024, peisazhi skulptural ‘Abetare’ i Petrit Halilajt, prej figurash nga bronzi dhe hekuri, do të jetë i përhapur anembanë terracës së Muzeut MET, deri më 27 tetor 2024. Ky projekt gërsheton realitetin dhe imagjinatën përmes vizatimeve të fëmijëve, marrë nga shkarravinat e gjetura në bankat e shkollës në Runik, Kosovë, ku ai vijonte mësimet, si dhe në shkolla të tjera të rajonit.

Për artistin Petrit Halilaj, ‘Abetare’ është më i rëndësishmi i karrierës së tij. “Ajo që dikur ishte e pa materializuar, intime dhe e bërë fshehurazi, tani është shkallëzuar në një peizazh skulptural mbi qiellin e qytetit që ndezë ëndrrat e shumëkujt” shprehet artisti në rrjetet e tij sociale pak para hapjes së instalacionit skulptural në terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor të MET për publikun.

Për punën e suksesshme të Halilajt, po shkruajnë edhe mediat e huaja prestigjioze, vlerësimet e të cilave po e ngrisin artistin kosovar në majë të artit bashkëkohor. Revista e njohur amerikane ‘Vogue’ në një bashkëbisedim me artistin Petrit Halilaj, shkruan që artisti i lindur në Kosovë, po sjellë dicka të jashtëzakonshme, fantastike e poetike në çatinë e Muzeut MET. Në anën tjetër, edhe pse pa shpalosur shumë detaje nga MET, as Halilaj nuk mund ta fsheh entuziazmin e tij për këtë arritje. “Ajo që unë po sjell është më tepër ndjenja e ndërtimit të një harte personale dhe trajektoreje të jetës sime duke ndërthurrur ëndrrat dhe imagjinatën time me realitetin. Jam aq i lumtur që kam zbuluar një mënyrë për të shprehur jo vetëm ëndrrat e fëmijërisë sime, por edhe ato të shumë fëmijëve në të gjithë botën.” shton Halilaj.

Edhe drejtori i MET, Max Hollein, e quan artistin kosovar si tejet përparimtar dhe ndërkombëtar në fushën e tij. “Rrëfimi që Petriti gjithmonë po tregon është historia e tij, por është gjithashtu historia e shoqërisë sonë. Ai na dhuron një përvojë emocionale dhe personale, dhe përmes artit të tij, e bën këtë si diçka me të cilën një gjeneratë e tërë mund të personifikohet. Dhe kjo e bën atë tejet të fuqishëm.”

Instalacioni skulptural i artistit Petrit Halilaj, në terracën e Muzeut Metropolitan të Artit, në New York, është i hapur për publikun prej 30 prill deri më 27 tetor 2024./ KultPlus.com

Instalacioni i Petrit Halilajt do të ekspozohet në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork

Instalacioni i artistit të mirënjohur, Petrit Halilaj, do të ekspozohet në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork.

Kështu ka njoftuar vetë muzeu kur shpalli sot artistët për komisionet bashkëkohore 2024, shkruan Klan Kosova.

Petrit Halilaj do të prezantojë një instalacion specifik për Kopshtin e Çatisë së Muzeut, Iris dhe B. Gerald Cantor;

Komisioni për Kopshtin e Çatisë: Petrit Halilaj do të jetë i hapur nga data 29 prill deri më 27 tetor 2024.

Për Komisionin Kopshti i Çatisë- i dhjeti në serinë e komisioneve specifike për hapësirën e jashtme – Halilaj do të transformojë çatinë me një instalacion të gjerë skulpturor.

Puna e artistit është e rrënjosur në biografinë e tij, e lidhur thellësisht me historinë e vendit të ri të Kosovës (i shpallur shtet i pavarur në vitin 2008)—dhe përvojën e tij të jetuar përmes luftës dhe konfliktit në rajonin e Ballkanit në vitet 1990 si fëmijë refugjat.

Halilaj përdor artin si një mjet kritik për të reflektuar dhe hetuar çështjet e identitetit, çështjet e zhvendosjes, ndërfaqen e historive personale dhe globale dhe identitetet queer./KlanKosova/KultPlus.com

Halilaj: Pranimi im në Akademinë e Artit Botëror, mundësi për lidhje urash mes Kosovës dhe akademive të tjera

Petrit Halilaj është shprehur tejet i lumtur që është pranuar si anëtar i Akademisë së Artit Botëror në Koln të Gjermanisë.

Ai për Klan Kosova ka thënë se këtë e sheh si mundësi për të lidhur ura të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe anëtarëve të akademive të vendeve të tjera nga mbarë bota.

“Shpresoj që t’i ndajë njohuritë, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin”, është shprehur Halilaj.

“Është mundësi e mirë për bashkëpunim me anëtarët e tjerë nga bota e kulturës dhe që bashkë të mund të marrim vendime, ta vendosim programin. Personalisht mund ta sjell përvojën që e kam fituar ndër vite dhe lidhjen që e kam me Kosovën por edhe rajonin”.

Halilaj ka thënë se nuk i di saktësisht procedurat nëpër të cilat ka kaluar emri i tij deri në përzgjedhjen anëtar i akademisë./KlanKosova/KultPlus.com

Instalacioni i ri i Petrit Halilajt, kritikë ndaj qëndrimeve anti-LGBTQ të qeverisë italiane

Dyshja e artistëve, Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, e kanë zbuluar një vepër të re arti që kritikon qëndrimin anti-LGBTQ+ të qeverisë italiane me prirje të djathtë.

Vepra Ansambli Lunar i Detërave Uprising përfshin 39 skukptura alumini të krijesave fantastike hibride të cilat ndodhen nën një hënë në formë veze.

Secila skulpturë pastaj mund të shërbejë si instrument muzikor që mund të luhet në mënyrë ad hoc, duke krijuar tinguj që janë edhe në harmoni por edhe në mosharmoni, shkruan The Art Newspaper.

Halilaj ka thënë që instalacioni ka të bëjë me “të ardhmen e queer-it”, dhe për “bashkarinë plurale”.

Ai dhe Urbano janë çift edhe në jetë personale por edhe në atë profesionale, mirëpo zakonisht punojnë ndaras.

“Si çift të ardhur këtu, dhe po ashtu në lidhje me Italinë politikisht, ishte e rëndësishme ta sillnim një vezë të bërë nga dy djem. Ka vend për të gjithë në shoqëri”, ka thënë Halilaj.klankosova/KultPlus.com