Kori i Filharmonisë shënon 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, prezantohet edhe vepra premierë e Hajrullah Sylës ‘Like the Touch of Rain’

Vjollca Duraku
Foto: Enes Sahiti

Në akustikën e mrekullueshme të Kishës “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës, Ansambli Harkor dhe pianisti Andi Duraku, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla dhuruan spektër emocional përmes një koncerti të pasur artistik, i cili u mbajt për të shënuar 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, shkruan KultPlus.

Ambienti i errët dhe i ftohtë i sallës ku mbahej mbrëmja artistike që ndërthurte elegancën, seriozitetin dhe misterin i jepte koncertit një karakter mjaft të veçantë, ku në fokus qe edhe vepra premierë “Like the Touch of Rain”, e cila ishte kompozim i vet dirigjentit Syla.

Interpretimi harmonik i tingujve të koristëve me pianon dhe ansamblin harkor që rrjedhte aq natyrshëm me drejtimin e dirigjentit, i cili ishte edhe kompozitori i veprës, mundësoi që fillimisht premiera të prezantohej me një kualitet të lartë, e më pas si e tillë edhe të pranohej nga audienca në sallë.

Vepra “Bash n’zaman të djelmënisë” e kompozitorit Halit Kasapolli e cila u interpretua në nderim të jetës dhe veprës së tij, u dallua nga veprat tjera përmes tingujve mjaft të veçantë. Ndërsa pika interpretuese “Spirit” e Rawn Harbor, i shtoi gjallërinë sallës me tinguj më të lartë dhe më dinamikë duke lënë një shije fantastike te publiku.

Kurse në interpretimin e veprës “Sei, lieber Tag, willkommen” të autorit  Johannes Brahms, fillimisht tërhoqi vëmendje radhitja e antarëve të Korit të Filharmonisë, të cilët në dy radhë u shfaqën të përzier grupi i burrave dhe ai i grave. Pastaj ishte energjia dhe timbri i tyre ai që  mori me vete audiencën deri në fund të koncertit.

Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e mbrëmshëm ishin: “Der Gang zum Liebchen” nga Johannes Brahms, “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, “ Becoming the Ocean” nga Jake Runestand, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “I am the world” nga Lauren Biggs dhe “Jupiter” nga Michael Ostrzyga, të cilat publiku po ashtu i mirëpriti mjaft mirë.

Krejt në fund të koncertit Dirigjenti Hajrullah Syla tha se ndihet shumë i kënaqur që para publikut arritën të paraqesin në mënyrën më të mirë të mundshme një program me kërkesa të larta artistike.

“Gjatë gjithë kohës së interpretimit të koncertit të sotëm kam pasur një ndjenjë tepër të mirë. E pata një feedback mjaft të mirë edhe nga kori kështu që jam shumë i kënaqur me gjithë koncertin. Për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur që ta sjellim në mënyrën më të mirë të mundshme para publikut një program të tillë, i cili ishte mjaft sfidues atraktiv” është shprehur dirigjenti Syla.

Sigurisht, gjithë entuziazmin për koncertin e interpretuar dirigjentit Syla ia shtonte edhe fakti që publiku e priti mjaft mirë edhe veprën “Like the Touch of Rain” të kompozuar nga vetë ai.

“Vepra ime është e shkruar për këtë koncert. Ishte një premierë për të cilën është menduar gjatë për t’u shkruar. Përbëhet nga një formacion instrumentistësh harkorë – piano – kor mix. Jam shumë i kënaqur me interpretimin e veprës dhe po besoj që energjia dhe gjithë ajo çka kam dashur të shprehë përmes muzikës është përcjellë sonte te publiku të cilët edhe e pritën mjaftë mirë”, ka thënë Syla duke potencuar se reagimi i publikut e drejton një artist menjëherë drejt krijimeve të tjera

“Për mua si krijues është frymëzim dhe thjesht një shtytje për të vazhduar tutje. Realisht kompozimi është pjesë e jetës sime, është profesion i imi, kështu që sigurisht që kur vepra pritet mirë nga publiku atëherë kompozitori, nuk ka çfarë pret tjetër përveçse të filloj menjëherë me vepra të tjera”, ka përfunduar ai.

Kurse për pianistin Andi Duraku puna për të sjellë këtë koncert premierë ishte kënaqësi e madhe, pasi pjesëmarrëja e muzikantëve profesional ia lehtësonte mjaft shumë punën.

“Me të vërtetë ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ishin të  gjitha veprat premierë që u ekzekutuan për herë të parë për publikun tonë. Secila vepër mendoj se është realizuar në maksimumin e tyre. Unë kisha kënaqësinë të interpretoj në shumicën prej tyre me piano. Me të vërtetë është kënaqësi sa herë që bashkëpunoj me këtë kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla” ka thënë pianisti Duraku.

Ndërsa, konert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, i cili në koncert mori pjesë edhe si shikues edhe si interpretues tha se Kori i Filharmonisë në këtë koncert pati një paraqitje mjaft dinjitoze.

“Sonte isha në rolin e udhëheqësit të Ansamblit Harkor, që ka qenë i inkorporuar me Korin e Filhrmonisë, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Ne si ansambël kemi performuar një pikë, tjerat kanë qenë të gjitha me piano dhe kor. Me të vërtetë kori ka qenë sonte shumë, shumë në nivel të bukur me tinguj të homogjenizuar, ritmikisht, gjithmonë bashkë, me harmoni në mes të tyre. Është vërejtur një dinamikë shumë bukur e thksuar me shumë oscilime, piano dhe de forte” është shprehur koncertmjeshtri Fanaj i cili pati komente shumë pozitive edhe për veprën premierë të dirigjentit Syla.

“Me të vërtetë ka bërë një vepër shumë interesante, shumë të bukur, moderne, kontemporane. Gjithashtu ka pasur edhe sentiment në atë vepër. Mua më ka pëlqyer dhe për këtë e përgëzoj dirigjentin Syla. Besoj që kjo vepër tashmë do të performohet edhe në qytete dhe shtete të tjera” ka thënë Fanaj.

Kurse antarja e Korit të Filharmonisë, Elona Sadiku, për KultPlus është shprehur se se ndihet e lumtur që pas një pune shumë të lodhshme koncerti kishte rezultuar me një performancë mjaft të suksesshme.

Për koristen Sadiku vepra “ Bash n’zeman…” i kishte lënë një ndjenjë të thellë gjatë interpretimit ngase ishte dedikim për kompozitorin Halit Kasapolli.

“Ka qenë vepra “Bash n’zeman…” nga kompozitori Halit kasapolli e cila më ka prekur jashtëzakonisht shumë për shkak se e ka përshkruar jetën e tij të shkurtër si kompozitor. Kjo vepër që është sjellë me aranzhim të kompozitorit Hajrulla Syla tregon historinë e tij se si një sëmundje për një kohë të shkurtër ja ka marrë jetën. Për mua kjo ka qenë kjo pika më e ndjeshme”, ka përfunduar Sadiku./KultPlus.com

Të hënën hapet shkolla e re e muzikës ‘Halit Kasapolli’ në Pejë

Të hënën me 23 Maj në ora 12:00, bëhet ceremonia e hapjes e shkollës së RE e muzikës “Halit
Kasapolli”. Pas shumë dekadash pune në kushte jo të mira këtij kapitulli po i vjen fundi. Tashmë
qyteti i Pejës po bëhet me shkollë të re, shkollë e cila është ndërtuar dhe dizajnuar sipas
standardeve të larta duke ju përshtatur specifikave të veçanta që kërkohën në muzikë. Nxënësit
dhe gjeneratat e ardhshme padyshim që do të gjejnë frymëzim. Po punohet vazhdimisht që
shkolla në të ardhmen të plotësohet me instrumente dhe drejtime të citat janë në mungesë të cilat
do të ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e gjeneratave të reja, kështu qyteti i Pejës gjithnjë po
bëhet më i pasur.

“Ndihem shumë e lumtur për hapjen e objektit të ri shkollor, të shkollës së muzikës “Halit
Kasapolli“ në Pejë, objekt me standarde që plotëson gjithë nevojat e të mësuarit bashkëkohor. Në
ngritjen time profesionale Shkolla “Halit Kasapolli” ka vend të veçantë për shkak se rrugëtimi im në
profesionin e pianistes, dhe ngritja e përgjithëshme profesionale, lidhen me këtë shkollë. Shkolla e
muzikës „Halit Kasapolli“ ka qenë pishtar i suksesit tim brenda dhe jashtë Kosovës, andaj gëzohem
që gjeneratat e reja do të kenë një objekt shkollor modern që do tua lehtësojë procesin mësimor.
Në këto kushte moderne, do te jem afër gjeneratave premeteuse për të ndihmuar në avancimin e
tyre profesional. Angazhimi im maksimal e profesional dhe i stafit tim të respektuar, do të jenë
gjithmonë pranë dhe në shërbim për gjeneratat e reja”. -tha Rreze Kastrati, Drejtore e shkollës.

Ceremonia e hapjes fillon në ora 12:00. Të pranishëm do të jenë përsonalitete të shquara të
vendit. I pranishëm poashtu do të jetë edhe kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri
nga i cili është është inicuar kjo ide. Shkolla e muzikës është gjithnjë falenderuese ngaj kryetarit z.
Muhaxheri për mbështetjen e tij të fuçishme në realizimin e qëllimeve tona, kushteve të punës të
cilët janë krijuar për të qenë pjesë e rezultateve dhe suksesve sa më të mira për qytetin e Pejës./ KultPlus.com