Një udhëtim në sferat e artit dhe filozofisë nga Jetullah Haliti-Eti në Galerinë e Qytetit të Gjilanit 

Shkruan: Ilir Muharremi, kritik i artit  

Në ambientet  e Galerisë së Qytetit të Gjilanit, ditë më parë u hap një ekspozitë që është më shumë se një grumbull veprash artistike – është një udhëtim në thellësitë e qenies njerëzore dhe në labirintet e mendjes. “Kur flet arti nderohet kombi dhe atdheu” nga Jetullah Haliti-Eti nuk është thjesht një koleksion pikturash dhe skulpturash; është një reflektim dhe një meditacion mbi thelbin e ekzistencës dhe shpirtit, mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS). 

Ky univers krijues është një rrugëtim nëpërmjet abstraksioneve të cilat jo  vetëm që sfidojnë perceptimet tona, por gjithashtu i japin formë dhe substancë koncepteve të thella mbi qenien. “Embrionet ” janë një alegori për ndarjen e brendshme të qenies njerëzore, një përpjekje për të zbuluar veten në një botë që shpesh është e turbullt dhe e paqartë. Aty ku nisesh pa gjini, rrugëton neutral dhe si i drejt.  Forma abstrakte dhe ngjyrat e përziera krijojnë një dialog të përjetshëm ndërmjet natyrës së brendshme dhe jashtme, duke simbolizuar përpjekjet e pafundme të shpirtit për të depërtuar në thellësitë e vetvetes dhe për të kapur kuptimin e qenies. E Bardh, bluja janë një uragan ngjyror me forma të lakuara dhe të rrumbullakosura, që mund të interpretohen si paraqitje stilistike të fazave të hershme të zhvillimit të jetës. duket si një embrion i përfshirë në një hapësirë që duket si një qelizë ose një membranë amniotike. Ngjyrat e errëta dhe të lehta krijojnë një kontrast që e thekson këtë formë, duke i dhënë asaj një ndjesi të mbylljes dhe mbrojtjes. Piktura tjetër e të së njëjtës temë ka një sfond më të ndritshëm dhe të gjallë, me linja dhe rrjeta të ndërthurura që mund të simbolizojnë proceset biologjike dhe qelizore që ndodhin gjatë zhvillimit embrional. Kjo pikturë ngjall një ndjesi dinamike dhe të gjallë, duke treguar ndoshta fazat e ndryshme të zhvillimit të një embrioni. Piktura e tretë  ngërthen  ngjyra të arta dhe të kuqe që krijojnë një formë qendrore që gjithashtu ngjan me një embrion. Ajo ngjall një ndjesi të ngrohtë dhe të mbrojtjes, sikur të përfaqësonte momentet e para të jetës brenda një ambienti të sigurt dhe ushqyes. 

Në “Karbonizimet”, artisti zbulon realitetin e shpërbërjes dhe transformimit, duke krijuar një pasqyrë të pasigurisë dhe traumave që përshkojnë shpirtin kolektiv. Forma të deformuara dhe të karbonizuara janë metafora për pasojat e dhunshme të jetës dhe shkatërrimit që përndjekin mendjen dhe shpirtin njerëzor. Ky cikël është një reflektim mbi ecurinë e natyrshme të shkatërrimit dhe riformësimit, një ndihmë për të kuptuar sesi tronditjet dhe transformimet e jetës ndihmojnë në formësimin e qenies dhe identitetit. 

“Trekëndëshi i Bermudës” shpreh një përpjekje për të kuptuar misteret e ekzistencës, një hapësirë ku çdo hap është një mundësi për të humbur dhe për të kërkuar. Ky trekëndësh është një alegori për përpjekjet e pafundme të njeriut për të zbuluar dhe kuptuar më shumë rreth natyrës së realitetit dhe ekzistencës, në një botë që është përherë e mbushur me enigma dhe sfida. 

Në “Homazhin e Jezus Krishtit”, artisti eksploron dimensionet e shpirtit dhe besimit, duke ofruar një vizion të thellë mbi lidhjen e njeriut me të pavdekshmen dhe transcendentin. Ky portret është një përpjekje për të kapur dhe shprehur shpirtin e besimit dhe përkushtimit, duke ofruar një përmirësim të thellë në kuptimin e lidhjes së individit me të pavdekshmen. 

“Dritarja Artistike” është një simfoni e poetikës dhe filozofisë, ku duar që përshëndesin njëra-tjetrën janë një alegori e fuqisë transformuese të artit. Kur arti hyn në hapësirë, ai nuk eklipsohet nga asgjë tjetër; ai ndriçon dhe transformon realitetin, duke krijuar një ambient të mbushur me dritë dhe kreativitet që reflekton thellësitë e shpirtit. 

“Portreti Tragjik” është një meditacion mbi dhimbjen dhe vuajtjen njerëzore, një pasqyrë e ndjeshmërisë që shfaq sfidat dhe dhimbjet më të thella të individëve. Në të njëjtën kohë, peizazhet e vizatuara nga lartësia ofrojnë një perspektivë sublime mbi botën, duke theksuar lidhjen e përjetshme ndërmjet njeriut dhe natyrës, dhe ndikimin që ky realitet ka mbi jetën tonë. 

“Rrënjët e Shpirtit” është një eksplorim i pasur dhe i shumëdimensional i artit që nxit mendimin dhe ndjenjat më të thella. Është një mundësi për të hyrë në thellësitë e shpirtit dhe mendjes, për të reflektuar mbi historinë dhe përvojat që ndihmojnë në formësimin e identitetit tonë si individë dhe si shoqëri. Skulpturat, të ringjallura nga gurët e lashtë me formë të ndryshme tregojnë stilin e veçantë në skulpturë dhe stilizim të thellë.  

Në këtë ekspozitë, arti i Jetullah Haliti-Eti është një reflektim mbi thelbin e qenies dhe mbi ndihmën që artin mund të ofrojë në ndriçimin e natyrës njerëzore, në përpjekjen për të kapur dhe për të përjetuar thellësitë e mendjes dhe shpirtit në një botë që është përherë e mbushur me mistere dhe enigma. 

Në ekspozitë u shfaq edhe një film i punuar nga Klodi Kadillari e cila kishte trajtuar jetën e artistit Eti. 

Ekspozita do të mbyllet të premten. / KultPlus.com

Helidon Haliti sjell më 6 nëntor ekspozitën e rrallë ‘Faksimile’

Piktori i njohur Helidon Haliti do të hapë më 6 nëntor ekspozitën artistike të titulluar “Faksimile” në galerinë FAB.

Kjo ekspozitë është një projekt i cili ka origjinën në bisedat e tij me poetin Faslli Haliti, babain e tij, i cili është edhe burimi i tij i inspiratës si krijues.

Ata kishin një ëndërr të përbashkët për të kuruar një ekspozitë që do të përfaqësonte lidhjen e thellë midis pikturës së Helidonit dhe poezisë së babait të tij, duke treguar se elementë të poezisë dhe vlerat shoqërore të Faslli Halitit janë përfshirë në punët e tij artistike.

Megjithatë, Faslli Haliti u nda nga jeta para tre vitesh, dhe tani ky koncept po bëhet realitet.

Ekspozita “Faksimile” përbëhet prej pikturash dhe instalacionesh që përshkruajnë kujtimet dhe inspirimin që Helidon Haliti ka marrë nga babai i tij.

Ajo gjithashtu reflekton mbi ngjarjet dhe shqetësimet sociale që kanë ndodhur pas ndarjes së babait të tij për shkak të pandemisë së Covid-19.

Ky projekt artistik shfaq filozofinë se arti vazhdon të komunikoje edhe pas vdekjes së krijuesit. Poezitë e Faslli Halitit janë shërbyer si tituj për pikturat e Helidonit, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm midis tyre.

Ekspozita është e pasur me elemente të përrallave dhe kujtimeve që babai i tij i ka treguar atij si fëmijë.

Ekspozita “Faksimile” do të hapet për publikun më 6 Nëntor, në ora 18:00. Ajo përfshin rreth 40 punime në pikturë, të shoqëruara me një peizazh onirik dhe përdorimi i ngjyrave personale të artistit. Shfaqja shtron shqetësime të botës dhe përsëritjet në histori, por gjithashtu thekson se mësimet e babait vazhdojnë të jenë relevante edhe pas vdekjes së tij.

Ekspozita është organizuar në tri salla dhe përfshin një mini-muze, duke krijuar një ambient të larmishëm dhe duke eksploruar shqetësimet dhe dilemat artistike në një mënyrë inovative. “Faksimile” është një projekt që ka zgjatur për katër vite dhe tani është gati për të ndarë shpirtin dhe inspirimin e Helidon Halitit me publikun. Helidon Haliti mban dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që vijon të jetë tepër aktiv në krijimtarinë artistike./atsh/KultPlus.com

Përkujtohet poeti e shqipëruesi Faslli Haliti

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi sot poetin dhe shqipëruesin Faslli Haliti, i cili u nda nga jeta më 16 tetor të vitit 2020.

“E kujtojmë me nderim sot, për gjithë kontributin e dhënë në historinë e letërsisë shqipe, me përkthimin në shqip, të një prej poetëve të tij të dashur, Nazim Hikmet”, shkroi QKLL duke publikuar një prej poezive të sjella në shqip nga Faslli Haliti. Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi, një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare, u shua në moshën 85-vjeçare. Ai ishte autori i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935 dhe mbaroi Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën “Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe iu hoq e drejta e botimit.

Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Ai është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare dhe është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.

U shpalll qytetar nderi në qytetin e Lushnjës. Në 2017-ën ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” , dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”./atsh/KultPlus.com