Fëmijët e komunitetit shqiptar në Halkidha të Evias në Greqi nga sot e tutje do të kenë një shkollë për mësimin e gjuhës shqipe.
Hapja e këtij kursi u realizua falë përpjekjeve të vazhdueshme të Shpresa Rajta, Drejtuese e Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Evia dhe anëtarëve të saj, si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë midis shoqatës, Ambasadës dhe pushtetit vendor.
Pjesë e ceremonisë së hapjes ishte edhe Ambasadorja e RSh-së në Athinë, Luela Hajdaraga së bashku me Oficeren Koordinuese për Diasporën, Joneda Dodaj.
Të pranishëm gjithashtu në këtë ceremoni ishin Drejtoresha e Liceut të Përgjithshëm grek ku do të zhvillohet mësimi plotësues i gjuhës shqipe, Maria Mattheu, Kryetari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, Ermal Sulaj, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, Pierin Lleshi, Kryetarë dhe anëtarë të shquar të komunitetit, prindër, nxënës, të cilët dhanë mbështetjen e tyre për këtë aktivitet.
Aktiviteti u përshëndet nga Ambasadorja Hajdaraga, e cila pasi përgëzoi shoqatën për këtë iniciativë, vuri në dukje se ruajtja dhe promovimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare përbën prioritet të rëndësishëm për Ambasadën, ndërsa theksoi se e drejta e të mësuarit gjuhën amtare është detyrë jo vetëm e mjedisit familjar dhe atij shkollor, por gjithashtu detyrë e vendit amë dhe shtetit pritës.
Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Halkidha do të zhvillohet çdo të dielë, ora 10:00 – 12:00. Për më tepër informacion, të interesuarit mund të kontaktojnë Shoqatën e Emigrantëve Shqiptarë në Evia në linkun https://www.facebook.com/shoqataevias. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com