Fytyra e nanës

Poezi nga Sabri Hamiti

Si ta kem Fytyrën e Nanës
Kur ajo vjen mbasi bie terri
E ma vjedh gjumin prej syve?

Kërkon t’i veshi pantollat e fëmijnisë
T’ia them këngës për dhëmbin e syrit
Ta qes plisin në një sy.
Në gojë përshëndetja: udha e mbarë!

Si ta gjej Fytyrën e Nanës
Kur unë ndezi dritën
Ajo largohet e nuk flet?

Ja lypi përqafimin
Ja lexoj librin e shurdhët
Ja rigoj fjalët me lot
Shikimin në gropat e syve.

Si ta bëj Fytyrën e Nanës
Ta qes para vetes në mur
Kështu bëhet Natyrë e vdekur.

Përmend babën, vëllazërit, motrat
Thotë jam bërë i sertë nga goja
Se rrudhat po ma prishin ballin
Qe tri vjet me radhë pa ndalë.

Si ta kem Fytyrën e Nanës
Kur ajo vjen mbasi bie terri
E ma vjedh gjumin prej syve?

Herrma barin e njomë mbi varr
Zbulo mishin e gjallë të Dheut
Lutjen lidhe në buzë si lulen
Mos e harro zejen e shkrimit.

Si ta harroj Fytyrën e Nanës?
Ngris duart lakuriq kah qielli,
Qielli është i zbrazët.

Hiçmë prej syve, mbajmë në zemër!

Prizreni

Poezi nga Sabri Hamiti

Qyteti është krenar se është kryesori.

Kur shkon me veturë bën një orë.
Kur shkon në këmbë njëqind vjet:
Nis numron bimët, krojet, këngët,
Gurët e varreve dhe vitet.
Mbërrin i mplakur për tre breza
Me peshën e shekullit në shpinë.

I lodhur nga sëmundja e vetmisë
Gjen një shtëpi të moçme qyteti,
Që roje i bëjnë dy njerëz qindvjeçarë:
Njëri me kravatë e dokument,
Tjetri me plis e me kobure.

Mat moshën tënde e vetminë
Me plasat e tokës, kulmet e shprishura,
Oxhaqet pa tym…
E mëson drejtshkrimin, drejtpeshimin.

Kalaja rri lart e heshtur
Me dhëmbin e gjatë sa koha.
Kush e ka vetminë më të moçme:
Kalaja, Bistrica, Ti?
Apo Prizreni, që është më i madhi?/KultPlus.com

(Poezi shkruar në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botuar te “Trungu ilir”, 1979)

Kosova

Poezi nga Sabri Hamiti

Tokë e zezë ngjyer me gjak
Ku majat i qeth stuhia
Ka zjarmi në gji shtëpia
Plagë në zemër një bajrak

Rrafsh i Naltë i ndërron stinët
Që peshojnë qafën lakuar
Era egër i tremb bimët
Ujin që humbet ndër duar

Syri shkrep një vetëtimë
Mish të gjallë mbulon guna
Kur në qiell sundon furtuna
Fusha fryn një psherëtimë

Saherë zemra gjak kullon
Saherë syri lot loton
Nëpër shpirt e palcë të Motit
Valon shenjë e Kastriotit / KultPlus.com