Vajzës nga Kosova, Hana Arapit i është besuar puna nga gazeta prestigjioze britanike, “The Guardian” për dizajnin grafik të projektit të 200-vjetorit të kësaj gazete me famë botërore.
Hana Arapi e ka themeluar dhe e udhëheq në Prishtinë kompaninë e dizajnit, “Amam Studio”. Ajo është shembull se si të jesh kreativi sot i kalon kufijtë dhe arrin bashkëpunime të tilla ndërkombëtare.
Arapi është shprehur e lumtur për këtë bashkëpunim dhe ndihet e privilegjuar që puna e saj është vlerësuar nga Gardian.
Ndryshe, “Amam Studio”, kompania që e udhëheq Hana Arapi, deri më tani ka implementuar projekte të ndryshme edhe për UNDP, UNICEF, Caritas, FES – Friedrich Ebert Stiftung, Anibar – Animation Festival, ICK – Innovation Centre Kosovo, INDEP – Institute for Development Policy, Social Lab, sBunker, Coder Gals, Pomilio Blumm (Itali), Millions (Norvegji), Ornio (Norvegji), Afta Eats (Britani e Madhe), Koperativa (Kosovë), Kutia Digital Agency (Kosovë), Prosperify (Zvicër), Prince Coffee House (Kosovë), Dukagjini Publishing (Kosovë), etj.
Këtu mund ta gjeni videoprojektin e 200-vjetorit të “The Guardian”, dizajnin grafik të të cilit e ka realizuar Hana Arapi dhe kompania e saj, “Amam Studio“. / KultPlus.com
Artistja e re Hana Arapi, në hapësirën ekspozuese “Hani i 2 Robertëve” në Prishtinë, prezantoi mbrëmë ekspozitën e saj të dytë personale me një përmbledhje punimesh të realizuara gjatë pesë viteve të studimeve në Fakultetin e Arteve, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë e titulluar “Në Progres”, prezantoi një varg punimesh të cilat Arapi i ka realizuar gjatë studimeve nga lëndët të cilat ligjërohen në Fakultetin e Arteve. Punimet janë të realizuara në lëndën “Komunikim me vizualin”, “Ilustrimit” dhe lëndën “Mediat Digjitale”.
E kuratorja e kësaj ekspozite, njëherësh edhe profesoresha e Hanës, Lyra Zajmi, tha që është shumë krenare që një studente e saj po prezanton ekspozitë personale pasi që ekspozita të dizajnit grafik, sipas saj janë të vështira të realizohen.
“Jam shumë e kënaqur sepse është krenari e madhe për
një profesor që një student i tij të hapë ekspozitë personale, sepse njëkohësisht
është edhe sukses i profesorit. Është e vështirë pak të organizosh një ekspozitë
të dizajnit grafik, nuk është njëjtë si piktura e skulptura, më të vërtet mund të them se jam shumë krenare
sonte”, u shpreh Zajmi për KultPlus.
Po ashtu Lyra u bëri thirrje studentëve dhe
artistëve të tjerë që të merren me punime të dizajnëve grafike dhe të hapen më
shpesh ekspozita të tilla.
Punimet të cilat u prezantuan mbrëmë janë punime të
identitetit vizuel, animacionit e po ashtu edhe punime nga fusha e turizmit të
cilat janë postere turistike.
Po ashtu edhe profesori i Hanës, Muhamet Ahmeti, pati fjalë të mira për artisten e re, për të cilën tha që është një studente e shkëlqyer dhe se nga ajo pritet që të jetë një dizenjatore e njohur që do të realizoj punime dhe vepra artistike të cilat do të shërbejnë për të gjithë.
Ndërsa vetë artistja Hana Arapi, tha që gjitha këto
punime janë eksperienca e saj që ka mësuar gjatë pesë viteve të studimeve dhe
se në punimet e saj ajo mundohet të sfidoj barazinë gjinore.
“Ekspozita është një përmbledhje e punimeve që i kam realizuar gjatë studimeve në Fakultetin e Artëve, këtu janë disa punime personale dhe punime komerciale, krejt këto e përmbledhin një eksperiencë timen që kam mësuar brenda këtyre pesë viteve. Në punimet e mija mundohem të sfidoj barazinë gjinore, për shembull karakteri që është realizuar për fotosintezën është një djalë që i ka flokët e gjelbërt e një bluzë rozë, që do të thotë se ngjyra që veshë nuk definon gjininë e tij”, tha Hana për KultPlus.
E kjo artiste e re, premtoj që shumë shpejt për adhuruesit e veprave të saj do të vij me një ekspozitë të re e cila do të përmbaj një cikël të veçantë veprash. Hana Arapi është duke i vazhduar studimet Master në Fakultetin e Arteve në Departamentin e Dizajnit./ Gzim Mujaj / KultPlus.com
“Nëse ki qef me pa Kishë e Xhami, dil n’shadërvan kafe me pi”, kështu shkruhet në njërin nga punimet e artistes së re Hana Arapi. Ky punim që sjellë në mënyrë artistike arkitekturën e qytetit më të bukur të Prizrenit, shënon një nga shumë punimet e saj që u prezantuan mbrëmë në ekspozitën e saj personale “n’4tën”.
Hana Arapi është absolvente e dizajnit grafik, ndërsa me po këtë ekspozitë po kurorëzon edhe rrugëtimin e saj katërvjeçar në këtë fushë të studimit. Ajo është rritur në Prizren dhe pikërisht në këtë qytet po kthehej së bashku me shumë kolegë e të afërm të saj, për të ndarë momentet e ekspozitës së saj personale.
Hamami “Gazi Mehmet Pasha” në Prizren, ishte bërë pikëtakim i artistes me mysafirët që kishin ardhë t’i shohin punimet e saj, të cilat kishin marrë një pamje të mahnitshme të vendosura në murin e gurtë të këtij hamami. Punimet e saj që tregonin për një stil modern, e shprehje të re artistike në fushën e dizajnit grafik, tashmë ishin mbështetur në një nga monumentet më të vjetra të këtij qyteti. Punimet e i përkasin fushës së Komunikimit Vizual, duke përfshirë Mediat Dixhitale, Ilustrimin, Fotografinë dhe Tipografinë.
Profesoresha dhe kuratorja e kësaj ekspozita, Lyra Zajmi në ceremoninë hapëse të ekspozitës tha se ndihet tejet krenare për ekspozitën dhe punën e studentes së saj, Hana Arapi.
“Jeta është e çuditshme, para shtatë vitesh e kam hapur ekspozitën këtu. Për mua atëherë ka qenë një sukses shumë i madh, e kam ndjerë veten shumë krenare por mund ta them që sonte po ndihem edhe më krenare për ekspozitën e Hana Arapit. Sonte më shumë kënaqësi jam edhe kuratore, në radhë të parë jam edhe profesoreshë e këtyre vajzave punëtore dhe të suksesshme”, u shpreh Zajmi gjatë hapjes së ekspozitës.
Kolegia e saj, Diellza Balaj gjatë hapjes së ceremonisë u shpreh se duke e njohur punën e Hanës përgjatë katër viteve, kjo nuk do të mbetet ekspozita e saj e fundit dhe se ajo ka edhe shumë për të dhënë nga vetja në vazhdimësi.
Për Hana Arapin kjo ishte dita më e mirë e jetës së saj. Ajo tha se mbrëmë është ndjerë shumë e plotësuar me praninë e të gjithë atyre që kishin ardhur ta shohin ekspozitën.
“Nuk kam prite kaq shume publik, në ekspozitën time kanë ardhur njerëz qe nuk i kisha pa me vite edhe kishin ardhë enkas për këtë ekspozitë, po ndihem shume e privilegjuar. Sinqerisht dua shume t’i falënderoj të gjithë ata qe kanë qenë pjesë e ekspozitës sime, ndërsa ne veçanti profesoreshën e dashur dhe kuratoren time Lyra Zajmin, shoqërinë, familjen, Iniciativën “Femaktiv”, Organizatën “Dokufest” dhe Dj Esnaf(Agon) pa të cilët kjo ekspozitë nuk do të shkëlqente ne këtë mënyrë ”, ka treguar për KultPlus, artistja Hana Arapi./ KultPlus.com
Hana Arapi po e sjellë ekspozitën e saj personale.
Hana Arapi është absolvente e dizajnit grafik, ndërsa për ta kurorëzuar rrugëtimin e saj katërvjeçar, ajo këtë të shtunë sjellë ekspozitën e parë personale të titulluar “n’4tën”.
Kuratore e kësaj ekspozite është profesoresha Lyra Zajmi. Punimet e Hana Arapit do të prezantohen në Prizren dhe janë të fushës së Komunikimit Vizual, duke perfshirë Mediat Dixhitale, Ilustrimin, Fotografinë dhe Tipografinë.
Ekspozita hapet këtë të shtunë, më 21 prill, në Hamamin “Gazi Mehmet Pasha” ne Prizren , duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com