Artistja shqiptaro-amerikane Hana Noka, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregoi se këto ditë ka marrë letër nga Presidenti Joe Biden.
Letra ishte përgjigje ndaj letrës që ajo ia ka dërguar kohë më parë presidentit Biden, përmes së cilës ajo e ka falënderuar për ndihmën e dhënë për popullin e Kosovës, në periudhën më të vështirë në vitin 1999.
“Të dëgjoj individë të pasionuar si ti më frymëzon çdo ditë dhe mirëpres mundësinë për t’iu përgjigjur letrës suaj. Vendi ynë përballet me shumë sfida dhe rruga që do të kalojmë së bashku do të jetë një nga më të vështirat në historinë tonë. Pavarësisht këtyre kohërave të vështira. Nuk kam qenë kurrë më optimist për të ardhmen e Amerikës. Unë besoj se ne jemi më të pozicionuar se çdo vend në botë për të udhëhequr në shekullin 21 jo vetëm nga shembulli i fuqisë sonë, por edhe nga fuqia e shembullit tonë”, thuhet ndër të tjera në letrën e presidentit Biden dërguar Nokës.
Në një postim në rrjetet sociale, ku e ka publikuar letrën me nënshkrimin e Presidentit Biden, Hana tregon se çfarë i kishte shkruar ajo Presidentit të Shteteve të Bashkuara.
“I kam shkruar (Presidentit Biden) si një shqiptaro-amerikane, për të treguar se sa mirënjohëse jam për gjithë mbështetjen e tij për atdheun tim, Kosovën, që nga viti 1999! Po ashtu, e kam informuar për projektet e mia dhe për përkushtimin tim për të dhënë kontributin tim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur po përballemi me një kohë shumë sfiduese, por së bashku – jemi më të forte. Voto Blue.
Jam shumë e emocionuar dhe e përulur që e mora përgjigjen e tij inkurajuese.
FALEMINDERIT PRESIDENT BIDEN!”, shkruan ajo.
Hana Noka, me prejardhje nga Kosova, është modele, aktore, shkrimtare dhe regjisore. Ajo është autore e librit shumë të lexuar “Besa Po”, i cili është vlerësuar me çmimin “Beverly Hills Book Awards”, dhe regjisore e filmit të shkurtër “I woman” (Unë gruaja).
Hana Noka jeton e punon në Los Angeles.
Letra e plotë e presidentit Biden dërguar shqiptaro-amerikanes Hana Noka:
E dashur Hana, faleminderit që gjetët kohë të ndani me mua pikëpamjet tuaja. Të dëgjoj individë të pasionuar si ti më frymëzon çdo ditë dhe e mirëpres mundësinë që t’i përgjigjem letrës suaj.
Vendi ynë përballet me shumë sfida dhe rruga që do të kalojmë së bashku do të jetë një nga më të vështirat në historinë tonë. Pavarësisht këtyre kohërave të vështira, unë nuk kam qenë kurrë kaq optimist për të ardhmen e Amerikës. Unë besoj se ne jemi pozicionuar më mirë se çdo vend në botë për të udhëhequr në shekullin 21, jo vetëm me shembullin e fuqisë sonë, por me fuqinë e shembullit tonë.
Ndonëse ne mund të mos biem gjithmonë dakord se si të zgjidhim secilën çështje, unë zotohem të jem President i të gjithë amerikanëve. Jam i bindur se ne mund të punojmë së bashku për të gjetur gjuhën e përbashkët për ta bërë Amerikën komb më të drejtë, më të begatë dhe më të sigurtë.
Derisa ne ecim përpara për të adresuar çështjet komplekse të kohës sonë, Ju inkurajoj të mbeteni pjesëmarrëse aktive për të ndihmuar në shkrimin e kapitullit tjetër të madh të historisë amerikane. Ne kemi nevojë për guximin dhe përkushtimin tuaj në këtë kohë kritike, dhe ne duhet ta kalojmë këtë moment së bashku si Shtete të Bashkuara të Amerikës. Nëse e bëjmë këtë, besoj se ditët tona më të mira vërtet janë përpara. / KultPlus.com