Kandiq: Dekorimi i Handkes është nisje e luftës ndaj rajonit dhe neve që bartim turpin e gjenocidit dhe krimeve që kreu Serbia

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka reaguar pasi presidenti Aleksander Vuçiq ka dekoruar mohuesin e gjenocidit dhe mbështetësin e Millosheviqit, Peter Handke me medaljen më të lartë shtetërore “ Urdhëri i Yllit të Karagjorgjit”.

Kandiq përmes një reagimi në Twitter ka thënë se Vuçiqi me atë gjest ka filluar një luftë kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe njerëzve në Serbi që mbajnë turpin e gjenocidit të kryer nga Millosheviqi në vitet e 90-ta.

“Duke dekoruar me “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjitit” Peter Handken, Presidenti i Serbisë, filloi luftën kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe secilit prej nesh në Serbi që mbajmë turpin e gjenocidit të kryer dhe krimeve masive të forcave serbe në luftërat e viteve 1990. Nuk ka asnjë dromcë shprese”, ka shkruar Kandiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para dy ditësh e ka dekoruar me medaljen më të lartë shtetërore “Urdhri i Yllit të Karagjorgjit” fituesin e çmimit Nobel për letërsi vitin e kaluar, Peter Handke, i cili i bëri apologjetikë Sllobodan Millosheviqit për krimet e kryera në Ballkan.

Vuçiq e falënderoi Handken për gjithçka që bëri për Serbinë, duke e konsideruar “zëdhënës” të tyre.

Në anën tjetër, asnjë zyrtar shtetëror i Kosovës nuk ka reaguar ndaj dekoratës që presidenti serb Aleksandër Vuçiq i ka bërë mbështetësit të Millosheviqit, shkrimtarit austriak, Peter Handke. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Lunaçek: S’mund ta kuptoj ndarjen e Nobelit për Handken

Sekretarja e re e shtetit për Kulturë dhe Arte në Qeverinë austriake, Ulrike Lunaçek, në një intervistë për mediat austriake ka thënë se nuk mund ta kuptojë ndarjen e Çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke, transmeton KultPlus.

“Më parë, kam lexuar shumë gjëra të tij dhe më pëlqente vërtet. Megjithatë, mënyrën se si ai flet për çështje politike ku mijëra njerëz janë në dhimbje të mëdha, unë nuk e kuptova”, potencoi ajo për mediat austriake Kurier, Standard dhe Tiroler Tageszeitung.

“Nuk e kuptova vendimin e jurisë për t`ia dhënë çmimin Nobel”, vazhdoi tutje ajo

Ajo poashtu tha se nuk i kuptoi kurrë deklaratat e Handkes për luftërat në Ballkan.

Fituesi i çmimit Nobel për Letërsi, u ballafaqua me shumë akuza nga vende të ndryshme e persona me ndikim të madh në fusha të ndryshme të artit dhe jo vetëm. / KultPlus.com

Mjekja suedeze e kthen çmimin Nobel të fituar 31 vite më parë, shkaku i Peter Handkes

Dhënia e çmimit Nobel për letër për shkrimtarin austriak Peter Handke, ka ngjallur polemika të shumta në opinionin publik në lidhje me mbështetjen e tij për regjimin Slobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, dhe protestat u organizuan me rastin e këtij çmimi.

Për këtë mjekja suedeze Christina Doctare e kthen prapa çmimin Nobel të fituar në vitin 1988 për shkak të Handkes.

Ceremonia u pasua nga një bojkot nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia Veriore, Shqipëria dhe Turqia. Protestat spontane, përpara ceremonisë zyrtare të ndarjes, u mbajtën para Qendrës Memoriale Potocari në Srebrenica, dhe më vonë në kryeqytetin Suedez, Stokholm.

Të mbledhur në një minutë heshtje për nder të viktimave të genocidit të Srebrenicës në verën e 1995 dhe viktimave të armiqësive në të gjithë Bosnje-Hercegovinën, shkruan Al Jazeera përcjellë Klan Kosova.

Doctare kujtoi luftërat në Ballkan, nga të cilat raportoi dhe tregoi krimet që kanë ndodhur. Ajo foli për trupat e masakruar e të rënë dhe tmerret që ajo dëshmoi.

“Për sa kohë që unë jetoj, unë do të dëshmoj se e vërteta e një lufte të tmerrshme nuk do të ekuilibrohej kurrë,” shtoi ajo. / Klan Kosova / KultPlus.com

Peter Handke pranon Nobelin për Letërsi (VIDEO)

Shkrimtari austriak Peter Handke ka pranuar Çmimin Nobel për Letërsi nga Mbreti i Suedisë Karl Gustav, në një ceremoni të organizuar në Stokholm.

Këtu u vlerësuan lartë veprat e Handkes, për punën e së cilit u tha se kishte shpirt zbulues dhe se ishte inspiruese për gjeneratat e ardhshme.

Handke është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës Srpska që nga viti 2008 dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë që nga viti 2012.

Nderimi i tij me Nobelin për Letërsi u përcoll me reagime dhe kundërshti të mëdha nga vende të ndryshme të botës, kjo pasi Handke ishte mbështetës i Sllobodan Millosheviqit dhe kishte mohuar gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pikërisht për këtë Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e dhënies së çmimit.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës kishte dërguar letër Akademisë Suedeze ku potencohej se Handke kishte mohuar krimet gjenocidale të Millosheviqit, për të cilën kjo e fundit pati thënë se “Nobeli ndahej për arritjet në letërsi e jo për personalitetin e tij”. Klan Kosova /KultPlus.com

Srebrenica kundër Akademisë Suedeze për ‘Nobelin’: T`ju vije turp!

               

Në ditën kur mbahet ceremonia e dorëzimit të Nobelit të Letërsisë, shoqatat e myslimanëve të Bosnjës i dërguan akademisë suedeze një mesazh të qartë me një pankartë gjigande të vendosur në zemër të Sarajevës, në të cilën janë shkruar fjalët “Turp të të vijë”.

Ato kanë denoncuar vendimin që çmimi prestigjoz t`i jepej shkrimtarit austriak, të shumëpërfolur për qëndrimin pro-serb dhe mbështetjen e Sllobodan Milosheviçit.

Përzgjedhja e Akademisë Suedeze, e njoftuar në tetor, shkaktoi zemërim në Ballkan dhe më gjerë.

Autori 77-vjeçar do ta marrë çmimin nga Mbreti i Suedisë Carl XVI Gustaf në një ceremoni zyrtare me laureatët e tjerë të këtij viti, një event që do të pasohet nga një banket gala, ku do të marrin pjesë më shumë se 1200 të ftuar specialë, por që duket se do të pritet me protesta. / KultPlus.com

Handke refuzon pyetjet për përkrahjen ndaj Milosheviqit

Shkrimtari austriak Peter Handke, të cilit javën që vjen do t’i dorëzohet çmimi “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten në Stokholm, në konferencën tradicionale për media se e do letërsinë, duke i bërë bisht polemikës për qëndrimet e tij proserbe në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë.

“E dua letërsinë e jo mendimet”, i është përgjigjur ai një gazetareje, e cila e ka lutur ta thotë mendimin e tij në lidhje me ngjarjet e viteve ‘90 në Ballkan. “I urrej mendimet”, ka thënë ai. Një tjetër gazetar e ka pyetur se përse në librat e tij s’e përmend Tribunalin e Hagës që ka pranuar gjenocidin në Srebrenicë, për të cilin janë shpallur fajtorë liderët ushtarakë e politikë, Ratko Mladiq e Radovan Karaxhiq.

“Vetëm vazhdoni me pyetjet tuaja, më pëlqejnë pyetjet tuaja”, me ironi është përgjigjur ai teksa ka lexuar letrën “armiqësore”, që i është adresuar bashkë me letër tualeti.

“Më shumë më pëlqen një letër anonime me letër tualeti sesa pyetjet tuaja”, ka thënë ai në konferencën për media, e cila ka nisur në një atmosferë të gëzueshme pasi kori ia ka kënduar Handkes këngën e ditëlindjes. Të premten ai ka festuar 77-vjetorin.

Por disa orë para konferencës, reagime kundër tij kanë ardhur edhe nga institucioni që vendos për laureatin e “Nobelit” për letërsi. Një anëtar i Akademisë suedeze, që ndan çmimin “Nobel” për letërsi, ka thënë të premten se do të bojkotojë kremtimet e sivjetme në shenjë proteste për çmimin e dhënë për Handke, një mbështetës i presidentit të ndjerë serb. /Koha.net /KultPlus.com

Kadare: Handke kaloi vijën që s’duhet kaluar në letërsi, vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë

Shkrimtari 83-vjeçar shqiptar Ismail Kadare tha të mërkurën në Seul të Koresë së Jugut se ishte i lumtur që nderohej me çmimin prestigjioz Pak Kyong-ni për vitin 2019.

Çmimi do t’i dorëzohet shkrimtarit më 26 tetor në qytetin Wonju me një ceremoni të veçantë.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve jugkoreanë në Qendrën e Shtypit në Seul, Ismail Kadare tha se “Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Evropë, një vend komunist nën diktaturë.”

Por, shtoi ai, Tiranën e ndan vetëm një distancë e shkurtër nga Italia dhe “njerëzit mund ta ndienin ndikimin e botës perëndimore. E megjithatë, ata bënin sikur një ndikim i tillë nuk ekzistonte. Ishte e ndaluar të flisje se sa afër ishte bota perëndimore.”

“Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria. Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është e vetëm njëra nga ato mijëra raste,” tha shkrimtari Kadare.

Ai foli për frymën universale të letërsisë dhe tha se edhe në Shqipërinë dikur të izoluar njerëzit megjithatë dinin për Korenë dhe për realitetin e dyfishtë të popullit korean.

Pastaj shkrimtari iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Duke folur për fituesin e Nobelit në letërsi për vitin 2019, shkrimtarin Peter Handke, i cili u bë objekt debatesh për lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin, Ismail Kadare tha se është dakord me mendimin e shumë kritikëve të tjerë. Akademia Suedeze nuk duhet t’ia kishte dhënë çmimin Handkes, tha ai.

“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.

Ai tha se ka qenë vetë viktimë e censurës dhe shtypjes së qeverisë dhe se kjo mund ta ketë bërë të jetë kaq i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.

Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet Ismail Kadaresë më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon.

Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve. / KultPlus.com

Cselaw Milosz apo Peter Handke: Dy anët e kundërta të Çmimit Nobel për Letërsi

Shkruan Ndue Ukaj

Në vitin 1980 është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi, Cselaw Milosz, polaku virtuoz, që shkroi letërsi të madhe dhe humane. Ai vlerësohet si njëra nga figura më të mëdha të letërsisë europiane dhe njëri nga më të respektuarit e shekullit XX. Ai u lind në Lituani, ku prindërit e tij emigruan për shkak të zhvillimeve politike dramatike. Pastaj, si rritur, për t’i ikur shtypjes komuniste, iku në botën e lirë, në Amerikë, dhe atje jetoi nga viti 1960 deri në vdekje, më 2004.

Në Poloni, poezitë e tij ishin të ndaluara, derisa ai fitoi Çmimin Nobel për Letërsi. Kjo e dhënë tregon se ç’frikë dhe ç’mani të çuditshme kanë pushtetet despotike nga arti dhe fuqia e fjalës artistike, para se gjithash, nga e vërteta që përçon arti dhe forca e tij për të goditur të ligen njerëzore. E Miloszi, si shkrimtar i mirë e afirmoi me këmbëngulësi një lloj të tillë të letërsisë. Si shkrimtar i dalur nga koha e tronditjeve dhe përmbytjeve të mëdha ideologjike dhe politike, ai duket një Odise i kohëve bashkëkohore, që ka treguar në poezitë e tij vlerat fondamentale të artit, atë humusin transcendental të fjalës artistike, që aspiron të ruajë dhe të shpëtojë njeriun dhe lirinë e tij nga tiranitë e ndryshme ideologjike apo nga çdo formë tjetër e shtypjes njerëzore.

Ai ka shkruar një sërë poezish fantastike, por mua më ka bërë përshtypje të madhe poezia “Dedikim” e botuar në Warsaw, në vitin 1945. Vetë viti i botimit tregon nga ç’ klithma, dhimbje, shkatërrime dhe lot ka dalë kjo poezi, në të cilën, përmes një ligjërim të thjeshtë dhe krejt të çiltër, poeti shtron përpara ndërgjegjes njerëzore dhe botës së artit një pyetje ekzistenciale:
“Ç’ është poezia që nuk mund të shpëtojë kombe ose njerëz?”
E këtë pyetja ia shtrova edhe unë vetvetes sapo dëgjova kumtin e Akademisë Suedez për t’i dhënë Çmimin Nobel për Letërsi, austriakut Peter Handkes, të cilësuar si monstër ideologjike.

Nëse i krahasojmë këto dy figura të laureuara me Nobel, e shohim qartë se Handke, një i laureuar i vitit 2019 është në taborin tjetër të humanizmit dhe me shigjetat e tij helmatisura vazhdon të gjuajë mbi kampin human, për faktin se ai u rreshtua pas diktatorit gjakpirës të Serbisë dhe mbrojti qëndrimet e tij kundrejt popujve tjerë të shtypur, siç ishim ne shqiptarët. Pra, ai u rreshtua në anën e robërisë dhe jo të lirisë.
Po – ai ishte dhe vazhdon të jetë në anën e kundërt të humanizmit, prandaj sot me të drejtë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë të kulturës dhe dashamirës të artit dhe letërsisë, të habitur e të mërzitur pyesin: cila është mostra që duhet të ndjekin lexuesit, ajo që propozon Milosz apo Handke?

Lexuesit e sotëm dhe të nesërmen të letërsisë së mirë, kur të gjykojnë për idetë letrare, duhet të marrin mostër qëndrimet e Handkes nën llurbën e së cilës dergjet ndërgjegjja njerëzore apo ato që na propozon shkrimtari polak për fisnikërimin e ndërgjegjes njerëzore?

E unë nuk besoj të ketë njeri racional, që me mendje të shëndoshë mund të del në kampin që propozon Handke, prandaj edhe vlerësimi i Akademisë Suedeze për t’i dhënë Çmimin Nobel për Letërsi atij është krejt absurd dhe nuk mund të arsyetohet, madje, as me koncepte letrare.

Gjatë historisë së shkrimit, që nga antika e këndej, të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike, etike e intelektuale, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një kërkesë e përhershme që shoqëria ia kërkon shkrimtarit. Në vazhdën e shumë thirrjeve të tilla, shkrimtar i jashtëzakonshëm Franc Kafka, thoshte se, nuk ka letërsi të madhe pa të vërtetën dhe moralin. Në këtë kontekst, mund të pohojmë se letërsia e mirë dhe e madhe, gjithmonë i kërkon të vërtetat e vjetra; të vërtetat e amshueshme, të përhershme, ato të tejkohshmet – pra të vërtetat universale dhe nuk rresht së ngrituri lart flamurin e lirisë, humanizmit dhe drejtësisë.

Sepse, përparimi shoqëror nënkupton një ndjeshmëri dhe përgjigje etike karshi sfidave të përhershme që shfaqen para njerëzimit dhe humanizmit tonë. Këtë ndjeshmëri, dijet shoqërore dhe shkenca nuk mund ta japin në mënyrën e duhur, kurse letërsia ka fuqi ta injektojë njerëzimin me vlera sublime, siç janë humanizmi, kënaqësia, lumturia, dituria dhe bukuria.

Mu për këtë arsye, ka shkrimtarë që me të drejtë mendojnë se letërsia është ajo e cila mund ta përmbushë boshllëkun moral të një shoqërie, dhe po ashtu, ka tagër, t’i jap përparimit forcë domethënëse dhe krijuese.

Duke medituar për këtë temë, mu kujtua edhe shkrimtari i madh italian, Italo Calvino, i cili duke besuar te letërsia dhe të mundësitë që ka ajo për t’i thënë dhe dhënë disa gjera, shkroi:
“Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës”.
Sot – po të ishte gjallë Calvine, si do të ndihej dhe çfarë do të thoshte?
Me siguri, ai do të ndihej i turpëruar dhe i përbuzur deri në palcë, por nuk do të ndërronte mendimin dhe besimin te letërsia dhe forca e saj humane, për ta luftuar përhapjen e murtajës së gjuhës, ashtu siç nuk do ta ndërrojnë shkrimtarët e sotëm e as ata të së nesërmes.

Sepse, letërsia ka fuqi shpërthyese dhe është e aftë t’i ndriçojë rrugët e njerëzimit dhe t’i mësojë njerëzit t’i forcojnë armët e humanizmit, kundrejt armëve të urrejtjes, ashtu siç kanë bërë gjithmonë shkrimtarët e mëdhenj.
Prandaj, unë besoj në letërsinë që i shërben humanizmit, ashtu siç besuan patriarkët e shumë të letërsisë së përbotshme dhe jo në letërsinë që i shërben të ligës e dehumanizmit.

Unë besoj te letërsia dhe të mundësitë që ka ajo për t’i harmanizuar sjelljet njerëzore dhe për të emancipuar njeriun, veçmas te mundësitë e saj të pakufishme për të trokitur në ndërgjegjen njerëzore kur ajo është e përgjumur.

Shkrimtari suedez Torgny Lindgren shkruan: “Shkrimtari shkruan vetëm gjysmën e librit, do të mund të thuhej, ndërsa për pjesën tjetër kujdeset lexuesi. Në të vërtetë, janë lexuesit ata që i japin cilësi një libri. Një lexues i mirë, bën të dëgjohet çdo libër. Një lexues i keq mund ta pengojë çdo libër.”
Në parkim me këtë, lexues i ndërgjegjshëm me të drejtë dhe i shqetësuar, vazhdon të pyet:
Cilën pjesë të letërsisë e shkroi Akademia e Nobelit me vlerësimin e 10 tetorit 2019 ?


Shkrimtari i madh amerikan, gjithashtu nobelist i letërsisë, William Faulkner njëherë tha: “Unë refuzoj të pranoj fundin e njeriut”.
Akademia Suedeze për vite të tëra është udhëhequr nga qëllime të larta dhe fisnike, dhe nuk e ka pranuar fundin e njeriut, përkundrazi e ka ndihmuar atë të luftojë për t’i mposhtë forcat e liga.
Kjo huqje kaq absurde e Akademisë Suedeze do të mbetet një njollë në ndërgjegjen e saj dhe një heshtë në ndërgjegjen njerëzore.

Po- vendimi për t’i dhënë Çmimin Nobel për Letërsi një figure që ka përkrahur diktatorin serb është absurd dhe mendja racionale nuk mund ta arsyetojë. Megjithatë, unë dua të besoj në fuqinë që ka ky institucion, para se gjithash, dua të besoj në fuqinë e letërsisë për të përmirësuar këtë gabim të madh, që domethënë për të mos pranuar fundin e njeriut. / KultPlus.com

Çfarë ka shkruar Kadare për Peter Handken njëzet vjet më parë, në ditarin e tij për Kosovën

“Ra ky mort e u pamë”

Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.

Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.

E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.

Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.

Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.

Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.

A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.

20 Prill, 1999 /KultPlus.com

Reagon MPJ: Shkrimtarit Handke duhet t’i merret çmimi Nobel

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shprehë shqetësimin e thellë për ndarjen e çmimit ‘Nobel’ shkrimtarit austriak Peter Handke, përkrahësit të Sllobodan Millosheviqit, të akuzuarit për gjenocid e krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe njësi të tjera të ish-Jugosllavisë.

“Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave, institucion me renome botërore, ndan çmimin prestigjioz Nobel për fusha të ndryshme bazuar në vlerësimin profesional, moral dhe etik. Mirëpo, neve gjykojmë që kësaj radhe çmimi i është dhënë njeriut të gabuar – mohuesit të gjenocidit”, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës kërkon nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi një njeriu që mund të jetë gjenial si shkrimtar, por që në jetën publike është treguar mohues i të drejtave të njeriut duke dalë publikisht në anën e dikujt që më pas vdiq në Hagë si i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës u bën thirrje edhe institucioneve relevante botërore, akademive shkencore dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ngrehin zërin e tyre dhe të shprehin kundërshtimin me vendimin e Komitetit të Nobel-it, shkruan Koha Ditore.

“Emri i Petar Handke në Kosovë është sinonim i së keqës, mbështetës i një pushteti shovinist. Çmimet që i ndahen një njeriu të këtillë zhvlerësojnë përpjekjet e shoqerive demokratike për një botë paqedashëse. Nuk e nderojnë asnjë institucion akademik, as Akademinë Suedeze.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli II, Të Drejtat dhe Liritë Themelore, Neni 21, Pika 3 thuhet: Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Prandaj, bazuar në Kushtetutën tonë, populli i Kosovës të paktën, nuk mund të ketë respekt per vepren e z.Handke, dhe ndjehet i fyer që çmimi iu nda njeriut që dikur ia uronte ferrin”, përfundon reagimin MPJ. /KultPlus.com